Perëndia i panjohur

Titulli: Perëndia i panjohur (pjesa 1)

Nëse ka një gjë në besimin e krishterë që i fyen njerëzit, është fakti që Jezusi është tepër i përcaktuar si Perëndi. Ai mund të njihet. Dhe kjo gjë shumë njerëz i largon.

Shoqata “Alkoolistët Anonimë” dhe grupe të tjera që ndjekin dymbëdhjetë hapat e rikuperimit flasin për Perëndinë në këtë mënyrë: “mbështetu te Perëndia ashtu si e kupton ti Atë”, pra cilido qoftë arsyetimi yt. Sipas tyre ti mund t’i besosh çdo lloj pushteti të lartë për sa kohë që kjo gjë të ndihmon ty. Grupet prej dymbëdhjetë hapash, të mësojnë se nuk mund t’ia dalësh vetë, pa mbështetjen e një fuqie të madhe, por ata nuk duan ta thonë se kush apo çfarë është kjo fuqi. Në rast se pushteti yt më i lartë nuk mbështet te Jezusi, ti nuk do të doje të dëgjoje për një Perëndi me një personalitet të përcaktuar, i Cili dëshiron që të gjithë njerëzit të drejtohen tek Ai dhe ta gjejnë Atë. Jezusi si Perëndi është tepër i përcaktuar. Një Perëndi i panjohur ka më pak gjasa t’i largojë njerëzit.

Xhozef Kembëll (Joseph Campbell), që ka vdekur por ka ende ndikim te ne, studioi mitet e shumë kulturave të ndryshme. Kembëll mësoi se: “asnjë mit nuk është i vërtetë por që të gjitha mitet dhe ritualet çojnë drejt një force misterioze që është përtej njohjes. Të gjitha fetë janë të vërteta si mite, por asnjë nuk është e vërtetë si fakt”. Tani nëse vërtetë mendon kështu, nuk do të duash të besosh se një njeri realisht ishte dhe është Perëndia i gjallë, që ky njeri jetoi me të vërtetë mbi tokë në një kohë të paracaktuar dhe një vend të përcaktuar, se pasi u vra trupi i tij i vdekur me të vërtetë u kthye në jetë dhe se është caktuar një kohë  kur Ai do të kthehet në tokë dhe të gjithë do t’i përgjigjen atij. Jezusi si Perëndi është tepër i përcaktuar. Një Perëndi i panjohur të shqetëson më pak.

Për sa kohë që kemi një perëndi të panjohur, ne mund ta përshtatim atë sipas qejfit. Ne nuk duhet të ndryshojmë në varësi të dëshirës së Tij.

Ne thjesht mund të bëjmë atë që është më e mira dhe të “ndjekim lumturinë tonë”. Për sa kohë që ke një Perëndi të panjohur, zgjedhja jote është po aq e mirë sa e imja, kur bëhet fjalë për fenë. Kur Perëndia është i panjohur, ai mund të jetë kushdo që duam ne, dhe ne mund të zgjerojmë të menduarin dhe qëndrimin tonë ndaj tërë feve.

Paqartësia duket sikur është virtyt në fe. Disa njerëzve u duket e çuditshme kur i flasin për një person të qartë se sa kur i flasin për dikë apo diçka të paqartë.

Kjo është arsyeja pse Krishterimi shpesh disa njerëzve u duket sulmues. Askush nuk e quan urdhërimin e paqartë të vdekjes së Jezusit si martirizim të një heroi të guximshëm. Ti mund të ofendohesh në rast se të them se sakrifica e Jezusit është e vetmja rrugë për te Perëndia, apo se është e vetmja rrugë që Perëndia siguron për këdo, që dëshiron të falet dhe mbështillet në dashurinë e tij e të shpëtohet prej ferrit të përjetshëm.

Askush  nuk e ka problem nëse historia e ringjalljes përdoret për të na kujtuar jetën e re në pranverë apo gëzimin e fillimeve të reja. Por në rast se them se Jezusi është me të vërtetë i gjallë, se ringjallja e Tij provon se ai është i vetmi që Perëndia ka caktuar për të gjykuar botën, se pavarësisht se cilës feje i beson, në fund fare ti do t’i përgjigjesh Jezusit dhe, kjo gjë mund të mos të pëlqejë.

