Bota e egër

Titulli: Bota e egër (pjesa 3)

Perëndia kthen vëmendjen e Jobit te liria dhe madhështia  e dy zogjve të mëdhenj, një fajkua dhe një shqiponjë. Zoti pyet, ” Mos vallë për shkak të zgjuarsisë sate ngrihet e fluturon dhe i hap krahët e tij drejt jugut? Është vallë nën komandën tënde që shqiponja ngrihet lart dhe e bën folenë e saj në vende të larta? Banon mbi shkëmbinj dhe qëndron mbi krepa të rrëpirëta?” (39:26-28) Nëse shqiponja është emblema e lirisë së shfrenuar, a mund të presim që Krijuesi i shqiponjës të jetë më pak i lirë dhe i shfrenuar se krijesa që ai ka bërë?

E tepërt, për tu përballuar

Në këtë pikë, Perëndia ndalon së foluri dhe e le Jobin të flasë: ” Ai që kundërshton të Plotfuqishmin, a dëshiron vallë ta korrigjojë? Ai që qorton Perëndinë, t’i përgjigjet kësaj pyetjeje!” Si përgjigjet Jobi? ” Ja, jam shpirtvogël, çfarë mund të të përgjigjem? E vë dorën mbi gojën time.” (Jobi 40:2-4) Pas pyetjeve të Perëndisë nga vorbulla e erës, Jobi tërhiqet në heshtje, kështu që stuhia vazhdon me pyetje të tjera.

Për një çast Perëndia e ndalon udhëtimin e pyetjeve për botën e egër dhe pyet: ” A dëshiron pikërisht të anulosh gjykimin tim, të më dënosh mua për të justifikuar vetveten? A ke ti një krah si ai i Perëndisë dhe a mund të të gjëmojë zëri sa zëri i tij?” (40:8-9) Jobi e ka vënë në pikëpyetje drejtësinë e Perëndisë  dhe habitet se pse njerëzit e këqij ndonjëherë kanë një jetë më të lehtë se njerëzit e mirë. Por a është Jobi ai që e vendos standardin për drejtësinë? A mund ta shpëtojë Jobi veten? A mund të shtypë Ai të pabesët dhe t’i varrosë ata? Nëse mund t’i bësh tërë këto, i thotë Perëndia, ” Atëherë edhe unë do të lëvdoj, sepse dora jote e djathtë të ka siguruar fitore ” (40:14) Përndryshe Jobi do tregohej më i zgjuar që t’i besonte drejtësisë së Perëndisë dhe fuqisë së Tij, për t’i shërbyer njerëzve besnikë dhe për të ndëshkuar të pabesët sipas mendimit të Tij dhe në kohën e Tij.

Pasi ka thënë këtë Perëndia sërish e drejton vëmendjen te krijesat e tij, tek dy në mënyrë të veçantë: behemothi dhe leviathani. Behemothi është një kafshë e madhe në tokë. Perëndia thotë, ” Shiko behemothin që e kam bërë njëlloj si ti; ai ha barin si kau. Ja, forca e tij qëndron në ije dhe fuqia e tij në muskujt e barkut të tij. E lëkund bishtin e tij si një kedër; nervat e kofshëve të tij janë të thurura mirë. Kockat e tij janë si tuba prej bronzi; kockat e tij janë si shufra hekuri. Ai është e para nga veprat e Perëndisë; vetëm ai që e bëri mund t’i afrohet atij me shpatën e tij. ” (Jobi 40:15-19)  A është ky behemothi i madh një elefant, një hipopotam, apo diçka më e madhe dhe më çuditshme, siç është një dinozaur gjigant që ha bimë? Pavarësisht se çfarë është behemothi , njerëzit nuk mund ta përballojnë atë. Por Perëndia mundet.

Perëndia po ashtu flet për një përbindësh uji, të quajtur leviathan. ” Kush mund të hapë portat e gojës së tij, e rrethuar siç është nga tmerri i dhëmbëve të tij. Shumë të bukura janë rreshtat e mburojave të tij, të salduara fort si prej një vule… Kur ngrihet, të fuqishmit kanë frikë, dhe nga tmerri mbeten të hutuar.” A është leviathani një krokodil gjigant, apo është ai një tjetër zvarranik i madh apo një krijesë e detit? Çfarëdo  qoftë kjo krijesë, ai është tepër i madh për t’i bërë ballë. Ti mund ta kapësh atë apo ta lidhësh, ose ta bësh të të shërbejë. Ti nuk mund ta blesh a ta shesësh atë. Ti nuk mund ta sulmosh, ta mposhtësh apo ta frikësosh me ndonjë mënyrë. ” Mbi tokë nuk ka asgjë që t’i ngjajë, që të jetë bërë pa pasur fare frikë. ” (41:33)

