Perëndia i panjohur

Titulli: Perëndia i panjohur (pjesa 3)

Po filloj pa humbur kohë atje ku e lamë herën e kaluar. Pali po flet në Aeropag. Dëgjoni fjalët e tij.

Krijuesi personal

Atëherë Pali, duke qëndruar në këmbë në mes të Areopagut, tha: “O burra athinas, unë shoh se në të gjitha gjërat ju jeni shumë fetarë”.

23  Sepse, duke ecur e duke vënë re objektet e kultit tuaj, gjeta edhe një altar mbi të cilin është shkruar: “PERÉNDISÉ SÉ PANJOHUR”. Atë, pra, që ju e adhuroni pa e njohur, unë po jua shpall.

24  Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat që janë në të, duke qenë Zot i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë nga duart e njeriut,

25  dhe as shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë;

26  dhe ai ka bërë nga një gjak i vetëm të gjitha racat e njerëzve, që të banojnë në mbarë faqen e dheut, dhe caktoi kohërat me radhë dhe caqet e banimit të tyre,

27  që të kërkojnë Zotin, mbase mund ta gjejnë duke prekur, ndonëse ai nuk është larg nga secili prej nesh.

28  Sepse në të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi, sikurse kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj: ‘Sepse jemi edhe ne pasardhës të tij.’” (Veprat 17:22-28)

Pali e bëri të njohur Perëndinë si krijuesin personal. Perëndia është real, Ai është personal, Ai është i njohshëm dhe dëshiron që ne ta njohim Atë. Universi nuk është thjesht një bashkim atomesh që bien në hapësirë. Perëndia e krijoi atë. Universi vetë nuk është Perëndi. Ai është krijim i Perëndisë. Perëndia vetë është personal dhe ata që thonë se nuk është kështu nuk e dinë se çfarë po thonë. Perëndia është një dhe ata që thonë se ka shumë perëndi të ndryshëm, e kanë gabim. Ky Perëndi krijoi mbarë universin, Ai krijoi çdo person në çdo vend, në çdo kohë të historisë dhe, pavarësisht nëse e njohim atë ose jo, ky Perëndi i fuqishëm është shumë pranë nesh dhe dëshiron që ta njohim Atë. Çdo frymëmarrje që marrim është e mundur vetëm sepse jetojmë dhe lëvizim e kemi jetë përmes fuqisë së Perëndisë.

Pa të ne do të zhdukeshim në çast.

Të gjithë njerëzit kudo ndodhen jetojnë në praninë e këtij Krijuesi personal. Kjo është arsyeja përse njerëzimi nuk mund të jetojë pa besimin. Ne nuk mund të rrimë pa bërë pyetjet e rëndësishme të jetës. Përgjatë historisë, në të gjitha vendet dhe kulturat njerëzit shikojnë krijimin përqark tyre, ata reflektojnë për misteret e thella të së drejtës dhe së gabuarës, dashurisë dhe urrejtjes, jetës dhe vdekjes, njëherazi formulojnë fe dhe filozofi të cilat i ndihmojnë të kuptojnë universin dhe jetët e tyre. Ka shumë ide të vërteta në këto sisteme fetare si edhe shumë urtësi morale, por njëkohësisht edhe shumë gabime.

Për shkak se çdo kulturë krijon perënditë, perëndeshat dhe traditat, disa njerëz kënaqen me faktin që një fe të jetë po aq e mirë sa një tjetër. Të gjitha rrugët çojnë te Perëndia dhe çdo kulturë duhet të ruajë fenë e vet.

Por prania e kaq shumë kulturave të kësaj natyre është një gënjeshtër vrastare. Nuk është e vërtetë se adhurimi i një idhulli apo një Perëndie të panjohur është njëlloj si të njohësh Perëndinë e vërtetë, ndërkohë që Perëndia e vërtetë e shpalos veten në Jezus Krishtin. Zoti nuk dëshiron që të sajojmë filozofitë tona dhe të adhurojmë idhujt që kemi krijuar vetë. Krijuesi personal i bëri gjithë njerëzit, vendet dhe kulturat që të mund ta kërkonin atë, të zgjateshin drejt Tij dhe ta gjenin.

Shpëtimtari i ringjallur

Duke qenë, pra, se ne jemi pasardhës të Perëndisë, nuk duhet të mendojmë që natyra e perëndishme është e ngjashme me arin ose me argjendin, ose me gurin ose me një vepër arti të latuar dhe të shpikur nga njeriu.

30  Perëndia, pra, duke kaluar përmbi kohërat e padijes, i urdhëron të gjithë njerëzit dhe kudo që të pendohen.

31  Sepse ai ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën me anë të atij njeriu të cilin ai e ka caktuar; dhe për këtë u ka dhënë të gjithëve një provë të sigurt, duke e ringjallur prej së vdekurish”. (Veprat 17:29-31)

Ky është çasti kur Pali pohon gjithçka në një fjali. Perëndia nuk është as i paqartë, as i panjohshëm.

