Titulli: Çfarë të mirash ka qeveria? (pjesa 3)

Por cila qeveri do të mund të bënte një shoqëri të përsosur kur njerëzit janë të papërsosur? Edhe sikur qeveria jonë të ishte duke bërë punën e saj në mënyrë të përsosur ( çka është e pamundur), martesat do të vazhdonin të shkatërroheshin, prindërit do të vazhdonin të abuzonin fëmijët e tyre, njerëzit do të vazhdonin abuzimin me alkoolin dhe drogën, shumë të tjerë do të vazhdonin të merrnin AIDS-in. Po ashtu nxënësit nuk do t’i kushtonin vëmendje mësuesve të tyre. Disa kompani do të falimentonin gjithsesi dhe, shumë njerëz do të humbisnin punët e tyre. Kjo për arsye se shumë prej gjërave që ndodhin në shoqëri janë përtej kontrollit të shoqërisë.

Që të jetë i madh një komb ka nevojë për shumë më tepër se sa thjesht një qeveri që do të ruajë të drejtat e individëve; po ashtu ajo ka nevojë për qytetarë të cilët do të ruajnë përgjegjësitë e tyre.

E fundit dhe më e rëndësishmja që dua të them është se, një komb është po aq i mirë sa qytetarët e tij, pavarësisht se çfarë bën qeveria.

Sikurse e ka thënë edhe Si. Es. Lljuis, “vezët e prishura nuk mund ta bëjnë omëletën të mirë”. Për sa kohë që njerëzit janë mëkatarë dhe të kufizuar, do të ketë probleme që asnjë qeveri nuk do të mund t’i zgjidhë. Qeveria mund të inkurajojë gjërat e mira dhe të ndëshkojë krimet, por ajo nuk mund të bëjë një shoqëri të përsosur nëpërmjet njerëzve të papërsosur dhe kjo nuk ka qenë asnjëherë në planet e Perëndisë.

Politika dhe besimi

Diçka tjetër që qeveria nuk mund ta bëjë dhe që nuk duhet të mundohet ta bëjë, është të imponojë besimin tek Perëndia. Bibla thotë se Perëndia i vendos autoritetet; nuk thotë që autoritet caktojnë Perëndinë. Zoti nuk i ka caktuar qeverisë detyrën e përhapjes së besimit në Të. Detyra e qeverisë është të mbrojë të drejtat e njerëzve në lidhje me njëri- tjetrin, por nuk është detyra e saj të ndreqë marrëdhënien e njerëzve me Perëndinë.

Disa prej kapitujve më të trishtë të historisë janë shkruar kur pushteti politik, është përdorur për t’i imponuar popullit një fe e caktuar. Forca politike nuk mund të ndryshojë zemrat njerëzore as t’i drejtojë ato te Perëndia dhe sa herë që mundohet ta bëjë këtë rezultatet janë fatale. Përndjekja fetare mund të prodhojë urrejtje dhe hidhërim, por ajo nuk ka prodhuar asnjëherë një jetë të transformuar. Madje edhe veprimtaritë fetare të organizuara prej qeverisë në disa shtete të krishtera  ndonjëherë më shumë prishin punë se sa rregullojnë. Këto lutje rrallëherë i janë adresuar Perëndisë dhe Atit të Zotit tonë Jezus Krisht. Në vend të kësaj ato përfundojnë thjesht në disa lutje të zbehta dhe jo të vërteta për të mos thënë që ndonjëherë hyjnë në kufirin e blasfemisë.

Qeveria nuk mund ta krijojë besimin dhe as nuk duhet të tentojë. Qeveria bën mirë që qëndron larg promovimit të besimit apo imponimit të urdhërimeve të Perëndisë. Në vend që të mundohemi ta shtyjmë qeverinë që të bëjë punën e kishës, ne si të krishterë duhet të festojmë lirinë e besimit që shijojmë nën sistemin tonë politik.

Fakti që Perëndia ka caktuar autoritetet qeverisëse për një qëllim të rëndësishëm por shumë të kufizuar na ndihmon që të çlirohemi prej mendimit se qeveria duhet të bëjë më shumë për besimin. Ndonjëherë në mes të një fushate elektorale, kandidatët të japin përshtypjen se nëse zgjidhen ata, gjithçka do të jetë për bukuri, ndërsa po të zgjidhen kundërshtarët e tyre gjithçka do ta marrë fund. Në rast se e njohim Biblën, e dimë se asnjëra nga këto nuk është e vërtetë. Qeveria mund të caktohet prej Perëndisë, por kjo nuk do të thotë se qeveria është Perëndia. Perëndia vetë është në fronin e universit, dhe fati ynë është në duart e Tij, nuk është në duart e asnjë partie politike.

Ne nuk i bëjmë asnjë favor vetes, kur presim nga qeveria një zgjidhje për çdo problem tonin. Edhe sikur gjithçka të ishte në rregull me qeverinë, nuk do të ishin në rregull për ne. Shumë prej problemeve tona më serioze janë personale dhe jo politike.

Ndonjëherë mjafton që të ndalojmë së pyeturi se çfarë është e mirë dhe e gabuar në një qeveri dhe, në vend të saj të shohim se çfarë të keqe kemi ne. Një marrëdhënie e shëndetshme me Jezusin dhe një pikëpamje e re mbi jetën na ndihmon më shumë se sa ndihma që do të na jepte një politikan apo gjykatës.

