Lufta brenda vetes

Titulli: Lufta brenda vetes (pjesa 2)

Natyra mëkatare quhet: “mish” në shumë përkthime të Biblës dhe në shkrime të tjera të krishtera. Që të jem më i saktë. Ky term nuk i referohet mëkateve të trupit si mëkati seksual apo grykësia. “Mish” do të thotë që gjithçka, përfshi edhe trupin, shpirtin, mendjen dhe emocionet janë nën kthetrat e mëkatit. “Mishi” është tërë lëmshi i dëshirave, mendimeve dhe zakoneve  të paperëndishme që rrënojnë veten tonë.

Edhe sikur ta quajmë atë “mish” apo “natyrë mëkatare”, duhet të përballemi me realitetin gjithsesi. Kur ne e kapim veten duke bërë gjëra të gabuara, mund të duam të themi: “Oh, sapo bëra një gabim”, ose “Nuk ka problem unë mund ta ndryshoj atë kur të dua”, “Unë kryesisht jam njeri i mirë,  vetëm ndonjëherë rrëshqas.” Por nëse jemi realistë, duhet të bashkohemi me shkruesin Biblik, ” Në fakt unë e di se në mua domethënë në mishin tim nuk banon asgjë e mirë, sepse, ndonëse e kam dëshirën për të bërë të mirën, nuk ia gjej mënyrën.”

Kur natyra mëkatare përballet me ligjin e Perëndisë, rezultati nuk është i kënaqshëm. Ligji na tregon se çfarë duhet të bëjmë dhe na dënon kur nuk e bëjmë atë, por ligji i Perëndisë nuk e ndryshon natyrën tonë mëkatare. Në fakt, kur na thuhet se çfarë është mirë të bëjmë kjo nuk bën gjë tjetër veçse trazon më shumë të keqen që është brenda nesh.

Sa më shumë na thuhet të mos bëjmë diçka, aq më shumë reagon natyra jonë mëkatare duke bërë të kundërtën. Dhe nëse ndihemi fajtorë për këtë, ndjenjat tona të fajit mund të na shtyjnë të vazhdojmë ta bëjmë atë gjë.

Ndonëse mund të duket e çuditshme, kjo është e vërtetë. Sa më shumë e njohim ligjin e Perëndisë dhe kuptojmë se çfarë është e drejtë, aq më të mjeruar ndihemi.

Dorëzimi te mëkati?!

Lufta brenda nesh është kaq e vështirë, kaq e dhimbshme, sa që ne duam t’i japim fund. Një mënyrë që na tundon t’i japim fund kësaj beteje është t’i dorëzohemi mëkatit. Kjo mund të duket sfiduese, veçanërisht nëse ke qenë duke u ndeshur fort me atë mëkat, por nuk ka asnjë shenjë përmirësimi.

Një burrë kishte prirje homoseksuale që nuk i largoheshin. Ai i luftoi këto ndjenja dhe për një farë kohe besoi se Perëndia ishte kundër veprimeve homoseksuale.

Por pasi nuk mundi t’i ndryshonte dëshirat e tij, ai doli në përfundimin se ishte mirë të kishte një partner gej.

Ai i bindi edhe prindërit për këtë gjë, ndonëse ata kishin menduar më parë se sjellja homoseksuale ishte e gabuar. Ata mendonin se në rast se djali i tyre nuk mund të ndryshonte, atëherë ndoshta Zoti nuk dëshironte që ai të ndryshonte.”

Ky lloj të menduari vjen nga njerëz që kanë një prejardhje fetare dhe që janë përfshirë në një veprimtari homoseksuale. Ja se çfarë thonë ata për tendencën e tyre në zgjedhjen e një partneri të të njëjtit seks: “Nuk e zgjodha unë këtë dhe nuk mund të ndryshoj, kjo do të thotë se kam lindur kështu. Nëse kam lindur kështu, është për arsye se Perëndia më ka bërë kështu. Dhe nëse më ka bërë Perëndia kështu, atëherë nxitja ime homoseksuale është diçka e mrekullueshme që duhet ta shpreh dhe ta shijoj, nuk është një mëkat për të cilin duhet të më vijë keq dhe të pendohem apo të luftoj kundër saj.”

Duket bindëse apo jo? Por arsyeja përse duket bindëse është se shumë pak prej nesh e shohin atë në marrëdhënie me kuptimin biblik të mëkatit. Kur unë përmend kuptimin biblik të mëkatit, nuk e kam fjalën vetëm për urdhërimet biblike kundër sjelljes homoseksuale. Problemi më i madh është se ky pohim fsheh faktin se çdo tendencë e fuqishme e rrënjosur në natyrën time, gjithçka me të cilën kam lindur, duhet të jetë krijuar prej Perëndisë dhe kështu që është e mirë.

Kjo është krejt e çuditshme me mësimet biblike rreth natyrës tonë mëkatare.

