Titulli: Një ungjill global (pjesa 1) Krishtlindje

Luka kapitulli 3 është një prej atyre pjesëve në Shkrime që e vë një predikues në punë kërkimore. Para se të hapësh Biblën e të lexosh ato vargje, mendoj se do të hasësh disa fjalë të vështira e ndoshta do të duhet të konsultohesh me fjalorin për shqiptimin  e duhur. Ja disa prej fjalëve: Tiberi, tetrarku i Itureas, krahina e Trakonitidës, Lizania etj, emra që mund të ngatërrohen shumë lehtë. Për shumë njerëz lista e emrave nuk është pjesa më e bukur e Shkrimeve, ose të paktën nuk është nga ato pjesë që presim t’i dëgjojmë me padurim. Pra pse janë këto emra në Bibël?

Pse duhet të përmenden në Bibël këto emra drejtuesish fetarë dhe politikë?

Arsyeja është e thjeshtë se, në ungjillin e tij Luka prezanton Gjon Pagëzorin shumë ndryshe prej shkrimtarëve të ungjijve të tjerë.

Luka dëshiron të na tregojë se Gjoni është profet për një publik shumë të gjerë në botë. Unë mendoj se ka shumë arsye për të kaluar në detaje. Luka është i njohur si një historian mes shkruesve të ungjijve. Ai shpesh dallohet si një njeri që i kushton vëmendje detajeve. Në ungjillin e tij Luka i kushton vëmendje të veçantë fakteve që mund t’i mendojmë si shënime të thjeshta, siç mund të jetë shqiptimi i duhur emrave të njerëzve apo të vendeve. Këtu Luka e vendos Gjonin në një vend dhe kohë specifike. Sigurisht që këto lloj detajesh i ndihmojnë studiuesit të datojnë si duhet ngjarjet.

Por Luka na kujton për diçka tjetër, se ky nuk është rasti i vetëm që dëgjojmë këto lloj detajesh. Detaje gjejmë edhe në Dhjatën e Vjetër. Kujtoni prezantimin që bëhet për profetët e Dhjatës së Vjetër.

Ata lajmëtarë biblikë janë vendosur në një kontekst historik specifik. Dëgjo se çfarë thotë Jeremia1:1-3:

Fjalët e Jeremias, birit të Hilkiahut, një nga priftërinjtë që ishin në Anathoth, në vendin e Beniaminit.

2  Fjala e Zotit iu drejtua në kohën e Josias, birit të Amonit, mbret i Judës, në vitin e trembëdhjetë të mbretërimit të tij;

3  iu drejtua gjithashtu në kohën e Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës, deri në fund të vitit të njëmbëdhjetë të Sedekias, birit të Josias, mbret i Judës, domethënë deri në robërimin e Jeruzalemit, që ndodhi në muajin e pestë.

Ose hidhi një sy hyrjes prezantuese te libri i Ezekielit. Në këtë prezantim, jo vetëm që zbulojmë kohën e mbretërimit të një mbreti, por edhe vendin ku ndodhej ai kur Zoti iu afrua:

Në vitin e tridhjetë, më pesë të muajit të katërt, ndodhi që ndërsa isha midis të internuarve pranë lumit Kebar, qiejt u hapën dhe pata vegime nga ana e Perëndisë.

Më pesë të muajit (ishte viti i pestë i robërisë së mbretit Jehojakim),

fjala e Zotit iu drejtua shprehimisht priftit Ezekiel, birit të Buzit, në vendin e Kaldeasve, pranë lumit Kebar; dhe atje lart dora e Zotit qe mbi të.”

Luka na sjell kështu profilin e Gjon Pagëzorit, duke na dhënë informatat e kohës dhe statusit të tij. Luka na tregon se Gjoni nuk është një njeri i zakonshëm, nuk është një drejtues fetar mburravec por një profet. Luka kopjon prezantimin e profetëve në Dhjatën e Vjetër për të na treguar se edhe Gjoni është një profet, një lajmëtar legjitim, i thirrur prej Perëndisë.

Pra Luka na shkruan për të na dhënë detaje historike shumë të vlefshme, e po kështu për t’i dhënë besueshmëri e autoritet zërit të Gjon Pagëzorit, duke treguar se ai është veshur me autoritetin e Perëndisë. Por ka një arsye tjetër përse Luka i përfshin të gjitha këto emra. Këtu dua të theksoj arsyen e tretë. Unë fokusohem tek arsyeja e tretë sepse ajo vlen për tu aplikuar në kohët moderne që po jetojmë. E kam fjalën për ta parë Gjon Pagëzorin në një mënyrë të re, por edhe për të kuptuar jetën e Jezus Krishtit dhe domethënien e Tij në jetën tonë sot.

