Pjetri sfidues

Print

Titulli: Pjetri sfidues (pjesa 2)

Të qëndrosh për ungjillin

Ky ishte një moment kritik në historinë e kishës. Po sikur të gjithë njerëzit të thoshin: “Pjetri është drejtues, ai nuk mund të gabojë!”.

Po të ishte ashtu, ungjilli do të shtrembërohej në një mesazh që thotë se nuk mund të shpëtohesh me anë të besimit në Jezusin, duhet të zbatosh edhe ligjet, ritualet dhe rregullat. Kështu dera e mbretërisë së Perëndisë do tu përplasej në fytyrë shumë personave. Por ishte një person që refuzoi të ndiqte drejtimin e Pjetrit. Një njeri kishte një urtësi të veçantë prej Perëndisë të shikonte problemet e Pjetrit dhe të përballej me guxim me të. Ky njeri ishte apostulli Pal. Pali shkruan: ” Po kur unë pashë se ata nuk ecnin drejt sipas së vërtetës së ungjillit, i thashë Pjetrit përpara të gjithëve: “Në qoftë se ti, që je Jude, rron porsi johebrenjtë dhe jo si Judenjtë, pse i detyron johebrenjtë të rrojnë si Judenj?”. Ne, që jemi Judenj nga lindja dhe jo mëkatarë në mes johebrenjsh, duke ditur se njeriu nuk shfajësohet me anë të veprave të ligjit, por me anë të besimit në Jezu Krishtin, besuam edhe ne në Jezu Krishtin, që të shfajësoheshim me anë të besimit në Krishtin dhe jo me anë të veprave të ligjit, sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet me anë të veprave të ligjit.

17  Dhe, në qoftë se duke kërkuar të shfajësohemi në Krishtin, u gjetëm edhe ne mëkatarë, mos vallë Krishti qenka shërbenjës i mëkatit. Kurrsesi jo!

18  Sepse, në qoftë se unë ndërtoj përsëri ato gjërat që prisha, unë bëhem vetë shkelës,

19  sepse përmes ligjit, vdiqa për ligjin, që unë të rroj për Perëndinë.

20  Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin dhe nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua; dhe ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua.

21  Unë nuk e hedh poshtë hirin e Perëndisë sepse, në qoftë se drejtësia vjen me anë të ligjit, atëherë Krishti ka vdekur më kot!” Galatasve 2:14-21

Pali mbrojti ungjillin. Këto fjalë të Palit e ndreqën Pjetrin dhe e kthyen sërish kishën në rrugën e duhur.

Ai çast kritik, nuk ishte hera e fundit që kisha ishte tunduar të hiqte dorë prej ungjillit të shpëtimit, me anë të hirit të Perëndisë, vetëm me anë të besimit në Krishtin. Ky problem është shfaqur vazhdimisht në historinë njerëzore. Një tjetër moment kritik ishte në fillim të viteve 1500. Ajo ishte një kohë kur lajmi i mirë i shpëtimit me anë të besimit në Jezusin, u varros nën ritualet dhe rregullat e krijuara prej drejtuesve të kishës. Ata thonin se Jezusi ishte i nevojshëm për shpëtimin, por vetëm Jezusi nuk mjaftonte; Që të shpëtoheshe do të kishe nevojë për disa ceremoni dhe tradita të kishës, por veç kësaj duhet të bëje shumë përpjekje dhe pagesa të posaçme parash, me qëllim që të shpëtoheshe.

Ai që i përkeqësonte më shumë gjërat ishte zyrtari më i lartë në stabilimentin e kishës, pra Papa, njeriu që pohonte se ishte pasuesi i Shën Pjetrit. Të gjitha gjërat më lart po thoshte ky person dhe shumë njerëz mendonin se gjithçka që thoshte papa ishte e drejtë.

Por një murg gjerman që quhej Martin Luter, i doli para papës dhe i tha se e kishte gabim. Ai tha se kisha kishte devijuar prej asaj që thoshte ungjilli dhe kishte nevojë për ndryshim. Në 31 Tetor 1517, Luteri doli në protestë kundër gabimeve të kishës. Ai filloi rivendosjen e ungjillit në vendin e vet, e gjitha kjo mori emrin Reformacioni Protestant. Në thelb Luteri bëri të njëjtën gjë që Pali bëri vite më parë. Ai guxoi që të qëndronte për ungjillin e hirit, në një kohë që gjithë të tjerët po vendosnin ligjet dhe ritualet para Krishtit. Luteri guxoi ta sfidonte të gjithë hierarkinë e kishës dhe vetë papën.

