Titulli: Lufta brenda vetes (pjesa 1)

Lufta brenda vetes

Një prej qëllimeve të ligjit të Perëndisë është të na sjellë deri në atë pikë sa të kuptojmë gjendjen ku jemi. Ligji nuk mund të na falë as të na transformojë, por ligji i Perëndisë, mund të na tregojë çfarë është keq dhe të na bëjë që të dorëzohemi plotësisht te Perëndia dhe të mbështetemi tek Zoti Jezus Krisht.

Uoçmen Ni (Watchman Nee), një lider i krishterë kinez, i një gjenerate më parë, tregoi një histori për një burrë që kishte hyrë në thellësi të detit dhe nuk dinte mirë not. Megjithatë pranë tij ndodhej një notar shumë i zoti. Teksa Niu po vështronte, ai priste që ky burrë ta shpëtonte menjëherë njeriun që po mbytej.

Por ai nuk bëri asgjë. Niu i bërtiti “Po ti nuk e shikon që ai po mbytet?!”. Por përsëri notari i mirë nuk lëvizi nga vendi. Ndërkohë, burrit që po luftonte me ujin, po i shteronin fuqitë. Niu mendoi me vete: “Sa e tmerrshme që ky notar kaq i mirë nuk po shpëton vëllanë e tij që po mbytet.” Por sapo njeriu që po mbytej u lodh dhe u dorëzua notari iu afrua me shpejtësi dhe e kapi, e më pas e nxori të sigurt në breg. Niu e qortoi notarin që kishte pritur aq gjatë, por ky u përgjigj: “Po të kisha shkuar më parë ai do të më kishte tërhequr edhe mua poshtë. Një njeri që po mbytet nuk mund të shpëtohet derisa të jetë rraskapitur fare dhe të ndalojë përpjekjet për të shpëtuar veten.”

E njëjta gjë vlen edhe për ty apo mua, kur po mbytemi në mëkat, Zoti mund të na lërë të përpiqemi pak vetë, duke u munduar dëshpërimisht të shpëtojmë veten dhe të ndryshojmë rrugët tona. Sigurisht që Perëndia nuk është i shqetësuar se mos ne e marrim poshtë nën vete, por ai e di se para se të shpëtohemi, duhet së pari të heqim dorë prej çdo shprese për të fituar të drejtën për në qiell dhe që të bëhemi të shenjtë me përpjekjet tona. Ligji i Perëndisë na lë neve të pashpresë dhe të rraskapitur përballë Perëndisë. Në rast se shpresa jonë e vetme për shenjtërinë dhe qiellin do të ishte aftësia jonë për të bërë gjërat e mira që urdhërohen në ligjin e Perëndisë, ne do të ishim të humbur.

Por pikërisht atëherë kur dorëzohemi dhe themi: “Kush do të më çlirojë mua?” mund ta gjejmë veten duke thënë me Biblën: Faleminderit Perëndisë, përmes Jezus Krishtit Zotit tonë!”Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus, që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës, sepse ligji i Frymës i jetës në Jezu Krishtin më çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes.” (Romakëve 8:1-2)

Vdekja e Jezusit paguan për çdo herë që e kemi thyer ligjin e Perëndisë dhe nuk kemi përse të rëndohemi prej fajit. Jezusi vdiq për ne dhe ne vdesim po ashtu me të.

Sjellja jonë mëkatare është kryqëzuar bashkë me Krishtin dhe Perëndia ngre një natyrë të re brenda nesh, që është e gjallë së bashku me jetën e Krishtit të ringjallur. Fryma e shenjtë dhe jetëdhënëse e Jezus Krishtit na transformon dhe na bën që të jemi vetvetja për herë të parë. Fryma e Shenjtë është më e fuqishme se sa fuqia e mëkatit brenda nesh, po kështu ka pushtet shumë herë më të madh se fuqia e Satanit dhe e botës që në rrethon. Fuqia e frymës së Shenjtë na transformon në një mënyrë që asnjë nga përpjekjet tona nuk do ta bënte. Me anë të fuqisë së tij, ne mund të fitojmë betejën brenda nesh.

Pa Frymën e Shenjtë, ti nuk mund të fitosh betejën brenda vetes. Nëse gjendesh në luftë mes ndërgjegjes tënde dhe natyrës mëkatare, natyra mëkatare do të fitojë betejën. Ndërgjegjja mund të thotë se ligji i Perëndisë është i drejtë dhe se mëkati është i gabuar, por ndërgjegjja nuk na aftëson për të bërë atë që është e drejtë. Sa më gjatë të vazhdojë kjo luftë, aq më pak lufton ndërgjegjja. Sa më shumë mëkatojmë, aq më konfuze bëhet ndërgjegjja jonë dhe më pak mundohet që t’i vihet veshi.

