Besimi shpëtues

Titulli: Besimi shpëtues (pjesa 1)

“Këto para janë falso! Nuk bëjnë. Dil nga dyqani im.” Nuk mund t’i besoja veshëve. Nuk kam parë asnjëherë diçka të tillë. Gjithçka ndodhi kur gruaja ime dhe unë kaluam një fundjavë në Tiranë.

Ne kishim kaluar gjithë ditën duke vizituar vende të ndryshme, dhe ndaluam në një dyqan për të blerë disa gjëra. Ne po qëndronim në radhë për të paguar, kur burri pas banakut, që më vonë doli se ishte menaxheri, e informoi blerësin që kishim përpara se kartëmonedha që po mundohej të përdorte ishte në fakt e rreme.

Menaxheri i njihte paratë falso. Ai ngriti në dritë kartëmonedhën dhe dalloi diçka që nuk i pëlqeu. Unë nuk jam i sigurt se çfarë ishte. Ndoshta ishin nuancat e bojës, apo mungonte ndonjë linjë dalluese apo kishte diçka nuk shkonte me letrën.

Çfarëdo që të ketë qenë, ai kuptoi se paratë ishin falso. Shitësi ia ktheu klientit dhe i tha: “Paratë e tua nuk bëjnë. Dil jashtë.”

Të gjithë njerëzit në dyqan, kishin ndaluar për të parë se çfarë po ndodhte. Por askush nuk u çudit më shumë se sa burri që mundohej të blinte me kartëmonedhën e tij. Gjykuar nga shprehja e tij e fytyrës, ai nuk e dinte se paratë e tij ishin falso. Sinqerisht e them që më erdhi keq për atë burrë. Ai kishte shtangur, kishte mbetur pa fjalë, sepse nuk mund ta besonte se kjo gjë po i ndodhte atij. Dukej sikur ky burrë i kishte marrë ato para, nga një person tjetër, apo një dyqan tjetër pa e ditur se paratë ishin falso, kështu që e kishin mashtruar. Ai doli prej dyqanit me kokën ulur nga turpi.

Kjo skenë në dyqan më kujton një tjetër skenë që e kemi lexuar në Bibël. Kjo është një skenë e përshkruar prej vetë Jezusit, për kohën kur Ai do të kthehet, në ditën e Gjykimit. Ai do të gjykojë gjithë njerëzit që kanë jetuar ndër kohëra. Disa do të jenë të mirëpritur në qiell, por të tjerë do të jenë në ferr pa Perëndinë. Në atë ditë do të ketë tronditje edhe habi.

Ne lexojmë te Mateu 7:21-23 ” Jo çdo njeri që më thotë: “Zot, Zot” do të hyjë në mbretërinë e qiejve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej.

22  Shumë do të më thonë atë ditë: “O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?”.

23  Dhe atëherë unë do t’u sqaroj atyre: “Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi.”

Duket qartë që kur Jezusi të kthehet për të gjykuar të gjithë njerëzit, do të ketë surpriza por edhe tronditje. Disa do të çuditen dhe do të mahniten, me anë të pushtetit të Tij për të shpëtuar njerëz të cilët ishin dikur larg Tij, por që në një çast të caktuar, u penduan për mëkatet e tyre dhe e pranuan Jezusin si Shpëtimtar dhe Zot. Por të tjerët, do të tronditen kur të zbulojnë se nuk janë gati të qëndrojnë para Perëndisë. Ata nuk kishin asnjë që t’i shpëtonte, dhe mëkatet e tyre i kishin gjetur.

Pyetja e nxehtë për çdo njërin prej nesh është, si mund të jemi të sigurt se nuk do të tronditemi ditën e fundit, dhe që unë jam në raport të drejtë me Perëndinë? A jam gati ta takoj atë kur të vdes, apo kur të kthehet, cilado qoftë ajo që do të ndodhë e para? Si mund të jem i sigurt se në atë ditë të madhe, Jezusi do të më shikojë dhe do të më thotë: Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju që nga krijimi i botës.”

Bibla, nuk na lë në errësirë përsa i përket kësaj çështjeje. Mesazhi i saj është i qartë.

Të gjithë njerëzit janë prej natyre mëkatarë dhe të gjithë duhet të ndreqin marrëdhënien e tyre me Perëndinë. Të gjithë kanë nevojë për falje për mëkatet e tyre dhe kjo arrihet vetëm përmes veprës shpëtuese të Jezus Krishtit.

Ky është mesazhi që Gjoni 3:16 e bën shumë të qartë. “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.”

Bibla jonë, na tregon se besim shpëtues është ai që nevojitet për tu drejtësuar me Perëndinë. Për më tepër, vetëm përmes besimit në Jezus Krishtin, marrim bekimet e faljes dhe jetën e përjetshme.

Besimi i vërtetë shpëtues, jo vetëm që e pranon vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit për faljen e mëkateve, por besimi i vërtetë shpëtues i beson Jezusit personalisht për marrjen e faljes.

Meqenëse puna është kështu, atëherë duhet të dimë patjetër nëse besimi që kemi është shpëtues ose jo. Çdo njeri beson te dikush apo diçka. Por jo të gjitha besimet janë shpëtuese! Atëherë si të jemi të sigurt se kemi besimin e vërtetë, atë lloj besimi që kërkon Perëndia, pra jo besim falso, apo të rremë?

