Titulli: I uritur për drejtim (pjesa 1)

Të gjithë ne përballemi me vendime të mëdha herë pas here. A duhet të shkoj në universitet? Nëse po, ku? Çfarë drejtimi do t’i jap karrierës sime? A duhet ta pranoj këtë pozicion në këtë kompani të veçantë? A duhet të bie në dashuri me këtë person? A duhet të martohemi? Ku do të jetojmë? Çfarë shtëpie do të blejmë? A duhet të pranoj këtë transferim pune?

Ndonjëherë vendimet e mëdha nuk janë thjesht personale, por përfshijnë një grup njerëzish. Njerëzit duhet të bëjnë zgjedhje jo për vete por në funksionin e një bordi apo menaxheri të kompanisë, në funksionin e një agjencie qeveritare, këshilli kishe apo bashkësie. Cilat do të jenë qëllimet dhe politikat? Çfarë hapash të veçantë duhet të hedhim tani? Kush duhet të jetë përgjegjës për çdo punë?

Kur përballemi me vendime, qoftë si individë apo si grupe, ka shumë gjëra në lojë. Ne duam të bëjmë zgjedhjen e duhur, për të cilën nuk do të pendohemi më vonë. Ne dëshirojmë të ndjekim shtegun më të mirë, jo diçka që është nuk është efikase apo e pavlerë.

A nuk do të ishte ide e bukur, që për çdo pyetje të shkruaje në një kompjuter dhe të merrje përherë përgjigjen e saktë? Më mirë akoma, a nuk do të ishte fantastike nëse Perëndia vetë, do të jepte një shenjë të qartë se çfarë duhej bërë? Kush më mirë se Perëndia e di, se cilën rrugë duhet të marrësh? E kush më mirë se Perëndia mund të bëjë që të kesh sukses? Kërkimi i drejtimit të Perëndisë, nuk është thjesht një dëshirë në mendjen tonë. Zoti është i gatshëm të të drejtojë dhe të ndihmojë të marrësh vendimet e duhura. Por realisht, a do ti të dëgjosh prej Tij? A e dëshiron vërtetë fort drejtimin e tij?

Por kur jemi para një vendimi nuk ndodh gjithmonë, që të  sjellim në mendje çfarë mendon Perëndia për këtë. Pra nuk kemi dëshirë ta përfshijmë Perëndinë në vendim marrjen tonë. Kur njerëzit mblidhen diku për të bërë plane, aty nuk mungon ushqimi. Kur kompanitë bëjnë plane strategjike, kur agjencitë qeveritare bëjnë planifikim strategjik, kur kishat dhe agjencitë misionare bëjnë planifikime strategjike, ata zakonisht takohen në salla konferencash të rehatshme dhe ofrojnë vakte me ushqime të bollshme, si edhe plot ushqime midis vakteve. Ushqimi duket sikur furnizon vendimet strategjike të shumë grupeve.

Por disa prej planeve më të mëdha të historisë dhe vendimet më të zgjuara nuk janë bërë në sfondin e ushqimit të bollshëm, por mes agjërimit. Kjo vlen për vendimet personale, po ashtu edhe ato në grup. Kjo nuk do të thotë se qëndrimi pa ushqim e bën menjëherë një person më të zgjuar, apo i jep një grupi njerëzish një mënyrë të shpejtë e gjeniale planifikimi. Por kur njerëzit qëndrojnë pa ushqim si shprehje e dëshirës së tyre për drejtimin e Perëndisë, arrijnë të merren vendime të mëdha.

Futja në Mision

Një prej vendimeve strategjike më të rëndësishme që është bërë ndonjëherë ka ndodhur në një vend të quajtur Antioki. Antiokia ishte një qytet në Lindjen e Mesme. Ishte vendi ku ndjekësit e Jezusit ishin të parët që u quajtën “të krishterë”. Kjo ndodhi vetëm disa vite pas ringjalljes së Jezusit. Shumë qytete në perandorinë romake, nuk kishin kishë dhe dinin shumë pak ose aspak për Krishtin, por kisha në Antioki po rritej shpejt nën drejtimin e Barnabas dhe Saulit, (i njohur po ashtu si Pali). Njerëzit atje donin fort të lëvdonin Perëndinë dhe të ndiqnin drejtimin e Tij. Bibla thotë ” Dhe, ndërsa po kryenin shërbesën e Zotit dhe po agjëronin, Fryma e Shenjtë tha: “M’i ndani veç Barnaban dhe Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur”. Atëherë, pasi agjëruan dhe u lutën, vunë duart mbi ta dhe i nisën. ” (Veprat13:2-3)

Ai vendim solli një mision që do të arrinte deri në Qipro, Turqi, Greqi, Romë dhe mandej. Ai vendim ishte një prej ngjarjeve kyçe të historisë, duke e shpërndarë besimin e krishterë në mbarë botën.

