Gjëra të mëdha prej fillimeve të vogla

Print

Titulli: Gjëra të mëdha prej fillimeve të vogla (pjesa 1)

Më pëlqen shumë të flas rreth kësaj teme. Rreth fillimeve të vogla. Por së pari dua të ndalem tek diçka që më ndodhi së fundmi. E cila në fakt mu duk shumë e bukur për të qenë e vërtetë.

E dini, mora një letër në adresën time elektronike. Dukej shumë e bukur për të qenë e vërtetë. Ajo shkruante: “ Zoti. Dosti, ju keni fituar njërin prej këtyre çmimeve të mëdha:
një udhëtim në Antalia ose,
një televizor me ngjyra 35 polesh, ose
një kamera dixhitale ose
një abonim filmash falas për një vit.

Kjo ishte një letër që ta zbukuronte ditën! Derisa në fund kuptoje hilen. Çmimi që fiton pothuajse çdo njeri që merr këtë letër është një abonim filmash falas që dërgohen njëri pas tjetrit, (hahata) por pasi ke paguar faturën e filmit të parë ama.

Kjo është reklamë mashtruese, ja se çfarë është.

A ke rënë ndonjëherë viktimë e reklamave mashtruese?

Besoj se edhe ti ke rënë.

Në ekranin e televizorit shikon reklamën e një lodre, që të premton se do të argëtojë për orë të tëra fëmijën tënd. Kështu ti si prind mendon se do të shijosh pak orë qetësie, ndërsa fëmija luan i magjepsur me këtë lodër super edukuese.

Ndaj blen lodrën dhe e paketon atë si një dhuratë për ditëlindje.

Por pesëmbëdhjetë minuta pasi dhurata është hapur, zbulon se fëmija yt është mërzitur shumë me lodrën. Pastaj dëgjon që ai fërshëllen nga gëzimi teksa luan me kutinë e kartonit dhe letrën paketuese.

Ose le të flasim për reklamat e produkteve që përdorim në shtëpinë tonë. Ndoshta për ty është ndryshe, por në lavatriçen tonë, pluhuri larës që reklamohet shumë në televizor, si heqës i mirë njollash, nuk e heq njollën e vajit.

Po kështu edhe super ngjitësi që supozohet se mund të ngjisë shumë mirë gjithçka, mua nuk më bëri punë as për të ngjitur cepin e thyer të një pjate.

E VËRTETA NË BESIM

Reklama mashtruese ka kudo. Po për besimin çfarë mund të themi? A ka reklama të ngjashme në tregun e krishterë?

Ana shpirtërore është kthyer në një biznes të madh. Gjithçka që nga letrat karo deri tek horoskopi, premtojnë se mund të parashikojnë të ardhmen.

Shumë ilaçe premtojnë se do të mbrojnë shëndetin tuaj. Një mori praktikash shpirtërore premtojnë ndriçim të brendshëm dhe lidhje me natyrën hyjnore. A i beson ti këto reklama? Shpresoj të mos i besosh.

Por çfarë mund të themi për Jezusin dhe për mësimet e tij? Çfarë mund të themi për besimin e krishterë? A mund ta fajësojmë JEZUSIN për reklama të rreme?

Le ta shqyrtojmë këtë me kujdes. Jezusi sjell Lajmin e mrekullueshëm të ardhjes së Mbretërisë së Perëndisë së Gjallë. Bëhet fjalë për ditën e madhe të shpëtimit të cilën Izraeli është duke pritur. Për arsye kohe nuk po e lexojmë pjesën, por mund ta gjeni këtë histori tek Mateu 13:24 – 35.  

Perëndia zbriti në tokë me shërbesën e tij. Mbretëria e Perëndisë, ka zbritur në tokë. Mos u habisni që turmat e ndoqën. Sepse ky është Lajmi i Mirë që njerëzit kishin pritur për shekuj me radhë.

