Dhjetë mënyra për t’i dashur fëmijët e tu

Titulli: Dhjetë mënyra për t’i dashur fëmijët e tu (pjesa 1)

Duaji fëmijët duke dashur partneren apo partnerin tënd

Konteksti më i mirë për të rritur fëmijë të shëndetshëm, është një martesë e shëndetshme. Kur ti e do bashkëshorten apo bashkëshortin tënd, fëmijët e tu gëzojnë një atmosferë dashurie dhe sigurie. Kur ata shikojnë mamin dhe babin duke u përqafuar apo duke u puthur, duke inkurajuar dhe përgëzuar njëri-tjetrin, duke bërë gjëra për njëri-tjetrin, fëmijët ndihen shumë mirë! Ata e dinë se mami dhe babi janë të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit pavarësisht se çfarë ndodh dhe, kjo i jep atyre një ndjenjë sigurie dhe stabiliteti. Bibla e lidh një martesë të lulëzuar me fëmijët kur thotë: ” Gruaja jote do të jetë si një hardhi prodhimtare në intimitetin e shtëpisë sate, bijtë e tu si drurë ulliri rreth tryezës sate!” (Psalmi 128:3)

Pak gjëra të tjera janë më të nevojshme për rritjen e fëmijëve se sa një familje e dashur dhe një martesë e qëndrueshme. Kur fëmijët e ndiejnë tensionin që është mes mamit dhe babit, kjo gjë i trazon ata. Nëse mami dhe babi ndahen, kjo gjë ia thyen zemrën fëmijëve. Një ironi tragjike e kohës sonë është se disa vende lejojnë abuzimin e jashtëligjshëm të fëmijëve, po kështu shumë vende kanë quajtur si të jashtëligjshme gjuajtjen e fëmijëve me shuplakë, madje si abuzim ndaj fëmijës. Nga ana tjetër shumë vende kanë ligje që lejojnë divorcin pa ia hedhur fajin askujt. Po kështu ka ligje që lejojnë që çiftet të jetojnë së bashku pa qenë të martuar dhe më pas të ndahen sipas dëshirës.

Meqenëse po flasim për abuzimin e fëmijëve! A ka abuzim më mizor për fëmijët se sa ndarja e prindërve? Themelet e tyre shemben dhe nuk ka atmosferë dashurie në botë që mund t’i bëjë të lulëzojnë!

Një mënyrë për të dashur fëmijët e tu është të duash bashkëshorten tënde!

  1. Duaji fëmijët duke plotësuar nevojat e tyre fizike.

Sigurohu që fëmijët e tu të kenë ushqim, veshje dhe një strehë. Kjo është diçka që dihet nga të gjithë, por gjithsesi nuk mund ta lija pa përmendur sepse është shumë e rëndësishme. Disa prej jush tashmë e kanë shkelur udhëzimin e parë. Pasi je ndarë me partnerin, ti i përkeqëson më shumë gjërat duke mos bërë pagesën që i detyrohesh fëmijës.

Ti tashmë e ke lënduar fëmijën tënd emocionalisht dhe nuk je në gjendje të plotësosh as nevojat e tyre fizike. Eja në vete! Bibla thotë: ” Por në qoftë se dikush nuk kujdeset për të vetët, dhe më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar.” (1 Timoteu 5:8)

Ndoshta ti ke ardhur në vete. Ndoshta ti punon me orë të zgjatura dhe lodhesh shumë që të sigurosh për fëmijët e tu. Nëse po, merr zemër. Nëse je një prind që i fiton paratë në një punë që nuk është shumë argëtuese, mos e shiko atë si një gjë e mërzitshme por si një mjet nga Perëndia, për tu dhënë fëmijëve të tu të dashur atë që kanë nevojë. E njëjta gjë vlen edhe për ty që qëndron në shtëpi  duke përgatitur ushqimin apo duke larë rrobat a duke ndërruar pelenat. Mos e shiko thjesht si një punë shtëpie, si diçka të mërzitshme. Shikoje si privilegj, si një mënyrë konkrete dhe reale për të shprehur dashurinë. Duaji fëmijët duke punuar me gëzim për të plotësuar nevojat e tyre fizike.

  1. Duaji fëmijët duke qenë shembull për ta

Qëndrimet dhe veprimet e tua kanë një ndikim të madh mbi fëmijët e tu. Nëse tregohesh i kujdesshëm dhe i ëmbël me ta, kjo do të shërbejë si model që të bëhen edhe ata njerëz të ëmbël dhe të kujdesshëm. Nëse je egoist, i zemëruar dhe i pakëndshëm, kjo do t’i bëjë jetët e tyre të dhimbshme dhe të hidhura, e po kështu do të jetë shembull i keq për ta, duke i shndërruar në njerëz të këqij ata vetë. Nëse zgjedh një mënyrë jetese që është e shëndetshme, kjo do tu sjellë edhe atyre shëndet.