Para se Perëndia t’i jepte kishës së Antiokisë këtë drejtim, njerëzit kishin pyetje nga më të ndryshmet, të cilave nuk ua dinin përgjigjen. Pyetje si:

Cili duhet të jetë hapi i radhës për kishën? Kë donte Perëndia që të dërgonin në mision? Kisha e Antiokisë nuk mund t’i përgjigjej këtyre pyetjeve thjesht duke njohur urdhërimet e Perëndisë për të mirën dhe të gabuarën.

Këto ishin çështje strategjie dhe personeli. Ata e zbuluan hapin e radhës vetëm përmes drejtimit të veçantë të Perëndisë. Vetëm me anë të drejtimit të Perëndisë ata e dinin se Barnaba dhe Pali ishin personat që duheshin dërguar. Vetëm përmes drejtimit të Perëndisë, këta misionarë e dinin se në cilin vend donte Perëndia që të shkonin. Të krishterët e Antiokisë nuk morën drejtim gjatë një konference me delegatë të ushqyer mirë. Drejtimi erdhi ndërsa po agjëronin dhe po luteshin dhe pasi dërguan misionarët, ata agjëruan dhe u lutën edhe më shumë.

Teksa misionarët po shkonin nga një vend te tjetri, ata nuk harruan agjërimin. Pali shkroi se ishte i përfshirë në “agjërime të shpeshta.” (2 Korintasve 11:27 KJV) Pasi misionarët i drejtonin njerëzit te Krishti dhe fillonin kisha në qytete të ndryshme, duhet të zgjidhnin drejtuesit për ato kisha. Por kë duhet të zgjidhnin? Dhe si mund të besonin se ata do të ishin drejtues të suksesshëm? Ata agjëruan dhe u lutën për drejtim. Ata “caktuan pleq” në kishë dhe këtë e bënë me lutje dhe agjërim, ia dedikuan ata Zotit, në të Cilin e kishin vendosur besimin e tyre.” (Veprat14:23)

Sot kur kishat zgjedhin drejtues të rinj, apo kur agjencive  misionare u duhen njerëz për detyra të rëndësishme, ata mund të caktojnë komitete kërkimi, ata mund të kërkojnë aplikime dhe emërime, ata mund të studiojnë rezyme, dhe të kryejnë intervista, ata mund të bëjnë lloj- lloj gjërash për të gjetur dhe caktuar personin e duhur, por a agjërojnë ndonjëherë dhe kërkojnë me ngulm drejtimin e Perëndisë? Kur kishat marrin vendime për buxhetin apo planet e ndërtimit, apo se çfarë drejtimi duhet të marrë shërbesa e tyre në të ardhmen, ndoshta bëjnë një planifikim strategjik apo marrin konsulentë, por a agjërojnë ata? Përdorimi i teknikave si më lart mund të mos jetë i gabuar në procesin e vendim marrjes, por nëse teknikat marrin drejtimin dhe agjërimi zhduket, ne i bazojmë vendimet tona mbi metoda njerëzore dhe jo mbi drejtimin hyjnor.

Pyes veten sa kisha kanë humbur planet e Zotit për udhëheqësinë, vetëm se kanë neglizhuar agjërimin dhe lutjen? Pyes veten se sa planifikues të misioneve kanë humbur strategjitë specifike dhe e kanë privuar veten prej bekimeve të Tij të veçanta, sepse nuk kanë kërkuar drejtimin e Zotit. Ata nuk kanë kaluar asnjëherë kohë në agjërim për t’iu lutur Perëndisë që t’i tregojë cili është hapi i radhës. Pyes veten se sa prej nesh humbasin drejtimin e Perëndisë dhe bekimet e Tij të veçanta në zgjedhjet personale sepse ne thjesht i marrim vendimet dhe i hyjmë punës. Po i hyjmë punës pa kaluar kohë për të kërkuar fytyrën e Perëndisë, e pa marrë drejtimin e Tij përmes adhurimit dhe agjërimit! Në Bibël, apostulli Gjon thotë “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia.” Jakobi po ashtu thotë, ” Ju lakmoni dhe nuk keni…sepse nuk kërkoni.” (Jakobi 1:5, 4:2)

Këtu minutave tona u kanë ardhur fundi. Shpresoj që ky program t’ju ketë ndihmuar sado pak, nëse jeni duke kërkuar drejtimin e Zotit në jetën tuaj. Sërish herën e ardhshme do të ndalemi në këtë temë, e do të shohim zgjedhjen e rrugës së duhur drejt suksesit. Mos harroni të na ndiqni në të njëjtën orë.

Komente

komente