Çfarë është njeriu?

Titulli: Çfarë është njeriu? (pjesa 1)

Dua ta filloj me një citim të një evolucionisti të njohur: “Ligësia nuk është më një faj i njeriut, po një sëmundje e trupit.” Këto janë fjalët e Darvinit. Darvini shtoi: “Në një të ardhme të largët… racat e civilizuara të njeriut do t’i zhdukin, e me siguri do t’i zëvendësojnë racat e egra”.

Çfarë e shtyu Darvinin të thoshte këto fjalë që duken kaq të pamoralshme dhe raciste? Ai u shpreh kështu sepse besonte se njerëzit janë thjesht produkt i evolucionit, pra kanë ardhur në ekzistencë përmes një variacioni të rëndomtë dhe përzgjedhjeje natyrore, kështu që ata nuk mund të jenë përgjegjës për sjelljen e tyre. Ai zbuloi se nëse mbijetesa e më të fortëve paraqiste realitetin më të lartë, atëherë grupet e racave superiore do të zhduknin racat që konsideroheshin inferiore.

Një politikan që e bazoi politikën e tij publike tek evolucioni tha: “Ne duhet ta kuptojmë shkencën dhe të bashkëpunojmë me të.” “Një racë superiore nënshtron ndaj vetes një racë më të ulët, një e drejtë që e shohim te natyra dhe mund të konsiderohet si e vetmja e drejtë e besueshme.” A dëshiron të dish emrin e politikanit? Adolf Hitleri (Adolf Hitler). Një ithtar i Hitlerit, Rudolf Hes (Rudolf Hess) deklaroi: “Nazizmi është biologji e aplikuar.”

Hitleri u mundua të ndërtonte një racë superiore duke zhdukur racat inferiore dhe duke sterilizuar apo vrarë njerëzit me paaftësi fizike. Kjo ishte themeluar në eugjenikë, e ashtuquajtura përpjekja shkencore për të shumuar gjenet më të mira dhe për të eliminuar të këqijat. Por kush e shpiku fjalën eugjenikë dhe e bëri këtë ide të famshme? Kushëriri i Darvinit, Fransis Galton.

Shumë njerëz mendojnë sot se Hitleri ishte i tmerrshëm. Por Hitleri nuk ishte i vetmi evolucionist që i besoi eugjenikës. Këtë e ka besuar edhe drejtuesi i gjykatës Supreme të Drejtësisë në Amerikë, Oliver Uendell Holmes, i cili la gjurmë me mandatin e tij të gjatë. Kështu bëri edhe Margaret Sengër (Margaret Sanger), themeluesja e organizatës “Prindërimi i Planifikuar”. Ajo mbështeti me shumë zell eugjenikën. Ajo shfaqi pakënaqësinë se shpërndarja e ushqimeve dhe ilaçeve për njerëzit në nevojë krijonte thjesht “një masë njerëzore të çuar dëm” Një përqasje më e mirë, tha Sengër do të ishte “zvogëlimi dhe synimi i eliminimit të stoqeve që janë më të dëmshme për të ardhmen e racës dhe të botës.” Njerëzit me gjene të këqija duhet të bëjnë vetë zgjedhjen e tyre: ” veçim ose sterilizim”. Margaret Sengër në një përmbledhje që shkroi për Kontrollin e Lindjeve iu referua një artikulli tjetër me titullin:
“Sterilizimi eugjenik: një nevojë urgjente”. Cili ishte autori? Ai ishte Ernst Rudin, Drejtori i Institutit të Sterilizimit Gjenetik, që kishte Hitleri.

