Romance qe zgjat

Romance qe zgjat (pjesa 1)

A dëshiron të dish ndryshimin mes një takimi njohjeje dhe lidhjes martesore? Sipas një autori, në takimin e njohjes, sa herë që çifti përdor makinën, djali vrapon për t’i hapur derën vajzës që do dhe, nëse rastis rrugë me baltë para derës, ai heq xhaketën dhe e shtron përtokë, që e dashura e zemrës së tij të mos bëjë këmbët pis. Ndërsa në lidhjen martesore, gruaja e hap vetë derën dhe, nëse rrugica është me baltë, burri i thotë nga larg: “Kërce zemër! Hë, se ia del.”

Në çdo martesë, ekziston kalimi nga romanca tepër optimiste te realizmi i ashpër. Nuk është dhe aq keq. Romanca duhet të bëhet reale me qëllim që të ketë fuqi të përhershme. Është diçka e mirë të kalosh disa orë së bashku në fundjava, e të japësh më të mirën, të dukesh sa më mirë, të argëtohesh, dhe të pëshpëritësh fjalë të ëmbla në vesh. Por është krejt ndryshe të jesh bashkë përditë, kur je me flokët rrëmujë, ke një frymëmarrje me erë të keqe, kur të duhet të paguash faturat dhe të rritësh fëmijët e të rregullosh gomat e rëna, dhe të zhbllokosh tubat e lavamanit. Kjo është koha kur e zbulon kuptimin e vërtetë të dashurisë.

Romanca ngjan me ndezjen e  një zjarri. Kur ndez një zjarr, është mirë të fillosh me letër apo ndonjë material tjetër që ndizet lehtë dhe që bën menjëherë flakë. Kjo është një mënyrë e mirë për t’ia filluar, por nëse do që zjarri të mbajë, duhet të përdorësh diçka tjetër, sepse materiali që ndizet shpejt, digjet po aq shpejt. Bashkë me letrën të duhen dru apo kërcunj të mirë. Arsyeja kryesore pse ti e ndez letrën së pari është që të fillojnë të digjen drutë. Pasi ndizen, bëhet një zjarr i madh që do të zgjasë edhe pasi të jetë djegur letra. Në fillim kur ndizen letrat zjarri bëhet i madh, por kur fillojnë të digjen drutë bëhet më i mirë, më i ngrohtë dhe zgjat më shumë.

Kështu ndodh edhe me romancën. Në fazat e hershme, mund të ndizet me shkëlqim në formën e një atraksioni fizik, pra ju bini  kokë e këmbë në dashuri me njëri- tjetrin, por romancën më të fuqishme dhe më substanciale e përjetoni gjatë dashurisë së martesës. Ngazëllimi i dashurisë së parë dhe emocionet e muajit të mjaltit janë të mrekullueshme, por  nuk kanë shumë rëndësi në planin afatgjatë, nëse nuk ndezin flakën e dashurisë besnike që vazhdon të digjet ngadalë duke sjellë ngrohtësi të përhershme edhe pse gjërat e reja kanë mbaruar.

Është shumë mirë nëse dikush të do bazuar në personin që ti je kur dilni bashkë në takime njohjeje, por është akoma më mirë, nëse dikush njeh personin tënd të vërtetë dhe, kalon me ty çdo ditë e natë të jetës, e vazhdon të të dojë.

Kjo lloj dashurie mund të mos ketë emocionet e bukura të një takimi njohjeje, por është shumë më e thellë, më reale dhe më e kënaqshme. Ti nuk ke nevojë që t’i bësh përshtypje partnerit në martesë; ju thjesht i përkisni njëri-tjetrit, ju i bëni gjërat bashkë, ju e doni njëri-tjetrin, kënaqni partnerin dhe e shihni atë si pjesë të vetes.

Kur ajo prishja e mendjes(pasioni) kthehet në përkushtim, kur romanca bëhet reale, kur pasioni bëhet i qëndrueshëm, ti e gjen atë flakë dashurie duke u djegur në realitetin e përditshëm të jetës dhe në thellësitë e personaliteteve tuaja, duke ju lidhur me një lidhje të pathyeshme. Takimet e njohjes, gjejnë përmbushje, në një marrëdhënie martesore të gëzueshme dhe realiste. Sigurisht që jo çdo martesë zhvillohet në këtë mënyrë dhe ka një sërë arsyesh për këtë, por martesa në më të mirën e saj është një prej gëzimeve më të mëdha në jetë. Në një martesë të mirë, ti shijon një unitet dhe intimitet që nuk mund ta gjesh askund tjetër dhe, dashuria jote bëhet gjëja më e çmuar dhe më e fuqishme se çdo gjë tjetër në tokë.

