Romance qe zgjat

Romancë që zgjat (pjesa 2)

Studiuesit pohojnë se njerëzit e përkushtuar në besim jo vetëm që kanë më pak prirje për divorc, por niveli i kënaqësisë dhe i gëzimit martesor është më i lartë se çiftet e tjera.

Një sondazh i kryer prej organizatës Gallup, zbuloi se 75 përqind e atyre që luteshin me partnerët e tyre kishin martesa shumë të lumtura, krahasuar me vetëm 57  përqind të atyre që nuk luteshin bashkë. Po kështu, çiftet që marrin pjesë bashkë rregullisht në shërbesat e adhurimit janë shpesh më të lumtur se sa ata që nuk shkojnë në kishë.

Ky rregull i përgjithshëm nuk pritet shumë mirë, por kështu është: çiftet që kanë një marrëdhënie të mirë me Krishtin ( pra e duan Atë) kanë një marrëdhënie të mirë edhe me njëri-tjetrin.

Romanca përfundimtare

Studiuesit mendojnë se ekziston një lidhje tepër pozitive mes përkushtimit fetar dhe lumturisë martesore, por Bibla shkon përtej kësaj. Bibla tregon se Perëndia synon që lidhja mes burrit dhe gruas të mos jetë as më shumë as më pak se sa  një demonstrim i dukshëm dhe i gjallë i lidhjes së Jezusit me kishën e Tij. Më lejoni të lexoj për ju, këto fjalë të mrekullueshme nga Efesianët 5:21-33:

“Nënshtrohuni njëri-tjetrit në druajtjen e Krishtit!

22  Ju, gratë, nënshtrohuni burrave tuaj porsi Zotit,

23  sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës, dhe ai vetë është Shpëtimtari i trupit.

24  Ashtu si kisha i është nënshtruar Krishtit, kështu gratë duhet t’i nënshtrohen burrave të tyre në çdo gjë.

25  Ju, burra, t’i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të,

26  që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës,

27  që ta nxjerrë atë përpara vetes të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme.

28  Kështu burrat duhet t’i duan gratë e veta porsi trupat e tyre; kush do gruan e vet do vetveten.

29  Sepse askush nuk urreu mishin e vet, por e ushqen dhe kujdeset me butësi për të, sikurse edhe Zoti bën me kishën,

30  sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij, të mishit të tij dhe të kockave të tij.

31  “Prandaj njeriu do të lërë babanë e vet dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet, dhe të dy do të bëhen një mish i vetëm”.

32  Ky mister është i madh; tani unë e them në lidhjen me Krishtin dhe me kishën.

33  Por secili nga ju kështu ta dojë gruan e vet sikurse e do veten e vet; dhe po kështu gruaja ta respektojë burrin.”

Mahnitëse apo jo, se si kjo pjesë e lidh besimin me romancën? Martesa më e lumtur, romanca më e lartë, ndodh kur burrë dhe grua e shohin marrëdhënien e tyre si shprehje e dashurisë së Krishtit për kishën e Tij. Vini re me kujdes. Këto vargje nuk janë për të drejtën e grave apo të burrave. Por për martesën e krishterë të vërtetë. Te Efesianët kapitulli 5 nuk ka asgjë për të drejtat e grave apo të burrave. Sapo fillon të flasësh për martesën në termat e të drejtave, besimi largohet nga martesa dhe bashkë me të edhe romanca.

Vetë sakrifikimi dhe nënshtrimi ndaj njëri-tjetrit, është thelbi i romancës së vërtetë. Thjesht mendoje pak këtë. A ka diçka më romantike se dy njerëz që e duan njëri tjetrin aq shumë sa janë gati të bëjnë gjithçka për tjetrin? Kjo ndodh natyrshëm kur dy njerëz bien fillimisht në dashuri, por shumë shpesh, me kalimin e kohës, vetësakrifikimi i le vend egoizmit, kështu që romanca zhduket dalëngadalë.

