Familja poshtë kryqit (Pashka)

Titulli: Familja poshtë kryqit (Pashka) – Pjesa 1

Pol Turnier (Paul Tournier), një autor i njohur i krishterë shkruan në librin e tij “Arratisu prej vetmisë” (Escape from Loneliness) për një grua e cila u transferua në Gjenevë, Zvicër, për të punuar me një organizatë sociale ndërkombëtare. Kolegët e saj e respektonin shumë, por diskutonin vetëm çështje pune kur ishin në zyrë.

Ajo jetonte në një apartament shumë të vogël. Ndonëse takohej përditë me fqinjët tek ashensori, ajo asnjëherë nuk u miqësua me askënd. Nuk kishte asnjë mik. Askush nuk donte t’ia dinte për të. Dhe çdo mbrëmje ajo ndizte televizorin për të dëgjuar përshëndetjen mbyllëse të folësit të lajmeve që thoshte fjalët, “. . . këtu kemi  përfunduar edhe për sonte, ju urojmë një natë sa më të këndshme. Natën e mirë!”

Pyes veten nëse ti që po dëgjon këtë program je një njeri që vuan problemin e vetmisë njëlloj si kjo grua. Oh, mos më keqkupto, ndoshta ti je i rrethuar me njerëz. Por ti nuk e i lidhur personalisht me askënd! Në fakti, thjesht të pasurit e shumë njerëzve pranë e bën edhe më të keqe ndjenjën tonë të vetmisë.

Unë kam përjetuar kohën më të keqe të vetmisë kur mora pjesë në një konferencë ku nuk njihja askënd.

Unë thjesht kaloja nga prezantimi në prezantim dhe shikoja se njerëzit përreth përshëndesnin miqtë e tyre të vjetër.

Mbaja vesh bisedat dhe të qeshurat e tyre. Por e dija se asnjëra prej tyre nuk ishte për mua. Aty nga fundi i konferencës, ndjeva dhimbjen e vetmisë.

Sigurisht që nuk janë të gjithë si unë, ka nga ata që nuk e ndiejnë vetminë në një konferencë katër ditore, në një qytet të madh.

Vetmia na rrethon përditë. Ndonjëherë duket se po mbytemi në detin e vetmisë. Ndoshta ti që po dëgjon tani, programin tonë dëshiron fort të komunikosh me një njeri tjetër si puna jote, qoftë edhe për disa minuta.

Ndoshta ti ke lënë pas familjen dhe miqtë. Ndoshta fëmijët e tu janë larguar nga qyteti dhe rrallë të marrin në telefon.

Ndoshta udhëtimi yt personal të ka çuar shumë larg njerëzve që ti i njihje shumë mirë.

E deri tani, ato marrëdhënie të vjetra janë larguar dhe pothuajse nuk ekzistojnë më, kanë vdekur.

Prandaj ti nuk e di se si të fillosh miqësi të reja. Ti fillon ti thuash vetes se realisht nuk ke nevojë për njerëz të tjerë.

Por po ta them se thjesht po gënjen veten.

Ti KE  nevojë për njerëzit e tjerë. Ti ke NJË NEVOJË SHUMË TË MADHE  për njerëz të tjerë në jetën tënde.

TE KRYQI

Ndoshta kjo do të habisë, por dua të them se Jezusi e kupton se ke nevojë për miqësi. Sepse Jezusi e di shumë mirë se ne përpiqemi të ngushëllojmë veten sa herë që themi se: nëse kemi një miqësi personale me Perëndinë, kjo na mjafton.

Po Shpëtimtari dëshiron një marrëdhënie personale me ty, përmes besimit. Por njëkohësisht ai e kupton se ke nevojë të miqësohesh me njerëz të tjerë.

Në fakt, ai foli për këtë gjë pikërisht nga kryqi, nga Kalvari. Dhimbja e vetmisë tënde ishte në mendjen e tij edhe në Kalvar.

