Largimi i frikës

Titulli: Largimi i frikës (pjesa 2)

Apostulli Pjetër kishte një përvojë të ngjashme. Pjetri e siguronte bukën e gojës me peshkim. Në një rast ai kishte qenë duke peshkuar tërë natën por asgjë s’kishte kapur. Më pas Jezusi (të Cilin Pjetri sapo do ta njihte) i tha Pjetrit të hidhte rrjetën në ujëra të thella, për një peshkim të madh. Pjetri kundërshtoi duke thënë se këtë kishte qenë duke bërë tërë natën. Nëse nuk kishin kapur asgjë gjatë orëve të para të peshkimit, pse do të kapnin tani? “Por”, tha Pjetri, “për shkak të fjalës tënde do t’i hedh rrjetat.” Papritur rrjetat po çaheshin prej peshqve, mjaftueshëm për të mbushur dy varka, ishin aq plot sa gati të fundoseshin.

Pjetri menjëherë harroi peshqit. Ai kuptoi se ishte në praninë e një Zoti të mrekullueshëm. Ai pati frikë, dhe kuptoi sa i madh ishte mëkati i tij. Ai mendoi se gjëja më e duhur do të ishte, që Jezusi ta linte Pjetrin ashtu si ishte, atje ku ishte.

” Zot, largohu prej meje, sepse jam njeri mëkatar” tha Pjetri. Atëherë Jezusi i tha Simonit: `Mos ki frikë; tash e tutje ti do të jesh peshkatar njerëzish të gjallë’.” (Luka 5:4-11) Dhe Pjetri u bë drejtuesi i dymbëdhjetë apostujve. ‘Ai hir që i mësoi zemrës së Pjetrit të frikësohej, ishte i njëjti hir që ia largoi frikën.

Unë vetë kam kaluar diçka të njëjtë me këtë, nuk isha i sigurt për shpëtimin tim dhe kisha frikë prej gjykimit të Perëndisë. Unë mësova të vërtetën për Perëndinë dhe për veten, por nuk dija nëse isha i krishterë ose jo. Unë nuk e dija nëse isha i shpëtuar apo i humbur.  Unë e dija që Perëndia ishte i madh dhe i shenjtë dhe që si mëkatar unë nuk mund të pohoja se e meritoja bekimin edhe pranimin e Tij. Unë kalova një periudhë prej disa javësh, kur frikëra të ndryshme më sillnin shqetësim dhe pasiguri. Disa net unë qëndroja zgjuar për orë të tëra duke qarë dhe i mbuluar prej shqetësimit. Kur nuk munda të duroja më, unë fola me nënën time për këtë. Ajo më tregoi premtimet e Perëndisë për ata që duan shpëtimin dhe i besojnë Jezusit , pra i hapin atij derën e zemrës. Atë natë unë u luta dhe përjetova një çlirim dhe gëzim të madh.

Beteja ime ishte e dhimbshme, por njëherazi ishte e mirë për mua. Kjo thjesht e bënte të pamundur për mua që të vazhdoja punën si zakonisht. Në frikën time ndjeva peshën e përjetësisë, dhe shenjtërinë e Perëndisë, unë njoha mëkatin tim, dhe kjo përgatiti rrugën për mua që të kem një gëzim më real në shpëtimin dhe një besim dhe përkushtim më të thellë, më të fortë dhe më personal, tek Shpëtimtari. ‘Ai hir që i mësoi zemrës sime të ketë frikë, ishte i njëjti që do ta largojë frikën time.

Ndaj nëse je në këtë betejë, nëse ke frikë prej Perëndisë, e para gjë që dua të bësh është që të kuptosh se frika jote mund të jetë një shenjë që Perëndia tashmë është duke punuar në zemrën tënde për të të shpëtuar, dhe është hiri i tij që të bëri të kesh Frikë prej Perëndisë. Por nuk dua të them vetëm kaq. Dua të them më shumë, Frika mund të jetë një fazë e rëndësishme në udhëtim, por nuk duhet të jetë një gjendje e qëndrueshme. Hiri mund të fillojë duke i mësuar zemrës tënde frikën, por më pas vazhdon duke i larguar ato frikëra.

Premtime të ëmbla

Si e bën këtë Hiri i Perëndisë? Duke të treguar ty ëmbëlsinë e mëshirës së Perëndisë në Jezusin, duke të bërë ty premtime, tek të cilat mund të mbështetesh, dhe duke të prekur që t’i besosh atyre premtimeve, t’i besosh asaj mëshire. Kënga “ç’hir madhështor” thotë, “‘ai hir që e mësoi zemrën time të ketë frikë, dhe ai hir që e largoi frikën time,” dhe më pas shpjegon, “Zoti më ka premtuar të mira, Fjala e tij siguron shpresën time.” Në fillim shenjtëria dhe fuqia e Perëndisë mund të të tmerrojë ty, por më pas mirësia e Tij dhe premtimet e fjalës së Tij, japin çlirim shpresë dhe siguri. Deri tani kemi parë se të qenurit i frikësuar prej Perëndisë nuk është medoemos diçka e keqe, se shpesh është hiri i Perëndisë që i mëson zemrës tënde të ketë frikë. Tani është koha të shohim se si hiri i mahnitshëm i Perëndisë i çliron ato frikëra me anë të butësisë së mëshirës së Tij, në Jezusin dhe duke i bërë ato premtime të besueshme.

