Grazhdi dhe monumentet (Krishtlindja)

Titulli: Grazhdi dhe monumentet (pjesa 1)

Njëherë e një kohë, Krishtlindja ishte ilegale. Ligji e dënonte festimin e Krishtlindjes. Kush i nxorri këto ligje kundër Krishtlindjes? Mos vallë një diktator ateist? Apo ishte një gjykatës laik, i cili nxorri ligje kundër Krishtlindjes? Jo. Njerëzit që e bënë Krishtlindjen ilegale, nuk ishin ateistë, as laikë. Këta ishin të krishterët më të zellshëm që ka njohur kjo botë.

Sot nëse dikush kundërshton një skenë grazhdi në një pronë qeveritare, shumë të krishterë e shohin këtë si një sulm mbi besimin e tyre. Nëse një gjykatës ndalon vënien e një skene grazhdi, shumë e shohin këtë si një sulm mbi besimin e tyre. Nëse një shkollë publike ngulmon që mësuesit të thonë “Gëzuar festat” në vend që të thonë “Gëzuar Krishtlindjen”, shumë e shohin këtë si një sulm ndaj besimet të tyre në Krishtin. Ndoshta në disa raste, është kështu. Megjithatë, ka pasur një kohë kur disa prej njerëzve që e kundërshtonin fort Krishtlindjen, ishin disa prej të krishterëve më të përkushtuar.

Legjislacioni kundra Krishtlindjes, i imponuar prej këtyre të krishterëve, ishte më strikt se çdonjëri prej kufizimeve të sotme. Disa gjykata sot nuk lejojnë në prona shtetërore, përshkrime të skenës së grazhdit me foshnjën Jezus. Por kohë më parë kjo nuk ishte thjesht çështje pronash shtetërore. Nuk lejohej mbajtja e skenave të grazhdit as në shtëpi, as në kishë. Nuk lejohej festimi i Krishtlindjes. Nuk lejohej të bëhej ditë pushimi, apo të mos shkoje në shkollë për Krishtlindje.

Pse duhet të bënin të krishterët, ligje kaq strikte kundër Krishtlindjes? Ata nuk donin të mos respektonin Jezusin. Në fakt, mos festimi i Krishtlindjes ishte mënyra e tyre për të treguar besnikëri ndaj Jezusit dhe autoritetit të plotë të Biblës. Ata panë se Krishtlindja ishte shpesh një rast për lakmi, grykësi dhe festa dehëse, aspak për të nderuar Jezusin. Ata po ashtu vunë re se në Bibël nuk thuhet asgjë për festimin e Krishtlindjes, dhe këta të krishterë kundër Krishtlindjes, ishin shumë të vendosur që të mos lejonin asgjë veç asaj që shkruhej në Bibël. Meqenëse Bibla nuk kërkon festimin e ditëlindjes së Jezusit në mënyrë të përvitshme, atëherë ata dolën në përfundimin se ajo nuk duhej festuar.

Njerëzit të cilët quajtën të jashtëligjshme Krishtlindjen ishin Puritanët!

Këta të krishterë ishin të sinqertë, por ndonjëherë tejet strikt. Në vitin 1644 qeveria britanike e drejtuar prej puritanëve miratoi një akt në Parlament i cili ndalonte festimin e Krishtlindjes, Pashkës dhe festave të tjera fetare. Ata dërguan sherifë në ditën e Krishtlindjes për tu siguruar që dyqanet të ishin të hapura dhe të gjithë po punonin dhe shisnin si zakonisht. Ligji kundër Krishtlindjes u revokua disa vite më vonë kur Puritanët humbën kontrollin e qeverisë britanike.

Disa prej puritanëve emigruan në Amerikë. Pelegrinët të cilët lundruan mbi anijen “Mejflauër” ishin puritanët. Ata dëshironin të ngrinin një shoqëri të perëndishme në Botën e Re. Fillimisht ata nuk bënë asnjë ligj kundër Krishtlindjes. Ata thjesht nuk e festonin atë, as nuk e bënin festë zyrtare. Punëtorët të cilët nuk do të punonin në Krishtlindje mund të penalizoheshin  apo të pushoheshin nga puna. Në vitin1659, disa dekada më vonë, pasi Pelegrinët arritën në Nju Inglënd (Neë England), kolonia e vendosur në gjirin e Masaçusets ( Massachusetts), kaloi përtej trajtimit të Krishtlindjes si një ditë të zakonshme pune, dhe realisht ndaloi çdo festim të Krishtlindjes. Ligji pohonte, “Kushdo që do të gjendet duke festuar Krishtlindjen apo festa të tjera si kjo, apo duke shmangur punën… duke festuar apo duke bërë diçka tjetër…. do të paguajë për çdo shkelje të tillë pesë shilinga si një gjobë për vendin.” Ligji u shfuqizua në vitin 1681, por për një kohë të gjatë pas këtij vendimi Krishtlindja nuk u festua në Nju Ingland (Neë England). Një nxënës që e linte shkollën ditën e Krishtlindjes mund të dënohej apo të përjashtohej, deri në vitet 70-të.

