Asnjë mbret veç Cezarit

Titulli: Asnjë mbret veç Cezarit (pjesa 1)

Çfarë do të ndodhte nëse Jezusi do hynte duke i dhënë një makine rrugës për në Jeruzalem, të Dielën e Palmave? Atë ditë, Jezusi në fakt hyri hipur mbi një gomare, i shoqëruar me turma njerëzish që e përshëndetnin atë me degë palmash, sikur të ishte mbret. Përfytyro Jezusin, por jo hipur mbi një gomare por mbi një motoçikletë, apo makinë, shoqëruar prej njerëzve me tabela nëpër duar dhe e shpallin Atë si drejtues. Po sikur kjo gjë të ndodhte pikërisht sot në Londër, Moskë, Uashington, Prishtinë, apo në Tiranë?

Nëse Jezusi do të hynte në kryeqytetin e vendit, a do të përkuleshin para tij politikanët? Apo do të përpiqeshin ta arrestonin? A do ta nderonte Gjykata Supreme si gjykatësin më të lartë? Apo do ta hidhnin jashtë Jezusin dhe ta quanin drejtimin e tij jo konstitucional? Nëse Jezusi do të hynte në shkollën tënde publike, a do të kërkonte bordi i shkollës këshillën e tij mbi kurrikulën, dhe ta ftonte për të dhënë mësim, apo do t’i ndalohej hyrja në pronën shtetërore? Nëse Jezusi do të hynte në kishën tënde, a do ta pëlqente atë çka po ndodh atje, apo do t’i nxirrte jashtë ata të cilët e përdorin kishën më shumë si një biznes se sa një vend lutjeje? Nëse Jezusi do të hynte në vendin tënd të punës, a do të pëlqente që të shihte atë që po bën ti, apo do të doje që Ai të largohej e të të linte rehat të vazhdoje punën si zakonisht? Nëse Jezusi do të hynte në shtëpinë tënde ndërsa ti shikon televizor, a do ta ftoje që të ulej me ty, apo do të vinte turp për atë që po shikoje dhe do të ndërroje kanalin me nxitim, me shpresën se Ai do qëndronte pak dhe më pas do ikte?

Jezusi nuk është tmerrësisht i mërzitshëm, për sa kohë që rri larg. Problemet vijnë kur shfaqet Ai. Jezusi nuk është shumë shqetësues për sa kohë që Ai ngelet në zonën e opinioneve personale dhe ndjenjave të brendshme. Pikërisht atëherë kur pohon se është mbret, dhe tregon autoritetin e Tij, atëherë na bën të jemi në siklet. Shumë njerëz nuk duan t’ia dinë për Jezusin, derisa Ai mban vendin e vet. Por pavarësisht kësaj, Jezusi nuk do të qëndrojë në distancë as nuk do ta reduktojë veten në disa ndjenja të brendshme. Ai ka të drejtë të pohojë se është mbret dhe sundon mbi gjithçka.

Mbreti Jezus, është mbreti mbi mbret, drejtuesi i presidentëve, kryeministrave, qeveritarëve dhe kryetarëve të bashkisë. Mbreti Jezus është gjykatësi suprem, dhe tërë gjykatësit dhe gjykatat duhet t’i përgjigjen gjykatës supreme të Krishtit. Mbreti Jezus është kreu i kishës, dhe i tërë priftërinjve, prelatëve, pastorëve, dhe famullitarëve. Të gjithë duhet t’i japin llogari atij. Mbreti Jezus është mjeshtër i edukimit, dhe çdo shkollë, universitet, çdo parim dhe profesor, çdo anëtar bordi dhe administrator, përballet me vlerësimin se si përshtatet mësimi dhe kërkimi i tyre me të vërtetën e Tij. Mbreti Jezus mbretëron mbi çdo vend pune, dhe çdo CEO, menaxher, dhe çdo punëtor duhet t’i raportojë atij. Mbreti Jezus ka juridiksion mbi familjen, dhe çdo baba, nënë, djalë dhe vajzë duhet të përballet me Të.

Përplasja me mbretin

Para të dielës së palmave, shumë njerëz në Jeruzalem, kishin dëgjuar vetëm histori për Jezusin, por në të vërtetë nuk e kishin takuar asnjëherë Atë.

Për ta, ai ishte pak më shumë se sa fjalë të ardhura nga Galilea e largët. Por kur Jezusi u shfaq, ai nuk erdhi si një histori apo si ndjenjë, por si mbret. Jezusi e quajti Jeruzalemin “qyteti i Mbretit të Madh” (Mateu 5:35), dhe kur Jezusi hyri në qytet të Dielën e Palmave, Ai u prit si mbret. Ai përmbushi profecinë e Biblës që thoshte:” Ja po të vjen mbreti yt, zemërbutë, hipur mbi një gomare. ” (Mateu 21:5) Turmat e mbështetësve të Jezusit që ishin në Jeruzalem atë ditë, brohorisnin:” Bekuar qoftë Mbreti që po vjen në emër të Zotit” (Luka 19:38)

Jo të gjithë njerëzit u gëzuan kur panë Jezusin që hyri në qytet. Disa dëshironin që Ai të qëndronte larg,  dhe nëse nuk do ta bënte këtë, do ta hiqnin qafe. Drejtuesit fetarë ashtu si qeveritarët nuk u gëzuan shumë për këtë mbret. Krye priftërinjtë nuk donin që Mesia të ngatërrohej me sistemin e tyre.

