Lufta brenda vetes

Titulli: Lufta brenda vetes (pjesa 3)

Lufta brenda vetes

-Miri qëndron ulur para kompjuterit të tij. Dora zgjatet me hezitim drejt mausit. Pastaj ai klikon në të. Dhe menjëherë në ekran i shfaqen njëra pas tjetrës foto të pista pornografie. Mirit i vjen turp që po sheh foto pornografike ndaj i thotë vetes, “fike kompjuterin, fike kompjuterin” por edhe pse e thotë këtë me vete, vazhdon të klikojë për të parë më shumë foto. Diçka brenda vetes i thotë se nuk duhet ta bëjë, por ai prapëseprapë e bën.

-Xheni është adoleshente. Në mëngjes babai e pyet: “Ku ishe mbrëmë Xheni?” Kur dëgjon pyetjen, Xheni mendohet si ta gënjejë babain, sepse të vërtetën nuk mund t’ia tregojë. Si t’i thotë se natën e mbrëmshme kishte qenë jashtë me disa miq, duke pirë hashash, ai do të mërzitet shumë?!

Kështu për të dhjetën herë, Xheni sajon një histori dhe gënjen duke mos treguar se ku kishte qenë realisht. Babai e shikon ngultas në sy duke vrarë mendjen a është e vërtetë, por e le me aq, nuk e pyet më. Xheni thellë brenda vetes e di se nuk duhet që të pijë drogë me miqtë, ajo nuk do as ta gënjejë babain, por diçka brenda vetes i thotë bëje, bëje!

-Ganiu sapo është kthyer nga puna. Ka qenë një ditë vërtetë e lodhshme. E pyet gruan: “çfarë kemi për darkë?” Ajo i thotë se do të hanë ushqimet që kanë mbetur mbrëmë. ” Çfarë, bërtet Ganiu “ushqime të mbetura?! Me mua tallesh ti? Unë punoj si qen tërë ditën dhe vij në shtëpi të ha një gjellë të ngrohtë, ndërsa ti më thua do të ha ushqimet e djeshme?! Pse nuk gatuan diçka të mirë për mua?” Ganiu fillon ta shajë gruan me fjalë të pista dhe në një moment vëren se gruas po i dridhen buzët dhe lotët fillojnë t’i rrjedhin mbi faqe. Ganiu e mbyll gojën dhe ulet të qetësohet në divan. Ai e do shumë gruan e tij, por kjo nuk është hera e parë që ka humbur durimin dhe fillon e i bërtet asaj. Diçka brenda Ganiut thotë që nuk duhet të nevrikoset, por diçka tjetër i thotë, nevrikosu, nevrikosu!

-Ana ka qenë duke folur në telefon për një kohë të gjatë. Ajo është dehur prej thashethemeve që ka marrë prej shoqes së saj në telefon dhe më pas bëhet tapë fare kur fillon t’i tregojë shoqes thashethemet që di ajo vetë. Pasi ka dëgjuar e ka thënë tërë ato thashetheme, koka nuk i mban më kështu që shtrihet si e vdekur në shtrat. Disa prej gjërave që i tha shoqes, nuk ishin shumë të mira, ndonëse ishin të vërteta, ajo nuk kishte pse ta bënte këtë. Ana e di se ajo merret shumë me thashetheme, po ashtu ajo e di se do të ishte mirë ta ndalte këtë të folur lënduese. Diçka brenda vetes i thotë, mos bëj thashetheme, por diçka tjetër i thotë, bëj, bëj!

Ndoshta ti ke zakonin apo modelin tënd të sjelljes, që është i keq, apo thjesht i gabuar. Diçka brenda vetes të thotë se duhet të ndryshosh, por diçka tjetër të thotë vazhdo bëje, ndaj me të drejtë ti pyet veten:

“Por çfarë po ndodh kështu me mua? Unë e di se çfarë është e mirë megjithatë vazhdoj të bëj atë që është e keqe. Pse bëhet kjo luftë brenda meje, dhe përse duket sikur e keqja brenda meje fiton mbi të mirën?”

Bibla flet pikërisht për këtë te Romakëve 7. Kur ne e dëgjojmë ligjin e Perëndisë në Shkrime, apo e kuptojmë vullnetin e Perëndisë në ndërgjegjen tonë, mund ta shikojmë qartë se vullneti i Perëndisë është më i miri. Por edhe sikur të jemi dakord me vullnetin e Perëndisë, ne shpesh bëjmë të kundërtën. Te Romakëve 7:14-20 apostulli Pal thotë,

Sepse ne e dimë se ligji është frymëror, por unë jam i mishëror, i shitur nën mëkatin.