Le të kalojmë minutat në vijim duke reflektuar rreth ndryshimit që ekziston mes besimit të vërtetë, për të cilin flet Bibla, dhe besimeve të rreme.

Ne mund të dallojmë se cili është besimi i vërtetë vetëm duke mësuar si të dallojmë kopjet e rreme.

Besimi i parë i rremë është ai që do ta quaja: “BESIMI NË BESIM!”.

Kjo mund të duket e çuditshme, por nëse e mendon mirë, do të kuptoje se sa i zakonshëm është ky besim i rremë.

Ndonjëherë dëgjon njerëz që thonë: “Ruaje besimin.” Por ky pohim na bën të pyesim: “Për çfarë besimi e ke fjalën?” Kush është personi apo objekti i besimit të tyre?

Për disa duket sikur besimi është fati i mirë apo një shans i mirë.

Sikur të ishte aq e thjeshtë që njerëzit veç të besonin se do tu ndodhnin gjëra të mira, dhe Perëndia do të mjaftohej me këtë. Por ne e dimë nga Bibla se nëse besimi i tyre nuk drejtohet drejt Perëndisë dhe në Birin e Tij Jezus Krishtin, ky është një besim i rremë që nuk ia vlen ta kesh.

Bibla e bën shumë të qartë se objekti i vërtetë i besimit, nuk është një çështje e turbullt por ka si objektin e vet të vetmin person që është i denjë të ketë besimin tonë absolut.

Tani le të shqyrtojmë një tjetër besim të njohur por  të rremë. Disa njerëz thjesht besojnë te VETVETJA. Ata kanë siguri të plotë në aftësinë e tyre për të menaxhuar situatat dhe për të dalë në krye.

Para pak javësh, unë fola me një person që kisha kohë pa e parë. Ai hyn në ata njerëz që kanë arritur gjëra jashtëzakonisht të mëdha në jetë.

Ai realizon çdo gjë që ngulit në mendjen e vet.

Duke filluar nga biznesi deri te sporti, ai mund të bëjë gjëra të mahnitshme. Megjithatë në bisedat e mëparshme, ai ma ka bërë të qartë se nuk ka nevojë për Perëndinë, as për fenë, as për kishën apo besimin e krishterë.

Por kur e takova herën e fundit shpresoja që qëndrimi tij të kishte ndryshuar, për shkak të problemeve serioze që kishte kaluar me zemrën.

Në fakt, kishte qenë aq keq sa gati nuk kishte vdekur. Por ai doli prej asaj gjendjeje dhe tani ishte kthyer në vetësigurinë e vet. Me një buzëqeshje të madhe në fytyrë, ai më tha se po ia kalonte mirë dhe duke u ngërdheshur shtoi: “Në rast se do ta dish sërish: pavarësisht kësaj që më ka ndodhur nuk kam nevojë për besimin.”

Ky person beson fort në veten e tij, sa as prekja e vdekjes nuk e trembi atë. Ai beson në vetvete, në aftësinë e tij për të kaluar çdo provë dhe çdo vështirësi i vetëm. Ai beson se nëse dita e gjykimit ekziston ai do ta kapërcejë edhe atë.

Ai ka kaq shumë besim te vetja sa që nuk ndien aspak nevojën për Perëndinë. Ne mund të themi se vetvetja është perëndia ku ai e ka vendosur besimin.

E parë nga këndvështrimi i Shkrimeve të shenjta, ky lloj besimi është shkatërrues.

A të ngjan me veten personi që përshkrova më lart? A i beson vetes më shumë se gjithçkaje tjetër?

Besimi i tretë i rremë është BESIMI NË MIRËISINË VETJAKE.

Ky lloj besimi pohon se në fund destinacioni i përjetshëm do të përcaktohet, nga të mirat apo të këqijat që kemi bërë.

Perëndia ka një shkallë, pra le të themi se Ai i peshon veprat tona, të mirat dhe të këqijat dhe gjithçka varet nga fakti se në cilën anë anon më shumë peshorja.

Përfytyro në mendjen tënde një peshore të vjetër. Ajo ka dy anë. Në njërën anë janë veç gjërat e mira, që një person ka bërë si: ndihma ndaj të varfërve, shërbimi në komunitet, mbrojtja e mjedisit dhe dhurimi i bamirësive.

Nga ana tjetër e kësaj peshoreje qëndrojnë gjithë gjërat e këqija që ata kanë bërë: gënjeshtrat, lëndimet që u kanë bërë të tjerëve, vjedhjet që kanë bërë dhe më e keqja ndër këto, fakti që nuk e kanë adhuruar dhe nderuar Perëndinë. Në cilën anë do të peshojë më shumë peshorja? A do ta peshojë e mira më shumë se e keqja? Shumë njerëz besojnë se do të jetë kështu. Ata e pranojnë se nuk janë të përsosur, por mendojnë se janë mjaftueshëm të përsosur dhe Perëndia do t’i shpërblejë ata me jetë të përjetshme.

 

Komente

komente