Bibla e bën të qartë se falja, shpëtimi dhe jeta e përjetshme vijnë tek ne me anë të besimit në Jezusin. Bibla thotë: “por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij” (Gjoni 1:12) Jezusi tha se ai duhej të ngrihej në kryq, ” që kushdo që beson në të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.” (Gjoni 3:15-16) Jezusi nuk thotë se kushdo që beson në të ka mundësi të mos humbasë; ai thotë se kushdo që beson tek ai nuk do të humbasë. Perëndia nuk thotë, “Beso në Zotin Jezus dhe ti mund të shpëtohesh.” Perëndia thotë, “Beso në Zotin Jezus dhe do të shpëtohesh.” (Veprat 16:31) Ky është një premtim i mirë. Dhe është e pamundur që Perëndia të gënjejë.

Çfarë do të thotë të besosh në Jezusin? Të besosh në Jezusin është e kundërta e të besuarit tek vetja. Të besosh në Jezusin dhe ta vësh besimin tek Ai, duhet të heqësh dorë plotësisht nga vetja dhe t’ia besosh atij të kaluarën, të tashmen, dhe të ardhmen tënde. Besoji bindjes së Tij të përsosur, që ai vendos në llogarinë tënde. Beso se gjaku i Tij i largon të gjitha mëkatet e tua. Besoji Frymës së tij të Shenjtë, i Cili do të mbajë dhe do të shenjtërojë ty. Besoji premtimeve të tij që të japin ty lavdi, besoji urdhërimeve të tij, që të të drejtojnë, besoji atij sikur të ishte jeta jote e vërtetë. Kur ti i beson Jezusit në këtë mënyrë, Perëndia të shfajëson ty me anë të besimit. Ai nuk i llogarit asnjë prej mëkateve të tua kundër teje, dhe të shpall ty të drejtësuar  me Të.

Shumë njerëz të cilët kanë frikë për shpëtimin  e tyre, çlirohen nga frika kur më në fund marrin shfajësimin me anë të besimit.

Dy shembuj të famshëm të kësaj janë, Martin Luteri dhe Xhon Uesli. Martin Luteri u mbush plot me frikë dhe provoi gjithçka që mundi për ta bërë veten të drejtë me Perëndinë: ai u mundua të ishte i drejtë moralisht, të bënte gjithë ritualet e duhura, u përpoq t’i rrëfente mëkatet e tij tek një prift, u përpoq të bëhej murg dhe prift ai vetë, por asgjë nga këto nuk ia largoi frikën. Luteri po torturohej prej ndjenjës së fajit dhe frikës. Por më vonë ai zbuloi në Bibël, në librin e Romakëve që të drejtët do të jetojnë me anë të besimit. Luteri tha, “Ndjeva sikur linda sërish dhe kalova nëpër dyert e hapura të parajsës.”

Xhon Uesli (John Uesley) jetoi pak shekuj pas Luterit, por ai përjetoi diçka të ngjashme. Uesli pati një dëshirë të fortë për të qenë i shenjtë dhe kishte standard të larta për sjelljen morale dhe veprimtarinë fetare. Por ai nuk ishte i sigurt se ku qëndronte ai në raport me Perëndinë. Ndodhi një herë që ai po lundronte përgjatë oqeanit në një stuhi të tmerrshme. Uesli, kishte frikë se anija do të fundosej, dhe u frikësua se po të vdiste do të përballej me Perëndinë. Ndërkohë, në anije kishte të krishterë të tjerë, të cilët ishin të qetë dhe të sigurt për shpëtimin e tyre. Anija nuk u fundos prej stuhisë, por Xhon Uesli nuk mund të harronte tmerrin që ndjeu, e as sigurinë që kishin pasagjerët e tjerë të krishterë. Uesli dëshironte shumë që të kishte të njëjtën siguri, por ai vazhdoi të trazohej prej frikës. Më pas një ditë ai e gjeti veten duke dëgjuar dikë që lexonte komentet e Martin Luterit te libri i Romakëve, ku ai shpjegonte shfajësimin me anë të besimit. Uesli pohoi se ndërsa dëgjonte “për çudi ndjeva që mu ngroh zemra.” Ai kuptoi se Perëndia e pranonte atë, përmes besimit dhe jo përpjekjeve të veta.

Nëse ke frikë nga Perëndia dhe po mundohesh të fitosh miratimin e Perëndisë përmes veprimtarive fetare apo veprave të mira, ti duhet të kuptosh që shpëtimi dhurohet prej hirit të Perëndisë, vetëm në Krishtin. Ti drejtësohesh me Perëndinë vetëm me anë të besimit. Kjo e vërtetë mund të jetë pikërisht  ajo që të duhet për të larguar frikërat e tua.

Çfarë sigurie ka në këto fjalë, uroj që të kesh larguar çdo frikë në sajë të këtij premtimi.