Politika si zakonisht

Titulli: Politika si zakonisht (pjesa 1)

Nëse beson atë që thonë politikanët për veten, do të thoshe se ata janë burra shteti shumë të guximshëm dhe të shkëlqyer, njerëz me familje ideale dhe politika të përsosura. Nëse beson atë që oponentët e tyre thonë për ta, do të mendoje se ata janë njerëz të marrë dhe familjet e tyre janë të këqija, ndërsa programet e tyre sjellin shkatërrim për kombin.

Por kur të vijë dita e zgjedhjeve, shumë prej nesh do të jenë ngopur me politikanët që hedhin sulme kundër oponentëve të tyre.

Ndonjëherë ne dëshirojmë fort të na kthehen ato kohët e vjetra kur kishte më pak mburravecë, më pak politikanë që ziheshin si qentë dhe më pak burra shteti mendjemëdhenj.  Na mungojnë ata politikanë që debatonin çështje të ndryshme duke treguar mirësjellje dhe inteligjencë. Por Bibla thotë: “Mos thuaj: ‘Si është e mundur që ditët e kaluara ishin më të mira nga këto?’ sepse nuk është urtësi të bësh një pyetje të tillë.”(Predikuesit 7:10)

E vërteta është se politika në të kaluarën ka qenë më keq. Fushatat e sotme elektorale mund të jenë negative dhe të shpifura, por historiani Pol Boller thotë: “Fushatat presidenciale sot janë shumë herë më mira se ç’kanë qenë dikur.”

Xhorxh Uashington (George Washington) fitoi dy zgjedhje presidenciale pa shumë mundim, por pas saj gjërat shpesh shkonin keq. Xhon Adams (John Adams) dhe Tomas Xhe-fer-son (Thomas Jefferson) kanë qenë miq, por kandiduan kundër njëri- tjetrit në vitin 1796. Mbështetësit e Adams-it e quajtën Xhefersonin një  “ateist ulëritës”, një kandidat për vrasësit. Fushata e Xhefersonit pohoi se Adamsi do të shkatërronte Kushtetutën, do ta deklaronte veten mbret dhe të bijtë do t’i bënte princër të kurorës. Adamsi fitoi zgjedhjet e vitit1796 dhe nuk bëri asnjë prej atyre gjërave.

Zgjedhjet e vitit 1800 sërish sollën përballë njëri-tjetrit Adams dhe Xheferson. Këtë herë mbështetësit e Xheferson-it sajuan një përrallë të gjatë, që presidenti Adams kishte urdhëruar një luftanije amerikane, për të sjellë nga Anglia dy vajza për kënaqësinë e presidentit.

Gazetat që ishin në favor të Adams-it, paralajmëruan që nëse Xhefersoni do të fitonte, “vrasja, vjedhja, përdhunimi dhe inçesti do të mësoheshin dhe praktikoheshin hapur.” Xhefersoni do të digjte Biblat dhe kishat.

Në fakt Xhefersoni i fitoi zgjedhjet, por nuk bëri asnjërën prej atyre gjërave.

Në fushatën e vitit1828, Endrju Xhekson e quajti Xhon Kuins Adams-in “vocërraku” dhe e akuzoi atë se i kishte bërë presion një gruaje që të kishte lidhje dashurie me carin e Rusisë.

Përkrahësit e A-damsit e kthyen sulmin duke thënë:”nëna e gjeneralit Xhekson ishte një prostitutë e zakonshme.” Ata e akuzuan  atë si një pijanec dhe një vrasës të çmendur.  Në çdo fushatë akuzohej gruaja e kandidatit tjetër për imoralitet seksual. Sulmet e lënduan zonjën Xhekson kaq shumë sa që ajo hyri thellë e më thellë në depresion ndërkohë që vazhdonte fushata. Pak ditë pas zgjedhjes së bashkëshortit të saj si president, ajo vdiq.