 Romanca dhe besimi

Romanca arrin kulmin në martesë kur burri apo gruaja është personi i dytë më i rëndësishëm në jetën tënde. Kjo mund të duket e çuditshme, por martesa më e mirë është ajo ku burri dhe gruaja e duan shumë njëri- tjetrin, por në vend të parë në jetën e tyre është Jezusi. Ta duash Jezusin më shumë se gjithçka, nuk do të thotë se e doni njëri-tjetrin më pak se sa duhet. Për më tepër ju e doni partnerin më shumë, sepse dashuria e Jezusit e rrit aftësinë tuaj për të dashur, si për të marrë dashuri ashtu edhe për të dhuruar dashuri. Jezusi të çon ty përtej kufijve të dashurisë së zakonshme njerëzore dhe me anë të Tij kupton gjëra të lavdishme dhe misterioze që nuk mund të njihen ndryshe.

Bibla na mëson se romanca e vërtetë dhe besimi i vërtetë shkojnë paralelisht. Te Efesianëve 5, Bibla thotë kështu përsa i përket martesës.”‘ Prandaj njeriu do të lërë babanë e vet dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet, dhe të dy do të bëhen një mish i vetëm’. Ky mister është i madh; tani unë e them në lidhjen me Krishtin dhe me kishën.” Sipas Biblës, Perëndia e projektoi martesën si shprehje të unitetit mes kishës dhe Krishtit. Kur e kuptojmë  këtë martesat bëhen më të pasura dhe rritet ndërgjegjësimi i  kishës për marrëdhënien e saj me Jezusin. Besimi dhe romanca shkojnë së bashku. Le të shohim pse romanca i përket besimit dhe, pse besimi i përket romancës.

Bibla pohon se besimi i vërtetë, në thelbin, esencën e tij është një marrëdhënie romantike. Besimi i vërtetë është shumë më tepër se sa një sërë rregullash të ashpra që duhet të ndjekësh, apo një grup ritualesh solemne, që ti bën, apo një koleksion bindjesh që i mëson përmendësh. Këto gjëra mund të jenë shumë të mira nëse kisha i mban ato në vendin e duhur, por në thelb të dashurisë së vërtetë është dashuria. Kisha nuk është thjesht grupi i njerëzve që njeh fakte dhe zbaton rregulla. Kisha është Nusja e Jezus Krishtit!

Jezusi fton kishën e tij dhe çdo anëtar të saj, që të kenë një marrëdhënie dashurie të ngushtë dhe të qëndrueshme me të, pra të jetë “nusja e tij”(sh.i.p në kuptimin figurativ)

Ne bashkohemi në Të, ashtu si gruaja me burrin. Sigurisht ndryshe nga martesa, lidhja jonë me Jezusin nuk është seksuale, por nga anët e tjera është shumë reale dhe shumë romantike: ka ngazëllim, mister, dashuri, përkushtim dhe gatishmëri për të sakrifikuar për njëri tjetrin. Jezusi na deshi aq shumë sa vdiq për ne, dhe ai dha veten që të na bënte, ne, nusen e tij të përsosur. Si të mos e duam ne atë në këmbim? Kjo është romanca e besimit të vërtetë!

Ka shumë arsye pse duhet t’i përkasësh Jezus Krishtit, aq sa nuk numërohen, por arsyeja më e rëndësishme është kjo: dashuria. Jezusi meriton dashurinë tënde, dhe ti ke nevojë për dashurinë e Tij. Pa të , ti do të jesh i humbur përgjithmonë, dhe me të, ke gjithçka. Një marrëdhënie e gjallë dashurie me Perëndinë e universit është gjithçka në jetë dhe nëse nuk i përket ende Jezusit, nuk duhet të gjesh prehje derisa t’i besosh Atij dhe ta vendosësh jetën tënde në duart e Tij. Ti nuk ke nevojë për pak fe; ti ke nevojë për një marrëdhënie të drejtpërdrejtë dhe të pandërprerë me Zotin Jezus Krisht. Ti duhet të jesh pjesë e trupit të Tij, të jesh pjesë e kishës, nuses së Krishtit, dhe pasi të jesh duhet të shijosh romancën e të qenurit në dashuri me Jezusin.

Tani, nëse është e vërtetë, që besimi duhet të jetë romantik po aq e vërtetë është se romanca duhet të ketë besim brenda. Martesa më e mirë është kur burri dhe gruaja e shohin marrëdhënien e tyre si shprehje e marrëdhënies së Krishtit me kishën. Edhe sikur të lemë Biblën për një moment mënjanë dhe thjesht t’i hedhim një sy studimeve kërkimore,  shikojmë një lidhje të ngushtë mes përkushtimit në besim dhe martesave të shëndetshme. Por si është e mundur kjo?

Komente

komente