Luka e vendos Gjonin në një kontekst më të gjerë. Vini re emrat e renditur atje. Ata janë gjithëpërfshirës, pra përfshijnë çdo cep të botës. Tiberi Cezar, ishte sunduesi i Romës. Ponc Pilati ishte guvernatori i Judesë dhe Herodi ishte drejtues i Galilesë. Po kështu në tekst përmenden disa drejtues judenj, kryepriftërinjtë, Ana dhe Kajafa. Luka dëshiron që ne të dimë se shërbesa e Gjonit nuk është një ngjarje e izoluar, që ndodh në një cep të perandorisë. Këto fjalë, dëshmia e shërbesës dhe mesazhit të Gjon Pagëzorit, do shkojnë kudo nëpër botë dhe do të tundin themelet e stabilimenteve politike dhe fetare. Kjo gjë është veçori e shkrimeve të Lukës. Ai ka një këndvështrim global, sikurse mund të presim prej dikujt që po shkruan si për publikun jude dhe të krishterë që e konsiderojnë veten qytetarë të botës, ashtu edhe për ata që flasin gjuhën greke apo latine, dhe së fundmi edhe për ata që janë birësuar në familjen judease të Perëndisë.

Ky këndvështrim global vihet re edhe në Dhjatën e Vjetër, të cilin Luka e nënvizon si të përmbushur në shërbesën e Gjon Pagëzorit. Të gjithë shkrimtarët e ungjijve, përfshijnë këto fjalë të Isaias 40: “3

Zëri i dikujt që bërtet në shkretëtirë: “Shtroni udhën e Zotit, hapni në shkretëtirë një rrugë për Perëndinë tonë.” Pra të katër ungjijtë. Por vetëm Luka vazhdon duke përfshirë edhe disa vargje të tjera:

Çdo luginë të jetë e mbushur, çdo mal dhe kodër të jenë sheshuar; vendet dredha-dredha të drejtuar dhe vendet e vështira të sheshuar.

Atëherë lavdia e Zotit do të zbulohet dhe çdo qenie do ta shohë, sepse goja e Zotit ka folur.”

Isaia në këto vargje ishte duke përgatitur rrugën për një mbret që po afrohej. Luka shikon në këto fjalë një këndvështrim global që i fton të gjithë të bëjnë një rrugë, të shtrojnë udhën, sepse nuk janë vetëm luginat dhe malet e Izraelit që do të bëhen gati për ardhjen e mbretit. Jo, çdo lëndinë do të mbushet, çdo mal do të rrafshohet para ardhjes së këtij mbreti që është sunduesi i gjithë kombeve. Sepse” lavdia e Zotit do të zbulohet dhe çdo qenie do ta shohë.

Gjon Pagëzori prezanton të vetmin person që është në gjendje të pastrojë gjithë botën. Ai është përmbushja e premtimit të lajmëtarit që shprehet kështu te profeti Malakia:

“Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim për të përgatitur rrugën para meje.” Dhe lajmëtari lajmëron se ardhja e tij nuk do të jetë e lehtë. sepse Mesia i premtuar do të jetë si zjarri i shkrirësit. Ai do të djegë çdo papastërti të popullit të tij.

Kjo më duket shumë e dhimbshme!

Profeti thotë se Mesia do të na pastrojë njëlloj siç pastron sapuni duart tona, që sërish më duket një krahasim pak i ashpër.

Kur ne mendojmë për sapunin, në mendje na vjen aroma e mirë e një sapuni të shtrenjtë, ndoshta Dav(Dove) apo Neutro Roberts.

Por profeti këtu e ka fjalën për një sapun ndryshe, pikërisht sapun që heq njollat e rrobave. Siç mund të kemi sot për shembull Duru, apo Alkali, që nuk përdoren për lëkurën sepse mund ta acarojnë atë…

Por kur profeti përdor këtë term të vjetër pastruesish, ti fillon të eksplorosh një nivel të ri të menduari, që është të pastrohesh në thellësi. Për këtë lloj pastrimi e kishte fjalën profeti Malakia dhe më pas na paralajmëroi Gjon Pagëzori. Sepse Perëndia po punon me iniciativën e vet. Dhe atë punë që Perëndia e nis e përfundon plotësisht deri në fund. Kjo është arsyeja përse e quajmë këtë sot Lajm i Mirë.

Komente

komente