Maria dyshuese (Krishtlindje)

Titulli: Maria dyshuese (pjesa 1)

NJERËZ NË PIEDESTAL 

A mbajmë në jetën tonë ndonjë person në piedestal?

Mendohu për disa çaste. A ekziston ndonjë person që mendon se ka kapërcyer betejat e zakonshme të jetës?

Besoj se më kupton për kë e kam fjalën. E kam për ata njerëz që ngrihen mbi pjesën tjetër të turmës. Njerëz të cilët përballen me dhimbjen dhe pengesat por nuk e humbasin asnjëherë ekuilibrin. Njerëz që duket se ngrihen mbi problemet e përditshme. Njerëz që i kemi vendosur në një piedestal imagjinar.

Nuk është e thënë që njerëzit e piedestaleve, të jenë bashkëkohësit tanë. Ç’është e vërteta është më e lehtë t’i vendosësh në një piedestal personazhet historikë sepse ata i përkasin një kohe tjetër, shumë larg nesh. Gjithçka që dimë për ta filtrohet në mjegullën e kohës. Njerëzit e së kaluarës mund të ndikojnë edhe të sotmen. Por mund të kthehen edhe thjesht në karikatura të personit të tyre. Le të marrim Marinë si shembull.

Ajo ndodhet në qendër të historisë së Krishtlindjes. Ajo është nëna e Birit të Perëndisë. Nuk është çudi që ka mbetur për më shumë se dymijë vjet një gjigante e vërtetë e besimit.

Para disa vitesh, unë isha në Nju Jork në një konferencë dhe një miku im gjatë kohës së lirë më çoi për të vizituar Katedralen e Shën Patrikut.

Xhamat shumëngjyrësh të kishës bënin që  veç disa rreze drite të depërtonin brenda duke i dhënë kishës një ndriçim të zbehtë. Kudo në perimetrin e brendshëm të katedrales ishin vendosur faltore të shenjtorëve të ndryshëm. Ajo që më habiti më shumë ishte fakti se faltorja më e madhe ndër to ishte ajo e Marisë. Ishte e vetmja faltore që të lejonte të uleshe dhe të meditoje para vendit të shenjtë të virgjëreshës. E kuptova përkushtimin e madh që i bëhej asaj vetëm kur shkova pak më tutje dhe pashë një tjetër faltore. Kjo ishte pak më e vogël dhe nuk kishte vend për tu ulur. Kishte më pak qirinj që po digjeshin. Kjo ishte faltorja dedikuar birit të saj, Jezus Krishtit. Mendova me vete: Pse e kanë ngritur Marinë kaq lart? Maria ka marrë disa tituj tepër të lartë përgjatë shekujve.

Ja disa tituj:

Nëna e Perëndisë

Drejtuese e korit qiellor

Gruaja e veshur me diellin

Shembull i përkryer i dëlirësisë

Mbretëresha e Qiellit

Sa shumë tituj nderi dhe respektimi për Marinë! Por çfarë thotë BIBLA për Marinë? Maria vetë këndoi një këngë për adventin e saj, pak kohë para se të lindte Jezusin. Kënga ka titullin: “Kënga e Marisë”. Një rresht i saj thotë: “Tani e tutje, gjithë brezat do të më quajnë të bekuar.” Maria vetë priste që njerëzit ta kujtonin dhe ta pranonin rolin e saj në histori. Pavarësisht se disa tradita e kanë lartësuar shumë Marinë, protestantët ndonjëherë nuk e kanë lartësuar dhe aq shumë. Unë personalisht mendoj se jeta e Marisë na mëson shumë mësime për jetën, që ndoshta janë paksa të çuditshme. Por më lejoni t’ju drejtoj në udhën e Marisë dhe, të shohim së bashku disa akte nga drama e jetës së Marisë.

Ato janë katër. Teksa i shikojmë me vëmendje do të kuptojmë se jeta e saj ngjan disi me tonën.

AKTI I PARË

Akti i parë në këtë dramë na prezanton me Marinë e historisë së Krishtlindjes. Barinjtë në kullota dalin në errësirën e natës për t’i ofruar adhurimin Krishtit fëmijë. Luka 2:19 tregon reagimin e Marisë për këtë: “  Maria i ruante të gjitha këto fjalë, duke i medituar në zemrën e saj.”

Deri diku kjo është normale për një nënë të re. Fundja fare, kështu vepron çdo nënë pasi vë foshnjën e saj në gjumë: nëna reflekton për jetën që foshnja do të ketë përpara. Më kujtohen si tani çastet kur lindën fëmijët tanë dhe unë qëndroja në dhomën e fëmijëve dhe meditoja se si do të ishte jeta e tyre. Çfarë sfidash dhe gëzimesh do të kishin fëmijët e mi? Pikërisht atëherë kur bëhemi me fëmijë e shohim botën ndryshe, si një vend i çmuar por ndonjëherë edhe kërcënues.

Çdo nënë reflekton për të ardhmen e fëmijës së saj.

Por unë nuk mendoj se Luka dëshiron ta shohim Marinë si një nënë tipike. Unë mendoj se ai dëshiron që ta mendojmë Marinë si një KËRKUESE  të së vërtetës shpirtërore! Fjalët e Lukës më sjellin ndër mend Psalmin 1:

“Lum ata që gëzohen në ligjin e Zotit dhe meditojnë në të ditë e natë.”

Fjala meditoj në hebraisht është “ të murmuritësh me një zë të dashur”. Ja se çfarë do të thotë të meditosh. Pra t’i flasësh nën zë zbulesat e Perëndisë dhe me një zë të mbushur plot me dashuri për të vërtetën. Psalmisti na fton të bëjmë me Shkrimet të njëjtën gjë që bëri Maria, pra të meditojmë, mbi fjalën e mishëruar, Birin.

Pra këtu fillon çdo udhëtim besimi. Fillon me meditimin mbi Fjalën e Perëndisë: SI MUND TA PRAKTIKOJMË ATË NË JETËN TONË? Një shkrimtar i kishës së hershme ka thënë se duhet ta marrim Fjalën e Perëndisë dhe ta përtypim Atë.

Këtë verë unë shkova për vizitë në fermën e kunatit tim dhe pata mundësinë të shihja në kullotë se si përtypeshin bagëtitë që ai mbante për bulmet. Besoj se edhe ju e keni pasur mundësinë të shikoni bagëti në kullotë.

Pikërisht, për këtë e kishte fjalën ky shkrimtar i lashtë kur tha se duhet të përtypim Fjalën e Perëndisë.

Duke medituar në atë fjalë, duke e kthyer në mendjen tonë, ne marrim zbulesa, dhe më pas e ruajmë Fjalën në zemrën tonë. Çdo njeri që dëshiron të angazhohet në një udhëtim besimi duhet të fillojë atje ku filloi edhe Maria, duke medituar për JEZUSIN dhe duke menduar për domethënien e Tij në jetën tonë.

 AKTI I DYTË

Por udhëtimi i besimit të Marisë nuk është i lehtë. Le të ndalemi në aktin e dytë të dramës së Marisë. Jemi Dymbëdhjetë vite pasi Jezusi ka lindur dhe sapo ka festuar Pashkën e parë në tempullin e Jeruzalemit. Pasi festimet kanë përfunduar, është koha që Jezusi dhe familja e Tij të kthehen në Nazaret. Por pas tri ditë udhëtimi, prindërit e Jezusit zbulojnë se Ai nuk është pjesë e vargut të udhëtarëve. Prindërit kthehen të frikësuar në Jeruzalem. Pas tre ditësh kërkimi të lodhshëm nëpër qytet, ata e gjejnë Jezusin në tempull, duke diskutuar me disa rabinë për çështje shpirtërore. Kur Maria dhe Jozefi përballen me të, Jezusi u thotë se ai nuk ka aspak humbur rrugën. Ai është pikërisht atje ku duhet të jetë! “A nuk e dini”, u thotë ai, “ se duhet të isha në shtëpinë e Atit?” Dhe më pas Luka shton: “por ata nuk i kuptuan fjalët që ai po u thoshte“. MARIA nuk i kuptoi!

Këtu më lejoni t’ju sugjeroj se thelbi i gjithë betejave tona gjendet në rrëfimin e sinqertë: UNË NUK KUPTOJ! Çfarë është ajo gjë në jetën tënde që ti nuk e kupton? Mendoj se edhe ti ashtu si unë ke shumë gjëra që nuk i kupton, apo jo?

Unë nuk kuptoj shumë gjëra për jetën time dhe për jetën e të tjerëve.

Edhe Maria ka shumë gjëra që nuk i kupton. Ajo nuk arrin të kuptojë se si djali i saj pas tri ditësh mungese guxon ta qortojë atë me fjalët: “A nuk e dini ju se duhet të merrem me punët e Atit tim?!” Maria nuk kupton. Por Maria është ende në një udhëtim besimi. Fundi i historisë në tempull mbyllet me fjalët: “Maria i ruante të gjitha këto fjalë, duke i medituar në zemrën e saj.” Maria vazhdon të meditojë. Ajo sjell ndër mend çast pas çasti këto fjalë dhe mendon çfarë kuptimi mund të kenë!

Shpresoj se edhe ju keni mësuar diçka të re dhe inkurajuese sot. Duke ju uruar një ditë sa më te këndshme ju le takim herën e ardhshme. Mos mungoni!