web-woh-28-mars

28 Mars

Lexoni nga Marku 15:33-39

Veli i shqyer më dysh

Atëherë veli i tempullit u shqye më dysh, nga maja deri në fund. (v. 38)

Gjatë pandemisë së Kovid-it, unë nuk mund të shkoja në shtëpi, duke qenë një amerikan që jetoja në Kanada, sepse u mbyllën kufijtë. Pas nja dy vitesh që nuk isha në gjendje të udhëtoja, më në fund pata mundësinë të vizitoja familjen time në SHBA. Ndërsa po kaloja doganën, edhe emocionet vërshuan ngado. Trau nuk ishte më dhe më në fund mund të kthehesha në shtëpi.

Jezusi krijoi një rrugë aty ku nuk kishte rrugë. Veli i tempullit ishte një lloj trau, një pengesë mes Perëndisë dhe popullit të tij. Kur Perëndia dha udhëzimet për ndërtimin e tabernakullit (dhe më vonë të tempullit), ai urdhëroi që të vendosej një vel që do të ndante vendin e Shenjtë nga Vendi shumë i Shenjtë. Vetëm një herë në vit mund të hynte një person, kryeprifti, në Vendin shumë të Shenjtë ku banonte Zoti. Por edhe atëherë, kryeprifti duhet të ishte i pastruar përmes flijimeve. Duke qenë ritualisht dhe frymërisht i papastër, populli nuk mund të hynte në praninë e një Perëndie të shenjtë.

Me vdekjen e Jezu Krishtit, ky vel u shqye më dysh. Me anë të kryqëzimit të tij, duke qenë flijimi i përsosur një herë e mirë, Jezusi hapi “një udhë të re dhe të gjallë” për ne drejt pranisë së Perëndisë (Heb. 10:19-20). Shenjtëria e Perëndisë nuk ndryshon, por ama tani, me anë të gjakut shpëtues të Krishtit, jemi aftësuar që të hyjmë në praninë e Perëndisë. Ai e ka rrëzuar “traun” duke derdhur gjakun e tij dhe veli, në mënyrë domethënëse, u shqye “nga maja deri në fund” (Mk. 15:38). Perëndia e ka shqyer velin; ai ka hapur rrugën. Jezusi e ka bindur Perëndinë të krijojë një udhë për ne në praninë e Atit. — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, falënderoni Jezusin që ka hapur një udhë për ne në praninë e Perëndisë.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android #pashke

web-woh-27-mars

27 Mars

Lexoni nga Gjoni 19:16-25

Kryqëzimi

. . . Vendin që quhej “Kafka”, që në hebraisht quhet “Golgota”. (v. 17)

Ndonjëherë ka rëndësi se ku ndodh diçka. Rëra nga plazhet e Normandisë kanë tjetër kuptim nga rëra e plazhit të Durrësit. Kur themi “po” në një dasmë është ndryshe nga përgjigja që japim në kuzhinë kur na pyesin a duam një kafe. Pra, ka rëndësi se ku ndodhin gjërat.

Edhe vendi ku u kryqëzua Jezusi ka rëndësi. Pra, Golgota, “vendi që quhej ‘Kafka’” (v. 17). Kjo histori në fakt fillon në kopsht, me Adamin dhe Evën (Zan. 2). Ata jetuan në harmoni me Perëndinë dhe krijimin. Mirëpo, kur erdhi tundimi, ata e prishën atë harmoni; i vunë veshin zërit gënjeshtar të gjarprit, hëngrën frytin që Perëndia i kishte urdhëruar të mos e hanin dhe e dërguan gjithë krijimin tatëpjetë drejt mëkatit (Zan. 3:1-14). Megjithatë, Perëndia në mëshirën e vet nuk e braktisi krijimin e tij. Përkundrazi, në gjykimin që shqiptoi kundër gjarprit ai përfshiu një premtim: “Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj” (v. 15). Perëndia premtoi se pasardhësi i Evës një ditë do ta mposhtte gjarprin një herë e përgjithmonë.

