Një lutje ndarëse

Titulli: Një lutje ndarëse (pjesa 2)

Unë i lutem Zotit familja e të Cilit përfshin qiellin dhe tokën, një familje që përfshin djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë e çdo ngjyre që jetojnë në këtë kontinent; një familje që përfshin turmat e njerëzve nga e kaluara e që tashmë jetojnë në lavdinë e qiellit; një familje që përfshin engjëjt dhe kryeengjëjt, kerubinët dhe serafinët. Çfarë familjeje, çfarë Ati!

Lutje për banesën e Krishtit

“Unë lutem që t’ju japë, sipas pasurisë së lavdisë së vet, të forcoheni me fuqi nëpërmjet Frymës të tij në njeriun e brendshëm, që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit.” Vetëm Perëndia mund ta realizojë këtë. Është e pamundur ta bëjmë përmes burimeve tona, por në Perëndinë mundemi. Fryma e Shenjtë nuk është një pushtet i turbullt që fshihet në çdo person e që mund ta gjejmë thjesht duke hetuar më thellë brenda vetes sonë. Fryma e Shenjtë është një person, personi i tretë i Trinitetit, së bashku me Perëndinë, Atin, dhe Krishtin, Birin. Të pasurit e Frymës nuk do të thotë se jemi në kontakt me veten, por me Perëndinë. Fryma e Shenjtë krijon besim. Ai na shkund prej vetëkënaqësisë dhe na bind për mëkatin tonë dhe për nevojën që kemi për falje.

Ai na bind për të vërtetën e Krishtit. Ai na sjell prej vdekjes në jetë. Ai krijon besimin e vërtetë dhe kur ky besim themelohet në ne, Ai na bën me dije për praninë e Tij dhe na rimodelon ne që Krishti të banojë në ne. Unë i lutem Atit, që përmes Frymës së Shenjtë, do ta bëjë zemrën tënde një banesë për Krishtin.

Unë i lutem Zotit jo për bekime të jashtme por për forcë të brendshme. “Predikuesit e prosperitetit” na thonë që ti besojmë fuqisë së Perëndisë për të na siguruar një makinë të re, një punë më të mirë, apo një shërim të mrekullueshëm. Perëndia ndoshta vepron kështu ndonjëherë, por sigurisht që këto nuk janë bekimet më të mëdha që Perëndia mund të japë ty. Ti je tepër i zënë në lutjet e tua, duke iu lutur Atij që të ndryshojë gjendjen e financave të tua, të ndryshojë familjen tënde, shëndetin tënd, dhe nuk gjen kohë të lutesh që Perëndia të ndryshojë ty. Në shumë raste, problemi më i madh që kemi, është se kemi shumë shqetësime të jashtme por pak forcë të brendshme. Në vend që ti kërkojmë Perëndisë ta lehtësojë situatën tonë, ndoshta nevoja më e madhe e jona është që Ai të forcojë personin tonë të brendshëm.

Bashkëpunimi me vështirësitë nuk është e vetmja arsye që ne kemi nevojë për forcë.

Arsyeja kryesore përse ne kemi nevojë për Krishtin është që Ai të banojë në zemrën tonë përmes besimit.

Nëse ti dëshiron të jesh një banesë për vetë Zotin Jezus Krisht, ti ke nevojë për një përforcim dhe rimodelim. Ashtu si një shtëpi ka nevojë për themele të forta që të mbajnë peshën e njerëzve dhe të krevateve, apo mobilieve të rënda, kështu edhe zemra jote ka nevojë për forcë që të mbajë peshën e pafundme të Krishtit që banon në ty. vetëm Fryma e Shenjtë mund të të japë ty kapacitetin dhe pushtetin për të qenë një banesë e Krishtit.

A nuk është e mrekullueshme që kur biri i përjetshëm i Perëndisë të vijë te ti të ndihet si në shtëpinë e tij! Nëse i beson Jezusit, atëherë Krishti që jeton në qiej, po kështu jeton edhe në ty, përmes besimit. Unë lutem që Ai të mbulojë qenien tënde me njohurinë e pranisë së Tij.

Kur Krishti banon në ty, kjo nuk është thjesht diçka teorike apo abstrakte, por është reale, dinamike dhe e lavdishme.

Është ndryshe të shikosh fotot e një plazhi, e krejt ndryshe të jesh realisht atje: të vështrosh i mahnitur hapësirën e gjerë të detit, të marrësh frymë, të dëgjosh spërklat dhe përplasjet e dallgëve, dhe thirrjet therëse të pulëbardhave, të ndiesh diellin e nxehtë mbi shpinë dhe rërën e ngrohtë mes gishtave të këmbëve dhe më pas zhytesh në ujë dhe të bësh një not çlodhës dhe freskues.

Besimi në Krishtin nuk është thjesht një çështje të vështruari por përfshin të jetuarit dhe të përjetuarit e pranisë, paqes dhe gëzimit të Krishtit që banon në ne.

