A ndodhin mrekullitë sot?

Titulli: A ndodhin mrekullitë sot? (pjesa 3)

Bibla thotë, “Dëshironi fort dhuntitë shpirtërore” (1 Korintasve 14:1) Mrekullitë dhe shërimet janë ndër dhuntitë e Frymës së Shenjtë, ndaj a nuk duhet të kërkojmë me gjithë zemër ato, në vend që të shpjegojmë a ekzistojnë apo jo mrekullitë?

Mrekullitë dhe shërimet nuk janë të vetmet dhurata të Frymës së Shenjtë që përmenden në Shkrime, ka të tjera, disa më të larta se këto, por mrekullitë dhe shërimet janë të mundshme dhe tepër të dëshirueshme. Le të mos e ndrydhim dëshirën tonë për të parë veprat e fuqishme të Perëndisë.

Në vend të kësaj, le t’i afrohemi Zotit dhe t’i themi, “Ti je Perëndia që bën mrekulli.” (Psalmi 77:14) Ashtu si kisha e hershme, le të lutemi “duke e shtrirë dorën tënde për të shëruar dhe që të kryhen shenja dhe mrekulli në emër të Birit tënd të shenjtë, Jezusit'” (Veprat 4:30)

Pranimi i vullnetit të Zotit

Disa të krishterë jo vetëm që dëshirojnë mrekullitë, dhe mendojnë se ato janë të mundura, por ata mendojnë se një mrekulli duhet të ndodhë sa herë një person beson mjaftueshëm. Ata mendojnë se Perëndia i garanton mrekulli çdo njeriu që është në udhën e duhur të besimit dhe, e vetmja gjë që mund të parandalojë një mrekulli është mungesa e besimit. Nëse kisha jote nuk shpërthen prej mrekullive, diçka nuk shkon. Nëse ke një sëmundje dhe nuk shërohesh, ti apo dikush pranë teje nuk ka mjaftueshëm besim, ose duhet të ketë një mëkat të fshehur, që parandalon që ti të marrësh mrekullinë që po të ishte ndryshe Perëndia do ta jepte ty.

Unë e vlerësoj theksimin mbi fuqinë e Perëndisë dhe mbi faktin që Ai është gjallë dhe veprues pikërisht tani. Unë e vlerësoj thirrjen që të jem më i fortë në besim dhe që të pres gjëra më të mëdha prej Perëndisë. Por shumë njerëz nga zelli për të pasur mrekulli, kanë kaluar në ekstreme, që janë jobiblike dhe të dëmshme.

Një burrë kishte kancer. Ai dhe njerëzit e afërt, besonin në mrekulli.  Edhe pse trajtimet dështuan, ata vazhduan t’i luteshin Perëndisë për një mrekulli shërimi. Mrekullia nuk ndodhi. Ai u sëmur më keq. Në fund ai vdiq. Ai shkoi në varr duke akuzuar veten. Fakti ishte se ai mendonte se nuk kishte mjaftueshëm besim për tu shëruar. Vajza e këtij burri u bë aq keq, sa arriti në pikën që u sëmur mendërisht. Fillimisht ajo e akuzoi veten, se e kishte bllokuar ajo fuqinë shëruese të Perëndisë. Ajo nuk dinte një mëkat të veçantë, dhe kishte besuar shumë për një mrekulli, por nëse babai i saj vdiste, kjo do të thoshte se dikush nuk ishte mirë me Perëndinë, dhe ajo mendoi se duhet të ishte ajo.

Kam njohur njerëz të paralizuar të afërmit e të cilëve ishin fanatikë të mrekullive. Këta të paralizuar ishin njerëz të perëndishëm që u lutën me besim për një shërim që vetëm Perëndia mund ta bënte. Por Perëndia lejoi që ata të mbeteshin të paralizuar, kështu që ata e pranuan vullnetin e Perëndisë.

Ata kuptuan se shërimi do të ndodhte më në fund kur Jezusi të kthehej dhe tu jepte atyre trupat e mrekullueshëm të ringjalljes. Mendoj se kishin të drejtë. Ka një kohë që duhet lutur për mrekulli, ka një kohë që duhet pranuar edhe një jo si përgjigje dhe të bësh maksimumin në gjendjen që Perëndia të ka lënë. Por njerëzit që përmenda më lart kishin të afërm të cilët ngulmonin se ata mund të ecnin sërish, po të kishin mjaftueshëm besim. Këta të afërm, vazhdonin t’i mërzisnin ata që të besonin më shumë, si edhe të shkonin pas shëruesve të ndryshëm të besimit. Kjo është e gabuar dhe mizore.

Bibla nuk garanton një mrekulli për çdo njeri që ka besim mjaftueshëm. Bibla nuk garanton shërim të menjëhershëm për këdo që ka një raport të mirë me Perëndinë. Edhe njerëzit të cilët kanë fuqinë mrekullibërëse në një kohë të caktuar, mund të ndodhë të mos e kenë në një kohë tjetër.

