Besimi shpëtues

Titulli: Besimi shpëtues (pjesa 2)

Ne kemi ende shumë për të thënë, ndaj mos u largoni nga valët e radios sonë sepse jam i sigurt se do te mësoni shume.

Besimi tjetër i rremë është BESIMI I THJESHTË NË EKZISTENCËN E NJË QENIEJE SUPREME, të cilin shumë njerëz e quajnë “Perëndi”.

Shumë sondazhe tregojnë se nëntëdhjetë përqind e njerëzve në botë, besojnë në ekzistencën e Perëndisë, por ata janë të pasigurt në lidhje me natyrën e Perëndisë dhe marrëdhënien e Tij me njerëzit.

Ata ndoshta mund të çuditen për këtë, por gjithsesi nuk dalin asnjëherë në përfundime reale.

Shkrimet e thonë shumë qartë përsa i përket marrëzisë së këtij besimi të rremë. Jakobi 2:19 i drejtohet drejtpërdrejt pikërisht këtyre njerëzve që kemi folur deri tani. Shkrimet thonë: “Pra ti beson se ka një Perëndi. Shumë mirë ! Edhe djalli e beson këtë! Dhe dridhet kur mendon se ekziston dita e Gjykimit.”

Ne kemi nevojë për diçka më shumë se sa thjesht besimi i përgjithshëm në Perëndi.

Ne duhet ta njohim se cili është Ai, çfarë pamje ka dhe si të lidhemi me Të. Bibla na jep përgjigje për këto pyetje dhe të gjitha përgjigjet përqendrohen te Jezus Krishti.

Mendoj se ka një version tjetër të besimit të rremë, që synon të bashkojë shumë gjëra në të njëjtin vend. Unë e quaj atë “PERËNDIA DHE VEPRAT E MIA TË MIRA.” Ky është nocioni popullor, se ekziston vërtetë një Perëndi në qiell, Ai është i mirë dhe i dashur, është i prirur të na ndihmojë që të ngjitemi në shkallën qiellore, por pjesën më të madhe të saj duhet ta ngjitim vetë.

Përfytyro në mendjen tënde një shkallë të zakonshme. Në krye të shkallës është Perëndia. Të gjithë ne jemi te fillimi i saj. Perëndia na ndihmon të ngjisim shkallën e parë, por varet nga ne nëse do të ngjitim pjesën tjetër të shkallëve. Në kohë nevoje, ne i thërrasim Perëndisë ” Ndihmomë Perëndi,” dhe besojmë se shumicën e rasteve Ai vepron. Por varet nga ne, se si do të jetojmë jetën që na çon në majë të shkallës. Ky është besimi i miliona njerëzve, që mendojnë se kanë atë që duhet: besimin e vërtetë, një besim që shpëton dhe u siguron hyrjen për në qiell. Por në realitet e kanë gabim. Bibla mëson se gjithë veprat tona të mira, ato që ne mendojmë se meritojnë sadopak vlerësim prej Perëndisë, i ngjajnë atyre parave falso.

Kur i nxjerrim ato në dritën e Fjalës së  Perëndisë defektet e tyre bëhen më të dukshme. Ato janë falso, të rreme dhe të pavlera para Perëndisë.

Kjo na çon te diçka tjetër që Bibla na mëson rreth natyrës së besimit të vërtetë shpëtues.

Besimi shpëtues, sipas Shkrimeve është pranimi dhe bindja se Jezus Krishti, Biri i Perëndisë është Shpëtimtari për mëkatet tona. Dëgjoni sërish se çfarë thotë Gjoni 3:16:

” Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.”Me pak fjalë dhe e shprehur më thjeshtë, kjo do të thotë se për hir të dashurisë dhe mëshirës së Tij, Perëndia dha Birin e Tij, Jezus Krishtin, për të shpëtuar të gjithë ata që besojnë në Të, dhe e vendosin besimin vetëm te Ai.

Tani vijmë te pyetja më e rëndësishme, që secili prej nesh duhet t’i përgjigjet: E kemi apo nuk e kemi këtë besim të vërtetë që shpëton? Apo kemi një kopje të rreme, që duket sikur i ngjan së vërtetës, por në fakt është e pavlerë?

Ky është çasti për ne të hetojmë pak shpirtin tonë. Cili, apo çfarë është objekti i besimit tënd dhe i besimit tim? A e kemi vendosur besimin në drejtimin e duhur?

Në përgjigje të kësaj pyetjeje, unë dëshiroj të kujtoj këto tre fjalë: njohuri, bindje, dhe mirëbesim.

Fjala e parë është njohuria. Besimi kërkon njohuri. Besimi nuk fillon dhe as nuk mbaron në vakuum. Besimi duhet t’i atribuohet dikujt, dhe ky person është Jezus Krishti. Sipas Shkrimeve, besimi shpëtues lidhet me Jezus Krishtin, Birin e Perëndisë, i cili vuajti, vdiq dhe u ngrit prej së vdekurish për shpëtimin tonë.

Sa më shumë që dini rreth Jezusit, aq më tepër mësoni t’i besoni Atij. Sa më pak që dini rreth Jezusit, aq më tepër dobësohet besimi juaj.

Mendojeni kështu: A do t’ia besonit gjithçka që keni një personi që nuk e njihni apo që e njihni fare pak? Nuk ka shanse që të ndodhë. Kur vjen puna tek pyetja e jetës pas vdekjes, apo se ku do ta kaloni përjetësinë, me siguri që do të donit të dinit se kujt i keni besuar, madje doni ta njihni mirë Atë.

Besimi i vërtetë shpëtues fillon me njohjen e Jezus Krishtit.

