Titulli: Rrëfyes të së vërtetës (pjesa 3)

Imagjino sikur flet me një doktor, një terapist, apo pastor dhe i tregon diçka shumë personale nga vetja. A do të ishte mirë nga ana e tyre të shkonin e tu thoshin të gjithëve ato që u tregove ti, ndonëse ishin të vërteta? Sigurisht që jo! Edhe sikur të ketë një të vërtetë brenda, ata po bëjnë diçka të gabuar sepse kanë shkelur besimin tënd.

Kjo është shumë e dukshme në çështjet që përfshijnë sekrete profesionale, por çfarë mund të themi për thashethemet e rëndomta? Një shumicë thashethemesh nuk janë gjë tjetër veçse zëra, por edhe sikur të ishin të vërteta, është e gabuar të transmetosh sekrete delikate apo të përhapësh histori negative për njerëzit prapa krahëve. Edhe sikur të jesh duke thënë diçka të vërtetë, nuk po e bën atë me dashuri.

Libri i Fjalëve të Urta, në Bibël, prek në mënyrë kritike thashethemet. Fjalët e Urta 11:13 thotë “Kush shkon rreth e qark duke përfolur, nxjerr sekretet, por ai që ka një shpirt besnik i fsheh ato.” Nëse ke ndonjë mik që i përhap sekretet e tua kudo, atëherë më beso se ai person nuk ka për të qenë miku yt për një kohë të gjatë.

Thashethemexhinjtë nuk janë miq të mirë. Ata shpesh e shkatërrojnë miqësitë e njerëzve të tjerë duke i kthyer ata kundër njëri tjetrit. Fjalët e Urta 16:28 thotë: “Ai që shpif përçan miqtë më të mirë.” Ndoshta ke pasur një mik që e pëlqeje dhe e respektoje, por doli një thashethem, dikush të tregoi një histori që prek reputacionin e atij personi.  Ndoshta ka qenë diçka që i përkiste së kaluarës, apo diçka që nuk ishte nevoja ta mësoje, por që prej asaj kohe ti nuk e sheh më atë person me simpati si më parë.

Kur dikush të bën keq, ti ke prirjen tu thuash të tjerëve atë që ndodhi. Ti dëshiron të sigurohesh që të gjithë ta marrin vesh se çfarë personi ishte ai. Dhe kështu ti fillon të ritregosh atë histori për të helmuar mendjet e të tjerëve, dhe t’i bësh edhe ata ta përçmojnë atë person. Në këtë rast ti nuk po e thua të vërtetën “me dashuri”. Fjalët e Urta 17:9 thotë: ” Kush mbulon një faj fiton dashuri, por kush i rikthehet përsëri ndan miqtë më të mirë.”

Thashethemet janë tej mase të dëmshme, megjithatë për arsye që as vetë nuk i dimë, nuk mund t’i rezistojmë thashethemeve. Ne e kemi kënaqësi të dëgjojmë thashetheme për njerëzit që njohim. Nëse kjo nuk e kënaq oreksin tonë, blemë revista, gazeta, apo ndjekim programe televizive, që ofrojnë thashetheme për aktorët, këngëtarët, politikanët dhe njerëzit e tjerë të famshëm. Sa më delikate thashethemet, aq më të shijshme duken. Fjalët e Urta 18:8 thotë: ” Fjalët e shpifësit janë si një gjellë shumë e shijshme që zbret thellë në zorrë.” Thashethemet na pëlqejnë. Njerëzit janë të uritur për to, ata i kapërdijnë dhe thashethemet qëndrojnë brenda tyre.

Sigurisht që kur flasim në telefon apo jemi pjesë e një grupi që po flet për dikë, këto nuk quhen realisht thashetheme. Ne thjesht po informohemi për të rejat e fundit! Por në çastin që njerëzit flasin për mua, mund të them se janë thashetheme dhe duhet të ndalojnë! Është e vështirë për ne të ndalojmë së thëni thashetheme dhe është po aq e vështirë të mos tërbohemi nga inati, kur dikush përhap thashetheme për ne. Ndoshta kjo është arsyeja që Bibla thotë: ” Përveç kësaj mos u vër veshin tërë fjalëve që thuhen…  sepse zemra jote gjithashtu e di që ti vet i ke mallkuar shumë herë të tjerët”. (Predikuesit 7:21-22)

Ne duhet të jemi mjaft të fortë që të rezistojmë kur njerëzit përhapin thashetheme për ne prapa krahëve dhe, duhet ta pranojmë se shpesh herë e kemi bërë edhe vetë këtë gjë.

Por Perëndia nuk dëshiron që të ndalojmë te ky arsyetim. Ne nuk duhet thjesht të mbledhim supet dhe të themi: “Po mirë,  nuk kemi çfarë të bëjmë, kështu është kjo botë. Kështu janë këto gjëra.” Jo, në Bibël, Perëndia na e tregon botën ashtu si është, por më pas na fton të bëjmë diçka më të mirë, për shkak të asaj që Ai është. Ai është Perëndia i së vërtetës, dhe Perëndia i dashurisë, prandaj ti edhe unë jemi thirrur ta themi të vërtetën me dashuri.

Bibla thotë: ” Një nam i mirë është më i pëlqyeshëm se pasuritë e mëdha.” (Fjalët e Urta 22:1) Kur ti mbron dhe promovon emrin e mirë të fqinjit tënd, ti po i bën Perëndisë një dhuratë të paçmuar. Kur ti e sulmon reputacionin e tij, dhe shkatërron emrin e tij të mirë, ti i vjedh Atij diçka shumë të çmuar. Ja një rregull i përgjithshëm: nëse nuk ke diçka të mirë për të thënë, më mirë mos thuaj asgjë.