Edhe atje, pra në kryq, Jezusi ishte shumë i interesuar për krijimin e një komuniteti të vërtetë. Nëse dëshiron ta mësosh këtë qëndro në shoqërinë e programit tonë Fjalët e Shpresës dhe do ta kuptosh çfarë po them.

LËNDIMI I NJË NËNE

E dini, ka pasur një KOMUNITET të dënuarish atë pasdite kur Jezusi vdiq në Kalvar. Disa , si për shembull vjedhësit u kryqëzuan bashkë me Jezusin, pra kaluan torturën fizike, ndërsa disa të tjerë po kalonin një dhimbje shumë të ndryshme.

Nëna e Jezusit, Maria, ishte atje në Golgota. Dhe kush do ta vinte në dyshim se Maria kishte dhimbje atë pasdite?

Vuajtja e saj u parashikua që prej kohës kur Jezusi ishte foshnjë një javësh.

Simeoni foli për anën e errët të lindjes së Jezusit duke i thënë Marisë se: ” edhe ty vetë një shpatë do të ta tejshpojë shpirtin…”

Maria duhet ta ketë ndjerë atë shpatë që i shponte tej e tej brinjët ndër vite, sa herë që dëgjonte thashethemet e komshinjve në lidhje me atësinë e Jezusit.

Ajo duhet të jetë lënduar shumë kur pa turmat që keqkuptuan mësimet e Jezusit.

Ajo duhet të ketë ndjerë dhimbje kur vetë fëmijët e saj të rritur vunë në dyshim gjendjen mendore të Jezusit.

Por përmes gjithë kësaj ajo u mbajt tek shpresa se një ditë gjithçka do të dilte për mirë. Një ditë biri i saj do të hakmerrej, një ditë mosbesimi do të kthehej në besim dhe të gjithë do të pranonin Jezusin ashtu siç ishte: si Mesian e Izraelit.

Por tani, në Kalavar, shpata që e kishte shpuar Marinë ndër vite e godet atë edhe më fort. Ajo shpatë e gjuan mu në zemër. Djali i saj tani po vdes në agoni. Tani nuk ka më shpresë për një të ardhme më të mirë, për shërbesën e tij.

Nuk pritet më që retë e stuhishme të largohen dhe dielli të shfaqet sërish.

Engjëlli kishte thënë: “Ai do të jetë i madh,” por ku është kjo madhështi që nuk po duket tani? Djali i saj ishte duke vdekur, ishte blasfemuar prej popullit të tij, dhe ishte mallkuar prej Perëndisë. Nëse ka pas ndonjë jetë më të rrënuar të shkrumbuar ndonjëherë, ishte kjo jeta e Jezusit.

Nëse do ta shihje fytyrën e Marisë në Kalvar, do ta kuptoje se  si e kishte pështjelluar hidhërimi.

DHIMBJA E NJË DISHEPULLI

Atë pasdite në Golgota kishte një tjetër të dënuar. Emrin e kishte Gjon. Gjoni kishte një kohë të gjatë që ishte bërë miku i Jezusit, shumë kohë më parë aq sa tani nuk po i kujtohej tamam koha. Ndoshta ata janë rritur në të njëjtin fshat, kanë luajtur të njëjtat lojëra bashkë dhe kanë eksploruar të njëjtin vend së bashku.

Gjoni dhe Jezusi e njihnin njëri tjetrin shumë mirë, që prej rinisë së tyre. Për Gjonin dhimbja bëhej më e madhe jo vetëm për faktin se po shihte të kryqëzuar një shok fëmijërie. Gjoni po kalonte një krizë besimi. Sepse Gjoni, ishte i bindur se Jezusi ishte shumë më tepër se sa kushëriri apo miku i tij.

Gjoni, e konsideronte Jezusin si Krishtin, mbretin Mesia, dërguar prej Perëndisë për të sjellë mbretërimin e përsosur të Perëndisë në tokë. Për hir të atij përkushtimi, Gjoni kishte dhënë gjithçka. Ai kishte lënë mënjanë familjen dhe biznesin e tij. Ai kishte investuar tre vite të jetës së tij me besimin se Jezusi ishte Shpëtimtari i botës.

