Misteri pas grazhdit (Krishtlindja)

Print

Titulli: Misteri pas grazhdit (pjesa 2)

Nëse dëshiron të dish se si është një foshnjë në barkun e nënës, një eko mund të tregojë imazhin me ultratinguj të foshnjës në barkun e nënës. Por nëse dëshiron të dish të vërtetën për Jezusin para se të kishte lindur në grazhd, do të duhet diçka më shumë se një eko. Ti ke nevojë për shumë më tepër se të vështrosh foshnjën brenda barkut. Ungjilli i Gjonit na çon përtej barkut, përtej grazhdit dhe stallës, përtej pemëve, maleve,reve, hënës, diellit dhe gjithë yjeve dhe galaktikave, përtej kufijve të jashtëm të hapësirës së jashtme, drejt një Personi që kapërcen çdo qenie, tek misteri i Perëndisë,  dhe tek Personi që është përjetësisht Fjala e Perëndisë dhe Biri i Perëndisë.

Ky Person nuk u bë Bir Perëndie, pasi lindi prej Marisë. Ai ishte gjithmonë Perëndia Biri, gjithmonë me Perëndinë Atë,  gjithmonë Perëndia vetë, gjithmonë e njëjta qenie me Atin, gjithmonë i bashkuar me Atin në dashuri të pakufishme. Ndryshe nga lindja e një biri njeriu, lindja e Birit hyjnor nuk është diçka që filloi në një pikë të caktuar të kohës. Biri nuk filloi si një version i vogël i Perëndisë që duhej të rritej me qëllim që të bëhej i barabartë me Atin. Biri ka qenë gjithmonë një Zot, plotësisht i rritur, një imazh i përsosur Atit të Tij, dhe natyra e Tij hyjnore buron prej natyrës hyjnore të Atit. Kur Jezusi lindi nga Maria, nuk flitej për fillimin e ekzistencës së Birit; por bëhej fjalë për faktin që Perëndia dërgoi Birin e Tij ekzistues dhe të përjetshëm në këtë botë që të lindte nga një grua, duke  i shtuar natyrës njerëzore, natyrën hyjnore që kishte ekzistuar përgjithmonë.

Shkrimi shpesh e quan Jezusin: Biri i Perëndisë. Por në fillim të ungjillit të Gjonit, ai e quan atë Fjala. Kur ne të krishterët flasim për “ Fjalën e Perëndisë”, e kemi fjalën për Biblën. Çdo fjalë e Shkrimit është e frymëzuar prej Perëndisë, prandaj i përshtatet thirrjes së Biblës, “Fjalës së Perëndisë”. Por në nivelin më të lartë, Fjala e Perëndisë është më e madhe se vetë Bibla. Fjala e Perëndisë  është shumë më tepër se libri i Perëndisë në një gjuhë të kuptueshme nga njerëzit; Fjala e Perëndisë është e përjetshme, është një Person hyjnor. Rëndësia bazë e Fjalës së shkruar, Biblës, është se ajo zbulon Fjalën e gjallë, Jezusin.

Fjala është Perëndi; është mënyra se si Ati e shpreh veten. Kjo fjalë hyjnore, nuk është një tingull apo një sërë rrokjesh, por vetë mendja, personaliteti dhe qenia e Atit. Fjala është një person kaq real dhe i gjallë sa që Ai vetë qëndron krah Atit. Fjala nuk janë tingujt që Perëndia bëri; Fjala është vetë personaliteti i Perëndisë një vetë shprehje, që buron prej Atit dhe lidhet me Atin në dashuri dhe harmoni të përsosur.

Logjika dhe jeta e Universit

Kjo fjalë e gjallë, në greqisht njihet me termin Logos– kjo Logos është logjika, gjeniu, i Cili sajoi modelin për universin, dhe e solli atë në ekzistencë. Fjala vetë është pa fillim;  çdo gjë tjetër e krijuar filloi me anë të Tij. Gjoni thotë “Të gjitha gjërat u bënë me anë të Tij (Fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë. Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve” (Gjoni 1:3-4) Fjala ka qenë qysh prej fillimit logjika e universit, baza e projektit dhe destinacionit të tij. Fjala ka qenë qysh prej fillimit Jeta e universit, energjia e tij, entuziazmi, bukuria, dashuria, gjithçka e tij.

