Dashuri e pafund

Titulli: Dashuri e pafund (pjesa 2)

Të zgjedhur prej Perëndisë

Si ta di se Perëndia më do mua? Si ta di se dashuria e Tij për mua është e përjetshme dhe e pandryshueshme? Unë e di se Perëndia më do sepse e thotë këtë në Bibël, se Ai i zgjedh njerëzit e Tij të dashur që nga përjetësia dhe i afron pas vetes. Unë e di se i besoj Jezusit si Shpëtimtar dhe e di se nuk do të isha në gjendje ta doja nëse nuk do të ishte Perëndia që më ka zgjedhur dhe më ka dashur përgjatë gjithë përjetësisë. Jezusi thotë: “Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq …” (Gjoni 6:44) Po kështu Jezusi thotë: ” Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë; dhe atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë.” (Gjoni 6:37) Me fjalë të tjera, vetëm personat që Perëndia i ka dashur përgjatë gjithë përjetësisë dhe i ka tërhequr pranë vetes me dashuri, do të vijnë te Jezusi për të marrë faljen, shpëtimin dhe jetën e re. Pra nëse kam ardhur te Jezusi dhe e besoj si shpëtimtarin dhe Zotin tim, kjo vërteton se Zoti më ka zgjedhur dhe më do me një dashuri të përjetshme.

Apostulli Pal e sqaroi këtë pikë në letrën dërguar disa miqve të tij të krishterë. Ai shkroi: ” duke ditur, vëllezër të dashur prej Perëndisë, të zgjedhurit tuaj,

sepse ungjilli ynë nuk erdhi deri te ju vetëm me fjalë, por edhe me fuqi dhe me Frymë të Shenjtë, dhe me shumë bindje… duke e pranuar fjalën… me gëzimin e Frymës së Shenjtë” (1 Thesalonikasve 1:4-6) Pali pa besimin e tyre dhe ai e dinte se nuk ishte vetëm një çështje zgjedhjeje nga Perëndia. Fakti që ata e zgjodhën Perëndinë ishte një shenjë e sigurt se Perëndia i zgjodhi dhe i deshi i pari.

Në një letër tjetër drejtuar të krishterëve, Pali shkroi: ” I bekuar qoftë Perëndia, Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që na bekoi me çdo bekim frymëror në vendet qiellore në Krishtin, sikurse na zgjodhi në të përpara se të themelohej bota, që të jemi të shenjtë dhe të papërlyer përpara tij në dashuri.” (Efesianëve 1:3-4) Çfarë të vjen në mend kur dëgjon fjalën i paracaktuar? Ndoshta nuk ke dëgjuar sa duhet për paracaktimin, ose ke dëgjuar por nuk e kupton mirë, të duket një doktrinë e vështirë, madje e ashpër, si një ide e dëmshme e shpikur prej teologëve të pashpirt. Por dëgjo se çfarë thotë Perëndia për paracaktimin: “Në dashuri Ai na zgjodhi para se të themelohej bota.” Perëndia na flet për paracaktimin, aspak që tu japë predikuesve dhe studiuesve një arsye më shumë për ta vrarë mendjen, as për tu dhënë kundërshtarëve të Biblës diçka tjetër pas së cilës të kapen, dhe sigurisht nuk e bën për të shkurajuar shpirtrat e dobët dhe drithërues. Perëndia na flet për dashurinë që t’i tregojë çdo personi që beson në Jezusin se  Ai na do me një dashuri të përjetshme.

Perëndia na flet për paracaktimin sepse Ai dëshiron që çdo njëri prej fëmijëve të Tij ta dijë se dashuria e Tij shpëtuese nuk ka as fillim as fund apo ndryshim.

Nëse je bërë i krishterë para një jave, Perëndia dëshiron që të dish se Ai të ka dashur qysh prej përjetësisë, dhe jo qysh prej javës së kaluar. Shpëtimi yt para një jave është rezultat i planit të dashurisë së Perëndisë para se ti të kishte lindur. Perëndia dëshiron që të dish më shumë për zgjedhjen dhe paracaktimin e përjetshëm që të gëzohesh në dashurinë e Tij të përjetshme, dhe të pushosh i sigurt në të dhe kështu t’i japësh Atij gjithë meritat për shpëtimin dhe dashurinë e Tij.

Nëse vjen te Jezusi me besim, nëse gjendesh mes njerëzve të zgjedhur e të dashur të Perëndisë mos mendo se dashuria e Tij për ty është bazuar në një zgjedhje apo vepër që ke bërë. Ti ndoshta tundohesh që të mendosh se Perëndia pa përtej mjegullës së kohës, të pa ty që more vendimin për ta ndjekur Jezusin dhe vendosi që përmbushje kriteret si një person që Ai do ta zgjidhte, do ta donte e do ta shpëtonte.

