Kthimi në shtëpi (Krishtlindja)

TItulli: Kthimi në shtëpi (pjesa 2)

Disa prej nesh mund të dëshirojnë t’i përgjigjen Perëndisë duke thënë se e kemi kërkuar, por nuk e kemi gjetur. Duket sikur ai është fshehur shumë mirë. Ne kemi gjetur besimin, doktrinën, formën e adhurimit, apo ndonjë lloj besimi. Por nuk kemi gjetur Perëndinë. Dhe tani ndihemi shumë larg prej Perëndisë që kemi besuar. Ne do të donim shumë që të ishim më afër, por realisht nuk mendojmë se kjo do të ndodhë ndonjëherë. Ne mund të këndojmë,” Dua të ec pranë Teje Zot,” por e vetmja gjë që ndiejmë është largësia, që shprehet në pjesën tjetër të kësaj kënge. “Ku është bekimi që provova kur të njoha ty për herë të parë Zot? Ku është këndvështrimi i Jezusit dhe Fjala e Tij që më bënte ta shihja ndryshe botën? Sa orë të paqta që kanë qenë për mua! Kujtimi i tyre është ende i ëmbël për mua! Por ato nuk janë më dhe kanë lënë tek unë një boshllëk që asgjë në këtë botë nuk mund ta mbushë.”

Prandaj për shkak se jemi larguar prej Perëndisë për shkak të zhgënjimit, vuajtjes dhe zemërimit ne mund të dëshirojmë ende Perëndinë, por mundohemi ta mbushim atë boshllëk të dhimbshëm me dashurinë dhe ngrohtësinë e familjes, miqve apo shtëpisë sonë.

Psalmi 84 flet drejtpërdrejtë për këtë përzierje të çuditshme dëshirash që përshkon zemrat tona, kjo dëshirë për Perëndinë dhe për shtëpinë, dëshira për këtë person Hyjnor, dëshira për një vend qiellor.

“Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit; zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë të gjallë.” Studiuesit spekulojnë se ky psalm mund të jetë shkruar gjatë kohës kur mbreti asirian, Senakeribi, po rrënonte Judën.

Njerëzit ishin privuar prej gjithë mjeteve të mundshme apo sistemit të tyre mbështetës, prej shtëpive, dhe familjes, fushave, dhe bagëtive dhe më e keqja fare prej vetë tempullit të Perëndisë. Shkrimtari dëshiron më shumë se çdo gjë tjetër tempullin, shtëpinë e Perëndisë.

Dallëndyshet dhe harabelat e ngrenë shtëpinë e tyre në atë vend të mrekullueshëm, ndaj edhe psalmisti nuk heziton t’ia shtojë ato përshkrimit të tij: “ lum ata që banojnë në shtëpinë e Zotit.”

Ndoshta për ne sot kjo gjë nuk ka shumë kuptim sepse ndërtesat e kishave tona nuk kanë për ne atë domethënie që kishte tempulli për Izraelitët e lashtë.

Ne vijmë në kishë për të adhuruar Perëndinë, me shpresën se do ta takojmë Atë, e do të kemi një marrëdhënie personale me Perëndinë. Kur izraelitët vinin në tempull, e dinin shumë mirë se do të takonin Perëndinë, sepse Perëndia banonte në atë tempull. Reja e lavdisë së Tij rrinte mbi Arkën e besëlidhjes, në vendin shumë të shenjtë. Tempulli ishte shtëpia e Perëndisë, dhe dihej se nëse do të shkoje atje, do të përjetoje personalisht Perëndinë, teksa e adhuroje Atë. Vendi i Perëndisë dhe personi i Perëndisë ishin të lidhur ngushtë.

Sigurisht që sot është ndryshe. Tempulli është shkatërruar. Perëndia nuk banon në një vend. Ai banon në personin me emër Jezus, i Cili tha:

“këtu është një person më i madh se tempulli.” Kol. 1:19 thotë, “Sepse Atit i pëlqeu që në Të, të banojë e gjithë plotësia.” Nëse ti dëshiron të takosh Perëndinë, e të kesh një përjetim personal me të plotfuqishmin, atëherë mund ta bësh këtë përmes Jezusit.

Në këtë stinë të Adventit, teksa fokusohemi te lindja e Jezusit, mesazhi i Perëndisë për ne është shumë i qartë dhe i thjeshtë: “Ti mund të kthehesh në shtëpi” përmes Jezus Krishtit. Ndonëse na mungon dëshira për Perëndinë, ndonëse jemi zhgënjyer prej tij, ndonëse jemi larguar prej Perëndisë, ne mund të kthehemi sërish në shtëpi, sepse Perëndia ka ardhur te ne përmes Jezus Krishtit. Kjo është mrekullia e ungjillit të Krishtlindjes, sepse Perëndia vetë ka ardhur për ta bërë shtëpinë e tij në zemrat tona përmes lindjes, jetës, vdekjes dhe ringjalljes së Jezus Krishtit. Ky është ndryshimi mes ditëve të kohës së psalmit 84 dhe Dhjatës së Re.

Megjithatë lidhja mes personit të Perëndisë dhe vendit të Perëndisë ndodh në zemrat tona.

