Titulli: I uritur për drejtim (pjesa 3)

Ai do të drejtojë shtigjet e tua

Bibla thotë: “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.” (Fjalët e Urta 3:5-6 NKJV). Para se të presësh që Perëndia të të drejtojë në vendime specifike, ti duhet së pari të marrësh vendimin më të rëndësishëm në jetë: vendimin për t’i besuar Atij. A beson se Jezusi të shpëton prej mëkatit dhe ferrit? A e njeh Jezusin si Zotin tënd, i Cili do të drejtojë jetën tënde? Ti duhet ta bësh këtë para se të presësh drejtim në çështje të tjera.

Hapi tjetër në njohjen e vullnetit të Perëndisë është të dëgjosh se çfarë të thotë Perëndia në Bibël. Para se të tentosh të vendosësh midis opsioneve të ndryshme, së pari përjashto rastet që bien në kundërshtim me Biblën. Për shembull merr martesën. Bibla nuk të thotë emrin e personit me të cilin do të martohesh, por e ngushton rrethin e zgjedhjeve. Nëse je i krishterë dhe ke rënë në dashuri me dikë që nuk është i krishterë, ti nuk ke nevojë për lutje dhe agjërim për të zbuluar nëse ky është personi me të cilin duhet të martohesh.

Sepse ai nuk është. Bibla e thotë këtë “Mos hyni në një zgjedhë bashkë me të pabesët…” (2 Korintasve 6:14) Perëndia i jep të krishterëve shumë liri për të vendosur se me kë duhet të martohet, por “ai/ajo duhet t’i përkasë Zotit.” (1 Korintasve 7:39)

Ose le të marrim si shembull vendimet e kishës për shërbesat misionare. Një kishë nuk duhet të lutet apo të agjërojë për të kërkuar drejtim në diçka që tashmë dihet; si në rastin e përfshirjes në punë misionare apo në përhapjen e ungjillit. Kisha tashmë e di përgjigjen e kësaj pyetjeje. Në Bibël, Jezusi urdhëron kishën që të shkojë e të bëjë dishepuj nga të gjitha kombet. Vendimi i vetëm që një kishë duhet të marrë është se cilin mision do të mbështesë, dhe jo, “A duhet të përfshihet në mision ose jo?”.

Bibla siguron një strukturë për marrjen e vendimeve, ajo urdhëron disa gjëra dhe eliminon opsionet e tjera, por asnjë varg në Bibël nuk e thotë me emër personin me të cilin duhet të martohesh, apo çfarë karriere duhet të ndjekësh, apo adresën e shtëpisë që duhet të blesh. Asnjë varg në Bibël nuk i thotë një kishe se çfarë plani ndërtimi të bëjë, apo cilën strategji misioni të ndjekë, apo cilët drejtues të zgjedhë. Si na drejton Perëndia në vendime si këto, ku Bibla jep parime të përgjithshme por nuk i shpjegon detajet.

Udhëheqje specifike

Disa të krishterë mund të thonë se nuk duhet të kërkojmë aspak një drejtim specifik prej Perëndisë. Ata e dinë shumë mirë se ne duhet të studiojmë Biblën që të sigurohemi që mos marrim vendime të gabuara, ata mendojnë se e vetmja gjë që duhet të bëjnë është të vrasin mendjen dhe të zgjedhin mundësitë që duken më të mira. “Mos prit diçka të mistershme prej Perëndisë”, thonë ata. “Thjesht përdore trurin.”

Unë jam dakord se Perëndia na jep trurin për një arsye dhe Ai nuk ka premtuar se do të mendojë Ai për gjithçka, e që ne s’duhet ta vrasim mendjen. Por sërish ne duhet të jemi të hapur për mundësinë e një drejtimi specifik prej Frymës së Shenjtë, edhe sikur kjo të mos duket zgjidhja më racionale.

Unë jam person që i analizon gjërat me kujdes. Zakonisht marr vendime sa më racionale, por një prej vendimeve më të mëdha të jetës sime ishte në kundërshtim me atë që dukej racionale. Unë si student, kam qenë shumë i mirë në matematikë, dhe në kompjuter. Nota më e keqe ishte në lëndët sociale. Nëse duhet të vendosja midis të qenit matematikan apo predikues, a nuk do të ishte më racionale të shkoja në atë degë ku spikaste talenti im? Por teksa vendosa të lutesha dhe të kërkoja drejtimin e Perëndisë, u sigurova gjithnjë e më shumë se Perëndia po më thërriste për të predikuar ungjillin. Unë nuk mund ta shpjegoja shtytjen që kisha përbrenda, por thjesht e kisha. Nuk kisha paqe derisa ndryshova kursin e studimit dhe fillova të përgatitesha për shërbesë.