Nuk është rastësi që këmbët e Jezusit (thembra!) u tejshpuan në një kodër të quajtur “vendi i Kafkës”. Ky premtim i lashtë është përmbushur me Jezusin. Me anë të duarve dhe këmbëve të tejshpuara, Jezusi e ka shtypur kokën e gjarprit, duke korrur fitore mbi mëkatin, vdekjen dhe të ligun. Jezusi në Golgota përmbushi premtimin e madh të Perëndisë për të shpenguar popullin e tij. — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, falënderoni Jezusin për kryqin.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android #pashke

web-woh-26-mars

26 Mars

Lexoni nga Mateu 27:32-37

Simon kirenasi

E detyruan [një njeri] ta mbartte kryqin e Jezusit. (v. 32)

Nuk besoj se Simoni e kishte menduar që dita do t’i shkonte kështu. Duke qenë se vinte nga rajoni i largët i Kirenas, me shumë gjasa Simoni ishte një jude besnik që kishte ardhur në Jerusalem për pashkën judease. Ai nuk kishte ardhur të shikonte Jezusin; aq larg sa jetonte ai ndoshta nuk kishte dëgjuar kurrë për Jezusin. E megjithatë, përmes hirit të Perëndisë, ai u bë pjesë e kësaj historie. Simonin e detyruan të mbartte kryqin e Jezusit, i cili ishte i lodhur nga gjyqi, rrahjet, talljet dhe nga pesha e asaj që e priste, ndërkohë që po shkonte drejt vdekjes. Zakonisht të dënuarit e mbartnin vetë kryqin e tyre, por kur Jezusi nuk vazhdonte dot më, atëherë ushtarët detyruan një kalimtar që ta mbartte atë. Simoni e mbarti deri në Golgota, ku ushtarët e kryqëzuan Jezusin menjëherë (v. 33-37).

Padyshim që duke mbartur kryqin dhe duke qenë dëshmitar i kryqëzimit të Jezusit ishte një përvojë jetëndryshuese për Simonin atë ditë. Nga e dimë ne? Sepse shohim emrin e tij të përmendur. Kjo do të thotë se me shumë gjasa ai njihej nga komuniteti i krishterë. Marku 15:21 e identifikon atë si “babai i Aleksandrit dhe Rufit”. Arsyeja e vetme që këto emra dhe detaje përfshihen është për shkak se besimtarët në kishën e hershme e njihnin Simonin dhe dy bijtë e tij. Ata mund ta pyesnin drejtpërdrejtë në lidhje me atë që kishte ndodhur atë ditë me Jezusin.

Kryqi i Jezusit mund të ndryshojë një jetë. Ai ndryshoi Simonin, i cili nuk mund ta kishte pritur që do të “ngatërrohej” në veprën shpenguese të Perëndisë, mirëpo Perëndia kishte plane të tjera. Kryqi i Jezusit mund ta ndryshojë edhe jetën tuaj gjithashtu. — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju ndryshojë përmes kryqit, njësoj si Simonin.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android #pashke

web-woh-25-mars

25 Mars

Lexoni nga Gjoni 18:28-40

Gjyqi përpara Pilatit

A je ti mbreti i judenjve? (v. 33)

Cilin lloj mbreti duam në të vërtetë? A duam një sundimtar si Pilati, apo jemi të gatshëm të ndjekim një mbret si Jezusi?

