Një lutje ndarëse

Titulli: Një lutje ndarëse (pjesa 3)

Sa e madhe është dashuria e Perëndisë në Krishtin? Bibla thotë:” Sepse e madhe deri në qiell është mirësia jote, dhe e vërteta jote arrin deri në retë.” (Psalmi 57:10 dhe 36:5) Lartësia e dashurisë së Perëndisë na ngre jashtëzakonisht lart. Efesianëve 2:6 thotë se” edhe na ringjalli me të, dhe me të na vuri të rrimë në vendet qiellore në Krishtin Jezus.” (Efesianëve 2:4-6) Perëndia na birëson ne si fëmijët e Tij, si bij dhe bija të mbretit. Ne bëhemi princër dhe princesha që mbretërojnë me të përgjithmonë. (Zbulesa 22:5) Kaq lart mund të fluturojmë në krahët e dashurisë së Tij.

Sa e thellë është dashuria e Perëndisë në Krishtin?

Jezusi hyri në thellësitë e mëdha të mëkatit, vdekjes dhe ferrit që të na shpëtonte ne. Dashuria e Tij arrin edhe njerëzit më të dobët. ” Por Perëndia e tregon dashurinë e Tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.” (Romakëve 5:8) Unë lutem që ta njohësh personalisht, në jetën tënde se sa e gjerë, e gjatë, e thellë dhe e lartë është dashuria e Krishtit.

Është shumë bukur të lexosh një histori dashurie apo të dëgjosh se çfarë mendojnë njerëzit e tjerë për dashurinë. Por më mirë akoma është të duash dhe të të duan: ta shohësh dashurinë në sytë e tjetrit, t’i thuash “ të dua”,  ta ruash tjetrin në një dashuri të pastër, të shijosh këmbimin e dhuratave, apo bërjen e disa gjërave që personi tjetër të ndihet mirë. Përvoja e dashurisë regjistrohet në mendjen tënde, por ajo njëkohësisht të mbërthen zemrën dhe vërshon në gjithë qenien tënde.

Po kaq bukur, është të lexosh në Bibël rreth dashurisë së Perëndisë, dhe të dish në mendjen tënde, bazuar në atë që Jezusi ka bërë, se Ai të do jashtëzakonisht shumë. Marrëdhënia jote me Të, nuk do të kishte arritur këtu, në rast se Fryma e Shenjtë nuk do të kishte punuar brenda teje, duke të dhënë besim dhe një jete të re. Por unë lutem që ti të mos mjaftohesh me kaq. Unë lutem që Perëndia të të nxisë ta njohësh Jezusin më nga afër, ta ndiesh praninë e Tij më fuqishëm, ta përqafosh dashurinë e Tij që tejkalon çdo njohuri dhe, të mbushesh me plotësinë e Perëndisë.

Lavdërimi i të plotfuqishmit.

Unë lutem që ti të jetosh përmes forcës dhe fuqisë së të plotfuqishmit dhe jo në fuqinë tënde. A ke parë ndonjëherë një fëmijë të vogël që përpiqet të ecë me një kalë lëkundës nëpër shtëpi, duke pretenduar se po kalëron, në fakt ai nuk po kalëron aspak, sepse është ai që po tërheq kalin dhe jo kali atë. Kështu është edhe kur ne mundohemi të bëjmë punën e Perëndisë me fuqitë tona. Ndonjëherë jam shumë i zënë duke tërhequr këtë kalë të detyrave dhe përgjegjësive fetare dhe, për disa momente hiqem sikur nuk është ashtu, sikur është kali që po më tërheq mua dhe jo unë atë. Por unë kam nevojë për Frymën e Shenjtë të Perëndisë, që si një hamshor fantastik do mund të çojë përpara kauzën e madhe të Zotit.

Unë lutem që Perëndia nuk do të lejojë që të kënaqeni me fenë e përmbushjes së rregullave. Kjo lloj feje nuk të zhvendos ty, je ti që e zhvendos atë. Ndoshta mund të jetë argëtuese për një farë kohe, por nuk është ky realiteti i të jetuarit me Perëndinë. Mos kërko t’i bësh vetë gjërat, por jetoje realitetin me Perëndinë. Kërko që të bësh përpara përmes dashurisë së madhe të Perëndisë në Krishtin.

Pastori britanik, Martin Llojd Jonez (Martyn Lloyd-Jones) e ka shprehur këtë shumë mirë: “Njeriu që njeh dashurinë e Krishtit mund të bëjë shumë më tepër në një orë se ç’mund të bëjë një tip shumë i zënë me punë, për një shekull.”

Sa herë që arrij në fund të një shërbese, e konfirmoj brenda meje se sa më pak bëj unë, aq më shumë bën Perëndia. Gjatë shërbesës sime si pastor kam bërë shumë gjëra që mund t‘i kisha bërë më mirë, ndoshta duhet të kisha treguar më shumë shenjtëri, apo më shumë zgjuarsi në disa sfera të shërbesës.

Megjithatë unë e di se nën të dhe përtej asaj që kam bërë, Zoti ka qenë duke vepruar e do të vazhdojë ta bëjë dhe, unë e lavdëroj Atë për këtë.

Ndonjëherë kur lutemi, shpresojmë se Perëndia do të jetë në gjendje të bëjë të paktën disa nga gjërat që i kërkojmë. Por Perëndia mund të bëjë shumë më tepër nga sa kërkojmë. Ka gjëra të tjera që nuk guxojmë t’i kërkojmë; ne thjesht i imagjinojmë. Por Zoti mund të bëjë gjithçka që kërkojmë apo imagjinojmë. Ende nuk kemi arritur limitin. Ai mund të bëjë shumë më tepër nga sa i kërkojmë apo imagjinojmë. Dhe jo vetëm pak më shumë, por përtej asaj që kërkojmë apo imagjinojmë. Fuqia e Tij është e pakufizuar.

Për më tepër, nëse i përkasim Perëndisë, ajo fuqi tashmë ka filluar të punojë në ne, ashtu siç jemi, të zakonshëm dhe të papërsosur. Fryma e Perëndisë sjell fuqinë e Tij që të jetojë në zemrat dhe jetët tona. Kjo është fuqia për të strehuar Krishtin e gjallë. Kjo është fuqia për ta njohur dashurinë e Krishtit. Kjo është fuqia për tu mbushur me plotësinë e Perëndisë. Kjo fuqi është e pakufizuar. Unë mund të ofroj këtë lutje për ju para Perëndisë veç në sigurinë që gjej në fuqinë e të Plotfuqishmit.

Unë Berti ju falënderoj qe qëndruat me ne këto minuta, për tu inkurajuar së bashku. Tema herën tjetër është plot dhurata dhe surpriza që besoj se do t’ju pëlqejnë shumë.

Komente

komente