Ja se çfarë thotë apostulli Pal. Shkrimi thotë “Dhe Perëndia bënte mrekulli të jashtëzakonshme me anë të duarve të Palit,” (Veprat 19:11) Pali shëroi njerëzit prej sëmundjeve, bëri të çalët të ecnin sërish, madje edhe ringjalli një djalosh që u vra kur rra nga dritarja (Veprat 20:9-10) Por Pali vetë kishte një problem në trup kur predikoi në Galati, që ai nuk mund ta shëronte (Galatasve 4:13-14). Pali kishte një mundim që ai e quajti”një gjemb në mish.” Tri herë ai iu lut Perëndisë që t’ia largonte, por Perëndia nuk e bëri. Perëndia i dha atij hir për të bashkëpunuar me të, por nuk ia largoi. (2 Korintasve 12:7-9)

Timoteu, miku i Palit, dhe njëkohësisht pastor kishte probleme me stomakun dhe sëmundje të vazhdueshëm që nuk mund të shëroheshin përmes asnjë mrekullie. (1 Timoteu 5:23) Epafroditi, miku i Palit sa nuk vdiq nga një sëmundje, por më vonë ai u shërua gradualisht, jo përmes një mrekullie. (Fil. 2:26-27) Kur Pali po udhëtonte, ai duhet të linte pas kolegun e tij Trofimin për shkak të një sëmundjeje.(2 Tim. 4:20) Nga të gjitha këto raste është e qartë se Perëndia disa herë bëri mrekulli për Palin dhe herë të tjera nuk bëri. Kur Ai nuk bëri, nuk ishte për faj të Palit, se ky nuk kishte mjaftueshëm besim apo nuk lutej si duhej, por sepse kështu kishte vendosur Perëndia. Ne mund të besojmë se Perëndia bën mrekulli edhe sot, por le të mos mendojmë se mrekullitë janë automatike për këdo që beson fort.

Le të mos e ngatërrojmë besimin e madh me mendimin e marrë se gjithçka që e dëshirojmë fort dhe e kërkojmë me besim mund ta marrim. Psikologët e sporteve i mësojnë atletët që të besojnë në vete dhe ta shohin veten si fitues.  Një lojtar futbolli duhet ta imagjinojë veten sikur po bën golin e fitores për skuadrën e tij. Një gjimnaste e zonja duhet ta mendojë veten sikur bën një kërcim të paparë dhe ka një ulje mbresëlënëse në tokë. Këto hile të mendimeve mund t’i bëjnë atletët më të suksesshëm duke i shmangur problemet që mund të vijnë nga nervat apo mungesa e sigurisë  në vete. Por këto vizualizime dhe mendime për veten nuk janë besimi i vërtetë. Besimi i vërtetë është ai që beson se Perëndia do të bëjë më të mirën. Besim do të thotë të jesh i sigurt për fuqinë dhe urtësinë e Perëndisë. Nëse Perëndia të jep një ndjenjë sigurie që një mrekulli e caktuar do të ndodhë, ai besim do të realizohet. Por besimi nuk është një hile e mendjes. Besim nuk do të thotë të frysh në mendje nivelin e sigurisë që Perëndia do ta plotësojë dëshirën tënde të fortë, nëse e dëshiron fort atë dhe e beson aq fort sa duhet.

Do të vijë një kohë kur çdo lot do të thahet dhe tërë lëndimet do të shërohen. Deri atëherë, Perëndia jep disa shërime të mrekullueshme nëpërmjet mënyrave graduale, ai madje mund të bëjë mrekulli të mëdha për të na bërë të shijojmë një grimë të shërimit përfundimtar. Por ne nuk jemi duke jetuar ende qiellin në tokë. Besimi i vërtetë është i bindur për rezultatin final, edhe pse mund të jetë i bindur për rezultatin e menjëhershëm. Besimi i vërtetë i beson vullnetit të Perëndisë, edhe pse mund të mos jetë gjithmonë i sigurt se si do të jetë vullneti i Perëndisë.

Për një ecje të shëndetshme me Perëndinë dhe një qëndrim të ekuilibruar ndaj mrekullive, duhet ë shmangim vendosjen e pritjeve më të vogla se ato që Perëndia hap për ne.

Po ashtu duhet të shmangim supozimin se Perëndia do ta bëjë një mrekulli nëse ne e dëshirojmë fort atë.

Besimi i vërtetë ka siguri se Perëndia mund të bëjë gjithçka që vendos të bëjë, dhe dëshirën për të pranuar gjithçka që Ai vendos. Nëse kemi qenë duke pritur shumë pak, ne mund t’i themi Zotit fjalët që apostujt thanë dikur: ” Na e shto besimin” (Luka 17:5). Nëse mendojmë se Perëndia duhet të bëjë ato mrekullitë që duam ne, që të kursejmë dhimbjen më mirë le të lutemi ashtu siç u lut Jezusi dikur: “Mos u bëftë vullneti im por i yti.”

Komente

komente