Portat e Qiellit

Titulli: Portat e Qiellit (pjesa 2)

Do të doja shumë të thoja që histori si këto nuk ndodhin më. Por sot, njerëzit janë po aq të shpejtë sa mbreti Joram të ndjekin çdo lloj feje dhe të fajësojnë Zotin kur vijnë problemet. Kur njerëzit imoralë marrin sëmundje vdekjeprurëse, ata fajësojnë pothuajse gjithçka përveç sjelljes së tyre mëkatare. Kur prindërit janë tepër të zënë për tu marrë me fëmijët dhe kur fëmijët bëhen rebelë apo të ashpër, ata vrasin mendjen si ka mundësi që Zoti u ka dhënë atyre fëmijë kaq arrakatë. Kur një njeri dembel dhe gjaknxehtë pushohet nga puna, ai fajëson gjithë të tjerët veç vetes. Sikurse e thotë edhe Bibla në Fjalët e Urta19:3, “Budallallëku i njeriut e bën rrugën e tij të rrëshqitshme dhe zemra e tij pezmatohet kundër Zotit.”

Do të doja shumë të thoja se vrasja e foshnjave dhe kanibalizmi ishin tmerre vetëm të kohëve antike. Por shoqëria jonë vret miliona foshnja përmes abortit dhe përdor indet e foshnjave të vdekura për të bërë që ne të jetojmë më gjatë.

Çfarë njerëz jemi bërë kështu? Vrasja e foshnjave të palindura dhe përdorimi i indeve të tyre për qëllime mjekësore është kanibalizëm. I ashtuquajturi klonimi terapeutik dhe studimet për qelizat burimore është varianti i fundit në shkatërrimin e foshnjave me shpresën e zgjatjes së jetëve tona. Disa njerëz i mbështesin këto tmerre dhe ndihen keq nëse qeveria e tyre nuk siguron fonde. Është i njëjti mentalitet i gruas nga Samari që hëngri foshnjën e saj dhe më pas u tërbua kur dikush tjetër nuk u tregua i gatshëm të ndante foshnjën e saj me të.

Njerëzit që janë larg prej Perëndisë rrallëherë e kuptojnë tmerrin e sjelljes së tyre. Madje edhe ata që e dallojnë të keqen nuk mund të kuptojnë se çfarë do të thotë ajo. Ata mund të thonë: “Kjo është e tmerrshme dhe Perëndia do të gjykojnë njerëzit dhe kombet që vrasin foshnjat.” Kjo është e vërtetë, sigurisht, por ka shumë më tepër se kaq. Perëndia jo vetëm që do të gjykojë por ai tashmë është duke gjykuar. Kur njerëzit shkatërrojnë dhe përdorin pasardhjen e tyre ata tashmë përjetojnë një mallkim të rrezikshëm. Fëmijët tanë janë pjesë e jona dhe ata janë e ardhmja jonë. Kur ne shkatërrojmë të vegjlit tanë, shkatërrojmë veten dhe ndërpresim vazhdimësinë tonë. “Brezat e njerëzve të drejtë do të jenë të bekuar.”

(Psalmi 112:2), “ndërsa pasardhësit e të pabesëve do të shfarosen.” (Psalmi 37:28) Njerëzit që shkatërrojnë fëmijët e tyre, me këtë akt po vuajnë mallkimin e Perëndisë, për shkelësit e besëlidhjes.

Tepër e mirë për të qenë e vërtetë?

Nëse kjo do të ishte e tërë historia, do të ishte me të vërtetë depresuese. Por pikërisht kur njerëzit janë nën një mallkim dhe prekin fundin, Perëndia flet një fjalë shprese dhe shpëtimi.

Pikërisht në çastin kur foshnjat e Samarisë po thereshin për tu bërë ushqim, kur qyteti po shkonte drejt zhdukjes, kur mbreti i keq Jorami akuzoi Perëndinë për problemet e Izraelit Eliseu u përgjigj: “Dëgjoni Fjalën e Zotit! Kështu thotë Zoti: ‘Nesër në këtë orë, në portën e Samarisë një masë maje mielli do të kushtojë një sikël dhe dy masa elbi do të kushtojnë gjithashtu një sikël’” (2 Mbretërve 7:1) Në njëfarë mënyre, ushqimi i mirë do të sigurohej brenda njëzetë e katër orëve.

Si mund të ndodhte kjo? Njerëzit kishin qenë duke paguar tetë sikla për një kokë gomari, dhe pesë sikla për një gotë plehu pëllumbash. Çfarë mund të ndodhte në njëzetë e katër orët e ardhshme që të mund të siguronte kaq shumë ushqim sa që kostoja e një gote plehu zogjsh të mund të blinte dhjetë masa gruri të mirë? Ky lajm ishte aq i mirë sa dukej i pamundur dhe, këtë e pohoi edhe krahu i djathtë i mbretit. Ai pa ushtritë armike përqark qytetit. Si do të mund të largohej aq shpejt një armik i fortë? Ai pa mungesat e ushqimeve në qytet. Si mund të kishte ushqim të bollshëm pas një dite, ndërkohë që qyteti po vdiste urie? Dukej e pamundur.

Por kapiteni, në krahun e të cilit mbështetej mbreti, iu përgjigj njeriut të Perëndisë: “Ja, edhe sikur Zoti të bënte dritare në qiell, a do të ndodhte, vallë një gjë e tillë?”. Eliseu u përgjigj: “Mirë, pra, ke për ta parë me sytë e tu, por nuk do t’i hash”.

(2 Mbretërve 7:2)

Ky kapiten nuk i besoi Fjalës së Perëndisë. Ai nuk besoi se Perëndia është me të vërtetë Perëndi.  Perëndia nuk është Perëndi nëse ka një armik që Ai nuk mund ta mposhtë. Nëse ka një nevojë më të madhe se Perëndia atëherë Perëndia nuk është Perëndi. Nëse nuk beson tek Ai Perëndi që mund të bëjë gjithçka dhe që i mban gjithmonë premtimet e Tij, atëherë ti nuk mund të thuash se beson te Perëndia. Ky lloj mosbesimi nuk mund ta ndalojë Perëndinë të bëjë atë që ka thënë, por mund të pengojë ty që të shijosh pjesën tënde në bekimet e Tij. Oficeri mosbesues, do ta shihte përmbushjen e premtimit të Perëndisë por nuk do të shijonte ai vetë atë bekim.

Po atë ditë pak më vonë, katër izraelitë të dëshpëruar, po diskutonin mundësitë që kishin. Këta katër burra ishin me lebër dhe qëndronin në portën hyrëse të qytetit. Ushqimi u kishte mbaruar dhe nëse vazhdonin të silleshin vërdallë nëpër qytet, do të vdisnin urie. Ata të katërt vendosën se mundësia e tyre e vetme ishte të dilnin prej qytetit dhe të dorëzoheshin në kampin armik. Armiku mund t’ia kursejë jetën dhe tu japë ushqim. Dhe sikur t’i vrasë, vdekja e shpejtë do të jetë më mirë se vdekja nga uria.

Atë mbrëmje katër burra shkuan në kampin e sirëve. Por kur mbërritën, nuk kishte asnjë njeri atje. Ku kishin shkuar të gjithë? Zoti kishte bërë që ushtria e sirëve të dëgjonin disa zhurma. Ata dëgjuan zhurmën e qerreve e kuajve dhe, të një ushtrie të madhe. Ata u frikësuan dhe menduan se mbreti i Izraelit kishte paguar mbretin e hitëve dhe mbretërit egjiptas të bashkoheshin me ushtritë e fuqishme armike. Sirianët të frikësuar lanë gjithçka. Lanë çadrat, bagëtinë, rezervat ushqimore, rrobat e tyre dhe paratë dhe ia mbathën që të shpëtonin kokën. Bibla thotë: ” I pabesi ikën me vrap edhe në se askush nuk e ndjek Fjalët e Urta 28:1), dhe kjo ndodhi atje. Ajo që dukej e pamundur para pak orësh u bë fakt: armiku ishte larguar, dhe furnizimet e mëdha, përfshi këtu qindra ton ushqime, që prisnin atje veç për tu marrë prej tyre. Ishte njëlloj sikur Perëndia po i thoshte: hë ç’prisni merrini!

Kur Perëndia i premtoi që do shpëtonte popullin që po vdiste urie në Samari, komandanti i mbretit nuk donte ta besonte këtë sepse nuk shikonte asnjë mundësi që kjo të ndodhte. As profeti Elise nuk shihte asnjë mundësi që kjo të ndodhte, megjithatë i besoi. Eliseu nuk kishte nevojë të dinte se si përderisa njihte atë që do ta bënte. Perëndia e kishte premtuar dhe kjo mjaftonte për Eliseun. Për sa kohë që e dinte këtë, Eliseu ia la Perëndisë të shqetësohej për zgjidhjen.

Dhe Perëndia provoi mëse një herë se ai ishte i aftë ta realizonte atë që thoshte.

A e njeh Perëndinë dhe i beson premtimeve të Tij? Perëndia premton fitore mbi armiqtë, për të gjithë ata që i besojnë Jezusit. Perëndia premton se Ai “do të plotësojë tërë nevojat tona sipas pasurisë së Tij në lavdi, në Krishtin Jezus.”(Filipianëve 4:19) Nëse kjo të duket “tepër e mirë për të qenë e vërtetë”, pendohu për mosbesimin tënd. Perëndia është Perëndi! Besoji Atij për Atë që është! Besoje atë që Ai të thotë. Ky Perëndi mund të shfarosë armiqtë përmes mrekullive të mëdha, ose mund t’i shpërndajë ata duke bërë një zhurmë të frikshme. Ai mund të sigurojë mrekullisht mana në shkretëtirë dhe të nxjerrë ujë nga shkëmbi. Ai mund të plotësojë nevojat tuaja duke ju lënë akses në rezervat që tashmë janë atje dhe presin për ju.

Këtu po e mbyllim edhe për sot programin tonë.  Dëgjohemi sërish herën  e ardhshme.

Komente

komente