Përballja me Kritikat

Titulli: Përballja me Kritikat (pjesa 2)

Kjo fjalë e urtë që dua të përmend tani më ka tërhequr vëmendjen këtë mëngjes ndaj edhe vendosa të përgatis këtë mesazh.

Fjalët e urta 26:2  

” Ashtu si harabeli fluturon andej e këtej dhe dallëndyshja fluturon, kështu mallkimi pa arsye nuk ka efekt.”

Nëse ke parë ndonjëherë harabelat dhe dallëndyshet ti e di kuptimin e  kësaj fjale të urtë, kur përdor fjalët fluturon andej këtej,

Ne kemi një fole harabelash në ballkon.

Në fillim kishte vetëm një fole, por pastaj u bënë dy, tre, Vinin kaq shumë harabela rrotull ballkonit tonë sa që na ju desh ta hiqnim folenë.

Edhe kjo fjalë e urtë po thotë se harabelat dhe dallëndyshet fluturojnë sa andej këtej.

Ata shumë rrallë ndalojnë apo ulen në një vend. Në të njëjtën mënyrë kur dikush të mallkon, dhe ti nuk e meriton atë, mos u shqetëso. Ky njeri i mençur thotë se mallkimi nuk ka efekt. Nuk do të bëjë asgjë.

Nëse e zgjerojmë këtë në lidhje me kritikat në përgjithësi, njerëzit e mençur, e dinë se kritikat e pamerituara janë vetëm  të pamerituara dhe të gabuara.

Dhe njerëzit e mençur nuk na lejojnë që të biem në ato kritika, ato nuk kanë efekt. Kritika e pamerituar ndoshta vazhdon të të lëndojë edhe sot. Fjalët mund ta bëjnë këtë. Por njeriu i mençur mund i shikojë me një pikëpamje tjetër: kur është e pamerituar, ajo

Mallkimi pa arsye nuk ka efekt.

Drejtuesit duhet të dinë se si të përballen me kritikat e pamerituara, (apo të merituara). Në trajnimet tona të  udhëheqësisë, ne flasim për nevojën që kanë drejtuesit për të qenë të diferencuar, pra për ta ndarë kritikën nga vetja e tyre.

Drejtuesit nuk mund të lejojë kritikat e pamerituara të “kenë efekt ” mbi ta, ata nuk mund t’i marrin kritikat si personale dhe më pas të reagojnë ndaj kritikave, përndryshe, nëse e bëjnë këtë ata si drejtues do të shkatërrohen.

Hileja e kësaj është, njohja e ndryshimit mes kritikës së merituar dhe kritikës së pamerituar. Është kaq e lehtë të mbash njërën anë, ose tjetrën. Por ka persona që nuk i pranojnë asnjëherë kritikat. Këta njerëz kanë gjithmonë të drejtë.

Çdo njeri tjetër e ka gjithmonë gabim. Ka persona të tjerë që e marrin fajin mbi vete, dhe lejojnë që çdo fjalë që thuhet për ta ti shpojë si një shpatë. Gjetja e ekuilibrit është thelbësore, dhe kjo kërkon urtësi.

Por marrja përsipër e gjithë fajit mbi vete, na çon drejt një teme tjetër që unë do të doja të përmendja të paktën dy tre gjëra. Vite më parë predikova këtë temë, Përballja me kritikat, dhe pas predikimit erdhi dikush dhe më tha: “pastor Berti, ndoshta do të ishte mirë që herën tjetër të predikoje diçka edhe për temën e autokritikës.”

Shqetësimi i këtij njeriu ishte me vend, sepse ndonjëherë ne jemi kritikuesit më të ashpër të vetes, për një faj të caktuar.

Së pari më lejoni të them se kritikat ndaj vetes janë të shëndetshme, legjitime dhe të merituara.

Kjo është njëlloj sikur të shohim veten në pasqyrë, për të kuptuar nëse i meritojmë ose jo kritikat e të tjerëve.

Ne bëjmë gabime.

Nën rrezikun se mund të dukemi psikologjikisht të papërgjegjshëm, megjithëse unë nuk mendoj se është kështu, do të thoja se ndonjëherë është me vend të ndiejmë neveri për veten.

Jo vetëm të ndiejmë neveri për sjelljen tonë por të biem në dëshpërim dhe të themi:” unë jam egoist. Unë jam mëkatar”

Ashtu si djali plangprishës planifikoi që ti thoshte babit të vet kur u kthye nga vendi i largët. “Unë nuk jam i denjë të quhem biri yt.”

Nëse ne nuk kemi këto kohë të këqija vetë shqyrtimi dhe vetë gjykimi, atëherë ne nuk po përballemi me të vërtetën rreth vetes.

Ne e dimë këtë dhe Perëndia e di.

Ne e dimë se ka një kohë kur auto kritikat janë me vend dhe shpirtërisht të shëndetshme.

Por ne duhet të mësohemi ta trajtojmë veten me hir. Dakord, ti bëre një gabim, ndoshta një gabim të madh. Dhe ja ke rrëfyer këtë Perëndisë me mijëra herë. Ti je munduar të bësh ndryshime. Je munduar të ndryshosh. Tani duhet ta falësh veten. Iku ajo. Mbaroi. U bë nuk i kthehesh dot!