Por teksa javët bëhen muaj, shumë njerëz fillojnë të murmurisin në lidhje me të vërtetën e kësaj reklame.  Zhgënjimi fillon të zbresë si një re e errët në një ditë të ftohtë janari. Faktet supozojnë se Jezusi kishte dhënë premtime tejet të mëdha, dhe po bënte pak për t’i realizuar ato.

Mesazhi duket i fryrë. Sigurisht që disa njerëz kanë marrë ndihma: Gjoni atje tej, mund të ecë tashmë me këmbët e veta. Ndërsa dikush tjetër ka dëgjuar për një Marie që ishte e verbër por tani është shëruar. Por sigurisht që nuk mund të jetë ky plani i madh!  Njerëzit fetarë të qytetit nuk dëshirojnë të kenë aspak të bëjnë me Jezusin.

Autoritetet romake, në Jeruzalem veprojnë sikur Jezusi të mos ekzistonte fare. Jezusi thotë se Mbretëria e Perëndisë ka ardhur, po ku? Një tufë peshkatarësh, janë bërë ndjekësit e tij. Disa njerëz të sëmurë janë shëruar prej sëmundjes.

Por me siguri që këto rezultate të pakta nuk janë diçka e sigurt ku ti mund të vendosësh jetën tënde!  Çfarë ofron Jezusi?

A është ky rast reklamimi, i rremë?

ANKIMET E SOTME

Ndonjëherë mendojmë se ne që besojmë në Krishtin tundohemi të ankohemi njëlloj si ata.

Ne mblidhemi për takim të dielën, për të dëgjuar Lajmin e mbretërisë së Perëndisë.  Aty gëzohemi që Krishti është Mbreti i kozmosit. Por kur dalim nga kisha, gjatë javës, a nuk të duket sikur rrëfimi ynë është larg fakteve?

  1. Krishti ka triumfuar mbi forcat e të keqes!

Vërtetë?!Atëherë përse dëgjojmë gjithmonë e më shumë lajme për fëmijë që vdesin në Irak? Përse diktatorët qëndrojnë në pushtet dekadë pas dekade?Përse të rinjtë në gjimnaze plagosin njëri tjetrin dhe vriten?

  1. Dyert e ferrit nuk mund të fitojnë mbi kishën e Krishtit! Vërtetë?! Atëherë përse nuk gjejnë të krishterët një rrugë komunikimi për të shkuar mirë me njëri tjetrin?
  2. Gëzimi i mbretërisë ka zbritur në botë!

Vërtetë!? Atëherë përse në fund të ditës bie të fle me dhimbje migrene dhe të nesërmen zgjohem me sytë e ënjtur?

Çfarë po ndodh me të vërtetë? A po themi të vërtetën? Apo po bëjmë reklama mashtruese. Helmut Thikle, pastori gjerman tregon se punoi në kishë gjatë ditëve të tmerrshme të Rajhut të tretë. Në kohën kur Nazistët erdhën në pushtet, Thikle ishte pastori i një kishe. Ai na tregon se ishte rrugës për në kishë, për një studim bible. Ai shkoi me vendosmëri duke i besuar shpalljes së Jezusit se: “Gjithë pushteti më është dhënë mua në qiell dhe në tokë.”  Ai shkoi i vendosur për të shpallur se Krishti është Zot dhe jo perandori i çmendur Nazist.

Dhe në atë studim bible kishte vetëm tre persona. Po tre. Dy gra të moshuara dhe një burrë të moshuar. Thikle tha se burri u prek në atë takim. Mbretëria e Perëndisë së kozmosit në atë vend prezantohej vetëm para tre personave. Teksa në atë takim merrnin pjesë vetëm katër persona, nga jashtë dëgjoheshin hapat e qindra ushtarëve të rinj, që marshonin nën uniformat e ushtrisë naziste.

Ku ishte pushteti i Krishtit që pretendon se mbretëria e kësaj bote është nën kontrollin e tij?

Ne e dëgjojmë Jezusin që thotë se mbretëria e Perëndisë është mbi ne. Bekimi dhe drejtimi i Perëndisë janë këtu! Por ne ende përballemi me sëmundjen e dhe vdekjen. Martesa jonë po rrënohet. Shpresat tona për një të ardhme të ndritur po veniten.