Jezusi, Mbreti mbi mbretër, qëndroi përpara Pilatit, guvernatorit. Pilati ishte si shumë sundimtarë të tjerë përpara dhe pas tij; pra, projektonte forcë por në të vërtetë ishte i dobët. Përmes lidhjeve politike ai ishte caktuar për të qenë prefekt i Judesë. Mirëpo era e ndryshimeve po vinte dhe mbretëria e tij ishte delikate. Prandaj, duke dënuar Jezusin ai po përpiqej t’u bënte qejfin krerëve fetarë të zonës për të qëndruar i sigurt dhe në pushtet. Nga ana tjetër, Jezusi ishte gati të jepte jetën e tij për mëkatet e botës, duke e flijuar veten e vet, mirëpo mbretëria e tij do të ishte e sigurt përjetë. Pilati pyeti: “Ç’është e vërteta?” (v. 38), dhe bëri gjithçka që kishte kuptim në aspektin e dobisë politike. Jezusi ishte i përkushtuar ndaj të vërtetës dhe është e vërteta.

Sundimi i Pilatit ndihej gjithmonë i kërcënuar dhe asnjëherë i sigurt. Mirëpo mbretëria e Jezusit është ndërtuar mbi dashurinë e Perëndisë dhe është e sigurt përjetë, asgjë nuk mund ta thyejë atë apo ta rrëzojë. Mbretëria e tij është aq e fortë saqë Mbreti vuan për popullin e tij, në vend që t’i bëjë ata të vuajnë për të.

Cilin lloj mbreti duam në të vërtetë? A duam një sundimtar si Pilati, apo jemi të gatshëm të ndjekim një mbret si Jezusi? Njëri ka një mbretëri që është duke u thërrmuar dhe tjetër një mbretëri që do të zgjasë përgjithmonë. Njëri sundon për të mbrojtur veten e tij kurse tjetri sundon duke flijuar vetveten. Njëra mbretëri është themeluar mbi dhunë, tjetra mbi dashurinë. — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’jua bëjë zemrën të digjet me të vërtetë për të ndjekur Mbretin Jezus.

#fjalëteshpresës#kishashqiptare#ungjillorëtshqiptare#meditime#app#ios#android#pashke

web-woh-24-mars

24 Mars

Lexoni nga Luka 22:54-62

Mohimi i Pjetrit

O grua, nuk e njoh. (v. 57)

Jezusi qëndroi përpara kryepriftit dhe krerëve fetarë. Ata i bënë pyetje në lidhje me identitetin e tij dhe sollën dëshmitarë të rremë (Mt. 26:59-60). Jezusi e dinte se ku do ta çonte kjo, prandaj me qetësi refuzoi të angazhohej. Si rrjedhojë, ata e dënuan atë, ashtu siç e kishin planifikuar (v. 66-71).

Ndërkohë që Jezusit po i bëhej gjyqi në shtëpinë e kryepriftit, Pjetrit po i bëhej një gjyq informal në oborr. Kur e pyetën nëse ishte një dishepull, pra, nëse kishte qenë me Jezusin, Pjetri pretendoi se nuk e njihte Jezusin fare (v. 56-57). Pjetri u përball përsëri me të njëjtën pyetje, por në vend që të zgjohej për të parë atë që po ndodhte, ai e dyfishoi mohimin e tij (v. 58).

E shohim vazhdimisht këtë lloj sjelljeje. Dikush kapet duke bërë diçka të gabuar, dhe në vend që ta pranojë atë gjë hapur, ai/ajo ngul këmbë më shumë dhe proteston edhe më fort, duke bërë blofin se nëse proteston mjaftueshëm me zë të lartë, atëherë akuzuesit e tij/saj tyre thjesht do të heqin dorë. E njëjta gjë ishte edhe me Pjetrin. Kur e pyetën të tjerët, Pjetri e mohoi përsëri, dhe në atë çast, gjeli këndoi. Jezusi ktheu kokën dhe vështroi Pjetrin përmes distancës së madhe të oborrit dhe Pjetri e kuptoi atë që kishte bërë. Ai doli duke qarë (v. 59-62).