Nuk mund të bësh më asgjë. Fale veten. Çliroje veten nga kjo gjë dhe ec përpara. Disa prej nesh e kanë më të lehtë të falin të tjerët se sa të falin veten.

Dhe kjo duket sikur është e virtytshme deri diku. Por nuk është kështu në të vërtetë. Hiri nuk është vetëm për të tjerët. Është edhe për ty.

Predikuesit 3 përmend këtë listë për kohërat:

Çdo gjë ka stinën e vet, çdo situatë ka një kohë nën qiell; një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur. një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur,  kohë për të shembur dhe një kohë për të ndërtuar.

Ndoshta ne mund të shtojmë këtë se ka një kohë për të kritikuar të tjerët dhe një kohë për të miratuar të tjerët. Ka një kohë për të pranuar kritikat dhe një kohë për ti shpërfillur ato. Ka një kohë për të kritikuar veten dhe një kohë për ta falur veten.

Dallimi i kohës të cilën po jetojmë, apo i situatës ku ndodhemi, kërkon mençuri të vërtetë.

Dhe kjo mençuri gjendet në Bibël, tek në mik i mirë, apo tek një terapist i mirë.

Por ungjilli vetë, lajmi i mirë, i Jezus Krishtit, na ofron një mençuri edhe më të madhe.

Pozicioni ynë në Krishtin, mund të bëjë ndryshimin në botë. Po kështu mënyra se si përballemi me kritikat e të tjerëve por edhe që i bëjmë vetes. Për dikë që e mbron gjithmonë veten, dhe nuk pranon kritika, ungjilli i thotë: “Përse shpenzon kaq energji për të mbrojtur veten?

Pali thotë: “unë jam kryqëzuar bashkë me Krishtin. nuk jetoj më unë por Krishti jeton në mua.”

Kur ti je në Krishtin, kur jeta jote strehohet në Krishtin, mund të jesh i hapur dhe të dëgjosh, mund të pranosh ndreqjen e të tjerëve. Sepse siguria jote dhe mirëqenia jote nuk bazohet tek fakti se ke të drejtë gjatë gjithë kohës. Por te fakti që je në Krishtin.

Prandaj qetësohu. Dhe qetësohu.

Po kështu në të njëjtën mënyrë, personit që merr gjithë fajin mbi vete, si një shapth e ngulur vetes dhe nuk bën asgjë kur thuhen gjëra negative për të, veçanërisht kur janë të pamerituara, ungjilli thotë: “Ti je në Krishtin.”

Kujtoni se ajo që ka rëndësi është miratimi i tij, dhe kur ai të thotë “ të lumtë”. Dhe Jezus Krishti vdiq në kryq për të larguar gjithë fajin, për të marrë ndëshkimin që meritoje ti.

Ti je falur dhe pa faj në sytë e Perëndisë. Je pranuar pa kushte.

Në fund të ditës nuk ka rëndësi se çfarë mendojnë njerëzit e tjerë për ty. Krishti të çliron prej tiranisë që na shtyn ti pëlqejmë gjithë njerëzve përreth.

Integriteti, është ai që ka rëndësi në Krishtin, po kështu e vërteta dhe plotësia para Krishtit. Nëse njerëzit e tjerë nuk e kuptojnë këtë apo nuk e pëlqejnë, le të mos e pëlqejnë, punë për ta.

Ndërsa personit që e ka të vështirë të falë veten, ungjilli i thotë: ” a e di se çfarë, Jezusi vdiq edhe për ty.”

Teksa po përgatitja këtë mesazh, më erdhi në mend një bisedë që kam bërë me një pastor shumë të moshuar por të mençur njëkohësisht. Ai ishte diku nga fundi i tetëdhjetave, kur biseduam bashkë. E takova atë në hollin e hotelit ku zhvillohej konferenca e trajnimit të pastorëve në Amerikë. Ai më pyeti për shërbesën time dhe patëm mundësinë të shkëmbenim disa mendime bashkë.

I tregova se isha pastor i një kishe lokale në Shqipëri dhe se predikoja edhe në radio. Ai ishte shumë i interesuar që të dinte më shumë rreth predikimeve të mia.

Ai më bëri lloj- lloj pyetjesh rreth mësimdhënies dhe predikimit që kishim marrë në atë trajnim.

Si po i trajnon seminari personat që kanë dëshirë për të predikuar sot? Si i ndihmon njerëzit që kanë dhuntinë për të predikuar?

Pra folëm pak rreth këtyre temave. Por erdhi koha të ndaheshim. Kur ai më takoi, duke më parë drejt e në sy, dhe me gjithë peshën e urtësisë së tij në shërbesën gjysmë shekullore me njerëzit dhe më tha: “Ji i mirë.”

Be kind.”

Këto dy fjalë përmbledhin gjithçka që folëm sot. Ji i mirë. Me të tjerët. Me veten. Edhe nëse i kritikon ata, ji i mirë.

Ashtu siç e thotë edhe Pali tek Kolosianëve 3:

Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin, duke duruar njeri tjetrin dhe duke falur njeri tjetrin, në qoftëse dikush ankohet kundër një tjetri; dhe sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju.  Dhe, përmbi të gjitha këto gjëra, vishni dashurinë, që është lidhja e përsosmërisë.”

Ji i mirë për shkak të mirësisë së pafund që Krishti ka tregua me ty. Amen

Komente

komente