I sigurt mes flakëve

Titulli: I sigurt mes flakëve (pjesa 2)

Pra kthehemi edhe një herë tek tre djemtë. Pse shkuan ata kaq larg? Kjo ishte për të përligjur bindjen e tyre besnike dhe sigurinë e thellë të pranisë së Perëndisë, mu përpara syve të kombeve. Përqark tyre qëndronin gjithë qeveritarët dhe zyrtarët e tjerë; ata habiteshin sepse nuk gjenin në ta asnjë shenjë apo provë se kishin qenë në mes të flakëve, madje rrobat e tyre nuk vinin as era tym. Këtu ne shohim përfaqësuesit e gjithë popujve të botës, të mbledhur së bashku për të shpallur besnikërinë e Perëndisë. Nebukadnetsari vetë tregohet i përulur, ai le mënjanë krenarinë e tij dhe lavdëron dhe promovon këta tri djem të rinj, shërbëtorë të guximshëm të Perëndisë.

Tani po ju tregoj se çfarë ndodhi. Çfarë do të thotë kjo për ne? Mendo sërish për atë djalë të ri dhe të frikësuar që ndodhej i vetëm në pyll. Sigurisht që për të erdhi mëngjesi. Dhe kur rrezet e para të agimit ranë mbi pyll, djaloshi do të emocionohej shumë kur të shihte pranë tij hijen e një personi të njohur.

Një burrë. Një njeri i njohur. Babai i vet. Ai kishte qëndruar me të atje, gjatë gjithë natës, me harkun dhe heshtën e tij gati për tu përballur me çdo rrezik që mund të vinte. Ne duhet të dimë se Perëndia është gjithmonë pranë nesh, edhe atëherë kur gjërat nuk dalin ashtu siç shpresuam ne, apo kur nuk mund të shohim fundin e lumtur.

Mendoje pak se si do të tingëllonin këto fjalë në rast se do të dëgjoheshin asokohe prej njerëzve të cilëve iu drejtuan këto fjalë.

Ky ishte një mesazh inkurajues për të gjitha ata njerëz që ishin dëbuar prej Jeruzalemit dhe qëndronin në mërgim. Ata po jetonin në mes të momenteve kritike. Ata ishin dëbuar në një tokë të huaj. Sërish ky ishte një zhvillim shkatërrues për një popull që ka jetuar në tokën e premtuar, të cilët kanë një ndjenjë të fortë të vendit të shenjtë, ndërkohë që për ta Jeruzalemi është qyteti i Perëndisë.

Ata e dinë se gjërat kanë shkuar shumë keq në botën e tyre. Profetët kishin filluar të flisnin për drejtësinë e Perëndisë, ardhjen e tij gjykuese mbi mëkatin e tyre.

Për një periudhe të caktuar, Izraeli u mundua të injoronte këto fjalë paralajmëruese.

Por më pas ushtria babilonase pushtoi tokën e premtuar, shkatërroi Jeruzalemin dhe plaçkiti tempullin.

Qytetarët drejtues, më pas e gjetën veten në një marshim të gjatë e të detyruar, duke u munduar të sigurojnë jetesë në një nga vendet armike më të këqija.

Ku mund të gjenin ngushëllim këta njerëz të dëbuar? Ku do të gjenin shpresë për të ardhmen në lidhje me besëlidhjen e Perëndisë ,që tashmë e kishin fyer, e kishin refuzuar. Po, ata kishin fyer të vetmin perëndi që shpëton. Por siç mësojmë edhe ne sot, ata gjejnë shpresë dhe ngushëllim teksa dëgjojnë historinë e Shadrakut, Meshakut dhe Abednegos.

Gjatë pushtimit të vendit të tyre, shkatërrimit të kryeqytetit dhe marshimit të tyre në mërgim, ata kishin parë drejtuesit e tyre duke vdekur, e po kështu fqinjët dhe anëtarët e familjes.

Çdo person në mendjen e vet mendonte: ‘ndoshta nuk mbijetoj kësaj here’.