Është e trishtueshme por papa, nuk reagoi ndaj këtij qortimi, ndryshe nga Pjetri që pranoi gabimin dhe ndryshoi. Pjetri e dëgjoi Palin, por papa nuk ia vuri veshin Luterit, madje e kundërshtoi ashpër.

Shumë njerëz e tallën Luterin, duke i thënë se ishte qesharake të mendonte se papa dhe e gjithë hierarkia e kishës ta kishte gabim, ndërsa një murg gjerman të kishte të drejtë. Por Luteri kishte të drejtë ashtu si Pali disa shekuj më parë. Luteri këmbënguli se autoriteti i Fjalës së Perëndisë është mbi autoritetin e çdo njeriu, pavarësisht se sa i rëndësishëm mund të duket ai njeri. Luteri këmbënguli se shpëtimi me anë të besimit në Krishtin, nuk vjen përmes rregullave dhe ritualeve të vendosura nga një drejtues i kishës. Dhe për pasojë, dera për mbretërinë e Perëndisë,që ka qenë dikur e bllokuar prej legalizmit dhe gabimeve, u hap në të dyja kanatat për shumë njerëz.

Tani, unë po përmend Luterin dhe Reformacionin, jo për të goditur katolikët as për t’i bërë protestantët të ndihen superiorë, por për t’i ftuar njerëzit pavarësisht prejardhjes së tyre të besojnë vetëm në Jezusin, t’i besojnë vetëm autoritetit të Fjalës së Perëndisë.

Çdo kishë dhe çdo individ duhet t’i referohet vazhdimisht dhe ti kthehet të vërtetës së ungjillit që thotë se:”njeriu nuk është shfajësuar me anë të ligjit por me anë të besimit në Jezus Krishtin.” Thelbi i krishterimit nuk janë as rregullat dhe as ritualet, por një marrëdhënie personale që pohon se: “Krishti jeton në mua” dhe “Unë jetoj me anë të besimit në birin e Perëndisë që më deshi dhe dha veten e tij për mua.” Krishterimi është Krishti! Një raport i drejtë me Perëndinë mund të vijë vetëm dhe vetëm duke besuar në Krishtin. Ky është ungjilli!

Arsye për tu konfrontuar

Por shpesh ne harrojmë ta jetojmë këtë ungjill dhe veprojmë sikur ai të mos jetë i vërtetë. Kjo ndodhi me apostullin Pjetër dhe, nëse kjo mund t’i ndodhte atij, mund t’i ndodhë secilit prej nesh.

Problemet e Pjetrit filluan kur ai nisi t’ia kishte frikën njerëzve në vend që të fokusohej te Jezusi. Ai kishte shijuar çdo vakt me johebrenjtë e krishterë, por kur disa njerëz shumë strikt dhe fanatikë erdhën në qytet, të cilët besonin se për shpëtimin nuk mjaftonte vetëm besimi te Jezusi, Pjetri pati frikë se mos bënte përshtypje të keqe tek ata, kështu që ndaloi së ngrëni me miqtë e tij johebrenj. Sa herë na ndodh kjo gjë edhe ne? Ne jemi kaq të frikësuar se disa njerëz të caktuar mund të mendojnë se kemi harruar ta pyesim Jezusin se çfarë mendon Ai vetë për këtë dhe kështu pa e kuptuar mirë, mohojmë ungjillin dhe i bëjmë gjërat e tjera të kenë më shumë rëndësi se sa Jezusi. Në atë pikë ne duhet të konfrontohemi me të vërtetën.

Kur Pjetri u bashkua me legalistët të cilët mohonin shpëtimin që vjen vetëm duke besuar në Krishtin, Pali e dinte se nuk duhet të rrinte duarkryq dhe të shikonte se çfarë do të ndodhte. Është e vështirë të përballesh me dikë, sidomos kur është kaq i respektuar dhe i rëndësishëm sa Pjetri, por Pali e dinte se duhet të përballej me Palin të paktën për katër arsye.

Add a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *