Dhuratë e Përjetshme

Titulli: Dhurata e Përjetshme (pjesa 2)

Folëm herën e kaluar rreth besimit të farisenjve. Ata besonin se bindja nuk ishte thjesht një çështje personale. Perëndia lidhej drejtpërdrejtë me Izraelin si komb, këtë komunitet njerëzish. Prandaj bindja ishte një përgjegjësi e përbashkët. Kjo do të thoshte që një mëkatar në turmë mund të ndikonte jetën e gjithë komunitetit.

Ndaj nuk është çudi që farisenjtë ishin kaq të shqetësuar për tu siguruar që çdo njeri, duke përfshirë edhe veten e tyre, duhet të ruante me shumë kujdes dhe sa më mirë ligjet. Pikërisht këtë lloj të menduari kishte në mendje Pali kur thotë: “Unë e kisha zakon të gjykoja ashtu si bota”.

Ai i kontrollonte të tjerët për të parë nëse ishin ose jo në përputhje me programin e farisenjve; ai i gjykonte ata në sy, për hir të sigurisë dhe prosperitetit të përbashkët. Dhe në të njëtën mënyrë e gjykoi edhe Jezus Krishtin.

Pali pa te Jezusi i Nazaretit një njeri ndryshe. Ai pa një mësues shëtitës dhe kundërshtues, i shoqëruar me pak dishepuj, i akuzuar për rebelim e më pas i dënuar me ekzekutim.

Sikur të mos mjaftonte kjo e keqe, ndjekësit e tij guxonin të shpallnin se ky mësues i kryqëzuar ishte Mesia i premtuar, i zgjedhuri, Ai që do të vinte…? Palit i dukej shumë ofenduese kjo gjë, që një person kaq i ulët të nderohej si Mesia. Prandaj edhe Pali u kthye nga një praktikues i ligjit në një farise përndjekës.

Por nuk ishte përndjekës, në kohën kur ai shkroi letrën e Korintasve. Ai kishte zbuluar se Cili ishte Krishti me të vërtetë. Ai kishte kuptuar domethënien e vdekjes së Krishtit; sikurse e thotë edhe në vargun 14 te 2 Korintasve kapitulli 5: “Sepse dashuria e Krishtit na shtrëngon, sepse kemi arritur në konkluzionin se, në qoftë se një ka vdekur për të gjithë, të gjithë, pra, kanë vdekur.” Kjo bëri që Pali t’i shihte të tjerët shumë ndryshe: mëkatarët nuk ishin më përgjegjës për mirëqenien e përbashkët, por thjesht njerëz të humbur, njerëz që kishin nevojë të njihnin Shpëtimtarin dhe të uleshin në gjunjë para Tij.

Pali erdhi për të parë dhe për të mësuar, dhe gjithashtu për diçka tjetër që të gjithë ne si dishepuj të Jezusit duhet të dimë sot: pajtimi me Perëndinë është një dhuratë dhe një detyrë. Sikurse e thashë edhe më parë, vullneti i Perëndisë për ne është: të jesh në raport drejtë me Perëndinë, të jesh bërë i ri, sipas imazhit të Krishtit.

Kjo është marrëveshja e re, vepra e Perëndisë. Sërish ju kujtoj çfarë shkroi Pali: “Perëndia e bëri mëkat atë që nuk njihte mëkat”, po, e bëri “që në Të, të mund të bëhemi drejtësia e Perëndisë”.

Po kështu Ai na nxit të bëhemi pjesë e shërbesës së Tij pajtuese. Dëgjo sa pasion kanë letrat e Palit; duket sikur po i kap korintasit pas bluze: ” sepse Perëndia e ka pajtuar botën me veten në Krishtin, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre dhe vuri ndër ne fjalën e pajtimit.

Ne, pra, bëhemi lajmëtarë për Krishtin, sikurse Perëndia të këshillonte nëpërmjet nesh; dhe ne ju këshillojmë juve për hir të Krishtit: Pajtohuni me Perëndinë!Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të. Dhe, duke qenë bashkëpunëtorë të tij, ju këshillojmë të mos e pranoni më kot hirin e Perëndisë.”