Kush ishte në gjyq? Jezusi ishte në gjyq përpara kryepriftit, dhe Pjetri po përballej me një lloj gjyqi në oborr. Megjithatë, në të vërtetë jemi ne që po e lexojmë këtë histori që jemi në sprovë. Si do të reagojmë ne? A do ta dënojmë Jezusin siç bëri kryeprifti, do ta mohojmë atë siç bëri Pjetri apo do ta përqafojmë atë si një dishepull? — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, i kërkoni Jezusit t’ju ndihmojë të mbaheni gjithmonë fort tek ai.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android #pashke

woh-23-mars-web

23 Mars

Lexoni nga Marku 14:43-52

Tradhtia

Kë do të puth, ai është. (v. 44)

Ata që doni më shumë, gjithashtu edhe mund t’ju lëndojnë më shumë. Kur një mik vendos të mos kalojë më kohë me ju, lëndimi është më i madh sesa kur nuk shiheni më kurrë me një person të panjohur. Afërsia që keni pasur me njëri-tjetrin e bën humbjen akoma edhe më të dhimbshme.

Juda përdori një gjest dashurie për të tradhtuar Jezusin. Ai kishte ecur bashkë me Jezusin, si një dishepull i tij, për tre vjet. E kishte dëgjuar kur jepte mësim, kishte parë mrekullitë e tij, kishte qenë dëshmitar i dhembshurisë së Jezusit karshi të varfërve, dhe kishte përqafuar shpalljen që ai bëri se mbretëria e Perëndisë ishte në mesin e tyre. E megjithatë, Juda erdhi atë natë me rojet e armatosur. Ai e kishte shitur Jezusin dhe ishte gati ta dorëzonte atë tek njerëzit që donin ta vrisnin. Për ta identifikuar Jezusin në errësirë, Juda erdhi afër, e quajti atë “rabin”, që është një titull me respekt që dishepujt e përdornin për t’iu drejtuar mësuesit të tyre, dhe e puthi (v. 44-45). Puthja është një shenjë e dashamirësisë, e dashurisë dhe afërsisë. Mirëpo Juda e përdori atë për t’i kthyer shpinën Jezusit dhe për t’ia dorëzuar atë vdekjes.

Jezusi nuk u tradhtua vetëm nga Juda, por gjithashtu u braktis nga pjesa tjetër e dishepujve. Një prej dishepujve nxori një shpatë (kishte ardhur i përgatitur) dhe i preu veshin njërit prej atyre që i sulmuan (v. 47). Si përfundim të gjithë dishepujt ia mbathën nëpër natë. Ata që e donin më shumë Jezusin, i kthyen shpinën atij atëherë kur kishte më shumë rëndësi (v. 50). E megjithatë, ai nuk ua ktheu shpinën atyre, apo neve. Përkundrazi, ai e ktheu fytyrën e tij drejt kryqit. — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, falënderoni Jezusin që ju ka dashur gjithmonë.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android #pashke

woh-22-mars-web

22 Mars

Lexoni nga Mateu 26:36-56

Gjetsemani

Qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua. (v. 38)

Një pjesë e mirë e kohës si prind përfshin qëndrimin me fëmijët, siç është përgatitja e drekës, pastrimi i rrobave, t’u japësh fund zënkave, ndihma me detyrat e shtëpisë, etj. Të gjitha këto janë gjëra të mira, madje edhe gëzim në shumë mënyra. Mirëpo, ekziston gjithashtu diçka e bukur kur vjen fundi i ditës dhe uleni në kolltuk, ngrini sytë dhe shikoni fëmijën që ju vështron. Atij nuk i nevojitet asgjë, mirëpo ia bëni me shenjë që të vijnë tek ju dhe ata ngjiten në prehrin tuaj. Në atë çast, thjesht fakti që është aty me ju është një dhuratë. Nuk ishte diçka që ju duhej, e megjithatë është një dhuratë.

“Qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua”. Atë natë, shumë kohë më përpara, në pikëllimin dhe trishtimin e tij njerëzor, Jezusi u kërkoi dishepujve të ishin me të, të qëndronin me të, ndërkohë që ai lutej. Pati raste të tjera kur Jezusi i la dishepujt e tij atje ku ishin që të shkonte vetë diku në një vend të qetë për t’u lutur. Por jo këtë herë. Kur ishte i pikëlluar dhe i trishtuar, madje deri në vdekje, Jezusi i donte pranë dishepujt e tij. Ai i mori me vete në Gjetsemani kur të lutej, dhe ua kërkoi në mënyrë specifike Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit: “Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua” (v. 38).

Në orën e tij më të errët, Jezusi i donte dishepujt e tij pranë. Por ne që jemi këtu, tani, gëzojmë në të gjitha kohët dhe të gjitha mënyrat që Perëndia është bashkë me ne. Por gjithashtu edhe lutja është një mënyrë që ne të jemi bashkë me Perëndinë. — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, merrni kohë në heshtje që të jeni në praninë e Perëndisë.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android #pashke

woh-21-mars-web

21 Mars

Lexoni nga Gjoni 17:6-17

Të plotë dhe të shenjtë

Shenjtëroi ata në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta. (v. 17)

Cila është dëshira që ka Jezusi për kishën? Natën e tij të fundit, ai mori kohë të lutej për grupin e tij të dishepujve, pra, kishën e re të të ardhmes, që të ishin të plotë dhe të shenjtë.

Jezusi u lut që dishepujt e tij të ishin të plotë, jo të thyer dhe të shpërndarë. Ai gjithashtu u lut që Ati do t’i mbronte ata në mënyrë që të ishin një (v. 11). Jezusi e bën të qartë në lutjen e tij se nëse do të mbahemi fort tek fjala e Perëndisë, atëherë do të përjetojmë urrejtjen e botës (v. 14). Ai nuk dëshiron që ne të hiqemi nga kjo situatë, por përkundrazi që të jemi të mbrojtur brenda saj (v. 15). Jezusi nuk po na thotë që të tërhiqemi nga bota duke krijuar një nënkulturë të tërë të krishterë që është e ndarë nga bota. Përkundrazi, ai i lutet Atit që të na mbrojë neve nga i ligu në mënyrë që të jemi një, ashtu siç janë një Biri dhe Ati (v. 11).

Gjithashtu Jezusi lutet që dishepujt e tij, të cilët eventualisht do të bëheshin kisha, do të ishin të shenjtë. Populli i Perëndisë nuk i përket botës, por ne jetojmë në të. Ajo që na bën neve të shenjtë është e vërteta e Perëndisë (v. 17), që është e mishëruar tek vetë Jezusi dhe mësimet e tij dhe që na është zbuluar në Shkrimin e Shenjtë. Ajo na veçon për të jetuar ndryshe. Ne nuk jetojmë si ata që i përkasin botës, që ndjekin modelet, moralin dhe virtytet e saj. Ne ndjekim rrugët e Perëndisë, siç na janë zbuluar në Fjalën e tij.

Në këto çaste, kisha nuk duket gjithmonë e plotë apo e shenjtë. Mirëpo lutja e Jezusit do të marrë përgjigje më në fund. Perëndia premton se një ditë kisha do të jetë pikërisht ashtu siç u lut Biri i tij se do të ishte. — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, i kërkoni Jezusit ta bëjë kishën e tij të plotë dhe të shenjtë.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android #pashke

woh-20-mars-web

20 Mars

Lexoni nga Gjoni 17:1-5

Përlëvdoni emrin tuaj

Përlëvdo Birin tënd, që edhe Biri yt të të përlëvdojë. (v. 1)

Po ta dinit që kjo do të ishte dita juaj e fundit në tokë, çfarë do të bënit? Mund të përpiqeni të arrini gjithçka që e keni lënë për më vonë përgjatë viteve. Ose ndoshta do të zgjidhnit të hiqnit dorë nga përgjegjësitë tuaja! Jezusi, natën e tij të fundit, zgjodhi të lutet.

