Një lutje ndarëse

Titulli: Një lutje ndarëse (pjesa 1)

Perëndia më ka dhënë privilegjin të prek jetën e shumë prej jush. Unë e falënderoj Perëndinë dhe, të falënderoj edhe ty që je lidhur me mua në shumë mënyra përgjatë këtyre viteve.

Kujtesa të fundit

Disa prej jush e kanë dëgjuar këtë program prej vitesh, ndoshta shumë të tjerë e kanë dëgjuar atë vetëm disa herë, ose e dëgjojnë për herë të parë sot. Unë nuk mund të përmbledh në pak minuta atë që do të doja të thoja sot, por më lejoni t’ju theksoj disa gjëra shumë të rëndësishme që nuk dua t’i harroni dhe as t’i shpërfillni.

Së pari, Perëndia është Perëndi. Perëndia është i vërtetë. Perëndia është i mrekullueshëm. Perëndia është i mirë. Perëndia është dituri. Perëndia është më i rëndësishëm se çdokush dhe çdo gjë tjetër në univers. Perëndia është Perëndi. Ndërsa ti jo. As unë. Perëndia është Perëndi, i denjë të marrë adhurimin dhe bindjen tonë.

Së dyti, ti je krijuar sipas imazhit të Perëndisë dhe je synuar të gjesh përmbushje në marrëdhënien tënde me Perëndinë. Ti nuk je thjesht një rastësi e zakonshme e evolucionit. Ti je krijuar në mënyrë të veçantë për të reflektuar Perëndinë. Ti nuk je një kotësi. Ti je krijuar në mënyrë të mrekullueshme. Beso se ti je pjesë e krijimit të Perëndisë dhe kërko harmoni me Krijuesin dhe çdo person tjetër që Ai ka bërë.

Së treti, ti ke mëkatuar kundër Perëndisë dhe ke nevojë për një shpëtimtar. Ti duhet të pendohesh për mëkatet e tua dhe të besosh se Jezusi vdiq që të paguante fajet e tua. Kjo është e vetmja mënyrë për të marrë faljen dhe jetën e përjetshme. Nuk është shumë e modës sot të themi se Jezusi është e vetmja rrugë. Po kështu nuk është shumë popullore biseda rreth ferrit.

Por ferri është i vërtetë, dhe një vuajtje pa fund i pret të gjithë ata që do të vdesin pa njohur Jezusin. Vetëm Jezusi shpëton. Unë po të them ty atë që apostulli i tha si përshëndetje lamtumire popullit të tij: “Prandaj sot po ju deklaroj se unë jam i pastër nga gjaku i të gjithëve; sepse nuk u tërhoqa prapa për të mos ju treguar gjithë këshillën e Perëndisë” (Veprat 20:26-27) Nëse shkon në ferr, nuk do të jetë faji im që ti nuk ia vure veshin paralajmërimit tim. Unë jam i pafajshëm për gjakun tënd. Pavarësisht dobësive të mia, unë të kam ftuar të kthehesh te Perëndia dhe të kam paralajmëruar se cilat do të jenë pasojat në rast se refuzon.

Së katërti, Perëndia kërkon çdo pjesë të jetës tënde dhe jo vetëm një orë të dielën, jo vetëm një qoshe në zemrën tënde por gjithçka tënden. Jezusi dha gjithçka që kishte për ty, ndaj edhe ti jepi Atij gjithçka që ke: dashurinë tënde, aftësinë, karrierën, familjen, miqtë, pasionet e tua etj.

Le të jetë qëllimi yt ta kënaqësh Perëndinë teksa u shërben të tjerëve. Sikurse Perëndia dëshiron gjithçka tënden, Ai kërkon të drejtën e tij mbi këtë botë dhe gjithçka që është në të. Ji dëshmitari i Tij, ji agjenti që do të rimarrë dhe ripërtërijë botën e Tij. Bëje këtë në miqësi dhe partneritet me komunitetin e veçantë të Perëndisë, që është kisha. Kisha nuk është një opsion; është domosdoshmëri për të qenë pjesë e misionit të Perëndisë në botë.