Perëndia nuk është një produkt i “dizajnit dhe aftësisë së njeriut”, një pjellë e imagjinatës. Ai nuk është ashtu si e imagjinojmë ne, por është ashtu siç e ka zbuluar veten ai vetë.

Mund të ketë pasur një kohë kur Perëndia e përçmoi tërë atë idhujtari, supersticion dhe gabim, por me jetën, vdekjen dhe ringjalljen e Jezusit ajo kohë ka marrë fund. Tani Perëndia i fton njerëzit në çdo pjesë të botës ta pranojnë atë. Mos ndiq thjesht besimin e kulturës tënde, apo idetë e tua vetjake. Perëndia i urdhëron“të gjithë njerëzit kudo që janë që të pendohen.”

Perëndia nuk është i panjohur, as i paqartë. Sigurisht që ai është tepër i madh dhe i pafund që ta njohim tërësisht, por nëse nuk mund ta njohim tërësisht të paktën mund ta njohim realisht.

Ne mund ta njohim Perëndinë si Krijuesin e gjithçkaje, përfshi këtu edhe veten tonë. Ne mund ta njohim Perëndinë në personin e Shpëtimtarit të ringjallur, Jezus Krishtit. Natyra e Perëndisë nuk është e panjohur, as e paqartë. Ajo është zbuluar në natyrën e Jezusit. Krishti është imazhi i Perëndisë së padukshëm. Marrëdhënia jonë me Perëndinë dhe destinacioni ynë përfundimtar nuk është i panjohur.

Çdo gjë po drejtohet drejt një dite të përcaktuar, të vendosur nga Perëndia, kur ne do të përballemi me një gjykatës të përcaktuar, të vendosur nga Perëndia. Dhe e gjitha kjo, thotë Pali është zbuluar në një ngjarje e përcaktuar të realizuar prej Perëndisë: pikërisht vdekja dhe ringjallja e Jezus Krishtit. Kjo ngjarje kërkon një reagim të përcaktuar: pendohuni dhe besoni Lajmin e Mirë të mbretërimit të Perëndisë dhe shpëtimit në Krishtin. Ringjallja e Jezusit nuk është thjesht një mit që përmban disa mësime të mira. Ky është një fakt, fakti qendror i universit.

Lajmi i mirë i një krijuesi personal, dhe i shpëtimtarit të ringjallur i largon disa njerëz. Ungjilli duket tepër i përcaktuar dhe dogmatik kur pohon:”Ky është Perëndia. Këtë ka bërë Perëndia. Kjo gjë e përcakton destinacionin tënd. Kështu duhet të përgjigjesh edhe ti.” Veprat 17:32 përshkruan reagimin ndaj mesazhit të Palit në Athinë. ”

Kur dëgjuan të flitej për ringjalljen e të vdekurve, disa e përqeshën dhe të tjerë thoshin: “Duam të dëgjojmë përsëri për këtë gjë”, dhe shumë prej tyre besuan. Këto ishin dy reagimet kryesore kur Perëndia i panjohur bëhet i njohur. Disa njerëz ngërdheshen. Të tjerët besojnë dhe shpëtohen.

Po ti si do të reagosh?

Nëse Jezusi nuk u ngrit asnjëherë prej së vdekurish, ti mund ta harrosh këtë çështje dhe të thuash: “Ai nuk është Biri i Perëndisë, është i rremë. Jeta e tij nuk zbulon Perëndinë, vdekja e Tij nuk paguan për mëkatet tona dhe Ai nuk do të vijë sërish për të gjykuar të gjallë dhe të vdekur.” (Shënim i përkthyesit: Pastor kujdes me intonacionin, imagjino një jobesimtar që i thotë këto, me indiferentizëm!!)  

Por në rast se Jezusi u ngrit prej së vdekurish, do të bëje mirë të pendoheshe dhe t’i besoje Atij. Thuaji mirupafshim perëndisë së panjohur, thuaji mirupafshim çdo filozofie abstrakte, thuaji mirupafshim çdo feje tjetër. Kërkoji Perëndisë të të falë dhe ta mbushë jetën tënde me Frymën e Tij të Shenjtë.

Njihe Perëndinë më mirë, duke e njohur më mirë Jezusin. Gjej një kishë që shpall Jezusin, sikurse e  zbulon Bibla. Zgjedhjet e tua janë këto: ose harroje Jezusin, ose ndiqe Jezusin. Unë lutem që ti do të fillosh ta ndjekësh Atë sot dhe do të kuptosh se Perëndia i panjohur e ka bërë veten e Tij të njohur, se Perëndia që je munduar të gjesh, të ka  gjetur ty, se Ai të do me një dashuri të përjetshme dhe se Ai të birëson ty si fëmijën e vet përmes besimit në Jezusin.

Këtu minutave të programit tonë i ka ardhur fundi. Ju ftoj të na shkruani dëshminë tuaj se si keni besuar në Jezusin, ne do ta përfshijmë në njërën prej temave të ardhshme. Edhe ti mund të bëhesh inkurajim për të tjerët, ndaj na shkruaj.

Komente

komente