Duke folur për këtë përbindësh të madh, Perëndia e pyet Jobin, ” A do të lozësh me të si me një zog apo do ta mbash lidhur për vajzat e tua? Miqtë e tu do të bëjnë me të takime të mrekullueshme apo do ta ndajnë vallë midis tregtarëve? A mund të mbulosh lëkurën e tij me shigjeta dhe kokën e tij me fuzhnja? Vëri duart mbi trupin e tij; do të të kujtohet luftimi dhe nuk ke për ta rifilluar. Ja, shpresa e atij që e sulmon është e rreme; mjafton ta shikosh dhe të zë tmerri. Askush nuk ka aq guxim sa ta provokojë. Kush, pra, është në gjendje të qëndrojë i fortë para meje?”. (Jobi 41:5-10)

Zoti, i Cili krijoi leviathan është  madhështor dhe në gjendje  për t’i bërë ballë atij. Nëse nuk mund t’i bësh ballë një leviathani, behemothi, një luani, apo një peshkaqeni,  si mund t’i bësh ballë Perëndisë që i krijoi tërë ato dhe është më i fuqishëm dhe më i tmerrshëm se çdonjëra prej krijesave të Tij? Mos u mundo të sfidosh, të kontrollosh a të zbusësh Zotin. Mos u mundo të arsyetosh me Perëndinë apo ta kthesh atë në krijesë me të cilën mund të luash. Në vend të kësaj, nënshtroju atij, besoji, adhuroje dhe mrekullohu me rrugët e Tij të mistershme. Në të njëjtën kohë, beso se nëse Krijuesi i vlerëson kafshët e egra, që kanë fare pak lidhje me njeriun Ai po aq i vlerëson dhe i do krijesat që janë bërë sipas imazhit të Tij.

Kur Perëndia ndalon së foluri, Jobi mbetet pa fjalë. Ai përgjigjet ” E pranoj që mund të bësh gjithçka, dhe që asnjë nga planet e tua nuk mund të pengohet. Kush është ai që, pa pasur gjykim, errëson mendjen tënde? Prandaj thashë gjëra që nuk i kuptoja, gjëra shumë të larta për mua që nuk i njihja. Dëgjomë, pra, dhe unë do të flas; unë do të të bëj pyetje dhe ti do të më përgjigjesh. Veshi im kishte dëgjuar të flitej për ty por tani syri im të sheh. Prandaj ndjej neveri ndaj vetes dhe pendohem mbi pluhurin dhe hirin ” (Jobi 42:2-6) Çastin që Jobi heq dorë prej vetes dhe përulësisht ia lë të ardhmen e tij Perëndisë, Zoti e ngre lart Jobin dhe shpall se Jobi kishte qenë miku i tij përgjatë tërë  asaj kohe. Pasi e mahnit Jobin, Perëndia qëndron me Jobin dhe i jep atij një jetë të re, një familje të re, ia kthen shëndetin dhe pasurinë. Por edhe para se t’i shtohen ato bekime, Jobi gjen kënaqësi në një takim të drejtpërdrejtë me Perëndinë dhe në emocionet e çuditshme që e kanë mbushur atë gjatë udhëtimit të tij me Perëndinë në botën e egër.

Tepër e mirë për tu shprehur me fjalë

Është emocionuese dhe njëherazi përulëse të zbulosh se ti nuk je qendra e universit, që opinion yt nuk është fjala përfundimtare, që shumë prej gjërave që ekzistojnë nuk kanë nevojë për ty apo nuk të shërbejnë ty, që bota është mbushur plot me mrekulli përtej imagjinatës sate, që bota drejtohet prej një Perëndie që është përtej çdo shpjegimi, më i tmerrshëm se çdo frikë, më i dashur se çdo shpresë.

Siguria dhe gëzimi ynë më i madh nuk vijnë kur ne kemi gjithçka nën kontroll apo kur e dimë se si do shkojnë gjërat. Nëse ti po kërkon një botë të mirë dhe të sigurt, dhe një Perëndi që i përshtatet çdo lloj kërkese, ti je jashtë realitetit të Perëndisë së vërtetë dhe të botës reale. Autori brintanik Xhei. Kej Çestërton (G.K. Chesterton) e përshkruan kështu takimin e Jobit me Perëndinë dhe thotë “çfarëdo qoftë kjo[botë], një kafshë e mirë a një kafshë e keqe, [ajo] është së paku një kafshë e egër dhe jo një kafshë e zbutur; është një botë e egër dhe jo një botë e zbutur.” Shumë njerëz mendojnë “se gjithçka në këtë botë mund të shpjegohet. Perëndia thotë, në fakt, që nëse ka diçka të mirë në këtë botë, përsa i përket njerëzve, është që jo gjithçka mund të shpjegohet.”

