Pas vdekjes

Titulli: Pas vdekjes (pjesa 2)

Mbërritja jote në qiell do të thotë të gëzosh me shpirtrat e tjerë në shpëtimin e madh të Perëndisë dhe, këtij festimi do t’i shtosh faktin se engjëjt do të gëzojnë bashkë me ty, veçanërisht ata, detyra e të cilëve ishte të të mbronin dhe të të ndihmonin ty përgjatë jetës tënde. (Psalmi 91:11) Gjatë rrjedhës së jetës ti mund jesh ndierë i mbrojtur në mënyrë të veçantë, dhe pothuajse i ke ndier engjëjt pranë, por në të vërtetë nuk i takove ata. Shumicën e kohës ne nuk e dimë se çfarë janë duke bërë engjëjt, por Bibla thotë se ata na ndihmojnë vazhdimisht. Pasi vdes dhe shkon në qiell, ti mund t’i takosh engjëjt personalisht.

Ata mund ta prezantojnë veten dhe të tregojnë ty ekzaktësisht se si të ndihmuan. A nuk do të jetë emocionuese të takosh këta ndihmues të fshehtë dhe të zbulosh se si agjentët sekretë të Perëndisë ishin pranë teje tërë kohës?

Ti do të kënaqesh kur t’i takosh dhe falënderosh dhe, engjëjt do të ndihen të gëzuar me përmbushjen e një tjetër misioni që një tjetër shpirt është sjellë në gëzimin e plotë të Perëndisë të Cilin engjëjt e adhurojnë.

Gëzimi me takimin e shpirtrave të tjerë dhe i engjëjve do të jetë i pamasë, por gëzimi më i madh do të jetë kur të të presë Perëndia vetë. Ti do të gëzohesh që do të jesh me të, dhe ai do të gëzohet më shumë se ty. Atje do të kuptosh fjalët e Biblës kur thotë se: “ashtu si i martuari gëzohet me nusen, kështu Perëndia do të gëzohet për ty.” (Isaia 62:5). “Ai do të mbushet me gëzim për ty, në dashurinë e tij do qëndrojë në heshtje, do të gëzohet për ty me britma gëzimi.” (Sofonia 3:17)

Mbërritja e një shpirti në qiell është një ngjarje që Zoti kishte qenë duke e planifikuar shumë më parë nga ç’mund të përfytyrosh ti. Sa më shumë planifikohet diçka, aq më i madh është gëzimi kur më në fund realizohet. Një lojtar i cili fiton kampionatin, e shijon edhe më shumë atë sepse ka planifikuar dhe ka punuar për të për një kohë shumë të gjatë, që para fillimit të sezonit.

Po ashtu një trajner i cili fiton një kampionat e shijon atë edhe më shumë sepse e ka planifikuar prej kohësh dhe ka punuar shumë kohë para fillimit të sezonit.

Perëndia ka qenë duke planifikuar lavdinë e të zgjedhurve të tij, jo vetëm për një sezon të shkurtër, por për të gjithë përjetësinë. Kur një shpirt mbërrin në qiell, Zoti feston një fitore që ka qenë duke planifikuar që para krijimit të botës dhe, kjo e bën gëzimin e tij edhe më të madh.

Një tjetër masë e gëzimit në arritjen e qëllimit është fakti se sa i gatshëm është një person të durojë vështirësi për arritjen e atij qëllimi.

Bibla thotë se “për gëzimin që ishte para tij”, Jezusi ishte i gatshëm të gozhdohej në një kryq dhe të kalonte agoninë e skëterrshme. (Hebrenjve12:2) Tani nëse vuajtjet e Tij ishin kaq të tmerrshme dhe Jezusi e quajti gëzimin e tij të ardhshëm më të madh se sa vuajtja, atëherë ai gëzim duhet të jetë i pafund.

Kur shpirti yt mbërrin në qiell, Jezusi shijon frytet e ëmbla të vuajtjes së Tij. Ai pagoi për ty me gjakun e Tij, që të mund të mirëpresë ty dhe të gëzohet me ty si xhevahiri i tij i çmuar, si fëmija i tij i dashur, nusja e tij e dashur. Ti nuk do të kuptosh se si është një festim i vërtetë derisa të shohësh Jezusin duke festuar!

Dhe teksa Jezusi gëzon për ty, ti do të pushtohesh nga gëzimi që je me Të. Në gjendjen që jemi tani, edhe i krishteri më i sinqertë shpesh ndihet larg Jezusit. Edhe sikur të kishim shijuar një grimë të mirësisë së tij, zemrat tona janë ende të forta dhe ftohta. Por në qiell çdo fortësi, ftohtësi, zbehtësi apo largësi do të zhduket.

Jezusi do të jetë para nesh. Ne do të shtangemi dhe do të kënaqemi prej madhështisë së Tij, bukurisë, mirësisë, fuqisë, shenjtërisë dhe dashurisë së Tij.

Emocioni që disa njerëz ndiejnë kur takohen me një njeri të madh apo të famshëm, nuk do të ketë të krahasuar me emocionin që do të kemi kur të takojmë Zotin e madh dhe të mrekullueshëm, Jezus Krisht.

Ne nuk do ta shohim nga larg apo mbi ne. Ne nuk do ta takojmë thjesht për t’i marrë një autograf. Ai nuk do të na përshëndesë thjesht me dorë dhe më pas do të largohet duke hyrë në një limuzinë, e të na lerë ne njerëzit e ulët pas, që të ketë mundësinë të shkojë të merret me gjëra më të rëndësishme. Jo, ndonëse Jezusi është kaq i madh dhe kaq magjepsës, në kuptimin më të mirë të të qenurit magjepsës, tërë madhështia dhe rëndësia e Tij nuk do ta ndajë Atë prej nesh. Jezusi do të na tërheqë më pranë vetes së Tij.

Ndonëse Ai është sunduesi i plotfuqishëm i qiellit dhe i tokës, për ne Jezusi do të jetë si vëlla dhe shok.

Mbi tokë Jezusi e bëri veten një mik ndaj njerëzve duke zbritur në nivelin tonë e duke jetuar një jetë si e jona. Në qiell Ai do të na bëjë miq duke na ngritur në nivelin e Tij e duke na dhënë një jetë si e tija.

Së pari mbreti zbriti për të jetuar si shërbëtor; më pas ai do të ngrejë shërbëtorët për të jetuar si mbretër. Bibla thotë se ai na bën mbretërorë për të mbretëruar me Të, (Zbulesa 22:5), kështu që do të jemi pjesëmarrës në gjykimin e botës dhe gjykimin e engjëjve. (1 Korintasve 6:2-3) Ne do të mrekullohemi përgjithmonë që një njeri kaq i madh zbriti kaq poshtë për të na shpëtuar. Ne do të jetojmë përgjithmonë të mrekulluar që Ai nga ngriti kaq lart për të na bërë që të mbretërojmë me Të.

Ne do shijojmë miqësinë emocionuese me Të dhe Ai do të derdhë burimet e Tij të pakufishme mbi ne për lumturinë tonë dhe lavdinë e Tij.

Më mirë të vdekur

Po tani a mund ta kuptosh se përse Bibla thotë:” Lum të vdekurit që këtej e tutje vdesin në Zotin?” (Zbulesa14:13) Nuk është çudi që Pali mund të thoshte: “Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim… sepse kam dëshirë të iki nga kjo çadër dhe të jem bashkë me Krishtin, gjëja më e mirë.” (1:21,23)

Por çfarë mund të thuash për lënin e trupit pas dhe të  ekzistuarit pa të? Kjo gjë nuk duket aspak argëtuese. Palit nuk i pëlqente as mendimi i të qenurit pa trup, por humbja e një trupi kompensohej prej fitimeve që do të kishte ai. Pali shkroi:

1  Ne e dimë në fakt se, në qoftë se kjo çadër, vendbanimi ynë tokësor, prishet, ne kemi një godinë nga Perëndia, një banesë të përjetshme, në qiej, që nuk është bërë nga dorë njeriu…

6  Ne, pra, kemi gjithnjë siguri besimi dhe e dimë se gjersa banojmë në trup, jemi larg Zotit,

7  sepse ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit.

8  Por jemi të sigurt dhe na parapëlqen më tepër ta lëmë trupin dhe të shkojmë e të banojmë bashkë me Zotin” (2 Korintasve 5:1,6-8)

Kur ti vdes dhe shpirti yt shkon në qiell, ti duhet të ekzistosh pa një trup për ca kohë.

Kjo është e vështirë të përfytyrohet dhe nuk duket aspak tërheqëse. Perëndia na projektoi si persona të trupëzuar dhe jo si shpirtra të ç’trupëzuar.

Në të vërtetë, destinacioni ynë përfundimtar është ringjallja e trupit. Faktikisht, kur Jezusi të kthehet sërish në tokë, në fund të botës, trupat e  të gjithëve do të ringjallen dhe do tu bashkohen shpirtrave të tyre. Zoti do ta ngrejë trupin tënd prej pluhurit dhe do ta bëjë atë të shkëlqyer dhe të pavdekshëm. Ndërkohë, midis kohës kur të vdesësh dhe fundit të botës, shpirti yt do të jetojë në qiell, pa pasur ende trupin e tij të ringjallur dhe të lavdishëm.

A do të trishtojë ty kjo? Jo, sapo të shkosh në qiell, ti do të jesh tepër i kënaqur me Jezusin, për tu mërzitur për humbjen e trupit tënd. Në vend që të jesh ankues që gjërat nuk janë ende aq mirë sa do të jenë pas ringjalljes, ti do të shijosh pasuritë e Krishtit, që tashmë janë të tuat dhe, gëzimi yt do të rritet teksa kupton se kënaqësi më të mëdha të presin kur të marrësh trupin tënd të lavdishëm.

Zoti do të jetë për ty një burim i gëzimit të përjetshëm. Ti do të jesh përgjithmonë i lumtur në qiell dhe ajo lumturi do të jetë gjithmonë në rritje në një farë mënyre. Ajo do të rritet sa herë që engjëjt shoqërojnë një tjetër bir të Perëndisë në qiell, për të nisur një tjetër festim të lavdisë dhe dashurisë së Perëndisë. Lumturia do të shtohet kur të marrësh trupin tënd të lavdishëm në ringjallje, në mënyrë që të shijosh plotësisht praninë e Jezusit në trup e shpirt. Në të vërtetë gëzimi yt për përjetësinë do të vazhdojë të rritet.

Sa e mrekullueshme do të jetë. Uroj që kjo temë të  ketë dhënë gëzim për jetën që do të kesh me Zotin.

Komente

komente