KORRIK 2015

Programi 9 korrik 2015

Puna mes luanëve 3

3. Njihe shefin tënd.

Cilido qoftë shefi yt në punë, shefi yt më i madh është gjithmonë Perëndia. Nuk ka rëndësi se sa shumë e dëshiron miratimin e bashkë punonjësve të tu, synimi kryesor është që të marrësh miratimin e Perëndisë.

Shefat e Danielit drejtonin perandori të mëdha dhe kishin pushtet mbi jetën dhe vdekjen e tërë atyre që kishin nën vete. Kolegët e Danielit ishin mendjemprehtë dhe të fuqishëm, kishin shumë mënyra për të shkatërruar dikë që nuk e kishin qejf. Danieli mund tua kishte frikën këtyre njerëzve. Por Danieli e njihte shefin e tij më të madh, Zotin Perëndi. Kur kolegët e tij i bënë presion dhe shefi i dha urdhra që binin ndesh me urdhërimet e Perëndisë, urdhrat e Perëndisë ishin mbi çdo gjë tjetër.

Ndershmëria e Danielit ndaj Perëndisë në kohë krize nuk ishte një rastësi. Por ishte rezultat i ecjes së vazhdueshme të Danielit me Perëndinë. Ky është thelbi i asaj që e bëri Danielin njeriun që ishte! Ai mbështetej te Perëndia për forcë dhe drejtim në çdo ditë të re. Nuk kishte rëndësi se sa i zënë ishte, Danieli asnjëherë nuk ishte tepër i zënë për tu lutur; tepër i zënë bëhej po të mos lutej. Pa ndihmën e Perëndisë, Danieli do të shkatërroheshe nga pesha e punës së tij, vështirësia e vendimeve që duhej të merrte dhe armiqësia e njerëzve që e rrethonin. Pa Perëndinë Danieli ishte i humbur dhe, këtë ai e dinte mirë.

Asgjë, absolutisht asgjë, nuk mund ta ndalte që të kalonte kohë në lutje me Perëndinë, madje tri herë përditë.

Danieli më mirë të kalonte një natë me luanët, se të kalonte një ditë pa u lutur.

Një miku im më pyeti: "A dëshiron të dish se kush është shkatërruesi numër një i jetës shpirtërore dhe i marrëdhënieve familjare?"

Ai u mendua për një çast dhe tha:"Fast fudi!"

"Fast fudi?" pyeta i habitur. "Fast fudi mund të bëjë keq për kolesterolin, por si mund të cenojë marrëdhëniet e tua?"

Miku im më shpjegoi se nëpërmjet mikrovalës dhe restoranteve fast fud, shumë familje nuk ulen më për të ngrënë bashkë, apo për të kaluar kohë me njëri-tjetrin. Në të kaluarën koha e vakteve përdorej si një kohë kur të gjithë çlodheshin dhe kalonin kohë së bashku, luteshin apo ndanin me njëri-tjetrin, por tani duke sikur nuk ka më kohë për këtë.

Miku im ndoshta e teproi pak me këtë çështjen e fast fudit, por të paktën për një gjë kishte të drejtë: marrëdhëniet kërkojnë kohë. Shumë prej nesh nuk kanë një model të përditshëm, një kohë që e lemë mënjanë vetëm për familjen apo për Perëndinë. Pak familje e lexojnë Bibën në tryezë, apo në një kohë tjetër gjatë ditës.

Si rezultat, ndihemi larg Perëndisë, larg anëtarëve të familjes dhe të rraskapitur prej përgjegjësive të përditshme. Ndonjëherë këtë gjë e pësojmë edhe nga puna. Ne përfundojmë duke u ndier të izoluar, të frustruar, të mbingarkuar dhe të dërrmuar. Ose mund të fundosemi kaq thellë në mëkat, si ai grup njerëzish kundër Danielit, që ishin të gatshëm të bënin gjithçka për të shkatërruar të tjerët, që të shpëtonin vetë.

Po ti? A mbështetesh te Perëndia? A i beson Jezusit si Shpëtimtari dhe Zoti yt personal? A kalon kohë të veçantë me Zotin çdo ditë në lutje dhe në leximin e Biblës? Në rast se dëshiron të bëhesh si Danieli, zhvillo një model lutjeje të rregullt si ai.