Por tani, ajo bindje e plotë ishte bërë copë e thërrime.

Çështja e Jezusit përfundoi në disfatë. Plani i madh kishte marrë fund.

Mbishkrimi në kokën e Jezusit thoshte: “Jezusi i Nazartetit, Mbreti i Judenjve.” Por kjo dukej si një ironi mizore tani.

Ëndrra ishte kthyer në një makth.

Prej KRYQIT
Në mes të gjithë kësaj, Jezusi shikon nga kryqi i vet me dhembshuri.

Ai sheh vuajtjen e këtyre dy njerëzve shumë të veçantë në jetën e tij. Kjo në vetvete është mahnitëse. Fundja fare, ajo agoni do ta verbonte Jezusin për të mos parë asgjë nga ato që po ndodhnin në kodrën rreth tij.

Jezusi po pi me fund atë kupë të zemërimit hyjnor. Nëse ka ndonjë njeri që ka të drejtë të preokupohet për vuajtjen e tij, ky është Jezusi.

Por ajo që e çoi Krishtin tek kryqi nuk ishte vetëm plani dashakeq i njerëzve të liq.  Ajo që e çoi Jezusin tek Kryqi ishte dashuria, një dashuri që flet gjithmonë, edhe nga kryqi.

Kjo është e qartë edhe nga ajo që Jezusi tha nga Kalvari.

për ata që ishin përgjegjës për vdekjen e tij ai tha: “Atë, fali ata…”

ndërsa vjedhësit që po vdiste bashkë me të i tha: “Sot, do të jesh me mua në Parajsë.”

Dhe tani Marisë dhe Gjonit, ai i thotë:”Grua, ja ku është biri yt. Ndërsa gjonit i thotë: Bir ja ku është nëna jote.”

KRISHTI DHE FAMILJA
Jezusi i flet edhe nga kryqi të gjithëve dhe krijon një familje! Kjo tregon shumë për vendin e familjes në sytë e Perëndisë.

Në botën tonë sot, ushtrohen shumë presione mbi familjen. Nocioni i familjes shpesh shihet si demode, i dalë mode.

Është për të ardhur keq se numri i familjeve të divorcuar sa vjen edhe rritet. Sot, gjysma e fëmijëve në botë, vuajnë për hir të ndarjes së prindërve dhe jetojnë në familje të ndara me një prind.

Shkatërrimi i familjeve e brengos zemrën e Perëndisë.

Ai e sheh këtë si një dimension tjetër të vetmisë dhe izolimit që mëkati ka sjellë në këtë botë të rënë. Besoj se ti e di, Perëndia i do familjet. Familjet nuk janë aksidente biologjike.

Familjet nuk janë thjesht struktura sociale që shoqëria i ka cilësuar të dala mode apo demode. Jo, familjet janë të rëndësishme për Perëndinë! Në fakt, në Shkrimet, familja është themeli bazë i ndërtimit të shoqërisë.

Familjet janë kaq të rëndësishme sa që Jezusi po krijon një familje pikërisht në çastet e kryqit të Kalvarit, pak orë para se të vdesë!

Por prisni një minutë mund të thoni ju. Maria e kishte një familje apo jo? Po, ajo kishte një familje. Tek e fundit Jezusi kishte edhe vëllezër. Mateu 12:46  na tregon se:”Teksa Jezusi po ecte ende me turmën, nëna e tij dhe vëllezërit qëndronin jashtë, duke dashur që të bisedonin me të.”

Maria kishte fëmijë të tjerë veç Jezusit. Pra Jezusi kishte motra dhe vëllezër më të vegjël. Edhe pse Jozefi kishte vdekur para se Jezusi të fillonte shërbesën e tij tokësore, me siguri kishte fëmijë të tjerë të rritur, të cilët mund të kujdeseshin për Marinë pas vdekjes së Jezusit.

Jezusi nuk kishte përse ta linte atë nën kujdesin e Gjonit për tu siguruar se nevojat e saj do të plotësoheshin. Po atëherë përse i flet Jezusi këto fjalë?

Komente

komente