Ndihem i sigurt

Print

Titulli: Ndihem i sigurt (pjesa 2)

Kam privilegjin të kaloj këtë kohë me ju duke diskutuar për shkrimet. Them diskutoj sepse temat tona janë burim diskutimi në ambientet tuaja teksa pini një kafe apo shkëmbeni ide me miqtë tuaj. ju falënderoj qe keni zgjedhur shoqërinë e programit tone.

Mendoj se duhet ta sqaroj se ekzistojnë lloje të ndryshëm lotësh.

Për siguri, po themi se ka lot gëzimi dhe hareje, lot që na dalin kur jemi të lumtur. Por lotët që derdhim në kohë vështirësie ndryshojnë. Mund të ketë lot për dhimbje fizike;çdo fëmijë i njeh ato.

Por ka edhe lot për shqetësimin e thellë që kemi për të dashurit tanë; prindërit i njohin mirë këto lot.

Gjithashtu kemi lot brengosjeje dhe hidhërimi; çdo njeri që ka humbur një person të dashur i njeh ato.

Po kështu ka lot frike, se barra e jetës po bëhet e rëndë për t’u mbajtur, e kam fjalën për atë frikë kur e ardhmja duket se do të jetë më e vështirë se e tashmja. Unë i kam parë të gjitha këto.

Dhe duhet të them se shumë prej këtyre lotëve i kam derdhur edhe unë.

Por në thelb të tyre është fakti që trumbeton me të madhe: “Jam i frikësuar sepse nuk ndihem i sigurt!” gjërat që po ndodhin më kërcënojnë.

Dhimbje, dështim, armiq, kërcënime pa fund.

Ndoshta e ke vënë re se njerëz të ndryshëm lotojnë ndryshe.

Disa madje janë në siklet për hir të lotëve, i vjen turp të qajnë, sepse mendojnë se lotët janë shenjë e dobësisë së karakterit, apo besimit të tyre. Pra shpesh njerëz vijën në zyrën time për këshillim dhe kur ai apo ajo derdh lot, fjalët e para që thonë janë: “më fal….” sikur lotët të ishin diçka që duhet kërkuar falje.

Ne mbajmë kaq shumë lot përbrenda dhe, vuajmë në heshtje.

Por Bibla na mëson, në përgjithësi, por edhe tek ky psalm i Davidit se lotët janë diçka e mirë.

Davidi nuk kërkon falje fare, as Perëndisë, as neve dhe as të tjerëve.

Nga ana tjetër as Jezusi nuk pati turp të lotonte, Zoti qau me miqtë e vet në vdekjen e Llazarit, qau me dishepujt, për fatin e Jeruzalemit. Askush nuk e shikon të nevojshme të kërkojë ndjesë këtu. Prandaj nëse ti je ndër ata persona që të shoqërojnë lotët, ky psalm është për ty. Ky është një psalm që i pranon haptazi lotët, dhe më pas na jep shpresë dhe siguri në mes të frikës.

Siç e shihni, në këtë psalm, Davidi nuk po na mëson thjesht se lotët janë diçka e mirë, se janë të natyrshëm, se Perëndia nuk e ka problem, edhe pse ata janë të vërtetë. Ai nuk po thotë njëlloj si disa miq që mundohen të thonë, “vazhdo qaj, të bën mirë, leri lotët të rrjedhin, do të ndihesh më mirë më pas.

Unë mendoj se qëllimi i këtij psalmi është më shumë se kaq. Davidi po dëshmon faktin se ai gjeti siguri në mes të frikës së tij, dhe ky mesazh vlen edhe për ty. Ti edhe unë mund të ndihemi të sigurt edhe mes lotëve. Mendoj se ai e shpjegon këtë në shumë mënyra.

Së pari, ai e shpreh sigurinë e tij duke na treguar se çfarë ndodh me lotët e tij dhe lotët tona, kur i sjellim ato para Perëndisë.

Për ta kuptuar më mirë këtë dua t’i kthehemi vargut tetë që dëgjuat më lart.

Në atë varg, ai thotë se Perëndia e regjistron vajtimin e Davidit, dhe i numëron lotët e tij në dorëshkrimin e tij…. Për ne sot këto fjalë mund të duken të çuditshme, por më lejo që të të tregoj disa përkthime të tjera të Biblës, të cilat do të na qartësojnë më shumë.

