Titulli: Qëllimi i Dashurisë (pjesa 2)

Bibla i thotë popullit të Perëndisë.” Do të jesh një kurorë e shkëlqyer në dorën e Zotit, një diademë mbretërore në dorë të Perëndisë tënd.” (Isaia 62:3) Tani, çfarë është më e lehtë të bësh, një kurorë ari apo një kapele letre? Në qoftë se Perëndia do të kishte në mendje të bënte me ty një kapele letre, jeta jote mund të ishte e thjeshtë dhe pa dhimbje. Por nëse Ai ka në plan që të bëjë me ty një kurorë të shkëlqyeshme për veten e Tij, atëherë ari apo argjendi për kurorën duhet rafinuar në zjarr. Papastërtitë duhet të digjen në zjarr. Diamantet, rubinët, smeraldet dhe safirët, e gurët e tjerë të çmuar, për kurorën duhet të gdhenden dhe të pastrohen. Gjithë procesi i gdhendjes dhe pastrimit mund të jetë i dhimbshëm, por a është ajo një shenjë që Perëndia, artisti i madh, nuk do t’ia dijë për ty? Jo, kjo do të thotë se Ai të vlerëson ty tej mase dhe po bën me ty diçka më madhështore dhe më me vlerë se ç’ke ëndërruar ti ndonjëherë. Mund të ketë raste kur ti do të doje që Perëndia të ta lehtësonte jetën dhe të jepte ty një formë më pak mbretërore, por në këtë rast ankimi yt i vetëm do të ishte pse Perëndia të do kaq shumë, sikur të të donte më pak!

Zoti është mjeshtri dhe ” Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to.”. (Efesianëve 2:10) Dashuria e Perëndisë nuk fitohet prej veprave tona të mira, por dashuria e Tij na formon për të qenë të mirë dhe për të bërë të mirën. Dashuria e Tij kohë më parë ka përgatitur për ne mundësitë që ne të bëjmë të mirën. Krahasimi i Perëndisë me një artist dhe krahasimi që na bëhet neve me një vepër arti, na tregon qartë se dashuria e Perëndisë, është dashuri me një qëllim.

Dashuria e Mjeshtrit

Krahasimi i dytë për dashurinë e Perëndisë është dashuria e një pronari për kafshën e tij. Bibla shpesh e krahason Zotin me bariun e mirë dhe, popullin e Tij me delet. Jezusi i do delet e Tij, ai i mbron prej armiqve, dhe madje ai vë në rrezik jetën e tij për të shpëtuar delet e Tij. Por në dashurinë e tij për delet, Bariu i mirë ngulmon që t’i drejtojë ata në rrugët e drejtësisë, për hir të emrit të Tij. Ai nuk kënaqet që t‘i lerë delet e Tij të bëjnë çfarë të duan, apo të livadhisin kudo. Delet duhet të mësojnë të bëjnë atë çka do bariu.

Unë vetë nuk kam rritur asnjëherë dele, por e kam idenë se si rriten qetë. Ndonjëherë ne bëjmë gjëra të çuditshme me një dem të ri, gjëra që ai nuk i ka qejf. Ne i lidhim një litar në qafë dhe më pas e lidhim litarin tek hunjtë e një gardhi. Ai çmendet fare kur e lidhim dhe tund kokën apo shkelmon nga mbrapa. Nëse është shumë i mërzitur, ai mund të shtrëngojë këmbët fort dhe të tërheqë litarin për ta hequr prej gardhit, derisa lodhet aq shumë sa dorëzohet. Në fund Ai qetësohet. Por pikërisht atëherë kur nuk e ka problem të lidhet pas një gardhi, vjen dikush dhe mundohet ta sjellë rrotull. Fillimisht demi i ri mund të jetë kokëfortë dhe të refuzojë të lëvizë. Ndoshta do të na duhet ta kapim për kapistre, apo t’ia përdredhim bishtin, a ta godasim në shpinë, që ta bindim të lëvizë. Pas disa përpjekjeve kafsha mund të ndalojë, madje mund t’i pëlqejë të mbahet pas litari, sidomos nëse ia fërkojnë kurrizin. Por pas kësaj kafsha e gjorë nuk e di që e pret një tjetër tmerr. Pronari merr një shampo dhe fillon ta lajë, ta shpëlajë dhe ta krehë. Çfarë sikleti për kafshën e gjorë!

A mund të themi, se ne jemi si ky demi i ri që kalon nëpër një proces trajnimi, dhe nuk duam t’ia dimë për të? Jo nuk është aspak ashtu, ne kemi shumë më tepër vlerë!