Në vitin1860 dhe 1864, gazetat demokratike e përshkruanin Abraham Linkolnin, kandidatin republikan, si një primat, duke e ndryshuar emrin e tij nga “Abi i ndershëm” në “majmuni i ndershëm.” Shumë historianë e quajnë Linkolnin presidentin më të madh në historinë amerikane por kundërshtarët e tij politikë i vunë emra të tillë si: bufon, majmun injorant, hajdut, tiran dhe kasap.

Në vitin 1888, presidenti demokrat Grover Klevlend(Grover Cleveland) kandidoi për tu rizgjedhur. Republikanët filluan sharjet ndaj tij duke e akuzuar si një copë pijaneci, që e rrihte gruan e tij, madje një herë e nxori jashtë Shtëpisë së Bardhë në mes të dimrit.

Gruaja e Klevlend tha se ky ishte një lajm tërësisht i rremë dhe se të gjitha gratë duhet të kishin një burrë aq të mirë sa burri i saj. Por Klevlendi i humbi ato zgjedhje.

Kur politika hyri në moshën e televizionit, fushata e demokratit Lindon Xhonson paraqiste një vajzë të vogël, që kwpuste petalet e një lule margaritë teksa ndërkohë që ngrihej një re tymi nga një shpërthim atomik. Reklama thoshte se nëse zgjidhej republikani konservativ Beri Golduatër (Barry Goldwater), ai do të shkaktonte luftë nukleare.

Taktika e frikësimit funksionoi dhe Xhonson fitoi në një elektorat. Me të vërtetë do të hidhte në erë vajzat e vogla dhe do të shkatërronte botën Golduatër? Jo. Në fakt, përkrahësi kryesor i Golduatër, Ronald Regan, më vonë kandidoi për president dhe fitoi. Gjatë mandatit të tij ai nuk solli shkatërrimin e botës, por i dha fund luftës së ftohtë.

Historia e politikës elektorale është e mbushur me hile të pista, pra le të mos ëndërrojmë për “ditët e bukura të së shkuarës” kur drejtuesit e virtytshëm qëndronin fort pas çështjeve të tyre. Ditët e bukura të së shkuarës janë një kombinim i kujtimeve të këqija dhe imagjinatës së mirë. Fushata negative dhe politika e pisët na ka shoqëruar gjithmonë për sa kohë ka pasur politikanë dhe zgjedhje.

Larg prej përsosmërisë

Shpesh sulmuesit politikë nuk e besojnë atë që thonë dhe e ndryshojnë sjelljen kur arrijnë atë që duan.

Për shembull, është  thënë për Xhon Eduards se katër vitet e tij në senat nuk mjaftonin për ta përgatitur atë për president. “Populli amerikan dëshiron njerëz me përvojë” tha kundërshtari i tij. “Nuk është koha për trajnim gjatë punës, e sidomos kur bëhet fjalë për Shtëpinë e Bardhë dhe çështjet e sigurisë kombëtare.” Një shuplakë erdhi për Eduards, një avokat multimilioner i cili mori shumicën e fondeve të tij për fushatë prej avokatëve. Ja se çu tha për të: “Nëse qëllimi i tij është të largojë interesat e veçanta prej Uashingtonit, atëherë përse ka marrë më shumë se njëmbëdhjetë milion dollarë prej avokatëve dhe firmave ligjore?” A i erdhën këto sulme atij prej kandidatëve republikanë? Jo, sulmet erdhën prej Xhon Kerrit dhe fushatës së tij në kohën kur Eduards po ndeshej me Kerrin për emërimin demokratik.

Por pasi Kerri e fitoi emërimin e partisë së tij, ai zgjodhi si bashkëpunëtor të tij Eduards-in, dhe nuk i mbetej gjë tjetër veç ta përgëzonte atë.