Ata e dinin se Perëndia nuk shpëton këdo prej shpatës apo flakëve. Mos vallë kjo do të thoshte se Perëndia nuk është më në kontroll? Se ai nuk është më Perëndia i tyre? Se ai nuk kujdesej apo se nuk i donte ata?

Ndoshta ti i imagjinon ata së bashku në një shtëpi të thjesht, në një dhomë të errët, herët në mëngjes.

Atje ata dëgjonin me shumë vëmendje, në qetësi dhe të dëshpëruar për të mësuar se çfarë u ndodhi tri djemve të rinj, që u përballën me zemërimi e mbretit të Babilonisë.

Këtu në këtë histori, çdonjëri prej judenjëve të mërguar, dëgjoi thirrjen për të qenë të bindur dhe besnikë ndonëse ishin mes flakëve.

Izraelitët e mërguar duhet të ishin të bindur ashtu si ata tre djem, pavarësisht nëse Perëndia do të ndërhynte ose jo. Dhe në mes të vuajtjes së tyre, ata do ta dinin me siguri se Perëndia ishte me ta.

Edhe mes flakëve, Perëndia, po ecte mes tyre, dhe po u fliste atyre, duke i pëshpëritur dashurinë e Tij.

Çfarë ndryshimi është kur dimë se Perëndia është pranë nesh, atëherë kur përballemi me rrezikun dhe pasigurinë. Një miku im po më tregonte për kohën kur djali i tyre, Enea kishte filluar të shkonte në kopsht për herë të parë. Atë dhe motrën e tij të madhe vinte për t’i marrë te shtëpia, fugoni i kopshtit. Ai ishte kaq i gëzuar që më në fund do të shkonte bashkë me të motrën në kopsht. Por kur fugoni erdhi te dera e shtëpisë, Enea u bë shumë nervoz. Ai nuk donte të hipte lart! Por më në fund ju mbush mendja dhe mbërriti në kopsht. Dhe a e dini përse? Sepse gruaja e shokut tim, kishte ndërruar vendin me shoferin dhe kishte qenë duke i dhënë makinës gjatë gjithë rrugës. Me nënën e tij në timon, Enea ishte ndier i sigurt dhe kishte shkuar pa frikë, pikërisht në ditën e parë të kopshtit.

Sa më tepër qetësuese duhet të ketë qenë për izraelitët në mërgim, në një tokë të panjohur, duke ditur se Perëndia ishte me ta. Perëndia është besnik, Perëndia nuk i ka shpëtuar ata prej zjarrit të mërgimit, por Ai ishte i pranishëm, dhe ecte me ta në mes të zjarrit.

Ai po pastronte popullin e tij, po digjte çdo rebelim mëkatar, në një zjarr rafinues.

Vetë provat që u përballën duheshin parë si shenjë e besnikërisë së madhe të Perëndisë.

Po ata si popull i Perëndisë do të mbijetonin.

Ky është një mesazh ngushëllimi për të gjithë ata që pyesin se ku është Perëndia në kohë vuajtjeje.

Thuhet se në çdo rast, kur një predikues sjell fjalën e Perëndisë para kishës, ai apo ajo duhet të kuptojë se tre apo katër njerëz janë në mes të një prove shumë të madhe, me një dhimbje akute.

Kjo mund të jetë dhimbja e sëmundjes, dhimbja e frikës për njeriun tonë të dashur, apo për një martesë të vrarë, për një marrëdhënie të thyer, për një ndjenjë faji apo turpi, e kështu me radhë.

Si mund të zgjidhim betejat dhe lëndimet e jetës?
Si mund të jemi të sigurt për dashurinë e Perëndisë, për kujdesin e Tij në këto situata?

Historitë tona janë të ndryshme. Por ne mbahemi në këtë të vërtetë: Perëndia është besnik. Ky është një mesazh që duhet ta dëgjojmë vazhdimisht. Besnikëria e Tij është e madhe në Shkrimet, por edhe në jetën tonë.

Ne duhet të dimë këtë sepse e vërteta reale është se krishterimi nuk është një besim që siguron rehat.

Po, ka zëra që thonë se disa predikues, apo ungjilltarë tundohen t’i thonë një besimtari të ri që nëse ia jep jetën e tij Krishtit, Perëndia me siguri do ta bekojë atë me begati, pasuri dhe lumturi.

Por ne që jemi ndjekës të Krishtit e dimë se kjo nuk është e vërtetë. Bibla na e tregon këtë. Ngjarjet në jetën tonë na e vërtetojnë këtë. Rruga e Krishtit është rruga e kryqit. Të qenit i krijuar sipas imazhit të Tij shpesh mund të jetë një proces vërtetë shumë i dhimbshëm.

Pra Perëndia nuk e ndalon gjithmonë vuajtjen.

Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego nuk u kursyen nga prova e furrës së zjarrtë. Po kështu edhe ne nuk e shmangim gjithmonë furrën e zjarrtë të dhimbjes dhe provës.

Por kjo nuk do të thotë se Perëndia e ka humbur pushtetin apo madhështinë e Tij. Kjo nuk do të thotë se Perëndia na ka braktisur. Ne shpesh zbulojmë se prania e Perëndisë është më reale, mes vuajtjes.

Në rrethanat më të vështira, me sytë e besimit, ne shohim praninë e Tij.

Kjo lloj sigurie mund të mos vijë në mes të flakëve. Ndonjëherë ne thjesht vazhdojmë përpara me besim, duke besuar se pushteti dhe madhështia e Perëndisë funksionojnë ende, në prapaskenë, në një mënyrë që ne nuk e kuptojmë.

Në vitin 1940, kur trupat britanike u rrethuan prej ushtrive naziste në anën franceze të kanalit anglez, dukej sikur fati i tyre ishte vulosur tashmë.

Por komandanti i tyre i dërgoi një mesazh të shkurtër zyrave qendrore britanike, në të cilin shkruheshin veç tre fjalë, të Danielit kapitulli 3: ” Por edhe sikur…” me këtë mesazh ata po thoshin: Perëndia është në gjendje të na shpëtojë, por edhe sikur të mos e bënte, ne do të mbetemi besnikë.

A jemi ne gati t’i shqiptojmë këto fjalë me buzët tona? Në çdo situatë, a kemi besim të plotë te Zoti, te pushteti dhe madhështia e Tij? A kemi besim te dashuria dhe mëshira, ndonëse këto cilësia shkojnë shumë larg asaj që ne shohim për momentin?

Perëndia i fuqishëm, Perëndia i dashur, i gjithë universit është gjithmonë me ne. Ky është një ngushëllim për gjithë popullin e Perëndisë.

Ne si komunitet e dimë se Perëndia nuk do ta lerë kishën e Tij të humbasë, por ajo do të zgjasë deri në fund të kohërave.

Ndërsa ne si individë mund të gjejmë shpresë në Fjalën e Perëndisë. Pavarësisht asaj që mund të përballim, qoftë kjo vdekje, sëmundje a dicka tjetër Perëndia është atje, gati të na ndihmojë.

Nëse Perëndia nuk na shpëton prej provës së furrës së zjarrtë, Ai është gjithmonë me ne, në mes të flakëve.

Ky është premtimi i Perëndisë. Ne e shohim të përmbushur më së miri në Jezus Krishtin, i Cili është Emanueli: Perëndia me ne!

Gjatë jetës së tij të shkurtër në tokë, e gjejmë duke vuajtur prej urisë dhe mohimit dhe duke qarë me vajtuesit në funeral. Në fakt, Ai merr vuajtjen tonë drejt rrugës së vështirë të vdekjes me torturë. Atje në kryq, ai e zbrazi veten prej pushtetit dhe madhështisë.

Por Ai është fitimtar dhe ne gjejmë ngushëllim të madh në fjalët drejtuar kishës, para se të ngjitej në fronin e tij. ” Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen.”

Dhe ky është ngushëllimi që na mban në netët më të errta, deri sa të agojë drita e një ditë të re, ashtu siç e premtoi Ai.