Për të qenë të drejtë me Darvinin duhet të themi të vërtetën se Darvini vetë nuk dëshironte të bënte gjërat e tmerrshme që disa pasues të tij do të bënin më vonë. Darvinit nuk i pëlqente mizoria ndaj njerëzve të grupeve etnike, dhe shumë evolucionistë sot, sipas besimit të tyre, e kundërshtojnë racizmin. Por pavarësisht se si ndihej Darvini dhe ndjekësit e tij, teoria e Darvinit siguroi bazën për eugjenikën dhe do të thoshte se nënshtrimi apo shkatërrimi i racave të tjera është diçka normale dhe që pritet.
Kjo është e dukshme në titullin e librit të Darvinit. Titulli i plotë i tij është “Origjina e Specieve Nëpërmjet Përzgjedhjes Natyrore”, ose “Ruajtja e Racave të Favorizuara në Betejën për Jetën”. Nëse racat e favorizuara ruhen, çfarë mund të themi për racat e jo të favorizuara? Darvini deklaroi: “Racat e civilizuara të njeriut do të zhdukin pothuajse plotësisht racat e egra apo do t’i zëvendësojnë ato.”
Produkt i një procesi të qëllimshëm?
Nëse ti bën pyetjen: “çfarë është njeriu?” Darvinizmi ka një përgjigje të thjeshtë: njerëzimi është produkt i një procesi të paqëllimshëm. Profesori darvinist Uilliam Provin citon “shkencën moderne” përkrah ateizmit dhe pohon pesë parime bazë:
Së pari: shkenca moderne nënvizon se bota është organizuar në përputhje me parimet mekanistike. Nuk ka parime funksionale të çfarëdoshme në natyrë.
Nuk ka perëndi dhe as forca projektuese që dallohen në mënyrë racionale…

Së dyti, shkenca moderne nënvizon në mënyrë të drejtpërdrejtë se ka ligje etike dhe morale të trashëguara, nuk ka parime udhëzuese absolute për shoqërinë njerëzore.

Së treti, qeniet njerëzore, janë makineri komplekse të mrekullueshme. Individi njerëzor bëhet një person etik me anë të dy mekanizmave primarë: trashëgimisë dhe ndikimeve mjedisore.
Së katërti, ne duhet ta mbyllim me faktin se kur vdesim, vdesim dhe kaq, ky është fundi ynë…

Së fundi, vullneti i lirë sikurse perceptohet tradicionalisht… thjesht nuk ekziston… nuk ka asnjë mënyrë që procesi evolucionar sikurse është menduar mund të prodhojë një qenie që është me të vërtetë i lirë të bëjë zgjedhjet e veta.

Shkurt, nuk ka Perëndi, nuk ka standard suprem të së drejtës dhe së gabuarës, nuk ka shpërblime në qiell apo ndëshkime në ferr, nuk ka as vullnet të lirë apo zgjedhje personale të çdo lloji. Profesor Provini i quan këto gjëra me emrin: “shkenca moderne”, por sigurisht ato nuk janë aspak zbulime shkencore; ato janë doktrina ateiste. Dhe implikimet e këtyre doktrinave nuk janë aspak të këndshme. A është e gabuar që një burrë të braktisë gruan dhe fëmijët dhe të flejë me gra të ndryshme? Kush e tha? Njeriu nuk po bën zgjedhje personale; kjo është mënyra se si ai ka evoluar.

A është e drejtë të ushqesh njerëzit e uritur, apo të ofrosh kujdes mjekësor për të sëmurët, a të ndihmosh ata që kanë paaftësi fizike, a të mbrosh të drejtat e minoriteteve? Kush e thotë? Nëse kujdesesh vetëm për veten apo për njerëzit më të afërt dhe lejon që njerëzit shëndetlig të zhduken, ti je duke ndjekur rrjedhën e evolucionit.

A ishin të këqij kampet naziste? Kush e thotë? Nuk ka standarde absolute të së mirës dhe së keqes, Nazistët ishin produkte të trashëgimisë dhe mjedisit, nuk kishin vullnet të lirë. Veç kësaj, është normale që grupi i një popullate të shfarosë popullatat konkurruese. Kjo quhet: mbijetesa e më të fortëve.