Kjo përvojë e pranisë së Perëndisë në ne, nuk është e përkohshme, por një marrëdhënie që zgjat. Kur dy njerëz martohen, ata jetojnë në të njëjtën shtëpi. Nëse martesa e tyre është e shëndetshme, sa më shumë që rrinë bashkë, aq më shumë ndihen rehat në shoqërinë e njëri-tjetrit. Transferimi në një shtëpi të re merr një kohë të caktuar, por të ndjerit rehat me njerëzit e tjerë të  shtëpisë është një proces i gjatë që përmirësohet.

Në të njëjtën mënyrë, kur besojmë në Jezus Krishtin, Ai hyn në zemrat tona që në atë moment. Por nuk mbaron me kaq. Çdo ditë që kalon, Krishti ndihet gjithmonë e të mirë në shtëpinë tonë dhe ne jemi më të vëmendshëm për ta dëgjuar atë. Unë lutem që Krishti që banon në ty, të  ndihmojë ta njohësh atë sikurse Ai është, të duash atë që Ai do, të bësh atë që Ai do, derisa të jesh tërësisht i Tij!

Një lutje për dashuri

Në lutjen time për ju dua të lutem kështu: “Unë po i ul gjunjët e mi përpara Atit të Zotit tonë Jezu Krisht, nga i cili merr emër çdo familje në qiejt dhe mbi tokë, që t’ju japë, sipas pasurisë së lavdisë së vet, të forcoheni me fuqi nëpërmjet Frymës të tij në njeriun e brendshëm, që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit, që, të rrënjosur dhe të themeluar në dashuri, të mund të kuptoni me të gjithë shenjtorët cila është gjerësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia, dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë.”

Nëse do të duhej ta përshkruanim Perëndinë në një fjalë të vetme, cila do të ishte? DASHURI! Bibla thotë:” Perëndia është dashuri; dhe ai që qëndron në dashuri qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në të”. (1 Gjoni 4:16) Kur Krishti banon në ne, ne “rrënjosur dhe themeluar në dashuri.” Ashtu si një bimë që ushqehet prej tokës edhe ne ushqehemi prej rrënjëve që thellohen në tokën e pasur të dashurisë.

Ashtu si një ndërtesë që mbështet në themele të forta, edhe ne rrënjosemi në themelin e dashurisë.

Dashuria e pafundme e Perëndisë nuk është diçka që duhet ta kapësh vetëm por “së bashku e gjithë shenjtorët e tjerë”. Marrëdhënia me Krishtin është gjithmonë personale por asnjëherë private. Dashuria e Perëndisë është shumë herë më e madhe se sa përvoja jonë. Ti nuk je i vetmi që është prekur prej dashurisë së Tij. Shumë të krishterë të tjerë janë prekur prej dashurisë së tij dhe, vetëdija jote për dashurinë e Krishtit bëhet akoma më e madhe kur ti dëgjon historinë e personave të tjerë, kur ti kënaqesh me dashurinë e Perëndisë dhe u tregon edhe të tjerre se sa shumë i do Ai.

Kështu unë lutem që ti të thellosh lidhjet e tua me të krishterët e tjerë që së bashku të mund të njihni: “sa e gjerë dhe e gjatë, sa e lartë dhe e thellë është dashuria e Krishtit.”

Sa e madhe është dashuria e Perëndisë në Krishtin? E madhe sa vetë bota. Dashuria e Perëndisë është aq e madhe sa të përqafojë njerëzit e çdo ngjyre, kombi apo kulture dhe ti mbledhë bashkë në një kishë. Dhe dashuria e tij është aq e madhe sa mund të përfshijë gjithë pjesën tjetër të krijimit. Sikurse e thotë edhe Bibla: ” Drejtësia jote është si malet e Perëndisë, dhe gjykimet e tua janë si një humnerë e madhe. O Zot, ti ruan njerëz dhe kafshë.

O Perëndi, sa e çmuar është mirësia jote!” (Psalmi 36:6-7) ” O Zot, toka është e mbushur me mirësinë tënde; më mëso statutet e tua.” (Psalmi 119:64)

Sa e madhe është dashuria e Perëndisë në Krishtin? Ajo shtrihet nga përjetësia e së kaluarës në përjetësinë e së ardhmes. Perëndia thotë në Bibël: “Të kam dashur me një dashuri të përjetshme.” (Jeremia 31:3) ” Por mirësia e Zotit vazhdon nga përjetësia në përjetësi për ata që kanë frikë prej Tij, dhe drejtësia e Tij për bijtë e bijve.” (Psalmi 103:17) ” sikurse na zgjodhi në të përpara se të themelohej bota … duke na paracaktuar që të birësohemi në veten e tij me anë të Jezu Krishtit.” (Efesianëve 1:4-5) Asgjë, absolutisht asgjë nuk mund të na ndajë prej dashurisë së Perëndisë në Krishtin Jezus, Zotin tonë. (Romakëve 8:38-39) “Dashuria e Tij zgjat përgjithmonë.” (Psalmi 118:1)

Komente

komente