Një prej përkthimeve thotë: “Ti i ke numëruar hapat e bredhjes sime i ke vendosur lotët e mi në çalikun tënd. A nuk i ke regjistruar në librin tënd?” (sipas versionit standard të Biblës. NRSV)

Por Euxhin Pitërson në Biblën “Mesazhi” (The Message Eugene Peterson) shprehet  në një gjuhë moderne, “ti e ke regjistruar çdo bredhje timen dhe çdo përpëlitje në netët pa gjumë, çdo lot ka hyrë në librin tënd të llogarive, çdo dhimbje është shkruar në librin tënd.”

Siç e dini në antikitet, veçanërisht në kohët romake, “çalikët e lotëve” ishin të zakonshme.

Vajtuesit mbushnin gota të vogla, apo filxhanë të vegjël me lot dhe i vendosnin ato mbi varre, si simbole të dashurisë dhe respektit.

Ndonjëherë, gratë punonin si vajtuese me pagesë, për të shoqëruar procesionin e funeralit duke qarë në këto kupa.

Sa më shumë lot dhe vajtim të kishte, aq më i rëndësishëm mendohej se ishte i ndjeri.

Në kohë lufte, gratë thuhet se i derdhnin lotët e tyre në këto çalikë dhe i ruanin ato derisa bashkëshorti të kthehej prej beteje.

Lotët e mbledhura, do t’i tregonin të dashurit të tyre se sa shumë i kishte munguar ai.

Pra këto çalikë lotësh, apo çalikë vere, apo siç quheshin asokohe lotsjellës, ishin shumë të zakonshëm.

Pra në fjalët e Davidit ka dy gjëra të rëndësishme.

E para është se lotët janë të çmuar. Jo vetëm kanë kuptim kur kalojmë kohë të vështira në jetë, kur ndihemi të pasigurt, por ata janë edhe të çmuar. Lotët nuk duhen përmbajtur, por duhen vlerësuar si një reagim i shëndetshëm dhe legjitim ndaj dhimbjes së jetës.

Por diçka tjetër e rëndësishme këtu është pikëpamja e Perëndisë që Davidi po përcjell.

Perëndia në natyrën e tij i ve re gjërat, ai dhuron dashuri dhe dhembshuri.

Besoj se edhe ti si të gjithë njerëzit e tjerë, ke takuar njerëz që nuk dinë se çfarë të bëjnë kur të shikojnë duke qarë, prandaj ata sillen çuditshëm, dhe ti në fakt nuk arrin ta kuptosh arsyen përse, ndoshta sepse nuk dinë çfarë të bëjnë, apo në të vërtetë nuk duan t’ia dinë për ty.

Me Perëndinë kjo nuk ndodh asnjëherë.

Davidi po na tregon se ky është Perëndia që preket dhe ka dhembshuri për lotët tanë, një Perëndi që ndjen, Ai jo vetëm që i vë re lotët, por preket, ka dhembshuri, aq sa edhe reagon përballë lotëve tanë.

Dëgjoni çfarë thotë Davidi, ” Ti i ke numëruar hapat e bredhjes sime; vendosi lotët e mia në calikun tënd; a nuk i ke regjistruar në librin tënd?”

Pyes veten se çfarë koncepti ke ti në mendje dhe në zemër për Perëndinë.

Shpresoj të mos e mendosh Perëndinë si një hyjni të largët që nuk preket prej nevojave tona dhe lotëve tanë.

Shpresoj se e mendon si Perëndinë e Davidit, që mban shënim çdo ndjenjë frike që ke ti, çdo lot që derdh dhe gjithë bredhjet dhe përpëlitje tua gjatë natës së kaluar.

Nëse ke këtë pamje në mendje tënde për Perëndinë, atëherë je në rrugën e duhur, të gjetjes së sigurisë në mes të frikës tënde.

Këtu do të ndahemi për sot. Por mos harroni të na ndiqni sërish herën e ardhshme sepse do të flasim për besimin. Zoti ju bekoftë dhe mirë u dëgjofshim!

Add a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *