Politika si zakonisht

Titulli: Politika si zakonisht (pjesa 3)

I kthehemi edhe një herë politikës së njohur amerikane. Në kohën kur garuan kandidatët Xhon Kerri dhe Xhon Eduards, ishin të vetmit në Senat që kishin votuar politikat pro abortit. Ata kishin votuar kundër çdo projektligji që i vendoste limite abortit.

Ata kishin bllokuar caktimin e gjyqtarëve, të cilët mund të mos favorizonin abortin. Ata madje votuan kundër vendosjes së një dekreti për abortimin e pjesshëm në lindje, një procedurë ku doktori merret me një shtatzëni të vonë duke shpuar kafkën e një foshnje pjesërisht të lindur dhe duke me thithje ia nxjerr trurin jashtë.

Për këtë rast Xhon Kerri është prononcuar: “Unë personalisht jam kundër abortit. Nuk më pëlqen aborti. Unë besoj se jeta fillon qysh në ngjizje.” Kështu shprehet politika zakonisht.

Në Amerikë, çdo kandidat për president në partinë demokratike qysh prej kohës së Xhimi Karter ka thënë se është kundër abortit por do ta mbështesë abortin politikisht dhe do ta paguajë me paratë e taksapaguesve. Kerri po ashtu ka qenë në favor të eksperimentimit të embrioneve dhe kërkimit mbi qelizat burimore, që krijon dhe më pas vret embrionet njerëzore.

Në rast se jeta fillon në ngjizje, sikurse e besonte Kerri, atëherë pse i mbështeti ato gjëra? Aborti dhe kërkimi mbi qelizat embrionike burimore janë çështje të jetës dhe të vdekjes. Kisha dhe ndërgjegjja e tij thoshin se jeta po shkatërrohej. Megjithatë Kerri mbrojti shkatërrimin në vend që të mbronte të pashpresët.

Ky nuk është thjesht një debat abstrakt. Në rast se dëshiron të dish rezultatin e politikës së zakonshme, dëgjo këtë histori për Emi Riçards (Amy Richards). Emi është një lektore e njohur. Më parë ka shkruar për revistën Miss Megëzin (Ms. Magazine), tani ajo shkruan kolonën këshilluese për feminist.Com.

Kur Emi ishte tetëmbëdhjetë vjeçe, mbeti shtatzënë. Ajo gëzonte shëndet të mirë dhe nuk ndjente presion nga askush për të abortuar, por ajo nuk donte fëmijë ndaj abortoi.

Më vonë në të tridhjetat, Emi bashkëjetonte me të dashurin e saj Piterin. Ata vendosën të ndalonin pilulat për kontrollin e lindjes. Emi mbeti shtatzënë, ashtu siç shpresonte, por u trondit shumë kur mësoi se kishte trinjakë. Emi thotë:

Menjëherë unë thashë: Nuk mund t’i mbaj trinjakët!  Do të më duhet të rri në shtrat tërë Marsin. Unë jap leksione në kolegj dhe muajt më të rëndësishëm për  mua janë Marsi dhe Prilli. Do të më duhet të heq dorë prej të ardhurave të mia kryesore për pjesën tjetër të vitit.

Një pjesë e imja më thoshte se me siguri do ta gjeja një zgjidhje. Por gjithçka varej në dëshirën time.

Piteri e pyeti “Sikur t’i mbajmë  trinjakët, si thua?” Por Emi ngulmoi se ky vendim i takonte asaj. Ajo thotë: “Unë u ndjeva sikur nuk do të dilja më kurrë prej shtëpie, sikur do të qëndrojë tërë ditën duke u kujdesur për ata fëmijë. Ndoshta do të filloja të bëja pazare në një qendër të madhe tregtare dhe do të blija kavanoza të mëdhenj majoneze.”

Emi shkoi te një specialist dhe mësoi se kishte binjakë identikë dhe një foshnjë tjetër veçmas dy të tjerëve.” Emi kishte dashur vetëm një foshnjë, prandaj ajo vendosi të hiqte binjakët duke e lejuar specialistin që të shponte me një gjilpërë zemrën e secilit dhe më pas të injektonte klorid kaliumi.