Ndoshta ke dëgjuar për shtatë fazat e ftohjes së një martese. Dikush e ka përshkruar atë kështu: gjatë vitit të parë të martesës, nëse gruaja teshtin sado pak bashkëshorti i thotë: ” Zemra ime! Jam shumë i shqetësuar për ty. Do të bëje mirë të shkoje menjëherë te doktori, e dashura ime. Ndoshta disa ditë në spital do të ndihmonin për t’ia hedhur këtij gripi të shpifur.” Vitin e dytë, ai thotë: “Shpirti, nuk më pëlqen ajo kollë. Dua që të shkosh menjëherë në shtrat për të pushuar, karamelja ime! Do të kujdesem unë për gjithçka.” Vitin e tretë, burri thotë: “Xhani, ndoshta do të bëje mirë të shtriheshe pak.” Viti i katërt: “Shiko e dashur, pasi të kesh ushqyer fëmijët, e të kesh larë enët, bën mirë të pushosh.” Viti i pestë: “Bo çfarë kolle, pi ca aspirina, pi!” Viti i gjashtë: “Hej do  pushosh ndonjëherë me këtë kollën ti! Nuk bën dot një gargarë a diçka tjetër?” Dhe vitin e shtatë ai thotë:”Ta marrtë e mira! Nuk pushove me teshtimat ti? Mos do që të ftohem edhe unë, apo si e ke hallin?!”

Të duket diçka e njohur ? Sikurse e thamë edhe më lart, duhet të kemi realizëm të shëndoshë teksa martesa piqet, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të interesohemi për shëndetin e partneres, e të mendojmë vetëm për veten. Romanca përfundimtare ndodh kur burrë dhe grua interesohen shumë për njëri –tjetrin, kur janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për tjetrin dhe të gjejnë mënyra për ta mbajtur romancën gjallë dhe një nga këto mënyra është të mbani gjallë frymën e vetësakrifikimit. Kjo është arsyeja pse martesa jote ndihmohet shumë nga prania e Jezusit.

Kur  të dy, burrë e grua marrin shembull marrëdhënien e Jezusit me kishën e Tij, kanë burimin për të minimizuar egoizmin e tyre, për të maksimizuar frymën romantike të vetësakrifikimit e për të shijuar një dashuri të qëndrueshme dhe plot pasion.

Pasion dhe qëndrueshmëri

Martesa pa pasion është tragjike. Bibla thotë se “toka turbullohet  kur “një grua e urryer gjen burrë” (Fjalët e Urta 30:23) Por kjo nuk do të thotë se pasioni shkon edhe jashtë martese. Bibla na paralajmëron kundër të qenurit të dashur seksualë jashtë martese: ” Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor i papërlyer, sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit.” (Hebrenjëve 13:4) Perëndia nuk dëshiron që ta shohë martesën pa dashuri por as të dashuruarit pa martesë. Plani i Perëndisë është që: të dashuruarit të martohen. Dashuria më romantike zhvillohet në kontekstin e martesës.

Romanca më e shëndetshme ndodh kur burrë e grua e shohin lidhjen e tyre si shprehje e marrëdhënies së Krishtit me kishën. Kjo dashuri është e zjarrtë dhe e qëndrueshme. A i do Jezusi me gjysmë zemër njerëzit e tij? Jo, dashuria e tij është plot pasion. Jezusi e do kishën e Tij me aq pasion sa është i gatshëm të vdesë për të. A e do Jezusi kishën e tij me shumë pasion për ca kohë dhe pastaj e le atë? Jo, dashuria e Tij është e qëndrueshme. Dhe dashuria e Tij është shembull për ne. Kur romanca përfshin edhe besimin, kur dashuria midis burrit dhe gruas modelohet sipas dashurisë së Jezusit për kishën e Tij, dashuria mbetet pasiononte dhe e qëndrueshme.

Mos e ndaj asnjëherë pasionin prej qëndrueshmërisë. Dashuria pa martesën mund të jetë pasionante por jo e qëndrueshme. Dashuria e martesës, që bazohet në dashurinë e Krishtit, mund të jetë si pasiononte ashtu edhe e qëndrueshme. Kjo do të thotë se beqarët duhet të ruajnë pasionin dhe intimitetin e tyre më të madh për martesën. Po kështu kjo do të  thotë se të martuarit nuk duhet të pranojnë një pasion të shuar në lidhjen e tyre.

Komente

komente