Nëse e shikon këtë nga pikëpamja e një kafshe, ndoshta ka më pak telashe të jetosh si bagëti e thjeshtë në një tufë të zakonshme se sa si një kafshë me funksion të veçantë, sikurse janë demat. Por mendoje këtë më gjerësisht. Ndërkohë që bagëtitë e zakonshme drejtohen për në thertore, demi i trajnuar drejtohet në një shfaqje kombëtare dhe drejt jetës së gjatë në kullota, ku ai do të mbarsë shumë pasardhës dhe do të ushqehet dhe trajtohet në mënyrë të veçantë.

Nëse jeton në qytet apo në periferi, me siguri ti nuk ke bagëti, por ndoshta ke një qen. Kur ti merr një qen të vogël në shtëpi për herë të parë, a mendon  se do ta lejosh të bëjë çfarë të dojë vetëm nga dashuria që ke për të? Sigurisht që jo! Ti mund të marrësh një qen që është i pistë, me erë të keqe dhe i pastërvitur për të jetuar në shtëpi. Por a e le ti atë ashtu si është?! Ti i mëson si të qëndrojë në shtëpi, e lan, dhe bën gjithçka tjetër të nevojshme për të qenë një shoqërues i mirë për njerëzit.

Nëse një qenush do të mendonte si disa filozofë, ai mund të zbulojë se trajnimi në shtëpi, larjet, dhe shkolla e bindjes, janë kaq të pakëndshme sa që pronari i tij nuk është i mirë, apo i dashur. Por një qen i rritur dhe i trajnuar mirë,(po të mendonte dhe të fliste) nuk do t’i kishte këto dyshime, sepse do të kuptonte se në shtëpinë e pronarit jeton më shëndetshëm dhe më gjatë se çdo qen rruge. Atje ai shijon rehatinë, mirësinë dhe shoqërinë njerëzore përtej destinacionit të tij si kafshë.

Kur ne kalojmë nëpër trajnimin e Perëndisë, ndoshta ne pyesim veten se pse po tregohet Ai kaq i keq me ne. Ne mund të vëmë në dyshim dashurinë e tij. Por kur të rritemi, dhe të bëhemi krijesa të përshtatshme për qiellin, dhe të jetojmë me Perëndinë dhe engjëjt e tij përgjithmonë, të shijojmë mrekulli përtej destinacionit të thjeshtë njerëzor, ne do të shohim se ishte dashuria dhe jo mizoria që e shtyu Zotërinë tonë qiellor të na lajë dhe stërvitë ne.

Kur një pronar e merr mundimin për të stërvitur qenin e tij, ai e bën këtë sepse e do dhe e vlerëson qenin. ” Ai nuk po stërvit insektet që t’i mbajë ato në shtëpi, as nuk po pastron shumëkëmbëshat,” thotë C. S. Ljuis. “Ne mund të duam, me të vërtetë, të ishim aq të vegjël e të parëndësishëm për Perëndinë sa që Ai të na linte të ndiqnim impulset tona të natyrshme,–që Ai do të hiqte dorë prej përpjekjeve  për të na stërvitur e për të na kthyer në diçka ndryshe nga vetja jonë e natyrshme; por edhe një herë dua t’ju them: ne nuk po kërkojmë më shumë dashuri, por më pak dashuri.”

Shenjtëria nuk është një ndër zgjedhjet e shumta për të krishterët; bindja nuk është diçka e lirë. Në një mënyrë apo një tjetër, Jezusi do të na transformojë dhe pastrojë, ashtu siç do donim të trajnojmë një qen që jeton me ne.

Në Bibël Perëndia thotë: ” Unë do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën, nëpër të cilën duhet të ecësh… Mos u bëni si kali dhe si mushka që nuk kanë mend, goja e të cilëve duhet të mbahet me fre dhe me kapistër, përndryshe nuk të afrohen.” (Psalmi 32:8-9) Zotëria im hyjnor, Jezus Krishti, ngulmon që të më drejtojë, në një mënyrë apo një tjetër. Unë mund të jem me të vërtetë i lumtur me pronarin tim, kur ndaloj së qeni një mushkë që bën atë që do zotëria për shkak të forcës që ushtrohet mbi të.

Miqtë e mi këtu minutave tona u ka ardhur fundi edhe për sot. Ju kujtoj se kemi folur për pamjen që ka dashuria e Perëndisë për ne, një dashuri e hirshme që na pranon ashtu si jemi por, nuk ka le ashtu si jemi, na ndryshon duke na bërë  ashtu si poçari me argjilën, një enë nderi dhe zbukurimi. Mos harroni të na ndiqni herën e ardhshme në vazhdimin e kësaj teme. Deri atëherë mirë u dëgjofshim!

Komente

komente