Mbaji sytë te qëllimi

Titulli: Mbaji sytë te qëllimi (pjesa 1)

Vargjet sot janë nga letra drejtuar Filipianëve 3:7-14

Por gjërat që më ishin fitim, i konsiderova, për shkak të Krishtit, humbje.

8  Dhe me të vërtetë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha këto dhe i konsideroj si pleh, që unë të fitoj Krishtin,

9  dhe që të gjendem në të, duke pasur jo drejtësinë time që është nga ligji, por atë që është nga besimi në Krishtin: drejtësia që është nga Perëndia, me anë të besimit,

10  që të njoh atë dhe fuqinë e ringjalljes së tij dhe pjesëmarrjen në mundimet e tij, duke u bërë vetë i ngjashëm me të në vdekjen e tij,

11  që në ndonjë mënyrë të mund t’ia arrij ringjalljes prej së vdekurish.

12  Jo se unë tashmë e fitova çmimin ose jam bërë i përsosur, por po vazhdoj të rend për ta zënë, sepse edhe unë u zura nga Jezu Krishti.

13  Vëllezër, sa për vete, nuk mendoj se e kam zënë, por bëj këtë: duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara,

14  po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartë të Perëndisë në Krishtin Jezus.

Cili është synimi yt, qëllimi yt në jetë?

Stifën Kovej, autori  i librit “Shtatë zakonet e njerëzve shumë efektivë”, (The Seven Habits of Highly Effective People) thotë se zakoni i parë i njerëzve jashtëzakonisht efektivë është se ata e kanë të qartë se kush janë dhe ku po shkojnë. Ata nisin diçka duke pasur në mendje fundin, që në fillim.

Ata kanë një qëllim, por jo në kuptimin e planeve specifike, për të ardhmen.

Por ata e dinë misionin e tyre, qëllimin e tyre. Sot, organizata, departamente brenda organizatave, apo individë brenda departamenteve kanë deklarata misioni që u kujtojnë cili është qëllimi i tyre, cila është vlera e tyre më e lartë!

Kovej tregon se një mënyrë për të arritur atë që dëshiron në jetë, pra sipas qëllimit që ke vendosur është të nisësh një udhëtim imagjinar. Përfytyroni thotë ai, se po shkoni në një funeral, në funeralin e një njeri të dashur.

Ti lë makinën në parkingun e kishës dhe hyn brenda, ku gjen shumë anëtarë të familjes dhe miq, dhe më pas ecën drejt arkivolit. Dhe sheh veten të shtrirë atje. Kjo ka ndodhur pas tre vitesh nga dita e sotme. Pra ti zë vend dhe më pas shikon programin e ceremonisë. Shikon se atje janë renditur katër folës. Një flet në emër të familjes, një tjetër është miku yt, një tjetër është kolegu yt, ndërsa i fundit është një anëtar i kishës tënde.

Një mënyrë për të kuptuar se cili është qëllimi yt në jetë është të pyesësh: çfarë dëshiron që këta njerëz të thonë për ty? Si dëshiron që të mbahesh mend prej njerëzve?

Te Filipianëve 3 Pali jep një deklaratë të misionit të tij, pra qëllimin e tij.

Pali ka qenë kudo. Ai ka provuar shumë gjëra në jetë. Por në vargun10-11 ai pohon shumë qartë, përfundimin në të cilin del, qëllimi i tij pas gjithë këtyre rrugëve të ndryshme që ka provuar është: të njohë Krishtin, të bashkohet me Krishtin, pra të identifikohet me Krishtin, thotë Pali, që kur të shoh Krishtin, të shoh veten time dhe kur të shoh veten, të shikoj Krishtin. Pali e përpunon më tej atë qëllim në vargun 11:

Unë dëshiroj të shoh në vdekjen e Krishtit, vdekjen time, vdekjen e mëkateve, vdekjen e jetës së vjetër.
Unë dëshiroj të heq qafe gjërat e vjetra në karakterin tim, sjelljen time që lëndon veten, njerëzit e tjerë dhe krijimin e Perëndisë.
unë dëshiroj të shikoj në vuajtjet e Krishtit, vuajtjen time. Sa ngushëllues është fakti që nuk duhet të vuaj i vetëm. Krishti është me ne në vuajtjen tonë.

Dhe më pas ajo që dua të shoh në ringjalljen e Krishtit është ringjallja ime, jeta e re, shpresa e re, fitorja e re mbi mëkatin. Po, Pali thotë: ky është qëllimi im:

Unë dëshiroj të shikoj Krishtin dhe të shoh veten time në pasqyrën e Krishtit, e më pas dua të shikoj veten dhe të shikoj në të reflektimin e Krishtit.

Me fjalë të tjera, qëllimi i Palit në jetë ka lidhje me karakterin. Kjo tregon se cili dëshiron të jetë ai si person, në karakter por edhe në marrëdhënie me njerëzit.

Kur ju menduat për këto katër folës në funeralin tuaj imagjinar, dyshoj se ndonjëri prej jush ka thënë: “Oh, unë thjesht dua ti tregoj se sa shumë para kam bërë, sa libra kam shkruar, apo sa njerëz kam lënë pa mend me veshjen time.” Jo, ne dëshirojmë të mbahemi mend për të qenit vetëmohues, dhe të mirë, e besnikë, se kemi qenë një person me karakter, që sipas fjalëve të Palit, ky person e njeh krijuesin e tij, i krijuar sipas imazhit të Krishtit, që e njeh Krishtin, që e sheh veten në Krishtin dhe Krishtin në veten e vet.