15  Sepse unë nuk kuptoj atë që bëj, sepse nuk bëj atë që dua, por bëj atë që urrej.

16  Edhe, nëse bëj atë që nuk dua, unë pranoj që ligji është i mirë.

17  Por tani nuk jam më unë që veproj, por mëkati që banon në mua.

18  Në fakt unë e di se në mua domethënë në mishin tim nuk banon asgjë e mirë, sepse, ndonëse e kam dëshirën për të bërë të mirën, nuk ia gjej mënyrën.

19  Në fakt të mirën që unë e dua nuk e bëj; por të keqen që s’dua, atë bëj.

20  Edhe, në qoftë se bëj atë që nuk dua, s’jam më vetë ai që e bëj, por është mëkati që banon në mua.

Çfarë lëmshi! Kur jam mes vullnetit të Perëndisë  dhe prirjeve të mia mëkatare, unë nuk e kuptoj se çfarë bëj dhe nuk e di se kush jam. Unë bëj gjëra të gabuara, por a jam në të vërtetë unë që i bëj këto, apo është një fuqi e panjohur , ajo e mëkatit që jeton në mua? Brenda meje nuk jeton asgjë e mirë, as në natyrën time mëkatare, por sërish brenda meje ka diçka që miraton dhe tregon se çfarë është me të vërtetë e mirë. Kush jam unë gjithsesi? A është vetja ime e vërtetë ajo që e miraton ligjin e Perëndisë, apo është ajo që më thotë që të vazhdoj ta thyej ligjin e Perëndisë? A jetojnë brenda meje dy persona të ndryshëm? Mos vallë kam një personalitet të dyfishtë? Pse nuk mund të kontrolloj sjelljen time apo të zbuloj se kush jam në të vërtetë? Ç’është kjo luftë brenda meje? Këto janë disa pyetje që t’i ndoshta ia bën vetes sa herë bën gjëra që nuk do të doje t’i bëje. Cilido që të jetë problemi yt, pornografia, varësia ndaj alkoolit, apo drogës, gjaknxehtësia apo  veprimtari të tjera si homoseksualizmi apo thashethemet, me pak fjalë gjëra që ta vrasin ndërgjegjen t’i përballesh me pyetjen: “Si ka mundësi që edhe pse e di çfarë është e mira nuk e bëj,  por bëj të keqen? Kush e ka fajin për këtë? A mund të gjej falje? A mund të ndryshoj ndonjëherë? A ka një rrugëdalje për mua?”

Pali e mbyll kapitullin 7 të Romakëve duke folur për këtë luftë brenda vetes dhe duke treguar të vetmen mënyrë për ta fituar atë.

Ai thotë:

Por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën skllav të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia.

Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?

I falem nderit Perëndisë me anë të Jezu Krishtit, Zotit tonë. Unë vetë, pra, me mendjen, i shërbej ligjit të Perëndisë, por, me mishin ligjit të mëkatit!

Nuk ka rëndësi se sa të mjerë jemi, nuk ka rëndësi se sa gabime kemi bërë, Zoti mund të na falë, shpëtojë dhe ndryshojë.

Natyra mëkatare

Ne kemi kaq shumë nevojë që Perëndia të na falë dhe të na ndryshojë. Para se të shpjegojmë se si mund të ndodhë kjo, le të bëjmë një pyetje tjetër: “Ku qëndron gabimi im?” Problemi ynë kryesor është se ne kemi një natyrë të rënë, e cila është kundër Perëndisë, e cila është alergjike ndaj Perëndisë, nëse mund ta themi kështu dhe, reagon kundër ligjit të Tij të shenjtë. Kjo është ajo që Bibla e quan “mishi” apo “natyra mëkatare.”

Të krishterët që besojnë Biblën, flasin për tre kërcënime ndaj mirëqenies shpirtërore dhe të përjetshme. Ato janë djalli, bota dhe mishi. Kjo është një trio vdekjeprurëse. Djalli, Satani është i fortë dhe tinëzar.

Bota mund të na korruptojë dhe të na joshë larg prej Perëndisë. Por Djalli dhe bota nuk janë armiqtë tanë të vetëm. Përveç kësaj është edhe mishi, natyra jonë mëkatare. Kur gabojmë në diçka, nuk mund të themi thjesht: “Djalli më shtyu ta bëja” apo të fajësojmë botën rreth nesh. Ne duhet të pranojmë që brenda nesh, ka një natyrë mëkatare, që është tepër e shpejtë për të ndjekur djallin, që bie në dashuri me botën, dhe lufton kundër asaj që ne e dimë se është e drejtë.

Por a ka një rrugëdalje për të ndalur këtë luftë që kemi shpesh brenda vetes?

Përgjigjen e kësaj pyetjeje do ta vazhdojmë në programin tonë të herës së ardhshme. Deri atëherë mirë u dëgjofshim!