Kjo do të thotë se vendimi më i rëndësishëm që do të marrësh nuk është se cilët kandidatë do të votosh, por cili do të jetë Zoti i jetës tënde. Jezus Krishti mund të bëjë për ty dhe për familjen tënde shumë gjëra që një qeveri nuk mund ti bëjë asnjëherë. Bibla thotë: ” Është më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t’u kesh besim princave.”

(Psalmi 118:9) Lumturia jote nuk varet te fakti nëse janë vënë njerëzit e duhur në qeveri për vitet ardhshme. Lumturia më e madhe në jetën tënde bazohet te fakti:A e drejton Jezusi jetën tënde ose jo. Politikanët vijnë edhe ikin, por  mbretëria e Perëndisë mbetet gjithmonë.

Një qëndrim i shëndetshëm

Pasi e njohim Zotin, ne mund të lidhemi me qeverinë në një mënyrë më të shëndetshme sepse se dimë se çfarë të mirash ka qeveria: Perëndia e ka caktuar atë për një qëllim të rëndësishëm. Kështu që ne i nënshtrohemi qeverisë dhe i bindemi ligjeve të tij. Sigurisht që nuk i bindemi një ligji që bie ndesh me ligjin e Perëndisë.

Ne nuk i nënshtrohemi qeverisë nga frika se mos ndëshkohemi, por sepse e dimë që kjo është e drejtë dhe e pëlqyer para Perëndisë. Sikurse e thotë edhe Bibla:

” Prandaj është e nevojshme t’i nënshtroheni, jo vetëm nga druajtje e zemërimit, por edhe për arsye të ndërgjegjes.”

Në një vend me zgjedhje të lira dhe liri fjale, ne sigurisht ne kemi shumë më tepër në dorë se sa thjesht të nënshtrohemi. Disa prej nesh kandidojnë për një post të caktuar dhe fitojmë. Të gjithë ne kemi në dorë të zgjedhim se cilët drejtues do të na përfaqësojë.

Të gjithë ne kemi një rol për t’i thënë atyre se çfarë pret Perëndia nga një qeveri. Me fjalë të tjera, ne vetë kemi një rol të rëndësishëm në këto autoritete qeverisëse.

Unë si i krishterë, dëshiroj ta përdor këtë pushtet me mençuri. Unë nuk dua që qeveria ti detyrojë njerëzit të ndjekin Jezusin; kjo nuk është detyra e qeverisë. Kjo nuk do të thotë gjithsesi se të krishterët duhet të qëndrojnë jashtë politikës, apo që bindjet tona për të drejtën dhe të gabuarën nuk duhet të kenë lidhje fare me mënyrën sesi votojmë. Bibla na mëson vlerën e çdo jete njerëzore dhe është detyra e qeverisë të mbrojë jetët dhe të përkrahë të drejtat themelore të gjithë njerëzve.

Kjo është arsyeja përse të krishterët ndër kohëra e nxitën qeverinë të hiqte skllavërinë; kjo është arsyeja përse të krishterët në qeveri të ndryshme si për shembull në Amerikë, i bënë presion qeverisë që të miratonte të drejtat civile; kjo është arsyeja përse shumë të krishterë sot dëshirojnë që qeveria të mbrojë me ligj fëmijët e palindur duke i thënë stop abortit. Nuk është puna që të forcojnë besimin te njerëzit; kjo është thjesht një mënyrë për të mbrojtur njerëzit e brishtë prej të qenurit të shfrytëzuar apo të shkatërruar prej të tjerëve.

Ne fillojmë duke pranuar se çfarë të mirash ka një qeveri dhe më pas shikojmë se çfarë mund të bëjmë për ta përmirësuar atë.

Por edhe atëherë kur njerëzit në pushtet nuk janë të përsosur, ata i shërbejnë një qëllimi të rëndësishëm dhe kanë nevojë për mbështetjen tonë. Romakëve13 thotë: ” Sepse për këtë paguani edhe tatimet, sepse ata janë shërbëtorë të Perëndisë, që i kushtohen vazhdimisht këtij shërbimi.

I jepni, pra, secilit atë që i takon: tatimin atij që i përket, druajtje atij që është për t’u druajtur, nderimin atij që është për nderim.”

Perëndia dëshiron që të krishterët t’i paguajnë të gjitha taksat shtetit, madje me dëshirën e tyre. A është kjo kaq e vështirë? Kur ti gënjen në format e taksave të tua, ndoshta për paratë që merr në dorë dhe nuk i deklaron në shtet, ti mund t’ia hedhësh shtetit, por jo Perëndisë që e ka vendosur atë.

Taksat nuk janë të vetmet gjëra që ne i detyrohemi. Drejtuesit tanë kanë nevojë për respektin dhe mbështetjen tonë morale. Është shumë herë më e lehtë të kritikosh dhe të tallësh politikanët se sa të jesh vetë një politikan. E njëjta gjë vlen edhe për zbatimin e ligjit; ai është i vështirë dhe i rrezikshëm. Shumica prej këtyre burrave dhe grave në politikë nuk e meritojnë talljen; por nderimin dhe respektin tonë.

Një tjetër mënyrë se si mund të mbështetim drejtuesit tanë, sipas Biblës, ndoshta më e rëndësishmja nga të gjitha është të lutemi për ta.