Dashuri e pafund

Titulli: Dashuri e pafund (pjesa 1)

Tema sot është shumë e bukur. Po fillojmë pa humbur kohë. Sapo një grua kupton se ka ngelur shtatzënë, ajo ndihet nënë dhe fillon të veprojë si e tillë, shumë kohë para se të lindë. Nëse po dëgjon tani programin tonë dhe je shtatzënë, më kupton shumë mirë se çfarë po them. Ti nuk e ke parë ende foshnjën tënde, përveçse në foton bardhë e zi gjatë vizitës me ultratinguj; ndoshta duhet shumë kohë para se i vogli të vijë në jetë, por ti sërish ndjen se ajo jetë e vogël, brenda teje është shumë e çmuar, dhe zemra jote gufon nga dashuria. Dita e lindjes është ende larg, por ti ke filluar qysh tani me planifikimin dhe parapërgatitjet për ardhjen e fëmijës: ti blen disa rroba të bukura e të këndshme për fëmijën, shumë pelena, dhe bën gati dhomën për foshnjën. Gjithë kjo dashuri dhe afeksion, gjithë këto aktivitete, përgatitje dhe planifikime, fillojnë para se të fëmija të vijë në jetë.

Lidhja mes teje dhe të voglit bëhet edhe më e fortë, kur vjen koha për të lindur, dhe më në fund foshnja del.

Ti e shikon në sy, i prek hundën e vogël, i buzëqesh, i  përkëdhel mollëzat topolake, apo i lëmon lehtë flokët e butë dhe mbushesh plot me dashuri.

Teksa ledhaton të voglin, dashuria e madhe që ndien për të mund të tronditë ty, madje edhe të të trembë pak.

Ti nuk arrin ta besosh se si mund të duash kaq shumë një person!

Sigurisht që të qenit nënë përfshin shumë më tepër se sa kohën e shtatzënisë, blerjen e rrobave për foshnjën apo përkujdesjen për të sapolindurin. Bebet duan shumë mund. Ato nuk janë të pastra gjithmonë, ndonjëherë janë nervoze, të ndotura dhe, vijnë erë të keqe. Nuk është aq e lehtë të jetosh me to ndërkohë që rriten. Shumë shpesh një nënë e pyet veten se si një foshnjë e vogël dhe e bukur, mund të kthehet në një rebele, që nuk ka respekt për prindërit, apo që flet fjalë të pista. Shumë shpesh një nënë mërzitet për gjërat që fëmijët  prishin apo për telashet që ata kanë shkaktuar. Por edhe atëherë kur fëmijët janë në gjendjen më të keqe, është pothuajse e pamundur, për një nënë thjesht t’i harrojë fëmijët dhe të ndalojë së dashuri ata.

Nëse mendon për nënën tënde, çfarë është gjëja më e mirë që ka nëna jote? Shumë prej nesh, do të thoshin se ajo që spikat te një nënë është dashuria. Unë mendoj se është e mrekullueshme, të marrësh dashuri nga dikush, veçanërisht kur kjo dashuri ka filluar para se ti të ishe i ndërgjegjshëm për veten, para se të shikoje, të mendoje apo të flisje, a të thoshe diçka. Dhe është e mrekullueshme të mendosh se dashuria për këtë person, që ka filluar prej kohësh, vazhdon të jetë e pranishme në jetën tënde, edhe atëherë kur ti mendon se nuk e meriton të të duan. Kjo dashuri do të vazhdojë të jetë edhe në ulje- ngritjet e tua, në kohë të mira dhe të vështira, çfarëdo që të ndodhë.

Dashuria e Nënës dhe dashuria e Perëndisë

Kjo dashuri mahnitëse e nënës na tregon disa gjëra të rëndësishme për Perëndinë. Së pari na tregon se është meritë e Perëndisë që ekzistojnë këto mrekulli si familja, foshnjat, dhe nënat, po ashtu për krijimin e grave me një prirje të mrekullueshme për t’i gëzuar, për t’i rritur dhe për t’i dashur fëmijët e tyre.

Fakti i thjeshtë se Perëndia është krijuesi i mëmësisë, na tregon se ai është Perëndia i jetës dhe i dashurisë, Por sipas Biblës, dashuria e nënës jo vetëm që tregon mirësinë e Perëndisë si Krijues; por edhe projekton dashurinë që vetë Perëndia ka për fëmijët e Tij.

Në këtë pikë, ne duhet të jemi të kujdesshëm. Bibla nuk na mëson që të adhurojmë një perëndi, apo ta imagjinojmë Perëndinë si toka nënë që na dha jetë, sikurse bëjnë disa feministë ekstremë sot. Jezusi asnjëherë nuk iu referua Perëndisë si nënë; Ai e quajti Perëndinë, Atë. Jezusi asnjëherë nuk na tha të lutemi, nëna jonë që je në qiell; por Ai na mësoi t’i lutemi Atit tonë që është në qiell. Pra është e gabuar të shpikim, përfytyrojmë, apo t’i drejtohemi Atij si nënës sonë.

Nëse dëshirojmë të lidhemi me Perëndinë e gjallë dhe e vërtetë, duhet të jemi të kujdesshëm që të ruajmë fjalët tona për Perëndinë në një linjë me fjalët e Jezusit dhe të Biblës.

Megjithatë, pasi kemi thënë këtë, duhet të pranojmë se mëmësia është një prej ideve më të mëdha të Atit tonë qiellor dhe, po kështu duhet të gëzohemi se dashuria e Perëndisë ka shumë ngjashmëri me dashurinë e një nëne të mirë.