Pali po na fton të jemi ambasadorët e Perëndisë. çfarë është një ambasador? Ai është një përfaqësuese që flet në emër të një sunduesi, kombi apo pushteti më të madh. Ambasadori është prania fizike, (pra një njeri prej mishi dhe kockash) që përfaqëson atë pushtet në një vend tjetër të botës.

Ky është një rol jashtëzakonisht i rëndësishëm, që jetohet ditën dhe natën, zgjuar apo në gjumë, njëzetë e katër orë dhe shtatë ditë të javës. Si përfaqësues i një kombi, ambasadori nuk duhet të harrojë asnjëherë se kë përfaqëson ai apo ajo.

Ja dicka që më ka bërë përshtypje në cështjete diplomatike. Xhorxh Shultz, (George Shultz) teksa kryente detyrën si sekretar i shtetit gjatë administratës së Reganit, mbante një glob të madh në zyrë. Kur intervistonte ambasadorët e sapoemëruar, Shultzi i vinte gjithmonë në provë.

Ai u thoshte: “Shko te globi dhe më identifiko vendin tënd”. Kështu ata shkonin atje, rrotullonin globin dhe pa gabuar vendosnin gishtin te vendi ku ishin dërguar me detyrë.

Të njëjtën provë do të kalonte edhe një mik i vjetër i Shultzit e njëkohësisht ish drejtues i maxhorancës së Senatit, Majk Mensfilld (Mike Mansfield), i cili ishte caktuar ambasador në Japoni.

Megjithatë kësaj here, Ambasadori Mensfilld, rrotulloi globin dhe vendosi gishtin te Shtetet e Bashkuara.

Ai tha: “Ky është vendi im”.

Më vonë Shultzi shkroi: “Ua kam treguar këtë histori të gjithë ambasadorëve që kanë dalë nga zyra ime. Mos harro asnjëherë se ti po shkon në atë vend, por ti përfaqëson Shtetet e Bashkuara. Ti po shkon atje për këtë përfaqësim. Shiko interesat e vendit tënd dhe mos e harro kurrë këtë”.

Ky parim vlen edhe për të krishterët, nga çdo fis, tokë dhe komb, për ata që duan të kuptojnë identitetin e tyre në këtë botë. Kjo është thirrja jonë, kjo është shërbesa jonë: të jemi Ambasadorë të Krishtit. Ne jemi këmbët dhe duart e Jezus Krishtit, në këtë botë.

Kur kisha identifikohet si trupi i Krishtit, nuk bëhet thjesht për arsyen e metaforës. Ne jemi këtu për tu drejtuar prej kreut tonë, e të bëjmë punën që ai ka bërë ndërkohë që ishte midis nesh.

Kjo punë, kjo shërbesë, është bërë përgjatë shumë viteve.

Së fundmi një miku im pastor përcaktoi në kishën e tij një kohë përkushtimi që e quajti ’10 ditët e Jubileut’, sipas udhëzimeve që Perëndia i dha popullit të Izraelit te Levitiku 25. Në ato dhjetë ditë ata lanë mënjanë çdo shërbesë të kishës. Ata anuluan të gjitha takimet e bordit administrativ, këshillin dhe komitetet e ndryshme.

Po kështu takimet e rregullta javore nuk do të bëheshin. Kjo ishte një kohë pushimi, Shabati, për kishën, por kjo nuk pengonte që njerëzit të takoheshin së bashku.

Në vitin e jubilesë që ishte çdo pesëdhjetë vjet, Izraeli ishte udhëzuar të festonte ndërsa fermerët duhet t’i linin tokat djerrë. Shumë prej praktikave të zakonshme të punës dhe ritmi i ekonomisë liheshin mënjanë, me qëllim që kjo kohë të shërbente për ngritjen e të varfërve, integrimin e qytetarisë së njerëzve dhe strehimin e të dëbuarve në gjirin e shoqërisë. Për popullin e Perëndisë ky ishte vit i restaurimit të shërbesës.

Për këtë arsye edhe kisha e mikut tim la mënjanë ritmin e zakonshëm të jetës së kishës dhe e kthyen gjithë vëmendjen jashtë, duke kërkuar që të jenë një bekim për të varfrit dhe njerëzit e lënë mënjanë prej shoqërisë. Në ato dhjetë ditë ata u bekuan në shumë mënyra.