Vargu i parë i Biblës, Zanafilla 1:1, thotë, “Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.” Si i krijoi Ati Perëndi? Me anë të Fjalës së Tij. Perëndia tha, “Le të bëhet?” dhe Fjala e Gjallë bëri gjithçka, atje ku më parë nuk kishte pasur asgjë. Psalmi 33:6 thotë, ” Qiejt u bënë me anë të fjalës së Zotit…” Psalmi 148:5 thotë, “Ai urdhëroi dhe ato u krijuan.”

Grekët e lashtë besonin në një mendje dhe logjikë të madhe, një logos që i dha formë dhe model gjithçkaje. Hebrenjtë Biblikë, dinin më shumë se kaq: kjo dituri universale, nuk ishte vetëm diçka abstrakte, por ishte Fjala e Zotit. Ungjilli i Gjonit, shkon më tej për të zbuluar se Fjala krijuese e Perëndisë nuk është as më shumë e as më pak se Biri i Perëndisë. Ky është misteri pas grazhdit. Gjithë krijimi u bë me anë të tij, kështu që kur krijimi kishte nevojë për shpëtim, vetëm burimi origjinal i ekzistencës dhe jetës mund ta shpëtonte atë. Fjala hyjnore, personi i dytë i Perëndisë, do ta bënte këtë duke u bërë pjesë e krijimit vetë, në personin e foshnjës Jezus.

Për të vlerësuar misterin pas grazhdit, mos rri thjesht duke admiruar foshnjën e dashur të Marisë. Por zhytu më thellë për kuptuar se kush është realisht kjo foshnjë. Shkrimi thotë:” Ai është shëmbëllesa e Perëndisë së padukshëm, i parëlinduri i çdo krijese. Ai është përpara çdo gjëje dhe të gjitha gjërat qëndrojnë në të.” (Kolosianëve 1:15-17) Le të jetë një zbulesë për ty kjo; që gjithçka, që nga engjëjt deri tek insektet, janë formuar sipas logjikës së tij dhe marrin jetë dhe ekzistencë me anë të Tij. Shiko shkëlqimin e diellit dhe dritën e yjeve. Mrekullohu me një farë që bëhet bimë, apo një larvë që bëhet flutur.

Studio strukturën komplekse të kristaleve dhe të flokëve të borës, të qelizave dhe të molekulave. Vështro një dre duke kërcyer, një zog në fluturim, një peshk duke notuar, një foshnjë duke fjetur, dhe dije se logjika dhe jeta e çdo qenieje të gjallë vjen prej Krishtit, Fjalës. Ati gjen kënaqësi në tërë veprat e tij, dhe gjen kënaqësi supreme në vetë Birin e tij, përmes të cilit Ai bëri gjithçka.

Lindur prej Perëndisë

Gjithçka u krijua me anë të Fjalës, Birit të Perëndisë, i Cili hyri në këtë botë, në trup njeriu, si foshnja Jezus. Në natyrën hyjnore të Jezusit është urtësia dhe logjika e universit, dhe pa Të gjithçka kthehet në marrëzi dhe konfuzion. Në natyrën hyjnore të Jezusit, është jeta e universit, dhe pa të çdo gjë është vdekje dhe dekompozim. Jezusi është drita e botës, dhe pa të gjithçka është errësirë. Ungjilli i Gjonit thotë:

” Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve.

Dhe drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi.

Ai (fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të Tij, por bota nuk e njohu. Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan.

Biri i Perëndisë ka qenë gjithmonë e pranishëm në krijimin e Tij, por pasi njerëzimi nuk iu bind Perëndisë dhe ra në mëkat, bota nuk e njohu më Krijuesin e vet. Nuk është puna se u largua Ai; njerëzit thjesht i mbyllën sytë ndaj pranisë hyjnore dhe shpikën lloj-lloj fesh si tu donte qejfi.

Ndërsa drita vazhdonte të ndriçonte, errësira nuk mund ta kuptonte atë, por as errësira nuk mund ta mposhtte dritën dhe ta nxirrte jashtë.

Nga kjo botë e errët, Perëndia zgjodhi, një komb të veçantë që do të përballej me këtë errësirë, bëhet fjalë për Izraelin.

Zoti bëri besëlidhje me ta, u dërgoi profetë, dhe i trajtoi ata si të vetët. Por kur Perëndia, Biri u bë njeri dhe erdhi në kombin që kishte zgjedhur Ai vetë, ata nuk e pranuan. Ata e përçmuan dhe refuzuan. Natën që Ai lindi në Bethlehem, foshnja Jezus duhet të shtrihej në një grazhd mes kafshëve sepse askush nuk e hapi shtëpinë për Të. Më vonë Jezusi do të torturohej dhe kryqëzohej, prej vetë njerëzve që erdhi të shpëtonte.

Por kjo nuk është historia e plotë. Pasi Gjoni tregon se si bota në përgjithësi ishte e verbër ndaj dritës së Zotit, e tregon se si populli i vet nuk e priti, ai shton këto fjalë:

Por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij, të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia. (1:12-13)

Vetëm Jezusi është Biri i përjetshëm i Perëndisë, por në misterin e dashurisë së Tij, Jezusi nuk dëshiron të mbetet i vetmi bir i Perëndisë. Ai dëshiron që shumë njerëz të lindin në Zotin, në kuptimin figurativ po flasim, pra t’i besojnë atij, e të birësohen si bij të tij, me anë të fuqisë së Tij jetë dhënëse. Shumë kanë lindur nga Perëndia, dhe shumë të tjerë vazhdojnë të lindin.

Edhe ti mund të lindësh nga Perëndia dhe të bëhesh një fëmijë i Perëndisë. Thjesht pranoje atë. Beso në emrin e Tij. Beso në emrin e Perëndisë Birit, emrin e Shpëtimtarit dhe Zotit, emrin e Jezusit, Fjalës së përjetshme.

Nëse nuk e kupton plotësisht gjithçka që kam treguar sot për natyrën hyjnore të Jezusit, s’ka gjë. Ky është një mister që askush nuk mund ta kuptojë plotësisht. Nëse nuk e kupton plotësisht se si mund të bëhesh bir i Perëndisë duke besuar në Jezusin, e që kjo mund të japë ty një jetë të re, përsëri s’ka gjë. Këto mistere janë shumë të mëdha, për ne, që ndonjëri prej nesh t’i kuptojë plotësisht, por nuk janë tepër të mëdha për t’i kuptuar, pranuar apo edhe për tu kënaqur në to.

Por ki kujdes.  Nuk ka rrugë tjetër për tek Perëndia, nuk ka rrugë tjetër shpëtimi. Jezusi është Biri i Perëndisë, kështu që nëse e refuzon Atë, Ati do të refuzojë ty. Jezusi është Fjala e gjallë, Logosi, dituria dhe logjika e krijimit, kështu që nëse e refuzon atë, ti zhytesh në marrëzi dhe kotësi. Jezusi është drita dhe jeta qiellore, kështu që larg tij, ka vetëm ferr. Mos u anko sikur Perëndia duhet të sigurojë shumë mënyra të tjera shpëtimi përveç Jezusit. Jezusi është shpëtim. Jezusi është jetë. Jezusi është dritë. Jezusi është Perëndi. Nëse një rrugë të drejton diku tjetër përveç Jezusit, dije se ajo nuk çon tek Perëndia. Zoti nuk mund të jetë ndryshe nga ç’është. Ose do ta pranosh ashtu si është, ose mos beso. Te 1 Gjoni 5:12 thuhet ekzaktësisht kështu” Ai që ka Birin, ka jetën; ai që nuk ka Birin e Perëndisë, nuk ka jetën.” (1 Gjoni 5:12)

Pasi njerëzimi kishte rënë, ishte e pamundur për ne, ta lidhnim veten me logjikën dhe jetën e universit. Ne nuk mund të arrinim aq lart ku është Ai, kështu që Ai zbriti poshtë tek ne. Ne nuk mund të bëheshim si Ai, kështu që Ai u bë si ne. Ne nuk do ta kishim kuptuar asnjëherë me mendjen tonë, këtë të vërtetë që ndriçon gjithmonë, po të mos ishte për faktin që Ai zbriti, u bë njeri që çdo njeri ta shikonte, e që Ai të fliste fjalë që mund të dëgjoheshin, e të bënte mrekulli që çdo njeri mund t’i admironte. Jeta e pakufishme prej së cilës ne jemi ndarë (për hatër të mëkatit tonë), hyri në botën e mëkatit dhe të vdekjes, me qëllim që të na shpëtonte ne.

Vetëm Jezusi është i përjetshëm. Jezusi është Fjala e përjetshme, i Cili u bë mish. Mos debato kundër Tij. Përkundrazi, pranoje Atë dhe besoji Atij. Mbaji në zemër këto fjalë të Jezusit tek Gjoni 3:16

Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.

Këtu e kemi mbyllur temën tonë misteri pas grazhdit. Shpresoj t’ju ketë nxitur të mendoni seriozisht për Jezusin dhe shpëtimin që ofron Ai. Deri herën e ardhshme mirë u dëgjofshim!