Së pesti, mbaji sytë te çmimi. Kërko ta njohësh Jezusin në miqësi me vuajtjen e Tij dhe në fuqinë e ringjalljes së Tij dhe lutu që të mbushesh me frymën e Tij, ky është fillimi dhe shijimi paraprak i jetës së përjetshme. Unë kam folur shpesh për krijimin e ri të Perëndisë, për qiellin që do të vijë në tokë kur Jezusi të kthehet.

Fjalët e mia nuk mund të përcjellin gjithë gëzimin dhe bukurinë që e pret popullin e Perëndisë, por unë të nxis të vazhdosh t’i vlerësosh premtimet e Perëndisë dhe të vazhdosh të meditosh për jetën e përjetshme në Krishtin.

Edhe diçka e fundit: e vërteta mbetet e vërtetë. Sot është bërë shumë i famshëm të qenit “shpirtëror pa besuar diçka në mënyrë të veçantë. Por Perëndia e ka folur të vërtetën në Bibël. Vazhdo të lexosh Biblën dhe vazhdo t’i lutesh Perëndisë për urtësi. Mbaju tek e vërteta. Mos u mashtro prej gënjeshtrave. Jezusi i paralajmëroi kundër ujqërve të veshur si qengja dhe Pali paralajmëroi se ujqërit brenda kishës do të mohonin të vërtetën e Perëndisë dhe do të dëmtonin tufën e Perëndisë. Përgjatë viteve, unë ju kam paralajmëruar për mësimet e rreme, por dua t’ju them edhe një herë: Kini kujdes prej ujqërve. Qëndroni ngushtë me bariun e mirë, Zotin Jezus. Jini të fortë në Zotin, dhe kundërshtojeni djallin. Duke qenë se kjo javë është shumë e veçantë për mua, dëshiroj të ndalemi te gjëra shumë me vlerë për ju.

Lutja e Atit

Por më e rëndësishme se ajo që dëshiroj të të them ty tani rreth Perëndisë janë fjalët që unë do t’i them tani Perëndisë për ty. Unë dëshiroj të të ofroj një lutje që të gjithë ju të mund ta dëgjoni. Lutja ime vjen prej Efesianëve 3:14-21. Kjo është një lutje biblike, që është shumë e dashur për mua, një nga ato lutje që unë e kam mësuar përmendësh dhe kam medituar shpesh rreth saj. Kjo është një lutje që unë e bëj shpesh vetë, por tani dua të lutem për ju.

Për këtë arsye unë po i ul gjunjët e mi përpara Atit të Zotit tonë Jezu Krisht,

15  nga i cili merr emër çdo familje në qiejt dhe mbi tokë,

16  që t’ju japë, sipas pasurisë së lavdisë së vet, të forcoheni me fuqi nëpërmjet Frymës të tij në njeriun e brendshëm,

17  që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit,

18  që, të rrënjosur dhe të themeluar në dashuri, të mund të kuptoni me të gjithë shenjtorët cila është gjerësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia,

19  dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë.

20  Tani atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë, atij i qoftë lavdia në kishën në Krishtin Jezus për të gjitha brezat, në jetë të jetëve. Amen.

Kjo është lutja ime që Fryma e Perëndisë të forcojë njeriun tuaj të brendshëm, që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit,

që, të rrënjosur dhe të themeluar në dashuri, të mund të kuptoni me të gjithë shenjtorët cila është gjerësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia,dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë.

Lutja ime për ju do të jetë e fuqishme jo për faktin se po e bëj unë, por sepse po e dëgjon Perëndia. “Për këtë arsye unë po i ul gjunjët e mi përpara Atit të Zotit tonë Jezu Krisht.” Me këto fjalë inkurajuese po ju lë takim herën e ardhshme.

Komente

komente