Romance qe zgjat

Titulli: Romancë që zgjat (pjesa 3)

Një tendencë tragjike e kohës sonë është të duam pasionin në kurriz të një lidhjeje të qëndrueshme. Kur dy njerëz bien në dashuri, pse duhet të shkojnë në altar, kur mund të kthehen shumë mirë në spektatorë? Pse të ndërmarrin premtimet afatgjata kur ata thjesht mund të kënaqin pasionet e tyre për momentin? Nëpër filma, seksi pa martesë, pasioni pa një lidhje të qëndrueshme i ngjan një historie të bukur dashurie. Në jetën reale, kjo është thjesht një histori epshi.

Për shembull te filmi Titaniku, pasi Xheku kryen tradhti me shtatëmbëdhjetë vjeçaren Roz, ai është gati të vdesë për të. Në jetën reale, kur një djalë i ri kryen tradhti me një vajzë shtatëmbëdhjetë vjeçare që sapo e ka takuar, ai nuk vdes për të; por thjesht i jep duart. Në Titanikun real, anijen që u mbyt, nuk ishin dashnorët ata që vdiqën për vajzat që këta kishin marrë në shtrat një natë më parë. Por ishin bashkëshortët e tyre që vdiqën në mënyrë që bashkëshortet dhe fëmijët e tyre të jetonin. Në filma, pasioni mes të pamartuarve duket i mrekullueshëm dhe emocionues. Në botën reale pasioni i të pamartuarve lë gjurmë të këqija, te dy të dashurit mbeten me: zemra të thyera, sëmundje të ndyra, shtatzëni të padëshiruara dhe dëmtim të aftësisë për të shijuar pasionin e qëndrueshëm të martesës. Prandaj nëse je beqar, mos bjer pre e gënjeshtrës se seksi para martese është i mirë. Mos e kërko pasionin jashtë një lidhjeje të qëndrueshme.

Në të njëjtën mënyrë, nëse nuk je i martuar, mos tolero një lidhje të qëndrueshme pa pasion. Perëndia nuk thotë vetëm:”Burra rrini ngjitur pas grave tuaja.” Ai thotë: “Burra, t’i doni gratë tuaja.” Bibla na thotë që të kapemi pas njëri-tjetrit, të rrimë ngjitur pas njëri tjetrit, por jo sikur kemi ngecur më këtë partner dhe nuk kemi ç’bëjmë. Ne duhet të duam njëri-tjetrin me të njëjtin pasion që përshkruhet në Bibël, në një prej poezive më të bukura të dashurisë, Kantiku i Kantikëve, i cili thotë: ” Më vër si një vulë mbi zemrën tënde, si një vulë mbi krahun tënd; sepse dashuria është e fortë si vdekja…. Flakët e saj janë flakë zjarri, një flakë që përvëlon. Ujërat e mëdha nuk do të mund ta shuajnë dashurinë, as lumenjtë ta përmbytin.” (8:6-7)

A do të thotë kjo se të martuarit digjen gjithmonë me të njëjtin pasion dhe entuziazëm për partnerin e tyre si herën e parë që u takuan? Edhe po edhe jo. Po, në kuptimin që zjarri duhet të jetë gjithmonë i ndezur. Dhe jo, në kuptimin që zjarri më vonë mund të digjet krejt ndryshe nga mënyra se si u ndez në fillim. Flaka bëhet më e qëndrueshme dhe më konstante, por gjithsesi qëndron e nxehtë!

 Kokë dhe trup

Te letra e Efesianëve kapitulli 5, Bibla na mëson se martesa i ngjan marrëdhënies së Jezusit me kishën, dhe si rrjedhojë i ngjan marrëdhënies që koka ka me trupin. Para së gjithash kjo do të thotë se burri dhe gruaja janë një trup; pra nuk janë më individë autonomë dhe të pavarur. Koka dhe trupi kanë nevojë për njëri-tjetrin. Ndonjëherë një burrë i drejtohet gruas si “ gjysma ime më e mirë”. Këtu ka shumë të vërteta brenda. Gruaja jote nuk është thjesht një person me të cilin të ra në pjesë të jetosh; ajo është “gjysma jote më e mirë”. Dy njerëz bëhen një mish i vetëm. Kjo lidhje uniteti shijohet dhe gëzohet në mënyrë të mrekullueshme përmes lidhjes seksuale, por është gjithashtu një pjesë e rëndësishme në çdo dimension të jetës martesore. Ju jeni bashkuar fizikisht dhe, në të njëjtën kohë jetët tuaja emocionale, shpirtërore dhe sociale, bashkohen dhe ndërthuren. Sikurse Jezusi është lidhur me kishën, e koka është e lidhur me trupin, kështu janë të lidhur me njëri- tjetrin edhe burri me gruan.

Nëse konkurron me bashkëshortin apo bashkëshorten për të parë se kush ka më shumë të drejta, me shumë mundësi po konkurron me veten dhe do të përfundosh duke u lënduar. Martesa e krishterë, bazohet në bashkëpunimin, jo në konkurrencën. Ajo bazohet tek uniteti dhe nënshtrimi ndaj njëri-tjetrit, nuk bazohet te të drejtat individuale. Kjo është ajo që e bën atë kaq shpërblyese dhe romantike.