Por, të pëlqen ose jo, kjo është e vërteta. Natyra e Perëndisë nuk është një pikëpyetje që askush nuk mund t’i japë përgjigjen. Natyra e Perëndisë është natyra e Jezusit. Mënyra e vetme si të jemi në rregull me Perëndinë dhe të shijojmë dashurinë e Tij nuk është e paqartë as e fshehur. Mënyra për të qenë i drejtë me Perëndinë është Jezusi. Është e papranueshme të lidhesh me Perëndinë sikur Ai të jetë i panjohur. Në rast se dëshiron të dish se si është Perëndia, thjesht shiko Jezusin. Në rast se dëshiron të mësosh se si vepron Perëndia, shiko Jezusin. Në rast se dëshiron të dish se si shpëton Perëndia, shiko Jezusin. Në rast se dëshiron të dish se si do të gjykojë Perëndia, shiko Jezusin.

Kjo gjë mund të ofendojë ty nëse preferon që besimi  yt të jetë i turbullt apo nëse mendon se Perëndia është i panjohshëm. Ti mund të mendosh se e vetmja gjë që di me siguri është se nuk mund t’i dish të gjitha! Po, ti mund të ndihesh i sigurt edhe për diçka tjetër se zoti, zotat apo kushdo qoftë objekti i besimit tënd janë të gjithë njëlloj dhe të gjitha fetë kanë të njëjtën vlerë.”

Por si mund të jesh i sigurt për këtë?

A dëshiron të vazhdosh me idetë e tua të paqarta dhe të pasigurta për një Perëndi të panjohur apo dëshiron të njohësh Perëndinë e vërtetë?

Perëndia është i njohshëm dhe çdo ide që kundërshton zbulesën e Tij në Krishtin është e rreme. Perëndia është i njohshëm, dhe nuk ka justifikim për mosnjohjen e Tij. Perëndia është i njohshëm dhe, ndonëse disa mund të fyhen prej kësaj, shumë të tjerë do të dëgjojnë Perëndinë duke folur dhe do të njohin Perëndinë e madh, Atë që të krijoi dhe të do edhe ty.

Ndoshta ti beson në një pushtet më të lartë por të panjohshëm. Ti mahnitesh prej bukurisë së natyrës apo mrekullisë së lindjes së një foshnje. Disa gjëra që kanë ndodhur në jetën tënde, kanë qenë shumë më tepër se sa  thjesht rastësi.

Ndoshta ke pasur raste kur ke ndier një lloj pranie që dukej e mrekullueshme dhe shumë pranë teje. Ti mendon se duhet të ketë një farë Perëndie. Ti ndihesh i tërhequr prej tij disi, ndoshta ti mediton dhe lutesh apo e adhuron atë sipas mënyrës tënde, por nuk e njeh atë. Në rast se ndihesh pikërisht kështu tani, dua të të tregoj një histori nga Bibla që mund të lidhet shumë mirë me ty. Kjo histori flet për adhuruesit e një Perëndie të panjohur.

Idhujt dhe filozofët

Te veprat 17 Bibla tregon për një vizitë që apostulli Pal bëri në qytetin e Athinës. Athina ishte një mrekulli e vërtetë. Në rast se ti edhe unë do ta kishim vizituar Athinën e atëhershme do të na kishte bërë shumë përshtypje. Intelektualët do të admironin universitetin e famshëm të botës, ku mendjet më të ndritura diskutonin idetë më të reja. Fansat e sporteve do të vërshonin në stadium për të parë atletët më të mirë të botës. Njerëzit që e duan dramën do të nxitonin për të parë tragjeditë dhe komeditë e gjenive të mëdhenj grekë. Artistët dhe vizitorët do të vëzhgonin skulpturat dhe veprat e artit. Çdo njeri do të donte të shikonte Panteonin, një prej mrekullive arkitekturale të botës.

Athina ishte plot me atraksione, por çfarë i kapi vëmendjen Palit kur ai shkoi atje? Idhujt. A mund ta besosh këtë? Në atë qytet të mrekullueshëm dhe emocionues, Pali vazhdoi të vëzhgonte idhujt.

Idhujt e shqetësonin atë. Ai nuk tha me vete “Sa larmi e mrekullueshme. Tek e fundit, të gjitha rrugët të çojnë te Perëndia. Këto pushtete më të larta duket sikur i bëjnë njerëzit të ndihen më mirë. Mitet e tyre shprehin të vërteta të mëdha. Çfarëdo gjëje që besojnë ka vlerë për ta.”

Jo, Pali “Ndërsa po i priste në Athinë, po i ziente fryma përbrenda, kur pa qytetin plot me idhuj.” (Veprat 17:16) Pse ishte kaq i mërzitur ai? Sepse besimi i rremë e çnderon Perëndinë dhe i shkatërron njerëzit.

Por çfarë ndodh më tej në bisedën e Palit me filozofët epikurianë dhe stoikë të Athinës dhe, a ka lidhje kjo histori me kohën që jetojmë sot? 

Komente

komente