Fjala e dytë është bindje. Besimi i vërtetë shpëtues, do të thotë që të kesh bindje të plotë se ajo që beson është e vërtetë. Njerëzit që zotërojnë besimin e vërtetë shpëtues, jo vetëm që besojnë të vërtetat bazë rreth Jezus Krishtit, se Cili është Ai dhe çfarë ka bërë për ta, por ata përqafojnë gjithçka që Bibla zbulon për Jezusin.

Ti edhe unë e dimë shumë mirë se një person mund të dijë shumë gjëra por kjo nuk tregon se ai beson se ato janë të vërteta.

Për shembull, disa njerëz, dinë shumë për hapësirën dhe alienët nga planeti Mars. Ata mund t’ju tregojnë raporte të pamjeve të ndryshme, dhe t’ju shpjegojnë se përse besimi i tyre në alienët nga planetët e tjera është diçka e besueshme.

Por në të njëjtën kohë, ata nuk besojnë përshkrimet që ju tregojnë. Ata nuk besojnë se alienët nga planetët e tjera janë realë, po kështu nuk besojnë se këta kanë vizituar ndonjëherë planetin tonë.

Kështu është edhe marrëdhënia e disa njerëzve me Jezusin. Ata mund të dinë shumë në lidhje me Biblën, dhe besimin e krishterë, por në zemrat e tyre nuk besojnë se kjo është e vërtetë. Besimi i vërtetë shpëtues, nga ana tjetër, e njeh mesazhin e Jezusit dhe është personalisht i bindur se kjo është e vërtetë. Çdo ditë të jetës, atyre u shtohet besimi dhe bindja.

Fjala e tretë është mirëbesimi. Besimi i vërtetë shpëtues, kalon nga njohja te, bindja dhe mirëbesimi.

Mirëbesimi ndërtohet në një marrëdhënie mes personave të gjallë, që e njohin mirë njëri-tjetrin, dhe gëzojnë një miqësi jetësore.

Për shembull, nëse ke besim në një mekanik makine, ti ia dorëzon makinën me besimin se ai do ta rregullojë problemin. Kësisoj, kur ti ke besim te doktori dhe e di se ai ka aftësinë dhe kualifikimin e nevojshëm për të të kuruar, ti e lë jetën në dorën e tij me mirëbesim.

Kështu është edhe me Jezusin. Ne e njohim atë nga Bibla dhe jemi të bindur se gjithçka që Bibla thotë është e vërtetë dhe, marrëdhënia që kemi me Të, na jep siguri se Ai mund të na shpëtojë dhe të na japë jetë të përjetshme.

Ne e quajmë këtë besim: “besimi vetjak shpëtues” sepse është shumë më tepër se sa njohuri rreth Krishtit. Kjo është një bindje vetjake e thellë se gjithçka që Jezusi thotë është për të na shpëtuar personalisht dhe përgjithmonë.

Pikërisht këtë thotë edhe Gjoni 3:16 . Ai thotë: “Kushdo që beson në të nuk do të vdesë por do të ketë jetë të përjetshme.” Vini re fjalën e vogël “në.”

Sepse kjo fjalë është shumë e rëndësishme.

Kjo na kujton se duhet ta vendosim besimin, mirëbesimin dhe besën në Jezusin dhe vetëm të.

Mendoje kështu. Nëse je duke udhëtuar me një anije lundruese që po fundoset, çfarë bën?

Ti e di shumë mirë se duhet të marrësh një varkë shpëtimi. Kështu që ti nxiton në anë të anijes dhe, atje  shikon varkën e shpëtimit, që po lëkundet në ujë, pranë anijes.

Ti e di se kjo varkë është e sigurt në det dhe, se kushdo që hip në të do të shpëtojë. Por nuk mjafton vetëm që ta dish këtë. Ti ndoshta beson se varkat e shpëtimit janë krijuar dhe ndërtuar për të shpëtuar ty, por edhe njohja e këtij fakti nuk mjafton. Ti duhet që të hipësh në varkën e shpëtimit, ja se çfarë duhet të bësh që të shpëtosh!

Po kështu është edhe në lidhje me besimin në Jezus Krishtin. Njohuria rreth Tij është e rëndësishme por jo e mjaftueshme. Madje edhe bindja se Jezusi është i vërtetë dhe i aftë të na shpëtojë, nuk mjafton. Besimi i vërtetë shpëtues në Krishtin do të thotë të hedhësh trup e shpirt veten te Ai, duke i besuar Atij që mund të shpëtojë tani dhe për përjetësinë.

Por çfarë mund të më thuash ti ?

A ndihesh si ai blerësi që shkoi në dyqan për të blerë diçka, por për habinë e vet zbuloi se paratë e tij nuk bënin sepse ishin falso?

Ndoshta ti po pyet veten: A është i vërtetë besimi im?

Ndoshta ti po pyet se çfarë do të thotë të kesh realisht besim shpëtues në Jezus Krishtin.

Unë të sfidoj ta mendosh këtë gjë më thellë dhe më nga afër, në zemrën dhe në jetën tënde.

Rrëfeja mëkatet e tua Jezusit, besoji Atij plotësisht dhe Ai do të falë gjithë mëkatet e tua. Ai do të vendosë gjithë frymën e Tij, në zemrën tënde dhe do të japë jetë të përjetshme.

Një strofë nga një himn i vjetër thotë:

“Unë e di kujt i kam besuar,
dhe jam e bindur se Ai është i aftë

të ruajë atë që i kam dhënë

deri në ditën e fundit.”

Është shumë e thjeshtë të besosh, mjafton që: të pranosh Krishtin si Shpëtimtar, të kesh bindjen vetjake se Ai mund të shpëtojë ty dhe të ruajë ty nga e keqja dhe, mirëbesimin se në ditën e gjykimit nuk do të dënohesh por do të hysh me gëzim në qiell.

Komente

komente