Kur Jezusi pohoi autoritetin hyjnor mbi tempullin dhe i përzuri prej tempullit tregtarët dhe këmbyesit e parave që bënin punën e tyre me miratimin e priftërinjve, ata morën masa të shpejta për ta vrarë.

Kur e kapën Jezusin dhe i bënë një gjyq të nxituar në mes të natës, ata nuk mund të bënin asnjë akuzë përveç njërës: Ai pretendonte se ishte Mesia, një Mbret në një nivel me Perëndinë vetë.

Por Jezusi rrinte në heshtje. Dhe kryeprifti vazhdoi duke thënë: “Unë po të përbej për Perëndinë e gjallë të na thuash në se ti je Krishti, Biri i Perëndisë”.

Jezusi i tha: “Ti po thua! Madje unë po ju them se në të ardhmen ju do ta shihni Birin e njeriut duke ndenjur në të djathtën e Pushtetit, dhe duke ardhur mbi retë e qiellit’.” (Mateu 26:63-64)

Kur Jezusi tha këtë, a u përulën para Tij priftërinjtë dhe pleqtë dhe të thoshin: “Ai meriton adhurimin”? Jo, ata pohuan, “Ai meriton vdekjen.”

Ata vetë nuk kishin të drejtën ligjore për të vrarë dikë, kështu që e sollën para guvernator, Ponc Pilatit, i cili kishte autoritet për të zbatuar dënimin me vdekje.

Dhe filluan ta paditin duke thënë: “Këtë ne e gjetëm që përmbyste kombin tonë dhe ndalonte t’i jepeshin taksa Cezarit, duke u vetëquajtur një mbret, Krishti”.

Atëherë Pilati e pyeti duke thënë: “A je ti mbreti i Judenjve?”. Dhe Jezusi iu përgjigj dhe tha: “Ti po thua”. (Luka 23:2-3)

Jezusi nuk ka folur asnjëherë për mospagimin e taksave ndaj Çezarit, kështu që ajo akuzë ishte e rreme. Megjithatë Ai pohoi se ishte mbret, dhe jo një politikan që konkurron për pushtet apo për të ardhurat nga taksat, por qendron si kampion mbretëror i së vërtetës.

Jezusi u përgjigj: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote; po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos u dorëzohesha Judenjve; porse tani mbretëria ime nuk është prej këtej”. Atëherë Pilati i tha: “Ti, pra, qenke mbret?”. Jezusi u përgjigj: “Ti thua se unë jam mbret; për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën; kush është për të vërtetën, e dëgjon zërin tim”. Pilati e pyeti: “Ç’është e vërteta?” (Gjoni 18:36-38)

Kur ti dëgjon Jezusin që thotë, “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote,” ti mund të thuash, “Uf! Çfarë çlirimi! Për pak mendova se Jezusi mund ta kishte fjalën për këtë botë. Por jo, mbretëria e Tij nuk është e kësaj bote.  Ajo është e një tjetër bote dhe nuk ka aspak lidhje me këtë. Jam i lumtur që mbretëria e Tij është plotësisht shpirtërore. Në këtë mënyrë, politika ime, shkollimi, familja, puna, paratë, argëtimi, koha dhe gjithçka tjetër në botën reale më përket mua dhe nuk ka të bëjë aspak me Jezusin. Mund të jetë mbret i çdo gjëje tjetër, por nuk ka të bëjë me botën time të përditshme. Nëse Jezusi mund të më japë një vend në qiell dhe një ndjenjë të brendshme të veçantë, unë mund t’i kërkoj atij të hyjë në zemrën time dhe të pres që ta shoh atë një ditë në qiell. Por mbretëria e Tij nuk është e kësaj bote, kështu që mund ta shpërfill atë në çështjet e jetës së përditshme.”

Nëse mendon kështu, ti nuk e kupton se çfarë kishte ndërmend Jezusi kur tha: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote.” Jezusi nuk po thoshte se nuk kishte autoritet në politikë apo në çështjet e kësaj bote. Ai po thoshte se autoriteti i Tij mbretëror nuk vjen prej kësaj bote por prej vetë Perëndisë. Mbretërimi i tij nuk varet tek aftësia e ndjekësve të Tij për të luftuar, por tek pushteti i Perëndisë. Jezusi drejton me fuqi hyjnore dhe jo me pushtet njerëzor. Mbretërimi i Tij nuk varet tek njerëzit apo institucionet e kësaj bote. Mbretëria e Tij nuk është e kësaj bote, por është mbi këtë botë. Jezusi shpall të drejtën e Tij për të mbretëruar mbi ne njerëzit dhe mbi institucionet tona siç është qeveria, kisha, shkolla, biznesi dhe familja.

Komente

komente