Atë natë përpara se të vdiste, Jezusi u lut që të përlëvdohej në mënyrë që të përlëvdohej emri i Atit. (v. 1). Kur dikush është i përlëvduar, atëherë ai person ngrihet lart, vihet në piedestal që njerëzit të mund ta shohin. Qëllimi për përlëvdimin e Jezusit, qëllimi për lartësimin e tij, është që Ati të mund të përlëvdohej në mbarë tokën. Pra, që emri i Perëndisë, mirësia e tij, mëshira e tij, drejtësia e tij, shenjtëria e tij, të mund të ngriheshin lart si një flamur që e gjithë bota ta shihte.

Po si duhet të përlëvdohej Jezusi? Përmes kryqit. Përlëvdimi lidhet me nderin, mirëpo kryqi ishte instrumenti më i madh i poshtërimit që mund të imagjinohej nga njerëzit në lashtësi. Por pikërisht në këtë vend kaq të ulët, në këtë vend turpi dhe poshtërimi të thellë, Jezusi do të ngrihej lart dhe do të zbulohej lavdia e Perëndisë.

Si ndjekës të Jezusit, ne mund të fillojmë të lutemi si Jezusi. Mund të lutemi që të ngrihet lart emri i Jezusit, pra, i shpëtimtarit tonë të kryqëzuar e të ringjallur, në takimet tona të kishës, në qytetin tonë, në vendin tonë, në botën tonë, në mënyrë që Ati do të përlëvdohet deri në skajin e dheut. — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë ta përlëvdojë emrin e tij, që bota ta njohë atë.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android #pashke

woh-19-mars-web1

19 Mars

Lexoni nga Mateu 26:26-29

Gjak i derdhur

. . . derdhur për shumë veta për faljen e mëkateve. (v. 28)

Shumë shekuj përpara asaj Darke të Fundit, populli i Perëndisë kishte jetuar nën një skllavëri shtypëse në Egjipt. Perëndia dërgoi Moisiun dhe bëri mrekulli të mëdha për të thyer pushtetin e faraonit (Eks. 7-12). Pas nëntë plagësh, Perëndia u tha të gjithë izraelitëve që të zgjidhnin një qengj të patëmetë për familjen e tyre, ta thernin atë dhe ta vendosnin gjakun e tij mbi shtalkat e dyerve të shtëpive të tyre.

Gjatë pashkës judease, gjaku i qengjit në këto shtalka shmangu plagën e dhjetë, pra, vdekjen e të parëlindurit. Kur Jezusi u drejtua për në Jerusalem gjatë Pashkës, ai kreu pashkën më të madhe. Të gjithë qengjat që ishin flijuar tregonin përpara drejt “Qengjit të madh të Perëndisë”, i cili do të hiqte mëkatin e botës (Gjo. 1:29). Ky Qengj nuk do ta kishte gjakun e vet të lyer mbi shtalkat e dyerve në shtëpitë në Egjipt, por mbi drurin e një kryqi jashtë qytetit të Jerusalemit. Ky Qengj nuk do t’i ruante njerëzit nga vdekja fizike, por nga vdekja e dytë dhe e përjetshme.

Jezusi është Qengji i Pashkës (1 Kor. 5:7). Nuk është rastësi që ai u kryqëzua gjatë festës në të cilën flijohej një qengj për të mbajtur mend se si e kishte mbrojtur Perëndia popullin e tij nga vdekja dhe se si e kishte çliruar nga shtypja. Nuk ishte rastësi që Jezusi ishte ulur tek darka e pashkës dhe tha për kupën: “Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë veta për faljen e mëkateve” (v. 28). Qengji i vërtetë i Pashkës ka ardhur. Duke besuar tek Shpëtimtari, gjaku i të cilit u derdh në kryq, edhe hebrenjtë edhe johebrenjtë janë të mbuluar dhe të çliruar nga gjykimi. — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, besoni tek Jezusi, gjaku i të cilit u derdh për ju.

#fjalëteshpresës#kishashqiptare#ungjillorëtshqiptare#meditime#app#ios#android#pashke