A ndodhin mrekullitë sot?

Titulli: A ndodhin mrekullitë sot? (pjesa 2)

Kjo nuk është vetëm një pyetje abstrakte, që debatojnë studiuesit. Është urgjente dhe praktike. Nëse dikush është paralizuar në një aksident, a duhet që të pranojnë gjendjen e vet, apo duhet së pari t’i lutet Perëndisë për një mrekulli? Dhe nëse kërkon një mrekulli a duhet të presë që Perëndia të shërojë paralizën në çast?

A është e gabuar që ky person të mendojë se Perëndia mund të mos bëjë mrekullinë që ai po i kërkon. A do të jetë mungesë besimi në rast se ky person nuk pret një mrekulli?

Pasojat e një gabimi në çdonjërin drejtim do të ishin serioze. Nëse ky person pret pak, ai apo ajo, mund të humbasë një mrekulli dhe një trup të shëndetshëm që mund të kishte qenë i saj. Por në rast se pret shumë, në rast se kërkon një mrekulli atje ku nuk ka garanci, atëherë ai apo ajo, ose do të akuzojë Perëndinë që nuk është shfaqur, ose mund të akuzojë veten që nuk ka pasur besimin e duhur që mrekullia të ndodhte.

Kjo është gjithashtu një pyetje urgjente për pastorët, mësuesit, prindërit dhe tërë ata që janë në drejtim. Kur ne lexojmë për mrekullitë biblike, çfarë duhet tu thonë pastorët dëgjuesve? Çfarë duhet tu thonë prindërit fëmijëve? A duhet të përdorim historitë për të ilustruar, të vërteta doktrinore, apo përshkrime morale, ndërsa dërgojmë një mesazh të qartë, që ne nuk duhet të presim mrekulli të tilla sot? Kjo duhet të jetë qasja më e mirë sot.

Mund të jetë qasja më e mirë nëse jemi të sigurt se Perëndia nuk bën asnjëherë mrekulli si këto, në kohën tonë. Por në rast se mrekulli si këto ndodhin ende, a nuk do të vidhnin kështu pastorët dhe prindërit lavdinë e Perëndisë dhe do t’i linin njerëzit pa bekimet që mund të bëheshin të tyret nëse këta do të luteshin për to?

Nga ana tjetër, nëse mrekullitë nuk ndodhin më, atëherë do të ishte gabim dhe mizore të nxisësh njerëzit, përfshi këtu edhe fëmijët, që të kërkojnë mrekulli. Mund të jetë shkatërruese për njerëzit, sidomos për fëmijët, që të ngrenë shpresa, që do të shkatërrohen më pas.

Nëse mrekullitë nuk ndodhin asnjëherë, më e mira do ishte ta thoshim këtë, kështu do të ndihmonim njerëzit të bashkëpunonin me gjendjen e tyre dhe të kishin pritje të arsyeshme, në vend që ti drejtonim ata në një tatëpjetë shpresash të rreme.

A ndodhin mrekullitë ende sot? Në studimin e Biblës, nuk gjej diçka në Shkrime që thotë se mrekullitë nuk mund të ndodhin sot. Njëkohësisht, nuk gjej asnjë garanci që mrekullitë duhet të ndodhin në çdo zonë dhe për çdo person, që ka besim mjaft. Mrekullitë janë vepra të veçanta të Perëndisë, dhe Perëndia nuk është i detyruar prej asnjë ideje njerëzore se çfarë duhet të bëjë apo nuk duhet të bëjë.

Nëse Perëndia dëshiron që ta bëjë të paralizuarin të ecë apo të shërojë të verbrin, a të ngrejë dikë prej së vdekurish, ai mund ta bëjë këtë. Në anën tjetër, Perëndia është i lirë të mos bëjë mrekulli nëse Ai vendos kështu në urtësinë e Tij, pavarësisht se sa sinqerisht i luten njerëzit e besimit për një mrekulli.

Unë besoj se mrekullitë mund të ndodhin sot, por vetëm kur Perëndia zgjedh t’i bëjë. Mrekullitë nuk i bëjmë ne dhe ato nuk bazohet te fakti se sa shumë i dëshirojmë apo i besojmë ne ato. Mrekullitë sot nuk janë të pamundura, por mrekullitë nuk janë të garantuara në çdo situatë.

Dëshirimi i mrekullive

Disa njerëz që besojnë te Bibla, mendojnë se nuk duhet të dëshirojmë apo të presim sot mrekulli të atij lloji që përshkruhet në Bibël. Ata besojnë se mrekullitë biblike ndodhën me të vërtetë; ata nuk janë si skeptikët laikë që mohojnë se mrekullitë mund të ndodhin. Këta të krishterë të sinqertë nuk i mohojnë shenjat dhe mrekullitë mbinatyrore të regjistruara në Bibël; ata thjesht mohojnë se këto gjëra mund të ndodhin në kohën tonë. Ata mendojnë se ato gjëra ishin për një kohë dhe qëllim të caktuar. Mrekullitë ishin shenja për të vlerësuar mesazhin e profetëve dhe apostujve dhe për të demonstruar që Jezusi është Perëndi, po ashtu edhe njeri. Por tani që Jezusi e ka zbuluar Perëndinë në trajtë njerëzore, dhe ka bërë gjithçka të nevojshme për shpëtimin tonë dhe tani që zbulesa e shkruar e Perëndisë në Bibël, është e plotë, nuk ka qëllim tjetër për shenja dhe mrekulli.