Fryma e Shenjtë bën atë që ndërgjegjja nuk mund ta bëjë. Fryma e Shenjtë nuk na thotë vetëm që ligji i Perëndisë është i drejtë; Fryma e Shenjtë na inkurajon dhe na fuqizon të bëjmë atë që është e drejtë. Fryma e Shenjtë ka më shumë fuqi se natyra jonë mëkatare. Fryma dhe natyra mëkatare luftojnë kundër njëra- tjetrës, por Fryma ka më shumë fuqi.

Bibla i thotë besimtarëve të mbushur me Frymën:

“Prandaj ata që janë në mish nuk mund t’i pëlqejnë Perëndisë.” (Romakëve 8:9)

Vetja e vërtetë

A do të thotë kjo se ti bëhesh menjëherë i përsosur dhe i lirë prej mëkatit në çastin që Fryma e Perëndisë vjen brenda teje? Jo, sa jemi në këtë jetë, do të ketë raste që edhe të krishterët e rilindur sërish, do të veprojnë sipas natyrës mëkatare, si një trup që ka vdekur por dridhet ende.

Sa herë që natyra mëkatare e bën këtë, ajo duhet të gozhdohet sërish në kryq. Kur ti je në Krishtin, natyra jote e vjetër mëkatare vritet dhe, ashtu e vdekur duhet të qëndrojë. Kryqëzimi i natyrës së vjetër nuk është çështje e urrejtjes së vetes. Por do të thotë të urresh natyrën mëkatare, e cila nuk është natyrë e vërtetë që Perëndia ka planifikuar për ty. Kur ti mëkaton, mos thuaj, “Unë kështu jam.” Në vend të kësaj thuaj “Nuk është kjo natyra ime e vërtetë; është mëkati që banon brenda meje dhe me anë të hirit të Perëndisë, mëkati nuk ka për të dalë mbi mua.” Mbështetu te Krishti, Ai mund të falë dështimet e tua dhe të gozhdojë si duhet natyrën mëkatare në kryqin e Tij. Më pas mbështetu në Frymën e Shenjtë, që të vazhdojë të ndryshojë ty, derisa një ditë të jesh i shenjtë si Krishti vetë dhe do të jesh me Të në qiell.

Që të fitosh luftën brenda vetes ti duhet të mbështetesh në Frymën e Shenjtë dhe jo në fuqinë e vullnetit tënd. Kjo i ngjan pak fluturimit. Nëse dëshiron të fluturosh, çfarë do të bësh? Me siguri nuk do të marrësh disa pendë e t’i vendosësh në krahë e në këmbë e t’i rrahësh sa më fort të mundesh, sepse ashtu nuk do të ngrihesh kurrë nga toka.

Me gjithë pendët dhe rrahjet e krahëve ti nuk do të jesh në gjendje të mposhtësh ligjin e gravitetit. Por nëse hip në avion, ligji i aerodinamikës do të mposhtë ligjin e gravitetit në vendin tënd. Ti nuk mund të fluturosh vetë, por nëse je në avion, ti fluturon bashkë me avionin.

Pra edhe ti nëse dëshiron të fluturosh më lart moralisht dhe shpirtërisht, mundohu sa të duash, por asnjë prej përpjekjeve të tua nuk mund të mposhtë peshën e natyrës tënde mëkatare. Por nëse i beson Krishtit, fuqia e Frymës së Krishtit mposht peshën e mëkatit dhe të ngre ty në një nivel më të lartë në Krishtin. Bibla thotë: ” Sepse atë që ishte e pamundur për ligjin, sepse ishte pa forcë për shkak të mishit… e bëri Perëndia!”. (Romakëve 8:3)

Në rast se ke qenë duke u munduar që të bësh të mirën por në vend të saj ke bërë të keqen, nëse beson se ligji i Perëndisë është i shenjtë, por nuk ke qenë në gjendje ta ruash ligjin, atëherë unë të ftoj të dorëzohesh dhe të shkosh te Krishti. Ai nuk do të dënojë ty. Ai do të falë dhe mirëpresë ty. Prano faljen e Tij dhe më pas besoji Atij që do të ndihmojë të bësh ndryshimet që nuk mund t’i bësh vetë. Mbështetu në Frymën e tij të Shenjtë, që të marrësh fuqi për të ndryshuar.

Po ashtu, bashkohu me një grup besimtarësh të tjerë të krishterë, e kam fjalën për ata njerëz që janë mbushur me Frymën, të cilët kanë kaluar nëpër të njëjtat vështirësi, të cilët e njohin mirë varësinë e mëkatit por njëkohësisht edhe fuqinë çliruese të Perëndisë dhe gëzimin që vjen nga kjo. Kur ti jeton në faljen e Krishtit, në fuqinë e Frymës së tij, në fuqinë e Frymës së tij, dhe në inkurajimin dhe besueshmërinë e popullit të tij, natyra jote mëkatare do t’i lerë vend vetes tënde të re dhe të vërtetë.