Dhe ne përballemi me sfida të vështira në besimin tonë: A janë të vërteta faktet që Jezusi pohon? A janë të drejta deklaratat e tij?

NJË HISTORI E THJESHTË

Njerëzve të asaj kohe dhe njerëzve sot, Jezusi u tregon këtë histori të thjeshtë. Një fermer hap çantën dhe nxjerr farën e tij. Kjo nuk është një farë e çfarëdoshme por një farë sinapi!  Një farë kaq e vogël, nuk shihet dot nga afër, prandaj bën mirë të vendosësh syze, nëse dëshiron të dallosh këtë thërrmijë të vogël në pëllëmbën e dorës. Këto fara janë kaq të vështira për tu kapur me dorë.

Mijëra fara si këto duhen për të bërë 10 gram.

Tani fermeri, merr një farë të vetme. Kjo është kaq e vogël. Duket si një grimcë pluhuri. Ai e merr dhe e mbjell atë farë në tokë. Dhe çfarë ndodh?

Prej saj del një pemë e madhe, nuk del aspak një pemë e vogël siç mund të pritej, apo një shkurre e shkurtër, përkundrazi del një pemë e madhe.

Në Lindjen e Mesme, pema e sinapit mund të arrijë deri në katër metra gjatësi.

Ajo bëhet aq e madhe sa zogjtë jo vetëm që mund të ushqehen me farat e degëve të saj, por mund të ndërtojnë edhe foletë e tyre në degët e pemës. Kjo pemë është kaq e madhe dhe e lartë sa që poshtë degëve mund të kalojë një njeri mbi kalë.

Një farë e vogël jep një pemë të madhe. Por Jezusi nuk po e thotë këtë thjesht për të treguar kontrastin. Ai nuk po thotë se nga farat e vogla dalin pemët e mëdha.  Ai nuk po pohon faktin se prej investimeve të thjeshta mund të dalin përfitime të mëdha.

Jo, Jezusi po flet këtu për mbretërinë e Perëndisë. Puna e Perëndisë për të sjellë paqen dhe bekimet në këtë botë të rënë, ngjan me rritjen e një fare sinapi.

Në çdo aspekt, mbretëria në lindje të krijimin e saj duket si një grimcë rëre:

Sepse filloi me një foshnjë të vogël në një grazhd,

Vogëlushi që ecte rrugëve të Nazartetit

e nuk kishte kualifikime si rabinjtë e tjerë që e rrethonin.

Dhe Jezusi thotë se diçka madhështore kishte filluar. Mbretëria e Perëndisë po realizon qëllimin e vet në këtë botë. Një mbretëri, ku e keqja shkatërrohet dhe mirësia rritet. Një mbretëri ku burrat dhe gratë mblidhen nën shenjën e kryqit, për ta pranuar Krishtin si mbretin e tyre.

Një mbretëri ku njerëzit që e kanë kundërshtuar Perëndinë, do të zbulojnë se janë të mirëpritur në familjen e Perëndisë.

Një mbretëri ku jetët e thyera restaurohen, ku burrat dhe gratë mësojnë si t’i shërbejnë të tjerëve në emër të Jezusit, pikërisht aty ata gjejnë kuptimin dhe qëllimin e vërtetë të jetës. Kjo mbretëri do të përfshijë gjithë krijimin.

Ne presim një ditë, shkruan Gjoni tek Zbulesa kur Jezusi do të kthehet sërish në tokë. Atëherë Perëndia do t’i bëjë të gjitha gjërat e reja. Atëherë nuk do të ketë më vdekje as vuajtje. Atje do të ketë një qiell të ri dhe një tokë të re ku do të përmbushen plotësisht premtimet e paqes dhe të bekimeve.

Këtu minutave tona u ka ardhur fundi. Mos harroni të na ndiqni sërish herën tjetër. Do të flasim më shumë për suksesin e fillimeve të vogla.