Danieli kishte vendosur një orar të rregullt lutjeje, tri herë në ditë ai bisedonte me Perëndinë dhe nuk lejonte asgjë që t’ia prishte këtë program lutjeje: as punët, as sherret, as rivalët, as mbretërit apo dekretet, madje as luanët e uritur. Mos lejo që as të punuarit me një Mek, apo angazhimet e shumta të të pengojnë të bësh atë që Danielin as luanët nuk e penguan të bënte.

Koha që kalon me Perëndinë është çelësi për gjithçka tjetër që bën. Prandaj njihe shefin tënd dhe vazhdo ta njohësh më mirë. Foli Perëndisë dhe dëgjoje Atë, çdo ditë. Besoji dhe bindu Atij, pavarësisht të tjerave.

4. Fokusohu te rezultati final.

Nëse ecja me Perëndinë duket dëmtuese për të ardhmen tënde, kujto fundin e historisë. Në fund nuk u shkatërrua Danieli, por të pabesët. Në fund, destinacioni ynë është në duart e Perëndisë dhe varet plotësisht në marrëdhënien tonë me Të.

Rreziku ynë më i madh nuk është një gropë luanësh a, disa njerëz që na duan të keqen. Luani më i keq, “gllabëruesi” më i keq i njeriut është Satani. " Jini të përmbajtur, rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë.

Kundërshtojeni, duke qëndruar të patundur në besim. " (1 Pjetri 5:8-9) Njerëzit pa Perëndinë janë një pre e lehtë për Satanin, por djalli nuk mund të përpijë besnikët e Perëndisë.

Pavarësisht nëse Perëndia të shpëton prej vdekjes apo të lë të vdesësh për besimin, djalli nuk mund të të përpijë ty. Perëndia pengoi luanët që të hanin Danielin. Kohë më vonë, shumë të krishterë u hodhën në gropën e luanëve dhe u shqyen prej tyre. Dhe pse nuk jetonin në trup, ata ishin të sigurt me Perëndinë. Këta martirë parapëlqyen vdekjen se sa të mohonin Zotin. Ata e dinin se po të mohonin Jezusin, Satani do t’i përpinte ata, por nëse do të ruanin besimin, do të jetonin përgjithmonë. Ata do të ngriheshin sërish përmes fuqisë së Krishtit. Kjo është arsyeja përse apostulli Pal mund të thoshte këto fjalë besimi pak para se të vdiste: "Por Zoti më ndenji pranë dhe më dha fuqi, që me anën time predikimi i ungjillit të kryhej plotësisht dhe ta dëgjonin të gjithë johebrenjtë; dhe unë shpëtova nga goja e luanit.

Edhe Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e keqe dhe do të më ruajë për mbretërinë e Tij qiellore. Lavdi atij në shekuj të shekujve. Amen." (2 Timoteu 4:17-18)

Kur je nën një sulm, fokusohu në rezultatin përfundimtar. Ajo çka ndodhi në rastin e Danielit, na jep një pamje të gjykimit përfundimtar. Danieli u kursye dhe luanët përpinë armiqtë e Perëndisë. Perëndia më pas i tregoi Danielit se në fund të botës, një shpëtim apo një dënim më i madh është duke i pritur.

Danieli e përshkruan kështu mesazhin e mëposhtëm nga Perëndia: "Shumë nga ata që flenë në pluhurin e tokës do të zgjohen, disa në një jetë të përjetshme, të tjerë në turp dhe në poshtërsi të përjetshme."

(Danieli 12:2-3)

Jezusi do të vijë sërish dhe, kur të vijë, trupat e tërë të vdekurve do të ngrihen dhe do të gjykohen.

Rezultati përfundimtar për çdo njeri do të jetë ose ferri i përjetshëm, ose jetë e përjetshme në qiell, në varësi të marrëdhënies që kemi pasur me Zotin. Është marrëzi të shesësh shpirtin për një sukses që zgjat fare pak, kur e di që ai sukses të çon në ferr. Por nuk është hataja të kalosh disa probleme tani, kur e di se rezultati përfundimtar është shpërblimi i përjetshëm. Pra fokusohu në rezultatin përfundimtar.

Në fund, dua të them se Perëndia gjithmonë bën më të mirën për ata që i besojnë Atij.

Këtu minutave tona u ka ardhur fundi. Shpresoj të jeni inkurajuar. Faleminderit edhe një herë për kohën tuaj dhe ju ftoj të na ndiqni sërish në programin e radhës. Deri atëherë ia kalofshi sa më bukur.

Komente

komente