Ne jemi pluhur

Titulli: Ne jemi pluhur (pjesa 2)

Psalmisti lavdëron Perëndinë. Për të qenë të sinqertë, Psalmisti na sjell nga lartësitë e lavdërimit te thellësitë e pluhurit.

Ne jemi pluhur. Shumë prej nesh mundohen të shmangim këtë të vërtetë të pakëndshme. Ne fokusohemi në gjërat pozitive duke shmangur gjërat negative. Kur shëndeti im ishte mirë, kur fëmijët lindën gjallë dhe merrnin frymë, sigurisht që ishte e lehtë t’i këndoja lavdërime Perëndisë. Kur puna jote është e mbushur me mirënjohje dhe promovime, kur bashkëshortja jote të do dhe gatuan ushqimet më të mira për ty,kur djali yt është lojtari më i mirë i skuadrës, kur kimioterapia funksionon, kur trajtimet e infertilitetit japin rezultate, kur ti kalon atë provimin që kishe frikë, kur ke paguar të gjitha faturat, kur ke hequr edhe telat e dhëmbëve, kur çatia e re është përfunduar, ATËHERË ti e ke të lehtë të lavdërosh Perëndinë. “Harroji gjërat negative,” thonë shumë njerëz. Disa të tjerë madje këndojnë atë që artistët mund të kenë shkruar apo kënduar: “Dielli nesër do të dalë, nesër, nesër hidh bast edhe paratë e fundit tek e nesërmja. ” Ose kjo tjetra, “Mos e vrit mendjen, bëj qejf,” apo ajo thënia tjetër që thotë se: ajo që ka për të ndodhur, do të ndodhë, (ke sara, sara)” A po thotë edhe psalmisti të njëjtën gjë?

Për shumë vite unë e kam lexuar këtë psalm kështu. Teksa kam luftuar me sëmundjet e mia, jam hidhëruar për vdekjen e vajzës pa lindur ende, dhe kam pyetur Perëndinë nëse ai do të na bekonte sërish me një shtatzëni të shëndetshme. Unë thjesht i jam lutur Perëndisë dhe kam pritur që kohë më të mira të vijnë.

Por Psalmisti nuk bën këtë gjë! Fjalët e psalmit na tërheqin në një drejtim krejt tjetër, në një drejtim edhe më të thellë. Psalmisti nuk kënaqet me lartësitë e thjeshta të lavdërimit, që vijnë gjatë kohërave të mira. Ai dëshiron të shkojë me thellë. Ai dëshiron të na sjellë te lavdërimi i thellë dhe i vërtetë, që vjen vetëm atëherë kur kemi zbritur në thellësitë e fatalitetit njerëzor, që të mund të shohim natyrën hyjnore të Perëndisë.

Psalmi thotë se Perëndia ynë ka dhembshuri për ne, sepse ne jemi pluhur. Fjalët e lavdërimit nuk janë për hir të faktit se dhimbja dhe vuajtja është larguar. Por nuk ka fjalë lavdërimi sepse mungon dhimbja, por në vend të tyre na jepen fjalë lavdërimi sepse Perëndia e kalon dhimbjen dhe vuajtjen tonë përmes planit të Tij hyjnor të shpëtimit. Perëndia e di se ne jemi thjesht si ai bari i thatë dhe lulet e fushës që era i merr me vete, dhe prej “nesh nuk kujtohet më asgjë.”

E thënë thjesht, nëse do të varej prej nesh, lartësitë e lavdërimit do të vijnë dhe do të ikin në varësi të rrethanave. Nëse në fund, ne kemi pasur lavdërim vetëm në kohërat e mira, atëherë do të vijë një ditë, si çdo gjë tjetër njerëzore, do të kthehet në pluhur.

Gjithsesi, me një Perëndinë si ky i yni, që na njeh se cilët jemi e si jemi formuar, dhe që kujdeset për ne, gjërat janë shumë ndryshe.

Ai merr lavdërimin tonë prej lartësive, por njëkohësisht na jep një zë për një lavdërim të thellë që vjen nga rrënjët e thella të besimit tonë. Me Perëndinë çdo gjë është më e thellë, madje edhe lavdërimi ynë. Dëgjo tani pjesën e mbetur të psalmit:

17 Por mirësia e Zotit vazhdon nga përjetësia në përjetësi për ata që kanë frikë prej tij, dhe drejtësia e tij për bijtë e bijve,

18  për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe mbajnë në mendje urdhërimet e tij për t’i zbatuar në praktikë.