Kur përballesh me një vendim të rëndësishëm, përdore mendjen për të peshuar faktorët e ndryshëm, po ashtu ji i gatshëm t’i përgjigjesh drejtimit të Frymës së Perëndisë dhe lutu për këtë.  Mençuri është të lutesh për tërë vendimet që merr. Lutja për drejtim duhet të jetë më e shpeshtë se sa agjërimi për drejtim.

Por disa vendime janë më të rëndësishme se të tjerat, dhe në këto raste është mirë që përveçse të lutesh edhe të agjërosh. Kërko me ngulm drejtimin e Perëndisë. Nëse vendimi yt përfshin besimtarët e tjerë, si kishën apo familjen, kërkoji atyre që të luten, e agjërojnë me ty. Më pas ji i vëmendshëm për të dëgjuar se çfarë Fryma e Shenjtë e Perëndisë do t’i flasë shpirtit tënd.

Perëndia mund t’i përgjigjet lutjes tënde për drejtim në mënyra të ndryshme. Ai mund ta bëjë këtë përmes rrethanave. Ai mund të vendosë pengesa në shtegun tënd dhe të hapë rrugën në një tjetër drejtim. Ai mund të mbyllë disa dyer dhe të hapë disa të tjera, që të mund të bëhet e qartë se çfarë duhet të bësh. Ai mund të flasë ty me anë të sugjerimeve të një miku apo pastori. Ai mund të japë një shtytje të fuqishme në shpirtin tënd për të kuptuar se çfarë dëshiron Ai. Ai mund të të drejtojë në një mënyrë që të befason plotësisht. Ndonjëherë drejtimi do të jetë shumë i lehtë për tu kuptuar; ndonjëherë mund të jetë shumë specifik dhe i pagabueshëm.

Pasi je bindur se Perëndia po të tregon vullnetin e Tij, sigurohu që t’i kushtosh vëmendje Atij. Më pas testoje përshtypjen tënde për tu siguruar se është e vërtetë. Jo çdo ndjenjë e brendshme vjen prej Frymës së Shenjtë. Kontrollo sërish nëse kjo përkon me mësimet e Biblës. Merr parasysh mendimin e miqve të krishterë. Fryma e Shenjtë, nuk punon thjesht tek ti si individ. Ai përdor besimtarët e tjerë për të konfirmuar drejtimin e Tij.

Por nëse ti lutesh dhe agjëron, e prapëseprapë nuk merr një drejtim të qartë prej Perëndisë, çfarë duhet të bësh? Në këto raste, ndoshta Perëndia po ta le ty në dorë të vendosësh.

Për shembull, Bibla thotë se një grua mund “të martohet me këdo që ajo zgjedh” për sa kohë që ky njeri i përket Zotit. Pra nëse do dikë dhe Perëndia nuk të thotë të mos martohesh me të, ti mund të martohesh me të në sigurinë se Zoti po drejton zgjedhjen tënde. Kjo është e vërtetë për shumë vendime. Shpesh është Perëndia Ai që të shtyn të zgjedhësh dikë, që përndryshe nuk do ta kishe zgjedhur. Por shumë shpesh Zoti thjesht ta lë ty në dorë të zgjedhësh.

Ti nuk ke për ta ditur nëse zgjedhja jote është edhe zgjedhja e tij, po që se nuk i lutesh së pari Perëndisë për drejtim e të kërkosh bekimin e Tij. Nëse edhe pasi i je lutur Perëndisë nuk merr një drejtim të veçantë, atëherë thjesht besoji Frymës së Shenjtë që jeton brenda teje. Beso se Ai është duke punuar që ti të marrësh vendimet më të mira, që të kesh një gjykim të mirë biblik, dhe kupto se Ai po ta le ty ta marrësh vendimin, duke e ditur që më parë se çfarë do të zgjedhësh. Lutu me përulësi: “Zot, nëse ti nuk më tregon të kundërtën, ja se çfarë do të zgjedh. Unë besoj se kjo gjë është në vullnetin tënd, dhe lutem që ti ta bekosh vendimin tim.” Më pas vazhdo me sigurinë se Perëndia do të drejtojë ty. Psalmi 48:14 thotë ” Sepse ky Perëndi është Perëndia ynë në përjetësi, përjetë, gjithnjë…”

Temë shumë e bukur apo jo? Jam i sigurt që e keni pëlqyer sepse edhe komentet tuaja për këtë seri nuk kanë munguar. Unë ju falënderoj për vëmendjen  dhe ju ftoj të na shkruani nëse keni pyetje. Mirë u dëgjofshim!

Komente

komente