Klasa biblike e kishës vizitoi shtëpinë e të pastrehëve në qendër të qytetit.

Grupi i studimit të grave përgatiti ushqime dhe i shpërndau në një lagje të varfër të qytetit.

Kori i kishës i bëri provat në një ndërtesë ku banonin shumë njerëz që jetonin vetëm me përkrahje sociale.

Kori jo vetëm që solli muzikën atje, por dhe disa ushqime për t’i ndarë me banorët, teksa shijonin muzikën në piano! Ndërsa pastori së bashku me gruan fëmijët, dhe disa familje të tjera ofruan ndihmë vullnetare në njësinë ushtarake të qytetit. Ata u shpërndanë peshqirë, shtupa dhe dhurata të tjera njerëzve që kishin nevojë për to.

Kjo kohë e shërbesës, për ta do të thoshte të ishin duart dhe këmbët e Jezusit. Këto dhjetë ditë Jubileu ishin për kishën pjesë e shërbesës së pajtimit që u ishte besuar, si kishë e Jezus Krishtit.

Ne të gjithë e dimë se të shërbyerit në qytet në këtë mënyrë, ndonëse nuk e ndaloi varfërinë e komunitetit, ishte një kujtesë se jemi pjesë e punës pajtuese çdo ditë të jetës sonë, sepse jemi njerëzit e Jubilesë.

Çfarë dua të them me këtë? Ne e ndjekim Jezusin, dhe e dimë se Ai vetë në shërbesën dhe personin e Tij ishte përmbushja e ligjeve të Dhjatës së Vjetër për Jubileun. Ai erdhi për të lidhur zemrat e thyera dhe për të çliruar të robëruarit.

Dhe ne e ndjekim Jezusin duke bërë atë që bëri Ai, duke shërbyer ashtu si Ai. Ne si ndjekës të Jezusit bëhemi edhe njerëz të Jubilesë.

Por sigurisht kjo shërbesë shkon më tej. Shërbesa e pajtimit është edhe shërbesë e Fjalës. Njerëzit kanë nevojë të dëgjojnë Lajmin e Mirë, jo vetëm të kenë diçka për të ngrënë, apo një strehë të sigurt, një vend të ngrohtë për të fjetur. Ata duhet të mësojnë se Perëndia po i pret, Ai e mban dyert hapur për ta dhe Ai vetë qëndron te pragu krahë hapur. Ky është mesazhi i pajtimit që na është besuar ne. Këtë mesazh Perëndia dëshiron që ta shpallim kudo. Nuk ka kuptim që ta mbajmë atë për vete.

Para pak kohësh unë lexova diçka për një djalë të ri që kishte aplikuar për një punë në teatër si përgjegjës për shoqërimin e njerëzve nëpër vende. Si pjesë e intervistës, menaxheri i teatrit e pyeti: “çfarë do të bëje nëse do të binte zjarr në ndërtesë?”

Djali i ri u përgjigj: “Mos ki hallin tim. Unë do të dilja menjëherë jashtë.”

Kështu priremi të përgjigjemi ndonjëherë. Ne dëgjojmë pyetjen: “çfarë do të bëje nëse Jezusi do të kthehej nesër?” Ne përgjigjemi “Oh, mos u shqetëso për mua. Unë do të jem mirë.” Por ti je një shoqërues njerëzish. Nuk mjafton të shpëtosh vetëm veten tënde. Ti je përgjegjës për njerëzit që janë në sallë, që edhe ata të dalin jashtë.

Dëgjo Lajmin e Mirë. Perëndia na ka dhënë një jetë të re, Ai do të na bëjë më shumë të ngjashëm me Jezus Krishtin. Por Ai e bën këtë që edhe ne të marrim shërbesën e Jezusit. Pra jemi thirrur për një jetë ngazëlluese në shërbesë, me potencialin që na ka dhënë Perëndia për të qenë agjentë të mbretërisë së Tij:

“Perëndia po e pajton botën me veten e Tij përmes Krishtit, duke mos llogaritur mëkatet që njerëzit kanë bërë kundër Tij. Dhe Ai na ka dhënë neve mesazhin e pajtimit. Ne pra jemi ambasadorë të Krishtit, njëlloj sikur Perëndia të arrinte botën përmes nesh.”

 

Komente

komente