Por nëse ti i hyn alkoolit dhe drogës, këto do të helmojnë jo vetëm jetën tënde por edhe jetën e tyre. Ata lëndohen prej zakoneve të tua të dëmshme dhe ç’ka i përkeqëson më shumë gjërat, është se ata mund të marrin zakonet e tua të këqija.

Të jesh babai i një familjeje është njëlloj sikur të jesh në drejtim të një anijeje. Nëse e drejton me kujdes anijen drejt destinacionit, jo vetëm që ti vetë mbërrin atje, por mbërrijnë edhe të tjerët. Por nëse nuk e di se ku po shkon dhe e fundos anijen, ti jo vetëm që do të shkatërrosh anijen, por edhe të tjerët që janë me ty në anije. Kapiteni i një anijeje që nuk studion hartat apo nuk i kushton vëmendje paralajmërimeve do të verë në rrezik jo vetëm veten, po gjithë të tjerët që janë me të. Në të njëjtën mënyrë nëse babai i shpërfill udhëzimet dhe paralajmërimet e Biblës nuk do të dijë se si të drejtojë veten dhe familjen përballë ajsbergëve, shkëmbinjve dhe stuhive të jetës. Ai vë në rrezik shpirtin e vet dhe shpirtrat e tyre. Sa më mirë ta njohësh Biblën ti vetë, aq më mirë do të dish ta drejtosh familjen tënde drejt sigurisë.

Prandaj, për të mirën tënde dhe të familjes, mblidhe veten. Hiq dorë prej zakoneve të këqija dhe qëndrimeve helmuese dhe kërko që të jesh në person me dituri. Bibla thotë: ” Shtëpia ndërtohet me dituri dhe bëhet e qëndrueshme me maturi. Me dijen mbushen dhomat me lloj-lloj të mirash të çmueshme dhe të pëlqyeshme.” (Fjalët e Urta 24:3-4) Me fjalë të tjera, nëse je shembull dhe e jeton jetën me mençuri, atëherë do të begatohet edhe familja jote.

  1. Duaji fëmijët duke dashur Perëndinë.

Nëse nuk ke një marrëdhënie me Perëndinë, ti bëhesh pengesë për marrëdhënien e fëmijëve të tu me Perëndinë. Edhe sikur të jesh prind shumë i mirë në aspekte të tjera, ti po pengon dhe po dëmton shpirtin e fëmijës së bashku me tëndin, nëse ti nuk e njeh Perëndinë dhe nuk e do Atë.

Nga ana tjetër, nëse ti e do Perëndinë, i beson Atij, e adhuron, dhe ke një marrëdhënie me Jezus Krishtin si shpëtimtarin tënd personal, si Zot dhe Mik, atëherë marrëdhënia jote me Zotin do të frymëzojë ty që të jesh një prind i përsosur, e po kështu do ti tërheqë fëmijët e tu që të kenë edhe ata një marrëdhënie me Zotin ashtu si ti.

Një prej vargjeve të mi të preferuar biblikë si baba është te Fjalët e Urta 14:26: ” Në frikën e Zotit gjendet një siguri e madhe, dhe bijtë e tij do të kenë një vend strehimi.” Kur ti tregon respekt të madh, nderim dhe dashuri për Perëndinë, ky do të bëhet një mur sigurie dhe mbrojtjeje për fëmijët e tu. Kur ti jeton me anë të besimit në premtimet e besëlidhjes së Perëndisë, edhe fëmijët e tu, ashtu si ti do të përqafojnë ato premtime. Pra nëse nuk e njeh Zotin Jezus, fillo ta njohësh Atë.  Dhe nëse e njeh Zotin, atëherë duaje atë me gjithë zemrën, me gjithë shpirtin me gjithë mendjen dhe me gjithë forcën tënde.

Kështu Perëndia do të nderohet dhe, fëmijët e tu do të bekohen bashkë me ty. Duaji fëmijët e tu duke dashur Perëndinë.

Duaji fëmijët duke dashur partneren tënde.  Duaji fëmijët duke plotësuar nevojat e tyre fizike. Duaji fëmijët duke qenë shembull për ta.

Herën e ardhshme do të shohim katër mënyra të tjera si të duam fëmijët tanë.

Ato janë: Duaji fëmijët duke vendosur prioritetet e duhura. Duaji fëmijët duke i disiplinuar si duhet dhe me vendosmëri. Duaji fëmijët e tu duke qenë i pranishëm në jetën e tyre. Duaji fëmijët e tu duke besuar se Perëndia do të përfundojnë veprën e Tij në jetën tënde dhe, atë të fëmijëve të tu.

Komente

komente