Bota ku jetojmë

Titulli: Bota ku jetojmë (pjesa 2)

Ndonëse bota është e rënë, lexojmë në kapitullin 3 të Zanafillës për të mësuar si ndodhi kjo. Ne mund të gjejmë aty shenja të madhështisë së Perëndisë në botën që Ai krijoi, prova që mund të thuhet se janë firma e Tij.

A të kujtohet koha kur dolën në treg video lojërat për herë të parë?

Video loja e parë në treg ishte Pingpongu. Kjo lojë mundësonte luajtjen e pingpongut përmes ekranit.

Kjo lojë u pasua nga një sistem lojërash të quajtura Atari. Atari fillimisht nxori katër lojëra. Njëra prej tyre quhej Aventura. Në këtë lojë kishte një kështjellë me shumë dhoma, secila me çelësa të ndryshëm, dhe me korridore të ndryshëm.

Më kanë thënë se në atë lojë, ka një vend të veçantë në kështjellë ku mund të gjesh një pikë të vogël që është e vështirë të bjerë në sy, dhe nuk ka ndonjë domethënie të madhe në vetë lojën.

Por nëse e kap atë pikën dhe lëviz në ekran, do të hysh në një dhomë të fshehtë. Dhoma nuk është fare pjesë e lojës. Ajo thjesht ka brenda një ylber, dhe emrin e personit që ka shpikur këtë lojë. Pra në atë lojë është fshehur edhe firma e projektuesit të saj.

Të njëjtën gjë ka bërë Perëndia me krijimin e Tij. Ai ka fshehur firmën, por në mënyra shumë herë më të dukshme, se sa një pikë e vogël në ekranin e kompjuterit.

Psalmi 19 thotë:

Qiejt tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.

Psalmi 19 tregon se bota shfaq lavdinë e Perëndisë.

A e ke kuptuar këtë lavdi? Sepse ky psalm nuk flet vetëm nga ana teorike por na fton për një përvojë shpirtërore.

Mua më pëlqen shumë të udhëtoj, besoj se e keni kuptuar këtë tashmë. Një herë kam vizituar Valbonën me një pamje të mrekullueshme në Valbonë, para disa vitesh. Po vështroja perëndimin e diellit mbi majat e larta dhe madhështore që shihja nga larg.

Kisha lënë makinën aty pranë dhe po dëgjoja një kuartet harqesh po luante muzikë klasike në sfond. Dhe më pas dielli zbriti mbi kodra. Unë përjetova një ndjenjë të fuqisë dhe lavdisë. Jo vetëm lavdinë e majave të mbuluara me borë që ngriheshin mbi ne, jo vetëm lavdinë e muzikës që vinte nga makina. Por mund të them se lavdia që përjetova ishte shumë herë më e madhe. Unë kalova prej krijimit te Krijuesi. Unë shijova lavdinë dhe madhështinë e Perëndisë! Unë nuk përjetova vetëm natyrën. Unë po përjetoja krijimin, një krijim që në çdo cep të tij flet për lavdinë e Perëndisë.

Krijimi vetë i këndon lavdi atij që e solli në ekzistencë.

Pali shkruan te letra drejtuar Romakëve1:20, ” Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë. . .”

Po, qysh prej krijimit të botës, Perëndia e ka treguar se Ai mbretëron. Shikoni sërish fjalët e përdorura te Zanafilla 1 dhe do të zbuloni se mënyra e të shprehurit ngjan me dekrete mbretërore! “Dhe Perëndia tha… “

Mbreti foli me autoritet mbretëror, dhe kështu u formua bota. Perëndia urdhëron dhe gjithçka përgjigjet sipas urdhrit të tij.

Ai si mbret që është ushtron të drejtën e tij mbretërore për ti venë emrin ditës të natës, qiellit, tokës dhe deteve.

Pra nuk është çudi që përpara kësaj madhështie, ne të lavdërojmë Perëndinë! Kontrollo psalmet dhe do të zbulosh se sa shumë flasin psalmet për lavdinë e krijimit të Perëndisë! Dëgjoni se çfarë shkruan psalmi 104:

Beko, o shpirti im, Zotin! O Zot, Perëndia im, ti je jashtëzakonisht i madh; je veshur me shkëlqim dhe madhështi.

 Ai të mbështjell me dritë si të ishte një mantel dhe i shtrin qiejt si një çadër;

ai ndërton mbi ujërat dhomat e tij të larta, i bën retë si qerren e tij dhe ecën mbi krahët erës.

I bën erërat lajmëtarë të tij dhe flakët e zjarrit shërbëtorë të tij.

Ai e ka krijuar tokën mbi themelet e saj; kjo nuk do të luajë kurrë përjetë.

Pranimi i kozmosit si krijim i Perëndisë na tërheq vëmendjen nga madhështia e thjeshtë e natyrës tek madhështia e vetë Perëndisë.

KRIJUESI I CILI ËSHTË EDHE SHPENGUESI

Por krijimi thotë shumë më tepër se sa thjesht, Perëndia është i madh, veçanërisht kur bëjmë këtë pyetje të thjeshtë: “Pse e krijoi Perëndia tokën? Pse e krijoi botën? Ai nuk kishte pse ta bënte, fundja fare nuk kishte arsye sepse Perëndia vetë është i plotë dhe pavarur nga gjithçka. Gjithë lavdia dhe mirësia, banojë në Të.