Është e vërtetë se Perëndia i krijoi njerëzit fillimisht të mirë, por Adami dhe Eva ranë në mëkat dhe tani çdo anëtar i ri i racës njerëzore, lind me natyrë mëkatare. Kur Perëndia i tregoi shkruesve biblikë të vërtetën për veten, çfarë thanë ata? Ata thanë: “dhe nëna ime më ka lindur në mëkat.” (Psalmi 51:5) “Në fakt unë e di se në mua domethënë në mishin tim nuk banon asgjë e mirë… Oh, njeri i mjerë që jam! ” (Romakëve 7:18)

Shprehja “Unë kam lindur kështu” për të treguar se kjo gjë është në rregull, nuk ka për ta bindur aspak dikë që e njeh Biblën dhe e di se ne të gjithë kemi lindur me një natyrë mëkatare. Por nëse pohojmë se ne të gjithë kemi lindur të mirë, atëherë çfarëdolloj gjëje që bëjmë dhe që duket se vjen natyrshëm nuk mund të jetë e gabuar.

Në vend që të themi: “Sa njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë mua?” ne themi, “kështu jam unë, dhe jam krenar për këtë! Mos ta provojë njeri që të më ndryshojë.”

Në rast se përjetojmë luftë brenda nesh, kur natyra mëkatare lufton kundër vullnetit të Perëndisë, ne mund të mundohemi të bindim veten se Bibla e ka gabim, ose se Perëndia nuk e ka seriozisht në atë që thotë, apo që thjesht nuk ka vend në situatën tonë. Ne nuk mund të durojmë që të besojmë se gjithçka brenda nesh bie plotësisht ndesh me atë që është e drejtë dhe e mirë. Nëse do të kishim lindur në një mënyrë të caktuar, apo nëse kemi një mori ndjenjash apo një model sjelljeje që jemi munduar ta ndryshojmë por pa sukses, ndihemi të çliruar kur dorëzohemi , dhe i themi vetes: “shiko jam mirë kështu si jam, fundja fare përse duhet të ndryshoj? Por nëse mbajmë atë qëndrim, thjesht sa po gënjejmë veten.

Dorëzimi te Krishti!

Nëse jemi realistë, ne do të shohim të vërtetën dhe mirësinë e ligjit të Perëndisë dhe, në të njëjtën kohë do të shohim se sjellja jonë është e gabuar dhe vjen prej natyrës mëkatare që me gjithë përpjekjet tona nuk mund ta ndryshojmë. Është e dhimbshme, madje shumë e keqe sepse ne nuk mund ta zgjidhim problemin vetë.

E vetmja gjë që mund të bësh është të heqësh dorë dhe të kërkosh në dëshpërim se kush tjetër mund të jetë në gjendje të na ndihmojë ne.

Në rast se ke një temperament të keq dhe nuk mund të ndryshosh, mos u bëj kokëfortë duke thënë se nuk është dhe aq i keq. Nëse vazhdon të shohësh foto pornografike në kompjuterin tënd, në televizor apo revista, mos mendo se është diçka e mirë që t’i shikosh njerëzit e tjerë si objekte të epshit tënd.

Në rast se ke probleme me alkoolin, mjaft i the vetes pi ,pi se mund ta mbash pijen.

Në rast se ke bërë zakon të gënjesh sa herë të bëhet mbarë, mos u hiq sikur nuk ke asnjë problem. Në rast se merresh me thashetheme në vend që të ndërtosh të tjerët, mos u hiq sikur kjo nuk është e dëmshme. Prano të vërtetën ndonëse është e hidhur: ligji i Perëndisë është shpirtëror, por ti nuk je shpirtëror. Brenda teje nuk jeton asgjë e mirë, pra në natyrën tënde mëkatare.

E di që nuk të vjen aspak mirë të dëgjosh këtë. Një herë më kërkuan që të flisja në një konventë të rinjsh. Njerëzit që më ftuan dëshironin që të flisja për shenjtërinë e Perëndisë. “Por”, thanë ata, “zgjidh një mënyrë që njerëzit të mos ndihen fajtorë.” Por si mund ta bëja këtë? Si mund ta kuptojnë njerëzit shenjtërinë e Perëndisë pa u ndier fajtorë? Në Bibël, kur Isaia u përball me shenjtërinë e Perëndisë tha:”O i mjeri unë. Unë jam i humbur!” Kur Pali e pa si të shenjtë ligjin e Perëndisë, ai rënkoi, “Sa i mjerë jam, kush do të më shpëtojë mua?”

Pra le të mos përpiqemi kaq shumë që të shmangim keqardhjen. Je më pranë mbretërisë së Perëndisë nëse ndihesh keq për mëkatin dhe lufton me të, se sa kur i dorëzohesh mëkatit dhe mendon se nuk ke asnjë problem. Nëse ke probleme me pijen por mendon se nuk ke, nuk do të ndihesh aq i mjerë sa personi që pranon se është i alkoolizuar por nuk ka gjetur ende një mënyrë për të lënë pijen.

Por personi që ndihet keq është më pranë realitetit të kërkimit të ndihmës jashtë vetes. Para se të çlirohesh nga diçka që nuk shkon në jetën tënde, së pari duhet të pranosh se diçka është e gabuar dhe se ti je i pafuqishëm për ta ndryshuar atë.

Por si mund të ndryshojmë. Kush mund të na japë një dorë për t’ia nisur nga e para?