Ndaj jam i lumtur që Jezusi tha: “Kudo ku dy a tre janë mbledhur nw emrin tim, atje jam edhe unë”. Më pëlqen shumë mënyra se si është shprehur një pelegrin shpirtëror për qendrën e vazhdueshme të shtëpisë së Perëndisë.

“E kërkova Perëndinë nëpër male dhe zbulova madhështinë, por jo Perëndinë. E kërkova Perëndinë në bregun e detit, dhe gjeta çlodhjen, por jo Perëndinë. E kërkova Perëndinë në fushën e futbollit, atje gjeta shoqërinë, por jo Perëndinë.

E kërkova Perëndinë te familja ime, atje gjeta dashurinë, por jo Perëndinë. E kërkova Perëndinë kudo, dhe gjeta gjëra të mrekullueshme, por jo Perëndinë. Më pas shkova në kishë, atje, gjeta Perëndinë!”.

Sigurisht që edhe besimtarët më besnikë e dinë se thjesht shkuarja në kishë nuk e plotëson dëshirën e zemrës sonë për Perëndinë.

Ne duhet të shkojmë te shtëpia e Perëndisë me të njëjtin gëzim që shpreh psalmisti. “Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit; zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë të gjallë.” Sa e sa herë keni shkuar në kishë me një tjetër frymë, ndoshta të zemëruar, të shpërqendruar, të mërzitur, kureshtarë, apo me dëshirën për tu argëtuar, me shpresën se do të këndoni dy tre këngë të bukura? Apo keni shkuar të mërzitur se prindërit ju kanë çuar atje me zor, apo ju zien koka prej grindjes që patët me bashkëshortin apo bashkëshorten para kishe? Apo jeni të lodhur se keni qëndruar deri vonë në një festë, ditën e shtunë, apo keni marrë një të ftohur të keq, apo jeni mërzitur për diçka që po ndodh në kishë kohët e fundit. Nuk është çudi! Nuk është çudi që zemrat tona të dëshirojnë që të takohemi me Perëndinë e gjallë në kishë përmes Jezus Krishtit. Nëse dëshiron ta gjesh Perëndinë, atëherë duhet ta kërkosh. Nëse zemra jote digjet për Të, ke për ta takuar Perëndinë përmes Jezusit.

Kjo është arsyeja përse ne të gjithë duhet të bëjmë atë që thuhet në vargun 5: “Lum ata që e vënë forcën e tyre te ti dhe kanë në zemër rrugët e tua!”. Kudo qofshim sot, duhet të ngrihemi dhe të bëjmë një udhëtim shpirtëror drejt zemrës së Perëndisë. Jezusi ka ardhur që dëshira jonë për Perëndinë dhe për shtëpinë të përmbushet, por për të përjetuar atë kënaqësi, duhet të bëjmë edhe ne diçka. Ashtu si djali plangprishës në vendin e largët, ne duhet të çohemi, dhe të shkojmë në shtëpi. Ne duhet të lemë këtë vend ku kemi qëndruar për një kohë të gjatë, kudo qoftë ai. Ndoshta duhet të kemi një marrëdhënie më të ngushtë me Perëndinë.

Ndoshta është një zhgënjim i thellë me Perëndinë, një paaftësi për të besuar në Të e për të shpresuar një jetë më të mirë. Ndoshta është një apati e zhvilluar. Kudo që të jesh ulur sot, të ftoj të ngrihesh dhe të nisësh rrugën tënde të kthimit për në shtëpi.

Por unë dua të jem realist për atë pelegrinazh. E vërteta e madhe është se këmbët e tua nuk duan të ecin dhe, për tu kthyer atje duhet një rrugë e gjatë, prandaj psalmisti thotë: “e kanë zemrën në atë rrugë”. Kërkimi fillon në zemrën tënde, kur ti vendos se do të fokusohesh te Jezus Krishti, që është e vetmja rrugë kthimi për te Perëndia. Udhëtimi mund të kalojë përmes luginës që psalmisti e quan: “Lugina e Bakës”, në një vend të thatë dhe zhgënjyes. Por nëse vazhdon të besosh te Perëndia që është me ty në Krishtin, Perëndia do të freskojë me përrenjtë e mëshirës dhe rezervuarët e hirit, aq shumë sa nuk e ke pritur ndonjëherë.

Me hirin mahnitës të Krishtit, ti do të kalosh nga fuqia në fuqi, derisa të dalësh para Perëndisë dhe të gjesh veten tënde më në fund të shtëpi.

Unë e di se nëse ke qenë atje ku je për një kohë të gjatë, është e vështirë të mendojmë për diçka ndryshe. Është e vështirë të shpresosh sërish. Por mund të jetë edhe ndryshe. Ti mund të kthehesh sërish në shtëpi.

Unë e di këtë sepse hiri i Perëndisë, që e dërgoi Jezusin në këtë botë, dhe më pas në derën e zemrës tënde, ky hir i mahnitshëm, do të çojë ty në shtëpi. Vendose zemrën tënde në këtë udhëtim shpirtëror sot dhe kthehu në shtëpi për Krishtlindje.