Kur që të dy, edhe burri edhe gruaja janë të krishterë, Perëndia dëshiron që marrëdhënia e tyre të jetë një shembull konkret i marrëdhënies së Jezusit me kishën. Ai i fton gratë që t’i nënshtrohen burrave të tyre ashtu siç i nënshtrohet kisha Jezusit, apo sikurse trupi ndjek drejtimin e kokës. Një grua e krishterë do të bëjë gjithçka mundet, për të nderuar dhe mbështetur burrin e saj. Ajo i nënshtrohet, jo se burri është më i mirë apo më i zgjuar, apo më i rëndësishëm se ajo por i nënshtrohet atij si “Zotit” në shenjë nderimi për Krishtin. Ajo e respekton burrin e saj dhe dëshiron që reagimi i saj ndaj tij të reflektojë të njëjtin raport si kisha me Jezusin. Një grua e krishterë nuk duhet të martohet, po që se nuk martohet me një të krishterë, të cilit do t’i nënshtrohet me dëshirë. Përndryshe, ajo do të humbasë gëzimin e romancës përfundimtare.

Dhe nëse mendon se ky është një rregull i gjatë për një grua, dëgjo se çfarë do të thotë martesa e krishterë për një burrë. Nëse je i martuar dhe je i krishterë, Perëndia të fton të duash gruan ashtu si Jezusi e do kishën. Dhe si e do Jezusi kishën e tij? Ai ishte i gatshëm të bënte gjithçka që duhej, madje të dorëzonte jetën e vet, me qëllim që ta bënte të përkryer dhe rrëzëlluese “nusen” e Tij. prandaj nëse një i krishterë, nuk duhet ë martohesh me një grua nëse nuk është e krishterë dhe nëse nuk je i gatshëm të vdesësh për të.

Nëse je i martuar, ti je kreu i gruas tënde; ty të është dhënë autoritet nga Perëndia në martesën tënde, por ky është autoriteti i një dashurie sakrifikuese. Dashuria për gruan duhet të reflektojë dashurinë e Jezusit për kishën. Jezusi si kreu i kishës, u bë shërbëtor dhe lau këmbët e pista të dishepujve të tij; prandaj nëse dëshiron t’i tregosh se je kreu i saj, ndihmoje për të larë pjatat dhe për të larë dyshemenë. Si kreu i kishës, Jezusi sakrifikoi jetën e tij për kishën. Kështu që nëse dëshiron të vërtetosh se je kreu, mos u sill vërdallë duke ngulur këmbë se je ti që vendos. Në vend të kësaj, hiq dorë nga gjithçka që ke me qëllim që të ndërtosh bashkëshorten tënde e ta bësh atë me të vërtetë një grua rrezatuese.

Ti thua se gruaja jote nuk është e përsosur? Nëse marrëdhënia jote me Jezusin, do të mbështetej te të qenurit i përsosur, ku do të ishte ti tani? Thirrja jote për të qenë kreu në martesën tënde, është të falësh gruan tënde, ti shërbesh e ta ndihmosh atë që të bëhet personi që Perëndia ka planifikuar që të jetë. Kështu e trajton kreu i kishës nusen e tij, kështu duhet ta trajtosh edhe ti nusen tënde. Nëse dëshiron që gruaja jote të jetë më romantike, më rrezatuese, atëherë duaje atë ashtu siç Jezusi e do kishën. Ti mendon se gruaja jote duhet të ndryshojë? Mirë atëherë, pse nuk ndalon së shtyri atë që të jetë ashtu siç do ti dhe, në vend të kësaj jepi dashuri që ta ndihmosh të bëhet ashtu siç e do Perëndia. Koka bën më të mirën për trupin; Krishti bën më të mirën për kishën e tij; dhe çdo bashkëshort i krishterë do të kërkojë më të mirën për gruan e tij, pavarësisht se sa i kushton kjo.

Intimitet në rritje

Kur ju të dy si burrë dhe grua, jetoni sipas këtij shembulli, jo vetëm që kjo ndihmon martesën tuaj, por thellon marrëdhënien me Krishtin. Mënyra se si lidhesh me gruan mund të ketë një ndikim përfundimtar në raportin tënd me Krishtin. Sipas 1 Pjetrit 3:7, tensioni në martesë mund të pengojë lutjet e tua dhe të dëmtojë intimitetin tënd me Jezusin. Por po aq e vërtetë është e kundërta e kësaj. Dashuria intime në martesë mund të ndihmojë në lutjet e tua si edhe që të thellosh marrëdhënien me Jezusin.

Kjo është arsyeja përse: një prej gjërave më romantike në martesë nuk është fakti se jeni partnerë “idealë për njëri tjetrin”, sikurse jemi mësuar të themi ndonjëherë, por që ju të dy keni dobësitë tuaja, megjithatë e doni njëri-tjetrin.

Ju filloni ta njihni njëri-tjetrin shumë mirë, ju zbuloni dobësitë në karakterin e njëri-tjetrit, edhe atëherë kur lëndoni njëri tjetrin ju vazhdoni të falni dhe t’i shërbeni njëri-tjetrit dhe, gjatë procesit, ju e ndihmoni tjetrin të përmirësohet dhe të rritet. Dhe në këtë dashuri pa kushte, falëse dhe ndërtuese për shoqi- shoqin, ju zhvilloni një përvojë akoma më të thellë dhe më të gjallë të dashurisë pa kushte, ashtu si Jezusi. Besimi yt, bëhet më romantik, dhe lidhja juaj romantike bëhet më shumë besnike.

Komente

komente