Disa prej nesh mund të jenë habitur prej këtyre fjalëve, por sipas evolucionizmit ateist, kuptimi ynë për dhunën morale, është thjesht një aksident kimik. Për këtë arsye, kështu është edhe gjithçka tjetër për ne. Gjuha është një aksident kimik. Kujtesa është një aksident kimik. Racionaliteti është një aksident kimik. Dashuria romantike është një aksident kimik. Vendim- marrja është një aksident kimik. Guximi është një aksident kimik. Dëshira e madhe për jetën pas vdekjes është një aksident kimik. “Origjina e (njeriut), rritja e tij, shpresat dhe frika, dashuria dhe bindjet e tij”, u shpreh Bertrand Rasëll (Bertrand Russell), “janë vetëm rezultati i renditjeve rastësore të atomeve dhe molekulave”.
” Me fjalë të tjera, mendimet e tua nuk janë vërtetë mendime. Ndjenjat e tua nuk janë vërtetë ndjenja dhe, vullneti yt nuk përkufizohet prej zgjedhjeve që bën.
Në fakt, ti nuk je realisht vetja. Ti mund të mendosh se je një person me një ndërgjegje individuale, por nuk je ashtu. Ti je thjesht një makineri komplekse që ka dalë pas një serie të gjatë reaksionesh kimike rastësore.
Lavdia
Tani më lejoni t’ ju pyes, a ka kuptim ta besosh këtë? Kjo kundërshton gjithçka që ti di për veten. Një teori e bazuar mirë supozohet që të shpjegojë faktet e njohura si: parimet morale racionalitetin, ndërgjegjen individuale dhe dashurinë.
Ndërsa teoria e evolucionit thjesht mundohet t’i shmangë apo heqë qafe këto. Por kujt do t’ia hedhë?! Ne e dimë se këto gjëra janë reale; ato janë shumë të rëndësishme sepse tregojnë se kush jemi ne si qenie njerëzore.

Humaniteti nuk është rezultat i një procesi të paqëllimshëm; ne jemi krijuar prej vetë Perëndisë. Në fakt, Perëndia na ka krijuar kështu si jemi, për të kuptuar se si është Perëndia vetë. Bibla thotë: “Kështu Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet”. (Zanafilla 1:27)

Të qenit i krijuar sipas imazhit të Perëndisë na bën qenie me dinjitet dhe të rëndësishme. Kjo gjë na ndihmon të kuptojmë dallimin mes së mirës dhe së keqes, e po kështu kapacitetin për të zgjedhur. Kjo na bën qenie racionale me aftësinë për të menduar. Kjo përcakton marrëdhënien tonë me krijimin përreth si edhe marrëdhënien mes burrit dhe gruas. Dhe fakti që të gjithë njerëzit janë krijuar sipas imazhit të Perëndisë na bind se të lëndosh njerëzit është diçka e gabuar ndërsa t’i ndihmosh është diçka e drejtë.

Çfarë do të thotë të jesh krijuar sipas imazhit të Perëndisë? Një kuptim i kësaj është që njerëzit janë të rëndësishëm. Perëndia është i madh dhe madhështor, kështu që çdo njeri i krijuar sipas imazhit të tij ka një lloj madhështie. Në Psalmin 8 Bibla thotë:
“Sa i mrekullueshëm është emri yt mbi gjithë rruzullin!
… Kur mendoj qiejt e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur,
çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh?
Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se Perëndia, dhe e kurorëzove me lavdi dhe me nder.”

Në kontrast me këtë Darvini shkroi: “Njeriu në krenarinë e tij e mendon veten si një vepër e madhe e denjë për ndërmjetësinë e hyjnisë”. “Personi me këmbë në tokë, dhe unë besojmë se ëshët e vërtetë se njeriu është krijuar nga kafshët”.
Çfarë është njeriu? Darvini mund të thotë se ne jemi pak më të lartë se majmunët, por Bibla thotë se Perëndia na bëri sipas imazhit të tij. Këtu më duhet ta mbyll sepse minutave tona u ka ardhur fundi edhe për sot. Do të takohemi sërish herën e ardhshme me vazhdimin e kësaj teme.

Komente

komente