Kjo është politika: një kundërshtar politik nuk është i mirë, por në momentin që ai bashkohet me fushatën tënde, krejt papritur bëhet i mrekullueshëm. Në kohën kur Ronald Regan po kandidonte për president, planet e tij për buxhetin ishin objekt talljeje nën termin: “ekonomia vudu apo jo realiste.” Xhorxh Bush i vjetri e përdori atë frazë kundër fushatës elektorale të Reganit, një ndër republikanët kryesorë. Por Bushi në fund u bë bashkëpunëtor  me Regan-in, në vendin e Zv. Presidentin dhe mbrojti pikërisht ato politika që më parë i kishte denoncuar si vudu dhe i kishte nënvlerësuar.

Pse politikanët flasin kaq ashpër kundër kundërshtarëve të tyre? Sepse kjo funksionon. Shumë votues nuk i kuptojnë funksionet ekonomike apo gjyqësore, a politikën e jashtme, kështu që është e kotë t’i flasësh për këto gjëra atyre. Ajo që bën punë është të shtypësh butonin e tyre emocional. Bisedat e krahut të djathtë në radio, propagandat filmike të krahut të majtë, si edhe reklamat e shumta elektoralë prej 30 sekondash, nuk i bëjnë gjithmonë votuesit më të zgjuar por mund t’i bëjnë më të zemëruar me palën tjetër.

Niveli i zemërimit mund të përcaktojë nëse një votues shkon në votime apo qëndron në shtëpi se i mungon interesi, kështu që pala me metodat sulmuese më efektive, mund të ketë rezultat më të lartë votash.

Me pak fjalë, një arsye madhore pse fushatat elektorale janë të këqija është për faj të votuesve të painformuar. Në rast se votuesit nuk duan të mendojnë, atëherë ata do të marrin vetëm atë që meritojnë: politikën e sensacioneve. Dikush ka thënë: “Demokracia është një qeveri ku ti mund të thuash atë që mendon ndonëse nuk mendon asgjë.” Uinston Çërçill, ky burrë i njohur shteti dikur ka thënë: “Argumenti më i mirë kundër demokracisë është një bisedë pesë minushe me votuesin e nivelit mesatar.” Ne votuesit nuk jemi gjithmonë gjeni dhe, zgjedhjet nuk janë gjithmonë të këndshme. Sharjet dhe hilet e ndyra që nxisin zemërimin e votuesve janë pak a shumë politika e zakonshme.

Por a do të doje që për shkak të kësaj të mos kishte fare fushata elektorale dhe zgjedhje të lira? Ti nuk ke pse ta pëlqesh gjithçka në politikën e zakonshme, por ti mund të jesh sërish mirënjohës nëse jeton në një vend ku mund të votosh dhe mund të shprehësh lirshëm opinionet e tua politike. Në shumë vende dhe periudha të historisë, politikanët kanë vrarë rivalë politikë dhe kanë burgosur këdo që fliste kundër politikave qeverisëse. Çfarëdo gjëje që nuk na pëlqen në politikën e zakonshme, është goditje ndaj diktaturës.

Çërçill dikur tha:”Askush nuk pretendon se demokracia është e përsosur apo se i di të gjitha. Në të vërtetë është thënë se demokracia është forma më e keqe e qeverisjes me përjashtim të formave të tjera që janë provuar herës pas here.”

Nëse asnjë sistem tjetër nuk ka funksionuar më mirë se sa zgjedhjet e lira dhe nëse zgjedhjet e së kaluarës kanë qenë po aq të pandershme, sa këto që bëhen sot, a do të thotë kjo se duhet të pranojmë politikën si zakonisht? A duhet të përballemi me dobësitë tona de të ngulmojmë për fushata më të mira elektorale si dhe qeverisje më të mirë? Cilat janë kufijtë e politikës dhe sa ndikim ka ajo në jetën e njerëzve të  thjeshtë? Për të gjitha këto na ndiqni në programin tonë të herës së ardhshme.