Miq, pas Pentakostit, asnjë besimtar i sinqertë nuk mund të thotë, atë që thanë besimtarët e kishës së Efesit: “Jo, nuk e dimë se kush është Fryma e Shenjtë.” Kjo është thjesht diçka e pamundur.
Por miqtë e mi, problemi nuk mbyllet me kaq. Ka një tjetër anë të punës së Frymës së Shenjtë që duhet të konsiderojmë.
Prania dhe fuqia e Frymë së Shenjtë në jetën tonë nuk është statike, por dinamike. Me fjalë të tjera. Prania e Frymës i nënshtrohet shumë ndryshimeve me kalimin e kohës.
Le ta ilustrojmë më mirë. Në fëmijërinë time më kujtohet që prindërit më bënë një sërë vaksinash kundër disa sëmundjeve të rrezikshme.
Besoj se edhe ti i ke bërë. Doktorët më thanë se këto vaksina vlenin për gjithë jetën. Pra nuk përsëriteshin më. Pasi vaksinimit ata na thanë se do të ishim të sigurt. Ndërsa përgjatë viteve të mia si i krishterë kam kuptuar se në jetën e krishterë, të jetuarit në Frymën e Shenjtë nuk është njëlloj me vaksinimin.
Pra që prej momentit që ke marrë Frymën e Shenjtë, Ai do të jetë gjithmonë me ty, dhe jeta jote do të jetë e sigurt përgjithmonë! Jo, roli i Frymës së Shenjtë në jetën tonë i nënshtrohet shumë variacioneve. Pra përcaktohet nga niveli i ndikimit të Frymës në jetën tonë.
Ndonjëherë jetët tona shpirtërore janë shumë të shëndetshme, por më duhet ta pranoj se ndonjëherë nuk janë.
Ndonjëherë Fryma e Shenjtë, ka ndikim të madh në ne, por ndonjëherë jo.
Apostulli Pal, e ka bërë të qartë këtë qysh prej fillimit. Në letrën e tij drejtuar Efesianëve, kapitulli 5 ai u tha atyre, se duhet “të mbushen me Frymën e Shenjtë”. Me këto fjalë ai e bën të qartë e mund të jemi mbushur më pak se aq.
Ndërsa në një vend tjetër, në po këtë letër ai na paralajmëron që të mos e “trishtojmë Frymën”. Me këtë ai po na mëson se mëkati në jetën tonë e trishton Frymën e Perëndisë që ka për synim të na shtyjë drejt shenjtërisë.
Kur ai shkroi letrën drejtuar Thesalonikasve ai përdor fjalë më të ashpra për t’i paralajmëruar ata, që “të mos e shuajnë zjarrin e Frymës”.
Dhe në një letër drejtuar kishës së Galatasve ai i nxit besimtarët “të ecin në një hap me frymën”. Atëherë pse duhet ta thoshte ai këtë nëse nuk do të ekzistonte mundësia që ata të dilnin nga rruga?
Tani kur ti i bashkon të gjitha këto fakte, bëhet shumë e qartë se marrëdhënia jonë me Frymën e Shenjtë mund t’i nënshtrohet shumë ulje ngritjeve.
Ne mund të jemi në një hap me të. Ne mund të jemi të mbushur me Të. Ose mund ta hidhërojmë, a ta trishtojmë Atë. Dhe ndonjëherë ne mund të bëjmë gjëra që e “shuajnë zjarrin e Frymës”.
Prandaj pyetja për ne sot nuk është ajo që Pali i bëri Efesianëve: A e keni marrë Frymën e Shenjtë kur besuat?”.
Jo, nuk është për ne kjo pyetje. Pyetja për ne është: “A po jetojmë mirë , a po drejtohemi prej Frymës së Shenjtë dhe, pse jo, sa shumë jemi mbushur në Frymën e Shenjtë?” Ose, “A po ecim në një hap me Frymën e Shenjtë?”
Besimtari që është mbushur me krenari nuk lë shumë vend në jetën e tij për tu mbushur, për tu ndikuar dhe fuqizuar prej Frymës së Shenjtë.
Vetëm atëherë kur ne zbrazemi prej vetes, Fryma e Shenjtë mund të na mbushë dhe të na fuqizojë.
Nëse ti që po na dëgjon tani nuk je besimtar i krishterë, Fryma e Perëndisë të fton ta vendosësh besimin tani dhe për përjetësinë te Jezus Krishti dhe vepra e Tij e kryer për ne në kryqin e Kalvarit.
Nëse je besimtar i krishterë, nëse beson në Jezus Krishtin si Shpëtimtar dhe Zot, atëherë falëndero Perëndinë për punën e mirë që ka bërë Fryma e Shenjtë në ty, duke të sjellë në besim. Falënderoje Frymën e Perëndisë, personin e tretë të Trinitetit, aktualisht, Ai jeton brenda teje.
Por tani ka ardhur koha të bëjmë disa pyetje të tjera.
Çfarë mund të themi për jetën tonë me Frymën e Shenjtë? A është kjo jetë e shëndetshme apo e lodhur dhe e munduar?
Disa partnerë martesorë, jetojnë në një marrëdhënie të ngushtë dhe intime, e të tjerë janë bërë si të panjohur për njëri-tjetrin.
Kjo ndodh edhe mes miqësive. Disa janë miqësi të ngushta dhe të besueshme; disa janë të ftohta dhe të largëta; e të tjera janë thyer apo ndërprerë.
Po e njëjta gjë vlen edhe për jetën tonë në Frymën e Shenjtë.
Kur pastori kthehet në kishë pas një udhëtimi për të kontrolluar se si po shkojnë gjërat, a do të gjejë se ju po ecni në një hap me Frymën e Shenjtë, që po jetoni sipas planeve të Frymës? Se po përdorni talentet tuaja, po jepni fryte, dhe po qëndroni të fortë në besim?
A mund të pohoni se jeta juaj si të krishterë, është kaq e vërtetë, kaq ndikuese sa që pastori me siguri mund të thotë: ” Ju jeni mbushur me Frymën e Shenjtë?”.
Apo ekziston mundësia që të zbulojë krejt të kundërtën?
A do të pranojmë se jemi larguar pak si shumë prej Frymës së Shenjtë? Se e kemi mbushur veten me dëshirat tona, kënaqësitë tona dhe nuk ka vend për Frymën e Shenjtë brenda nesh? A ka mundësi që modeli i jetës sonë të hidhërojë Frymën, të trishtojë atë që ka për qëllim të na bëjë të shenjtë, të dekurajojë atë që po na pengon të vazhdojmë të rritemi shpirtërisht? Dhe më serioze ndër të gjitha është kjo: a na kanë mbërthyer zakonet tona mëkatare kaq fort sa që mund të pranojmë se këto zakone po shuajnë zjarrin e Frymës së Shenjtë?
Këto janë pyetje të mëdha. Pyetje të vështira. Por janë pyetje që Perëndia i bën për çdonjërin prej nesh. Sot nëse mundesh vështro brenda vetes dhe mendo a është zemra jote miqësore apo armiqësore ndaj Frymës së Shenjtë.
Një ditë një miku im erdhi në zyrën time për të biseduar. Në fakt biseda filloi shumë normale.
Por më pas u kthye në një bisedë serioze. “Pastor,” tha ai, “unë e di se jeta ime mund të duket shumë mirë në sytë e të tjerëve, por brenda meje jam i vetëdijshëm se nuk jam ashtu si duhet të isha.
Unë po bëj lëvizjet e duhura. Dhe të tjerët mendojnë se kam një raport të mirë me Perëndinë. Por kjo nuk është e vërtetë. Ajo mund të duket ashtu, por nuk është. Zemrën e kam të mbushur me egon dhe dëshirat e mia dhe, mendoj se nuk ka shumë vend brenda saj që Perëndia të bëjë punën e Tij. Dhe unë nuk mund të vazhdoj më kështu.”
Ne folëm dhe, u lutëm. Biseda jonë u përqendrua në dy gjëra: mungesa e lumturisë tek ai vinte si rezultat përplasjes së ndjenjave të tij si një njeri i papërmbushur dhe i rremë, dhe dëshirës së Perëndisë për ta lejuar Frymën e tij të Shenjtë të ketë ndikim të plotë në jetën e tij, që të mund të zhvillonte dhuratat e tij, të ndante më mirë besimin e tij dhe të bëhej një besimtar i krishterë, i frytshëm dhe i kënaqur me jetën e vet.
Për të ajo ditë u kthye në një ditë të re. Dhe gjithçka filloi me ndjenjën e të mos qenit i kënaqur, me sinqeritetin, dhe kërkimin e ndihmës.
Ai kuptoi se jeta e tij nuk ishte një tokë pjellore ku Fryma mund të punonte. Dhe ai ishte i etur që ta lejonte Frymën të punonte brenda tij.
Po ti? A je në një hap me Frymën?