Në Perëndinë trinitet, ka një shoqëri të përjetshme që ekziston mes Atit, Birit dhe Frymës. Perëndisë nuk i mungon asgjë. Asgjë nuk e detyroi perëndinë të krijonte universin.

Po atëherë përse e krijoi Perëndia atë? Sigurisht që nuk e bëri për të treguar fuqinë, por për të shfaqur dashurinë. Shkrimet thonë se në thelb të qenies së Perëndisë është dashuria.

Në zemër të Perëndisë është dashuria që kalon përtej vetes. Është ajo dashuri e cila e shtyu Perëndinë ti jepte jetë krijimit të tij, e më pas të kënaqej me gjithcka që ai kishte krijuar!

Tani fillojmë të kuptojmë se përse historia e krijimit është parathënia e historisë së shpengimit. Mesazhi i Biblës është se i njëjti Perëndi i cili është krijuesi është edhe Shpenguesi! Perëndia e bëri këtë botë! Dhe kur bota dola nga shinat për shkak të mëkatit të prindërve tanë të parë, kur bota humbi trajektoren duke shkuar drejt shkatërrimit dhe vdekjes, Perëndia mbeti besnik me veten.

Ai mund të kishte deklaruar se bota nuk bën më është thjesht diçka që duhet flakur. Po ai mund të kishte thënë se bota duhet hedhur në plehra, në pirgun madh të plehrave të historisë.

Por ai nuk e bëri. Ai mori përsipër ti ndreqte gjërat sërish. Perëndia i dashurisë e tregoi dashurinë e tij në një mënyrë që na çudit që të gjithëve.

Ai dërgoi birin e tij, i cili është ndërmjetësuesi i krijimit, për ta përtërirë dhe për ta kthyer në gjendjen e mëparshme.

Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.

Ai dërgoi birin e tij për ti kthyer burrat dhe gratë në një marrëdhënie personale me Krijuesin, dhe për të thyer pushtetin e të ligut në këtë botë.

Kështu ditën kur Krishti do të vijë sërish gjithcka do të jetë e re. Ne do të vështrojmë përqark dhe do të shohim një qiell të ri dhe një tokë të re, ku gjithcka që e ndot këtë botë do të jetë larguar.

Plani shpengues i Perëndisë është kaq i madh sa që e mban të gjithë kozmosin në horizont.

NË NJË LINJË ME KRIJIMIN

Por vetëm nëse e marrim seriozisht Krishtin përmes të cilit u krijuan të gjitha gjërat. Vetëm sikur përmes besimit të vijmë në një marrëdhënie besimi dhe ti bindemi, do të sjellim në perspektivën e duhur botën ku jetojmë. E më pas do të ndalojmë së vepruara sikur bota të ishte diçka e pavlerë.

Dhe do të rreshtim së besuari se bota është hyjnore. Ne do të kuptojmë se bota është krijimi i Perëndisë.

Kur ne njohim Jezus Krishtin, përmes të Cilit u krijua bota; ne mund të marrim nga fuqia e tij për të jetuar në botë sipas planit të Perëndisë.

Ne do të zbulojmë se kemi marrë një mandat hyjnor për tu kujdesur për këtë botë, në emër të Perëndisë. Zanafilla 1 thotë:

Pastaj Perëndia tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe.”

Sundimi i tokës shpesh është konceptuar sikur ne mund të abuzojmë me të si të duam. Nënshtrimi i tokës shpesh ka marrë kuptimin sikur ne nuk duhet të kujdesemi se sa specie përqark nesh po shkojnë drejt zhdukjes së plotë. Po kështu duket sikur nuk i kushtojmë rëndësi nivelit të Mërkurit në liqenet apo përrenjtë tona.

Por nënshtrimi dhe sundimi nuk duhet të na bëjë diktatorë. Ne jemi thjesht kujdestarët të krijimit të Perëndisë. Një kujdestar nuk e zotëron atë gjë për të cilën po kujdeset. Kujdestari tregon kujdes për llogari të një personi tjetër. Kjo botë është dhe do të mbetet gjithmonë pronë e Perëndisë. Ajo do ti përkasë gjithmonë Krijuesit. Por ne jemi kujdestarë të tokës, jemi ngarkuar me këtë detyrë prej Perëndisë dhe do të japim llogari se si jemi kujdesur për këtë planet. Ne jemi kujdestarë të tokës, që ndihmojnë të bëhet më i shpeshtë lavdërimi për këtë krijim. Ne jemi kujdestarë, që kanë thirrjen të çojnë përpara krijimin në gjithë mundësitë dhe potencialin e vet.

Unë e kujtoj këtë sa herë që punoj kopshtin pas shtëpisë sime.

Teksa punoja tokën pranverën e kaluar, dhe shpërndaja plehun, teksa mbillja lulet, i kujtova edhe një herë vetes se cili jam unë. Unë jam një kujdestar i tokës. Unë jam kujdestar i Perëndisë, për tokën.

Dhe këto gjëra të vogla që bëj në kopshtin e shtëpisë sime, të gjithë ne së bashku mund ti bëjmë në një shkallë më të lartë në botën mbarë.

A të intereson ky planet? Atëherë duhet të takohesh me Krijuesin. Veç kësaj duhet të takohesh me birin e Tij, i vetmi që mund të fuqizojë ty përmes Frymës së Tij të përmbushësh këtë mision në jetën tënde.

Komente

komente