Maria dyshuese (Krishtlindje)

Titulli: Maria dyshuese (pjesa 2)

AKTI I TRETË

Por a ishte Maria gati për aktin e tretë?

Pra jemi në shërbesën tokësore të Jezusit. Jozefi ka vdekur.

Maria është e ve. E marrim me mend se Jezusi duhet të ketë punuar si zdrukthëtar për të mbështetur financiarisht nënën e vet.

Ndërsa në moshën tridhjetë vjeçare Ai e le mjeshtërinë e gdhendjes së drurit dhe shkon pas një thirrjeje të re: Ai bëhet mësues shëtitës. Maria dëgjon se Jezusi është pagëzuar në lumin Jordan prej kushëririt të tij, Gjonit. Dhe më pas i biri i Marisë zhduket, Ai shkon në shkretëtirë për tu ndeshur me demonët. Çfarë po ndodh atje?

Të gjitha këto duhet ta trazojnë shpirtin e Marisë.

Tani Jezusi po del nëpër rrethina për të mësuar të tjerët. Por çfarë mësimesh janë këto? Ai po fyen shumë njerëz me ato që thotë. Së pari po fyen drejtuesit fetarë, të cilët e venë në shënjestër.

Si ka mundësi që shërbesa e Birit të kësaj gruaje,  që duket se ofendon mësuesit e ligjit, t’i paraprijë ardhjes së mbretërisë së Perëndisë?

Si mund të jetë e vërtetë shërbesa e Tij, ndërkohë që ajo përbën mister për vetë njerëzit e tij? Kështu duhet të jetë Mesia?

Keqkuptimi i Marisë arrin fazën kritike. Ajo dhe familja e saj nuk e kuptojnë Jezusin. Sepse te Marku 3:21 lexojmë, “Dhe kur të afërmit e tij e morën vesh, shkuan ta marrin atë, sepse flitej: `Nuk është në vete’”. Jezusi ka nevojë për pak pushim dhe pak çlodhje, sikurse e thonë disa. Po ndoshta pak më shumë se kaq. Ndoshta Jezusi ka nevojë për pak ndihmë psikiatrike. Ai duket sikur po flet me kokën e vet. Madje edhe Maria vetë mendon se i biri po e jeton jetën shumë ndryshe nga se e kishte menduar ajo. Nëna Marie tani është kthyer në Marinë dyshuese.

Marinë dyshuese? Ndoshta ti mendon: “Je në vete pastor, mos e ngatërro Marinë me Thomanë dyshues”.

Ma merr mendja se këtë po mendon. Por edhe unë duhet ta pranoj se e kam dëgjuar shumë rrallë ta quajnë nënën e Jezusit, Maria dyshuese. Megjithatë duket sikur ne nuk mund t’i shpëtojmë të vërtetës së madhe. Por ndoshta duhet ta falënderojmë atë për këtë.

E dini pse? Sepse Maria na kujton veten tonë kur kalojmë kriza besimi. Atëherë kur pyesim nëse Perëndia ka kuptim.

Maria dyshon. Por para se ta kritikojmë atë, duhet të kujtojmë se dyshimi dhe besimi shpesh bashkë- ekzistojnë.

Po, edhe emrat më të mëdhenj në historinë e kishës kanë pasur çastet e tyre të dyshimit. Xhon Noks (John Knox) është një i krishterë me emër në Skoci. Po, ai shkruan: “Kam pasur një kohë kur shpirti im ka njohur zemërimin, tërbimin dhe indinjatën, një kohë kur i shihja me dyshim gjithë premtimet e tij dhe thirrjen e Perëndisë.”

Inkriz Medhër (Increase Mather) ishte një prej predikuesve më të mëdhenj puritanë, megjithatë ai shkruan kështu në hyrjen e ditarit të tij: ” jam thellësisht i ngacmuar prej tundimeve të ateizmit.”

Martin Luteri, ky reformator i njohur i kishës dikur  shkroi: “Për më shumë se një javë Krishti kishte humbur fare në mendjen time. Dëshpërimi dhe blasfemia kundër Perëndisë më kishin mposhtur.” Një mëngjes gruaja e tij u shfaq në tryezën e ngrënies e veshur në rroba zie. “Kush ka vdekur?” e pyeti Luteri. “Perëndia ka vdekur!”, ia ktheu gruaja. “Kjo është e tmerrshme, si mund ta thuash?!” ia ktheu Luteri. “Po është e tmerrshme,” u përgjigj gruaja,” Nëse Perëndia nuk ka vdekur, atëherë përse sillesh sikur Ai ka vdekur? Pse dëshpërohesh për jetën, pse je i pashpresë?!”

Unë ngushëllohem kur kujtoj Marinë në mes të dyshimeve të mia. Ndonjëherë mendoj me vete: “Po të shihja engjëjt nuk do të kisha asnjë dyshim! Por Maria i pa engjëjt. Unë tundohem të them: “Në rast se do të merrja  një mesazh të drejtpërdrejtë prej Perëndisë do të largoja të gjitha dyshimet e mia!” Por Maria kishte marrë një mesazh prej Perëndisë. Këtë lloj besimi e quajmë kaq të vështirë, kaq të rëndë, saqë as qiejt e hapur nuk mjaftojnë për të shuar pasiguritë brenda shpirtit tonë.

Pra çfarë do të na ndihmonte që të bëjmë përpara në rrugën tonë të besimit?

Vini re se çfarë thotë Jezusi pas kërkesës që i bën familja. Ai thotë: “Nëna ime dhe vëllezërit e mi janë ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e vënë në praktikë.”

Maria duhet të ketë menduar: “Pse kështu flitet?! Jezusi është im bir. Si mund të shprehet kështu për mua?! Si mund të ma kthejë shpinën? Por Maria duhet të mësojë diçka tjetër që është më e rëndësishme se sa të qenurit nëna biologjike e Jezusit. Ajo duhet të bëjë një udhëtim shpirtëror që do ta kthejë atë nga qenurit Nëna e Mesias në një dishepulle të Krishtit.

Pikërisht ATË mësim mësoi Maria përgjatë shërbesës së të Birit. Lidhjet biologjike ndërpriten që të mund të krijohet lidhja e re e BESIMIT me të birin. Edhe Maria duhet të dëgjojë Fjalën e Perëndisë dhe ta hedhë në praktikë.

AKTI I KATËRT

A e mësoi Maria atë mësim? Le ta shohim këtë në aktin e katërt të dramës së jetës së saj. Më ndiqni me vëmendje sepse tani do t’ju çoj në dhomën e sipërme që përshkruhet te veprat kapitulli 1. Jezusi është ngritur në qiell.

Grupi  i vogël i dishepujve është mbledhur për të pritur derdhjen e Frymës së Krishtit. Atje janë të njëmbëdhjetët por ka edhe njerëz të tjerë që i janë bashkuar grupit të tyre. Ne lexojmë këto fjalë prej Veprave1:14 ” Të gjithë këta ngulmonin me një mendje të vetme në lutje dhe përgjërim së bashku me gratë, me Marinë, nënën e Jezusit, dhe me vëllezërit e tij.”
Dhe ja ku është ajo në dhomën e sipërme. Maria është e pranishme por nuk është në qendër të vëmendjes që njerëzit të shkojnë e t’i luten asaj. Jo, ajo vetë qëndron njëlloj me të tjerët në lutje. Sepse para së gjithash ajo nuk është atje si nëna e Jezusit por si ndjekëse e Jezusit. Maria ka dëgjuar me të vërtetë Fjalën e Perëndisë të folur përmes të Birit dhe, tani po e hedh në praktikë.

TË MËSOSH PREJ MARISË

Kjo është historia e Marisë. Për mua, Maria nuk është një person që duhet vendosur në piedestal.

Unë nuk mendoj se ajo e pëlqen këtë. Po kështu nuk dua ta adhuroj Marinë. Por unë dëshiroj të mësoj nga jeta e saj. Kjo do të thotë se këtë Krishtlindje do të meditoj së bashku me Marinë se kush është në të vërtetë Biri i saj. Këtë Krishtlindje dëshiroj të largoj nga vëmendja anën komerciale e Krishtlindjes dhe të fokusohem në identitetin e Jezusit. Unë dëshiroj ta mendoj gjerë e gjatë jetën time në dritën e ardhjes së Tij. Teksa e bëj këtë dua, të përballem me dyshimet dhe pasiguritë e mia. Për mua, e po kështu për Marinë, kupa e besimit, është shpesh gjysmë plot. Unë dëshiroj që të kaloj në një nivel të ri bindjeje. Sikurse Maria unë dëshiroj të gjej identitetin tim si një dishepull i Birit të saj.

Të ftoj të bashkohesh me mua në këtë udhëtim. Është e mrekullueshme të dëgjosh historinë e Krishtlindjes. Është mahnitëse të përsiatësh mbi të! Por ajo që do të sjellë ndryshimin në botë është t’i përgjigjesh Atij me dashuri, t’i bindesh Krishtit që lindi në ditën e Krishtlindjes.

Sepse kur e bën këtë, ti bashkohesh me familjen e Marisë, që nuk përkufizohet prej gjenealogjive apo pemës familjare. Ti do të bëhesh pjesë e familjes së Perëndisë, ti do të bëhesh bir apo bijë e Perëndisë, do të bëhesh një vëlla apo motër në Krishtin.