I dashuri ra dakord me vendimin e saj, por ai u trondit shumë kur pa në eko tre zemrat dhe kuptoi se dy prej tyre do të vdisnin. Ai dëshironte të qëndronte në dhomë për të parë procedurën, por specialisti e nxori jashtë dhe më pas shpoi zemrat e binjakëve.

Nju Jork Tajms (Neë York Times) publikoi ngjarjen e Emit jo si një histori vrasjeje, por si një ngjarje reale nga jeta e një feministeje të njohur. Emi Riçards thotë: “Unë bëra një djalë dhe tani gjithçka shkon për bukuri.” Por a janë mirë ata binjakë të vdekur? A është mirë foshnja e vdekur që ajo abortoi kur ishte më e re? Realiteti i politikës thotë “është drejta e grave të zgjedhin”. Një grua zgjedh të mos ndryshojë planet e saj për dy muaj qëndrimi në shtrat, ajo zgjedh të mos blejë kavanoza të mëdhenj majoneze në dyqanet me zbritje dhe, zgjedh të vrasë dy foshnjat. Ajo i shikon ato në eko, ua dëgjon rrahjet e zemrave, por prapëseprapë jep urdhër që të vriten. Në shoqërinë tonë, foshnjat mund të vriten në çdo fazë të shtatzënisë, për lloj-  lloj arsyesh. Mirësevini në politikën e zakonshme.

Kur ne zgjedhim drejtues, shumë prej nesh votojnë bazuar në premtimet politike për t’i dhënë shumicën e parave dhe përfitimeve tona grupit politik që përkrahim.

Kjo është pjesë e sistemit ku qytetarët korruptojnë politikanët duke kontribuar në fushatë, ndërsa politikanët korruptojnë votuesit duke u premtuar atyre paratë e qeverisë. Në vend që të jemi pjesë e kësaj loje, do të bënim mirë të luteshim dhe të punonim për drejtues të cilët do të ngrenë mure mbështetëse të shoqërisë dhe do të mbrojnë të pashpresët nga vdekja. Bibla thotë: “Çliro ata që i tërheqin drejt vdekjes.(Fjalët e Urta 24:11)

Përtej politikës

Sigurisht që ka kufij në gjërat që mund të bëjë politika. Politika është një reflektim i kulturës. Drejtuesit nuk mund të ndryshojnë gjërat po që se njerëzit nuk i mbështetin ata. Pra në lidhje me këto çështje bazë, para se të ndryshojë politika duhet të ndryshojnë mendjet dhe zemrat e miliona njerëzve. Këtu, fillon thirrja e popullit të Perëndisë, e kishës. Ata duhet të bëjnë atë që asnjë ligj nuk mund ta bëjë. Ne duhet të jetojmë për Zotin dhe tua bëjmë të njohur Atë të tjerëve. Ne duhet të qëndrojmë për atë që është e drejtë, pavarësisht se çfarë arrin apo nuk arrin të bëjë qeveria.

Përsa i takon martesave gej, disa njerëz fetarë e kanë tepruar me reagimin e tyre duke thënë se institucioni i martesës do të shkatërrohet pa një amendament themelor që ruan martesën mes një burri dhe një gruaje.

Unë sigurisht jam kundër martesës homoseksuale por ne si të krishterë dhe as kishat nuk duhet të bëhemi patetikë, që të ruajmë institucionin e martesës me dekrete qeveritare. Një amendament mund të jetë një ide e mirë, por sigurisht që unë nuk e bazoj aty martesën me gruan time.

Të krishterët prej vitesh kanë jetuar me anë të Fjalës së Perëndisë, madje edhe në kultura që ishin tërësisht armiqësore ndaj moralit biblik. Le të mos jemi ndër ata njerëz që mendojnë se familja nuk mund të mbijetojë pa qeverinë. Thjesht le të jemi realistë, se jetojmë në një kohë kur politika, si zakonisht, nuk është mike e besimit apo moralit dhe, le të mos përhapim panik duke thënë se gjithçka merr fund nëse nuk gjejmë në politikë atë që duam ne.