Perëndia ofron enigma që ne nuk mund t’i zgjidhim, egërsi që nuk mund ta zbusim dhe në njëfarë mënyre enigmat e egra të Perëndisë sjellin më shumë siguri se sa përgjigjet e sigurta të miqve fetarë fanatikë. Kur miqtë e Jobit ofrojnë përgjigje të qarta fetare, pyetja e Jobit “mbetet ende një plagë e hapur” thotë Çestërton. Por “Perëndia thjesht refuzon të përgjigjet dhe në njëfarë mënyre pyetja merr përgjigje. Jobi hedh një enigmë perëndisë dhe Perëndia i kthehet Jobit me njëqind enigma, dhe Jobi është në paqe. Ai ngushëllohet me rebusin.”

Kur Perëndia vjen në mes të një vorbulle të madhe ere dhe të bën pyetje për botën e egër të mbretërisë së Tij, ai i mban të fshehta qëllimet e Tij. Por Perëndia të jep ndihma, “sugjerime të shpejta dhe të shkëlqyera që sekreti i Perëndisë është i mirë dhe jo i keq, ashtu si ajo drita që shihet për një çast përmes të çarave të një dere të mbyllur.” Kur Perëndia ndalon së foluri, Jobi mbetet në një mister, por është një mister i mirë. Pasi ka takuar Perëndinë, Jobi gëzohet që Perëndia është ai që është, dhe e drejton botën sipas dëshirës së tij.

“Atij nuk i është thënë asgjë, por ai ndjen atmosferën e frikshme dhe therëse të diçkaje që duket tepër e mirë për tu treguar. Vetë refuzimi i Perëndisë për të shpjeguar projektin e tij, është një ndihmë shumë e madhe për të kuptuar krijimin e tij. Enigmat e Perëndisë janë më të këndshme se zgjidhjet e njeriut.” (Chesterton).

Një prej enigmave më të vështira në këtë mbretëri të egër, është se Mbreti do të lejonte që njeriun më i mirë të vuante gjërat më të këqija. Kjo është ajo që i ndodhi Jobit- por jo vetëm Jobit. Kur koha u përmbush, mbreti vetë erdhi në këtë botë jo si një vorbull ere, por si një foshnjë. Foshnja Jezus u rrit dhe u bë një burrë i përsosur, që ia tejkalonte shkëlqimit të shenjtërisë së Jobit. Jezusi, njeriu i mirë, vuajti për të lidhur njerëzimin me Perëndinë dhe për ta kaluar mbretërinë e egër drejt një destinacioni të shkëlqyer. Nga mister i erët i kryqit shkëlqen Shpresa e ndritshme e ringjalljes. Vuajtësi më i madh i kohërave i fton të dashurit e tij të marrin pjesë në vuajtjet e Tij që të mund të jenë edhe pjesëmarrës të  lavdisë së Tij. Ashtu siç Perëndia zgjedh në urtësinë e Tij që gjërat të bashkëveprojnë për të mirën e atyre që e duan atë, po ashtu në urtësinë e Tij mund të shkaktojë që ata që e duan atë të vuajnë për të mirën e gjithçkaje.

Sikurse e rimëkëmbi Jobin dhe e ringjalli Jezusin prej vdekjes, Perëndia mund të na ngrejë dhe restaurojë ne. Përtej kësaj bote të egër gjendet një botë pa ligësi, pa lot, ku do të lulëzojnë njerëzit e Perëndisë, që tani po vuajnë, ku jetojnë në harmoni edhe kafshët më të egra, atje ku Zoti i cili foli nga vorbulla e erës dhe vuajti mbi kryq do të mbledhë besnikët e tij, rreth një tryeze festimi.

Atje disa prej pyetjeve tona do të marrin përgjigje, ndoshta të gjitha jo, dhe e di pse, sepse do të përpihen prej magjepsjes dhe gëzimit tonë. Në krijimin e ri, ne do të gëzohemi kur të njohim më shumë prej krijesave dhe gjithmonë e më shumë do të magjepsemi prej Zotit.

Sado të njohshme të jenë misteret e Tij atëherë, gjithmonë do të mbeten disa thellësi në Perëndinë që nuk do t’i njohim kurrë, mistere që do të mbeten të fshehura përgjithmonë, që nuk do të zbulohen por veç do të na shtyjnë në adhurim dhe mahnitje ndaj Perëndisë. Emocionimi dhe magjepsja para Perëndisë do të jenë përgjithmonë shpjegimi më i kënaqshëm i misterit, se çdo shpjegim tjetër.

Komente

komente