Një ndryshim ironik në rrjedhën e historisë bëri që, disa pasardhës ungjillorë të puritanëve, të dëshirojnë të sponsorizojnë vendosjen e monumenteve të Krishtlindjes po aq sa Puritanët donin që qeveria të ndalonte festimin e Krishtlindjes, në publik dhe privatisht.

Sot shumë të krishterë pëlqejnë të thonë: “Jezusi është arsyeja pse festojmë “dhe dëshirojnë skenat e grazhdit në prona publike dhe, monumentet e Dhjetë Urdhërimeve në prona publike, si simbole të shoqërisë së krishterë. Po, Puritanët ishin më seriozë se pothuajse çdokush tjetër në historinë njerëzore për themelimin e një shoqërie të krishterë. Por ata e përdorën autoritetin e qeverisë jo për të vendosur skena grazhdi por për të quajtur Krishtlindjen të jashtëligjshme. Trashëgimtarët modernë të Puritanëve shpesh flasin që të “kthejnë sërish Krishtin tek Krishtlindja”, por Puritanët dëshironin që ta nxirrnin Krishtlindjen prej Krishterimit. Ata dëshironin ta mbanin Krishtin të ndarë prej Krishtlindjes, sepse ata besuan që Krishtlindja ishte kundër Krishtit. Ata menduan se njerëzit ishin thjesht duke përdorur lindjen e Jezusit si një shfajësim për një festë pagane.

Ndryshe prej stereotipave, nuk mund të themi se tërë puritanët ishin vetull ngrysur. Shumë prej tyre ishin, ndjekës të përzemërt e të gëzueshëm të Jezusit. Guximi i tyre, dashuria për Perëndinë, theksimi i autoritetit të Biblës, dhe jeta e shëndetshme familjare do të bënin me turp shumë prej nesh. Unë jam rritur shpirtërisht duke lexuar një prej shkrimtarëve më të njohur puritanë. Po ashtu, shumë njerëz të tjerë janë ndikuar prej mendimit puritan. Puritanët meritojnë respekt, por ata kanë bërë edhe gabime. Disa u treguan tepër të nxituar për të gjykuar të Krishterët që i shihnin gjërat ndryshe dhe nuk nguruan të përdoronin pushtetin qeveritar për të imponuar pikëpamjet e tyre tek të tjerët.

Puritanët kishin disa arsye pse dëshironin të festonin Krishtlindjen. Puritanët kishin të drejtë që nuk pëlqenin teprimin me pijet. Ata kishin të drejtë që shumë njerëz e përdornin Krishtlindjen si një rast për lakmi dhe jo për perëndishmëri. Ata kishin të drejtë që është më e rëndësishme të nderosh Krishtin përditë, se sa të festosh një ditë të veçantë në nder të Tij. Ata kishin të drejtë që Bibla nuk kërkon që të festohet lindja e Jezusit në një ditë të veçantë të vitit. Por ata e kishin gabim që mendonin kështu. Vetëm se disa njerëz e përdornin Krishtlindjen për motive të gabuara, nuk do të thoshte se duhej ndaluar festimi për të gjithë njerëzit. Ishte e drejta e puritanëve të festonin Krishtlindjen ose jo, por nuk mund të detyronin të tjerët të mos e festonin. Po kështu e kishin gabim që gjykonin se çdo njeri që festonte Krishtlindjen në një ditë të veçantë po e çnderonte Jezusin.

Jezusi ç’nderohet kur e trajtojmë Krishtlindjen si një ditë të zakonshme të vitit, sikurse bënë puritanët, po aq sa mund të nderohet kur e trajtojmë Krishtlindjen si një kohë veçantë festimi. Dhjata e Re, lejon por nuk na kërkon të zgjedhim një ditë të veçantë për të nderuar Zotin në një mënyrë të veçantë. Romakëve 14:5 thotë, “Sepse dikush e çmon një ditë më shumë se një tjetër, dhe tjetri i çmon të gjitha ditët njëlloj; gjithsecili të jetë plotësisht i bindur në mendjen e tij.” (Romakëve 14:5) Ti je i lirë të veprosh sipas bindjeve të tua, por mos ua impono ato të tjerëve. Ndonjëherë mund pranohen dy qasje krejt të ndryshme për të nderuar Jezusin. Asnjëra prej palëve nuk duhet të nxitohet për të gjykuar palën tjetër.

Jam i lumtur që janë hequr ligjet kundër festimit të Krishtlindjes. Ndonëse unë jam dakord me një pjesë të shqetësimit të puritanëve që Krishtlindja keqpërdoret ndonjëherë, jam i lumtur që jemi të lirë të festojmë këtë kohë të veçantë e të lemë mënjanë një ditë të veçantë për të festuar lindjen e Jezusit. Ne shohim se si të krishterët puritanë, jo vetëm shpërfillën Krishtlindjen por e bënë të jashtëligjshme. Tani lavjerrësi është kthyer në anën tjetër, ku disa të krishterët dëshirojnë që Krishtlindja jo vetëm të jetë e ligjshme por edhe të sponsorizohet prej qeverisë.

Çfarë do të thotë kjo? Çfarë rëndësie fshihet pas simbolikave të monumenteve të Krishtlindjes? Për këtë na ndiqni herën e ardhshme në temën tonë. Grazhdi dhe monumentet. Deri atëherë mirë u dëgjofshim!