Edhe në kohë të mira, edhe atëherë kur qeveria është në më të mirën e saj, ajo nuk mund të krijojë një shoqëri të përsosur. Në rast se dëshirojmë që të pushojnë tërë luftërat, e të jetojmë në paqe me njëri- tjetrin, nëse duam që varfëria të zhduket dhe çdo person të ketë pjesën e vet të begatisë, duhet t’i lutemi Zotit Jezus që të kthehet dhe të bëjë atë që politikanët nuk mund ta bëjnë. Derisa të kthehet Ai do të ketë luftëra dhe, të varfrit do të ekzistojnë, derisa mbretëria e Perëndisë të vijë në përsosmëri. Por kur ne shikojmë politikën që vazhdon si zakonisht, le të mos tregohemi cinikë apo të mendojmë se gjërat do të jenë gjithmonë kështu.

Te Isaia 2 dhe sërish te Mikea 4 Bibla  thotë se në ditët e fundit:

Do të vijnë shumë kombe dhe do të thonë: “Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit dhe në shtëpinë e Perëndisë të Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij”. Sepse nga Sioni do të dalë ligji dhe nga Jeruzalemi fjala e Zotit.

Ai do të jetë gjyqtari midis shumë popujve dhe do të jetë arbitri midis shumë kombeve të fuqishme dhe të largëta. Me shpatat e tyre do të farkëtojnë plore dhe me ushtat e tyre drapërinj; një komb nuk do ta ngrejë më shpatën kundër tjetrit dhe nuk do të stërviten për luftë.

Do të ulet secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë më, sepse goja e Zotit të ushtrive foli. (Mikea 4:2-4)

Ky vizion i së ardhmes do të ndodhë me siguri.  Perëndia vetë thotë kështu. Kështu që ne duhet të jemi gjithmonë optimistë.

Por njëkohësisht duhet të jemi realistë, se kjo nuk do të jetë vepër e asnjë politikani, partie, apo politike, por vetë vepra e Zotit Jezus. Qeveria mund të kufizojë të keqen duke e ndëshkuar atë dhe të promovojë të mirën duke e shpërblyer atë, por qeveria nuk mund të prodhojë transformim të thellë dhe të gjatë në asnjë individ apo kulturë. Vetëm Perëndia mund ta bëjë këtë dhe Ai mund ta bëjë përmes besimit tek ungjilli, përmes punës së brendshme të Frymës së Tij të Shenjtë dhe me anë të dëshmisë së kishës së Tij. Ky transformim do të jetë i përsosur vetëm kur Jezusi të vijë sërish.

Por derisa Jezusi të vijë sërish, ne do të vazhdojmë të shohim më shumë nga politika si zakonisht. Por nuk duhet të mësohemi asnjëherë me politikën si diçka e zakonshme, apo ta pranojmë atë si zgjidhjen më të mirë.

Bibla zbulon një standard më të lartë dhe Krishti garanton një rezultat më të mirë në fund. Por a do të thotë kjo se ne duhet të sillemi vërdallë apo rrimë kot ndërkohë që presim Jezusin, që të vijë e ta ndreqë këtë rrëmujë?

Jo, ne si të krishterë duhet të shkojmë në punë, si agjentë të Jezusit, si skuadra e tij përparuese. Ne duhet të jemi paqebërës sa herë që kemi mundësi dhe mbrojtës të jetës sa herë që kemi mundësi. Ne duhet të ndihmojmë të varfrit prej burimeve tona personale, edhe teksa punojmë për një sistem që i jep mundësi më të mëdha një numri më të madh njerëzish. Ne duhet të mësojmë për çështje dhe kandidatë dhe më pas të votojmë për ata të cilët, pavarësisht dobësive, janë kandidatët më të mirë të mundshëm, për t’i rezistuar ligësive më të mëdha dhe  për të lëvizur në drejtimin e duhur.

Asnjëherë mos e ndalo punën për Zotin. Asnjëherë mos ndalo së luturi. Vazhdo të lutesh që Zoti të transformojë jetë përmes shpëtimit në Krishtin. Vazhdo të lutesh që Zoti të drejtojë zgjedhjet tona dhe drejtuesit tona qeveritarë. Vazhdo të lutesh që Zoti të përshpejtojë kthimin e Tij, t’i japë fund çdo konflikti, të çlirojë tokën nga çdo armë dhe luftë dhe t’i japë çdo qytetari të mbretërisë së Tij një pjesë në bekimet e Tij.

Këtu kemi përfunduar temën tonë për politikën e zakonshme.