Por nuk është kështu. Perëndia nuk e bazon zgjedhjen e Tij tek fakti se mund të shohë paraprakisht atë që zgjedhim ne. Jezusi e pohon qartë: ” Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve.” (Gjoni 15:16) Ne zgjedhim sepse Ai na zgjodhi i pari. Ne duam sepse Ai na deshi i pari. Besnikëria e Tij vjen para besimit tonë dhe, besnikëria e Tij mbetet themeli i besimit tonë.

Ne inkurajohemi shumë e njëkohësisht bëhemi më të përulur kur dëgjojmë këtë.

Bëhemi më të përulur sepse mësojmë se Perëndia nuk të ka zgjedhur për diçka të mirë që ti ke. Bibla thotë:

“Por Perëndia ka zgjedhur gjërat e marra të botës … gjërat e dobëta të botës … gjërat jo fisnike të botës dhe gjërat e përçmuara …që asnjë mish të mos mburret përpara tij… Ai që mburret, le të mburret në Zotin!” (1 Korintasve 1:27-30) Zgjedhja e Perëndisë u bazua plotësisht në dashurinë e Tij, dhe jo në vlerën tonë. Lavdia i takon Atij dhe jo neve. Dashuria e përjetshme e Perëndisë bazohet në faktin se Perëndia është dashuri, dhe nuk bazohet aspak në fantazinë tonë se jemi njerëz shumë të mirë. Ky fakt na bën më të përulur.

Por njëkohësisht është një fakt inkurajues. Në rast se Shpëtimi do të mbështetej në zgjedhjen dhe vullnetin tënd, në rast se do të mbështeteshe tek vetja për gjithçka, dhe jo te Perëndia, atëherë besimi yt do të rrënohej.

Por shpëtimi nuk bazohet vetëm në zgjedhjen dhe vullnetin tënd; ai buron prej vullnetit dhe dëshirës së Perëndisë. Dhe kështu besimi qëndron i sigurt. Sikurse e thotë edhe Jezusi: ” dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime. Ati im, që m’i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit tim. (Gjoni 10:28-29)

Kur dashuria e Perëndisë të shtyn t’i besosh Jezusit, përjetësia prek kohën.

Fryma e Perëndisë të bën të gjallë brenda teje. Mesazhi i ungjillit të del përpara syve. Ti dëgjon Fjalën e Perëndisë dhe thua: “Kjo fjalë më preku zemrën.” Kështu ti kupton se Perëndia po të thërret në emër. Ti pendohesh për mëkatet e tua. Ti beson në Jezusin. Dhe ndërkohë i beson Atij, zbulon se je dashur me një dashuri të përjetshme, se je zgjedhur në Krishtin qysh prej themelimit të botës.

Kjo është arsyeja pse unë mund ta flas ungjillin e Jezusit me siguri. Unë do të dorëzohesha, në rast se rezultatet do të bazoheshin vetëm në aftësinë time për t’i ndryshuar njerëzit, apo në aftësinë e tyre për të ndryshuar vetë.

Ti mund të zgjedhësh të më dëgjosh ose jo, por unë jam i sigurt se Perëndia vepron sa herë që predikoj ungjillin e Jezusit të kryqëzuar dh të ringjallur.

Unë e di se jam instrument i Perëndisë, e di se mes dëgjuesve të mi ka njerëz të zgjedhur të Perëndisë, të cilët Fryma e Shenjtë do t’i transformojë përmes thirrjes së brendshme dhe të fuqishme.

Njohja e këtij fakti më nxit të lutem edhe për shpëtimin e njerëzve të tjerë. Unë nuk do të lutesha për shpëtimin e dikujt tjetër, në rast se do të mendoja që shpëtimi është në dorën e vetë atij. Pse të lutem, nëse gjithçka varet nga personi dhe Perëndia nuk mund të bëjë asgjë për të ndryshuar zemrën e atij personi? Por Perëndia mund të ndryshojë gjithçka, madje edhe zemrën më të ngurtë, apo njeriun më kokëfortë, ndaj edhe unë vazhdoj të lutem që Ai ta bëjë këtë.

Ndoshta ti si i krishterë ke familjarë apo njerëz të dashur që nuk janë të interesuar për Krishtin. Ndoshta ke tundimin që të dorëzohesh, të ndalosh së luturi për ta sepse mendon se nuk kanë për të ndryshuar gjithsesi. Po ashtu është, ata vetë, me forcat e tyre nuk mund të ndryshojnë kurrë.

Por meqenëse Perëndia e ka në dorë gjithçka, ai mund t’i ndryshojë. Dhe sigurisht që lutjet e tua janë pjesë e planit të Tij për të sjellë ndryshim. Pra vazhdo t’i lutesh Perëndisë, i Cili ka dëshirë të ndryshojë çdo njeri! Lutu Perëndisë që me dashurinë e Tij të shkrijë akullin e çdo zemre.

 

Komente

komente