19  Zoti e ka vendosur fronin e tij në qiejt, dhe mbretërimi i tij sundon mbi gjithçka.

20  Bekoni Zotin ju, engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai, duke iu bindur zërit të fjalës së tij.

21  Bekoni Zotin, ju, tërë ushtritë e tij, ju, tërë ministrat e tij, që zbatoni vullnetin e tij.

22  Bekoni Zotin, ju, të gjitha veprat e tij, në të tëra vendet e sundimit të tij. Shpirti im, beko Zotin!

Lavdërimi i thellë vjen kur ne dëgjojmë atë fjalën e madhe hyjnore “por” të Zotit tonë. Po, Perëndia e di se ne jemi pluhur, POR, Ai është në lëvizje, duke na dhënë dashurinë dhe drejtësinë e Tij. Ai sjell lavdërim edhe prej thellësive sepse Ai zbret në thellësitë tona, në vendin tonë, në Jezus Krishtin.

Po, po, Psalmi flet për gropën, për mëkatin, për sëmundjen; ai flet hapur për vdekjen vuajtjen, me të vetmin qëllim që ne të kuptojmë realitetin më të madh të shpëtimit hyjnor përmes Krishtit. Sikurse Apostulli Pal e thotë te Romakëve 8: “Nëse Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?”

Ndoshta shumë prej jush nuk e besojnë këtë. Ndoshta ti je ende në gropën e dëshpërimit, “rrotat të kanë rënë” dhe ti ke ngecur në vend.

A nuk është e vërtetë se disa prej nesh qëndrojnë në gropën e mëkatit, dhe disa sëmundje nuk shërohen, madje sjellin vdekjen? Po, vajza jonë Anxhela ka vdekur. Ndoshta dhimbja ende nuk të është larguar. Tumoret e mi janë larguar, por unë kam ende EKG-të vjetore, çka tregon mundësinë e kthimit të tumoreve në çdo kohë. Ndoshta ti ke frikë se puna jote do të mbyllet në një kohë të caktuar. Unë jam ende i shurdhët në njërin vesh dhe ekuilibri im nuk do të jetë më i plotë.

Ndoshta edhe jeta jote mund të ketë dalë prej ekuilibrit. Po dhimbja, betejat e jetës,dhe vdekja janë shumë reale. Por dhimbja, dëshpërimi, vdekja dhe pluhuri që ne përballim nuk e ka fjalën e fundit. Në vend të kësaj, fjala e fundit është një fjalë lavdërimi për realitetin e ri të shpëtimit në Krishtin.

Ky është një realitet i ri që psalmisti thekson. Po është e vërtetë se burra, gra, fëmijë vazhdojnë të vdesin, mëkati ende na infekton dhe na ndikon të gjithëve. Por Perëndia është në veprim për të sjellë një realitet më të fuqishëm që përmbushet në Krishtin. Psalmisti e dinte se Perëndia po përshpejtonte planin e Tij të shpëtimit, kështu që në lavdërimin e tij të lartë dhe të thellë, ai po pret me padurim përmbushjen e premtimit të lartë dhe të thellë.

Por atë që psalmisti dikur mund ta priste me padurim, pa e parë qartë se çfarë do të ishte, ne sot e shohim qartë në Krishtin.

Ne i njohim lartësitë dhe thellësitë e lavdërimit në Krishtin Jezus.

Edhe një herë do të kthehemi te fjalët e Palit, te Romakëve 8, që tregojnë përmbushjen e lavdërimit kur shikon me shpresë te e ardhmja. Atje ne lexojmë:

“38 Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme,

39 as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë.”

A i njeh lartësitë e lavdërimit që vijnë prej mirësisë së Perëndisë në Krishtin? Atëherë këndo me psalmistin!

Ai i njeh thellësitë e lavdërimit që vijnë nga thellësia e gropës së pluhurit? Atëherë ngjitu në thellësitë e qiellit në Jezus Krishtin, duke lavdëruar Zotin. Në Krishtin asgjë nuk mund të ndajë ty prej lavdërimit. Këndo me psalmistin, i them vetes sa e sa herë. Lavdëroje Perëndinë me gjithë qenien. Lavdëroje Perëndinë në mes të lartësive dhe thellësive!

Komente

komente