Disa prej mësuesve më të mirë dhe më të perëndishëm të kishës së krishterë, kanë pasur këtë këndvështrim kështu që le të mos anashkalojmë të mirat që ka. Ky qëndrim është i drejtë, për të theksuar natyrën unike të Jezusit, statusin e veçantë të profetëve dhe të apostujve të cilët Perëndia i përdori për të vendosur themelet e kishës dhe plotësinë e zbulesës biblike. Është mençuri të mos habitesh prej çdo njeriu që pretendon se është një mrekulli bërës, veçanërisht të atyre që përdorin mrekullitë për publicitet dhe ngritje fondesh. Po ashtu, është mençuri të mos i besosh të ashtu quajturave mrekulli të “një fjale njohurie” e cila bie ndesh me Biblën apo pohimet që i shtojnë diçka tjetër Biblës.

Njerëzit që besojnë se mrekullitë ndaluan kur Bibla u kompletua, kanë të drejtë për shumë gjëra, gjithsesi mund ta të jenë gabim në një pikë: se lënë jashtë jetës së tyre mrekullitë e kohës së vet. Ata mund të jenë mangët në lirinë dhe fuqinë e Perëndisë.

Në Dhjatën e Re, Jezusi dhe dymbëdhjetë dishepujt nuk ishin të vetmit që bënë mrekulli. Ata kishin fuqi më shumë se çdo tjetër, në ruajtjen e vendit të tyre themelor në planin e Perëndisë, por edhe disa të krishterë të tjerë bënë mrekulli. Një herë Jezusi caktoi 72 njerëz dhe i dërgoi ata dy nga dy me urdhrat për të shëruar dhe shpallur mbretërinë e Perëndisë. (Luka 10:9) Pasi Jezusi vdiq dhe u ngrit dhe u kthye në qiell, mrekullitë vazhduan me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. “Dhe shumë shenja dhe mrekulli bëheshin në mes të popullit nëpërmjet duarve të apostujve” (Veprat 5:12), përfshi disa shërime të mrekullueshme dhe disa forma ringjalljesh prej së vdekurish (Veprat 9:40; 20:10), por apostujt nuk ishin të vetmit që bënë mrekulli. Stefani nuk ishte një prej dymbëdhjetë apostujve, por ishte një “plot besim dhe fuqi, bënte mrekulli dhe shenja të mëdha nëpër popull” (Veprat 6:8) Filipi nuk ishte një apostull por bëri “shenja të mrekullueshme”. (Veprat 8:7-8) Perëndia bëri mrekulli mes të krishterëve të Galatisë. (Galatasve 3:5) Bibla vetë tregon që mrekullitë nuk ishin vetëm të Jezusit, apostujve, dhe shkruesve biblikë.

Gjymtyrët e trupit të kishës përfshinin ” vepra të fuqishme; pastaj dhuntitë e shërimit “. (1 Korintasve 12:28)

Perëndia nuk thotë se Ai i kufizon mrekullitë dhe shërimet vetëm në kohët e Biblës. Perëndia i Cili bëri mrekulli atëherë është i njëjti edhe sot. Edhe sikur të mos ketë pasur shumë mrekulli në kohën dhe vendin tënd, kjo nuk është provë se mrekullitë nuk mund të ndodhin. Në të vërtetë, kujtimi i mrekullive të mëparshme mund të zgjojë një shpresë të re për shfaqje e mrekulli të reja të fuqisë së Perëndisë.

Një njeri që quhej Asaf po kalonte një kohë të vështirë në historinë e Izraelit kur shkroi Psalmin 77. Ndonjëherë dukej sikur Perëndia kishte hequr dorë prej popullit të Tij. Situata e tyre, dukej e pashpresë. Si u përgjigj Asafi? Së pari, ai u kthye mbrapa në histori dhe tha: “Do t’i kujtoj veprat e Zotit; po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve të kaluara,” (Psalmi 77:11) Më pas ai i kujtoi vetes se i njëjti Perëndi që bëri ato mrekulli është ende gjallë dhe i mirë. “Kush është kaq i madh sa Perëndia ynë?” pyeti ai i mahnitur. “Ti je Perëndia që kryen mrekulli.” (Psalmi 77:14) Asafi nuk i besoi thjesht në një Perëndie i cili kreu mrekulli kohë më parë, por në një Perëndi i Cili kryen mrekulli sa herë që i pëlqen kështu.

Këtu minutave tona u ka ardhur fundi për sot, herën e ardhshme do të vazhdojmë sërish me temën a ndodhin mrekullitë sot? N ë mënyrë të veçantë do të ndalemi te pranimi i vullnetit të Perëndisë. Çfarë bëjmë kur Perëndia zgjedh të mos e bëjë një mrekulli, por na le në gjendjen që jemi?

Komente

komente