Pali vazhdon me reflektimin për qëllimin e tij në jetë, pra fundin e jetës së tij, që ka në mendjen e vet.

Ai thotë tre gjëra, që janë shumë të rëndësishme teksa kërkojmë ta njohim më shumë Krishtin në jetën tonë. Së pari ai kupton se nuk ka mbërritur ende qëllimin e tij. Ai nuk ka mbërritur në fund të jetës së vet. Pali thotë këtë dy herë në disa vargje: Vargu 12 : “Jo se unë tashmë e fitova çmimin ose jam bërë i përsosur,” dhe vargu 13: ” nuk mendoj se e kam zënë.”

Unë do të them diçka tani, që jam i sigurt se disa prej jush do të mendojnë,

“Oh jo! Si e dinte ai këtë për mua? Ai e ka fjalën për mua!” Dhe në fakt unë jam duke folur, por unë dëshiroj që të kuptoni se ka qindra persona që po dëgjojnë këtë program, dhe jam i bindur se edhe ata do të reagojnë po njësoj.

Nuk mbaj mend se sa shumë e kam bërë këtë bisedë dhe me sa persona të ndryshëm.

Dikush thotë: “Hej a di se edhe unë dua të vij në kishë? Më pëlqen të vij në kishë. Por është kaq e vështirë. Sepse unë shikoj përqark meje dhe të gjithë njerëzit duken kaq të lumtur. Familjet që vijnë aty janë shumë të mira. Fëmijët janë shumë të bukur. Dhe të gjithë këta njerëz kanë një jetë të mirë.

Ndërsa unë vetë dukem i pavlerë në mes të kësaj dhome me njerëz kaq të flaktë në besim dhe kaq shpirtërorë.”

Tani dua t’ju zbuloj disa sekrete të gjithëve ju që po më dëgjoni tani.

Së pari, gjërat nuk janë gjithmonë ashtu si duken. Ne të gjithë jetojmë buzë shqetësimeve. Dhimbjet janë me tepri në jetë. Mësuesi hebre Harold Kushner, nëse ju kujtohet kemi fol edhe një herë për të në programin tonë, humbi djalin e tij njëmbëdhjetë vjeçar dhe më vonë shkroi një libër shumë prekës për dhimbjen dhe rrënimin në jetë. Ja një paragraf që kam shkëputur prej librit të tij:

“Dhimbja dhe vuajtja ndoshta nuk janë përhapur në mbarë botën, por janë përhapur gjerësisht. Çdo njeri ka pjesën e vet të dhimbjes dhe vuajtjes. Nëse do të njihnim faktet, rrallëherë do të gjenim një person jeta e të cili do të ishte për tu pasur zili.”
çdo njeri ka sfida, më besoni.

Në fund të viteve 1980, Senatori amerikan Xhon Ist (John East), nga Karolina e Veriut, kreu vetëvrasje.

Gjithë Senati dhe familjarët e tij u tronditën nga kjo ngjarje. Një prej kolegëve të senatorit kishte thënë në një intervistë lajmesh këto fjalë për vetëvrasjen e Istit: “Asnjëherë nuk e di se çfarë fshihet brenda një personi tjetër.” në të vërtetë, gjërat nuk janë gjithmonë ashtu siç duken.

Sekreti i dytë, që kuptojmë nga vargu 12 ka të bëjë me faktin se si të gjithë ne shtrëngohemi shpirtërisht nga njëri tjetri. Pali ka qenë një i krishterë, një pastor i krishterë, një drejtues i krishterë, një misionar midis kufijve, për afro tridhjetë vjet. Dhe sërish ai thotë: “Unë jam njeri i ngathët”. Unë jam amator. Unë nuk kam arritur atë që dëshiroj.” Shumë prej nesh tremben prej të krishterëve të tjerë, dhe prej kishës sepse mendojmë se gjithë të tjerët marrin “nënta” apo “dhjeta” në jetën e tyre shpirtërore, ndërsa ne jemi të parët që meritojmë “dysha”, sa hyjnë në derën e kishës. Pali e ka gabim!

Është e vërtetë se disa prej nesh, kanë shkuar më larg se të tjerët në udhëtimin tonë të pjekurisë në Krishtin. Por ne të gjithë jemi bashkë udhëtarë, dhe jemi mbledhur së bashku në një varg të ngushtë, të paktën nga këndvështrimi i përsosmërisë, së Perëndisë. Ne më shumë ngjajmë se sa ndryshojmë nga njëri tjetri.

Hapi i parë në njohjen e qëllimit tuaj shpirtëror, në njohjen e Krishtit, është të pranosh se ti dhe të gjithë ne jem një proces. Ne jemi në një udhëtim. Asnjëri prej nesh nuk ka arritur, ose të paktën plotësisht qëllimin e tij në jetë. Ne të gjithë së bashku po ecim drejt një qëllimi, në një udhëtim që do të zgjasë gjithë jetën tonë.

Këtu minutave tona i ka ardhur fundi. Shpresoj të jeni inkurajuar sadopak, në shoqërinë e programit tonë. Unë ju lë takim herën e ardhshme.

Komente

komente