Perëndia vetë thotë në Shkrime: “Ashtu si një nënë e gëzon fëmijën e saj, kështu unë do t’ju gëzoj dhe do të ngushëlloheni…” (Isaia 66:13) Kjo është një pamje e mirësisë dhe dashurisë së Perëndisë për fëmijët e Tij të lënduar, e të përlotur ! Ashtu siç gjen ngushëllim një foshnjë në krahët e nënës, apo ashtu si një fëmijë me gjurin e gjakosur shkon duke qarë tek e ëma, po kështu edhe fëmijët e Perëndisë mund të shkojnë te Zoti, me lëndimet dhe lotët e tyre.

Nëse ti e njeh Perëndinë dhe i beson Atij, mund të pushosh në paqen e dashurisë së Tij, njëlloj siç pushon një fëmijë në krahët e dashur të nënës. Te Psalmi131:2 një poet biblik lutet Perëndisë me këto fjalë: ” E kam qetësuar dhe e kam tulatur me të vërtetë shpirtin tim, si një fëmijë i zvjerdhur në gjirin e nënës së tij; shpirti im brenda meje është si një foshnje e zvjerdhur.” Pra, dashuria e Perëndisë është e dhembshur dhe ngushëlluese ashtu si dashuria e nënës.

Dashuria e Perëndisë i ngjan dashurisë së një nëne por në një aspekt tjetër. Ashtu si nëna që fillon ta dojë fëmijën para se ta lindë dhe vazhdon ta dojë pavarësisht vështirësive në jetë,  kështu edhe Perëndia i ka dashur bijtë e Tij dhe, vazhdon t’i dojë, pavarësisht se çfarë ndodh.

Perëndia i do të zgjedhurit e Tij, Ai i deshi ata para se të kishin lindur; para se të krijonte botën. Në fakt Ai i ka dashur gjithmonë! Ai i ka dashur gjithmonë dhe, kjo nuk do të ndryshojë asnjëherë. Dashuria e Tij është e përjetshme, ajo nuk ka as fillim dhe as mbarim. Nëse Perëndia të ka shfaqur dashurinë, Ai nuk do të harrojë ty dhe nuk do të ndalojë asnjëherë së dashuri.

Te Isaia 49:15-16 Perëndia thotë: “A mundet një grua të harrojë foshnjën e gjirit dhe të mos i vijë keq për fëmijën e barkut të saj? Edhe sikur ato të të harrojnë, unë nuk do të harroj. Ja, unë të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia.”  Dashuria e një nëne është kaq e madhe dhe e thellë, sa që është e paimagjinueshme që një nënë të braktisë fëmijën apo të mos ketë dashuri për të.

Po e di se ka disa raste tronditëse kur një nënë e braktis foshnjën e saj në një kosh plehrash ose e vret atë, por këto raste janë shumë të rralla. Dashuria e nënës është kaq e fortë sa që vetëm një grua me probleme mendore do të arrinte të bënte gjëra kaq të tmerrshme.

Zakonisht dashuria e nënës është kaq e fortë sa që edhe sikur kriminel të bëhet fëmija, ajo sërish e do, ndonëse ky ia ka copëtuar zemrën, apo askush tjetër nuk e dëshiron ta ketë këtë fëmijë pranë. Si mund ta harrojë nëna fëmijën që dikur ka qenë brenda trupit të saj? Si mund të ndalojë nëna së dashuri krijesën qe e ka ushqyer me gji? Dhe nëse nënat nuk rreshtin së dashuri, atëherë si mund ta harrojë Perëndia dikë që e ka dashur që nga fillimi?

Si mund të harrojë Jezusi njerëzit e Tij të dashur, që i ka gdhendur në pëllëmbët e duarve?

Në Bibël Perëndia i thotë popullit të Tij ” Shumë kohë më parë Zoti m’u shfaq duke thënë: “Po, të kam dashur me një dashuri të përjetshme; prandaj të kam tërhequr me dashamirësi.” (Jeremia 31:3) Deri tani kemi folur se si shumë gra shtatzëna fillojnë të duan foshnjën e tyre që para lindjes, para se fëmija të jetë i vetëdijshëm për nënën. Kjo është veçse një shenjë e dashurisë së përjetshme që filloi para se ne të ishim të ndërgjegjshëm për të, pra kjo është një dashuri që ka ekzistuar para lindjes sime, qysh prej krijimit të botës dhe është po aq e përjetshme sa vetë Perëndia i përjetshëm.

Perëndia më ka dashur gjatë gjithë kohës së ekzistencës së Tij, çka do të thotë se dashuria e Tij është e përjetshme sepse Perëndia është i përjetshëm.

Ky lajm është i mahnitshëm, i jashtëzakonshëm!

Për asnjë moment në qenësinë e Tij të përjetshme Perëndia nuk ka ndalur së më dashuri me një dashuri të madhe dhe të pafundme! Asnjë nga gjërat që kam bërë në të kaluarën apo do të bëj në të ardhmen, nuk mund ta zvogëlojë dashurinë që Perëndia ka për mua në Jezusin.

E mrekullueshme apo jo miqtë e mi. Me këto fjalë sfiduese dhe inkurajuese njëkohësisht, dua të ndahemi bashkë, por mos harroni të na ndiqni sërish herën e ardhshme, do të flasim për pyetjen: “Si ta di se Perëndia më do mua?”.

Komente

komente