Kjo nuk do të thotë se ti nuk do të thuash asnjëherë gjëra që nuk janë shumë të këndshme. Nëse je dëshmitar okular në një skenë krimi, duhet të tregosh një të vërtetë të pakëndshme, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend dhe të pafajshmit të mbrohen. Kësisoj, nëse dikush të bën keq, ti duhet të përballesh me atë person me sinqeritet. Dhe nëse shikon dikë që bën një gabim që ai vetë nuk e vënë re, ti mund të jesh në gjendje ta ndihmosh duke i bërë një kritikë ndërtuese. Ndonjëherë ne duhet të themi të vërtetën, edhe sikur kjo të jetë e dhimbshme. Bibla flet shpesh për vlerën e një qortimi ndërtues.

Megjithatë ekziston një ndryshim i madh mes qortimit dhe thashethemeve. Në qortim, ti nxjerr në pah fajet e atij personi, në mënyrë që ai të ndryshojë. Ndërsa në thashetheme, ti thekson fajet e një personi që gjithë të tjerët t’i marrin vesh dhe të kenë një opinion më të ulët për të.

“Ta themi të vërtetën me dashuri”-ky është standardi i Perëndisë që tregon si duhet ta përdorim gjuhën tonë. Bibla thotë: ” Në qoftë se ndokush nga ju mendon se është fetar, edhe nuk i vë fre gjuhës së vet, sigurisht ai e mashtron zemrën e vet, feja e këtij është e kotë.” (Jakobi 1:26) A e kuptove këtë? “Besimi i tij është i kotë.” Gënjeshtrat dhe thashethemet janë simptomat e një besimi të kotë. Ato janë shenjat e një personi që nuk i përket Perëndisë.

Te 1 Korintasve 6:9 thuhet se shpifësit nuk kanë vend në mbretërinë e Perëndisë. Kur deklaron zemërimin e Perëndisë kundër mëkatit, Romakëve 1 i rendit thashethemexhinjtë dhe shpifësit në të njëjtën kategori me perversët seksualë dhe vrasësit. Dhe Zbulesa 21:8 thotë: ” Kurse për frikacakët dhe të pabesët, dhe të neveritshmit dhe vrasësit, dhe kurvëruesit, dhe magjistarët, dhe idhujtarët, dhe gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë.” Përgjatë Fjalës së Perëndisë, është e qartë se gënjeshtarët dhe thashethemexhinjtë dhe gënjeshtarët do të shkojnë në ferr me atin e rrenave dhe gjithë demonët e tjerë gënjeshtarë.

E vërteta që shpëton

Nëse do të ishim para kësaj situate, ferri do të ishte destinacioni ynë i pashmangshëm, duke qenë se gënjeshtra dhe thashethemet  janë diçka që na ndodh natyrshëm. Por Perëndia nuk na ka lënë vetëm në këtë situatë. Ai zbulon të vërtetën e Tij të pandryshueshme në personin e Jezus Krishtit dhe në premtimet e Biblës. Zoti premton se kur largohemi nga gënjeshtrat e Satanit dhe besojmë të vërtetën e Perëndisë, do të shpëtohemi.

Pra pendohu për mëkatet e tua dhe për gjithë gënjeshtrat e tjera. Kërkoji Perëndisë të të falë për hir të gjakut të Jezusit. Besoji premtimit të tij, për faljen dhe jetën e përjetshme. Mos u mashtro prej gënjeshtrave të Satanit. Besoje të vërtetën e Perëndisë në Bibël. Më pas me ndihmën e Frymës së Perëndisë që jeton në ty, përkushtoju për të jetuar në të vërtetën, duke qenë se je birësuar si fëmijë i Perëndisë të së vërtetës.

Vërtetësia e Perëndisë është i vetmi burim i stabilitetit dhe shpresës. Bibla  thotë se kur i besojmë Jezusit, ne kemi ” shpresën e jetës së përjetshme, të cilën Perëndia, që nuk gënjen, e premtoi para të gjitha kohërave”. (Titi 1:2) Në një vend tjetër thuhet: “Sepse kur Perëndia i dha premtimin Abrahamit, duke qenë se s’kishte ndonjë më të madh që të përbetohej, bëri be me veten e tij… që me anë të dy gjërave të pandryshueshme, në të cilat është e pamundur të Perëndia të gënjejë, të kemi trimërim të madh ne, që kemi kërkuar strehë duke u kapur nga shpresa që na u vu përpara. Kjo shpresë që ne kemi është si një spirancë e sigurt dhe e patundur, dhe që hyn deri në brendësinë e velit.” (Hebrenjve 6:13,18-19) A nuk është e mrekullueshme kjo? Në një botë me gënjeshtra dhe thashetheme ne kemi ” një spirancë të sigurt dhe të patundur, që hyn deri në brendësinë e velit.” Ne kemi premtimet e Perëndisë në Krishtin dhe “është e pamundur që Perëndia të gënjejë.”

Besoje Perëndinë e së vërtetës dhe bëhu edhe ti një person që thotë të vërtetën. Besoji Perëndisë së dashurisë dhe “thuaje të vërtetën me dashuri”, në marrëdhënie me njerëzit e tjerë. Besoji Perëndisë së inkurajimit të përjetshëm dhe fol në një mënyrë  që inkurajon të tjerët. ” Dhe ai vetë Zoti ynë Jezu Krisht dhe Perëndia Ati ynë, që na deshi dhe na dha ngushëllim të përjetshëm dhe shpresë të mirë me anë të hirit, i ngushëlloftë zemrat tuaja dhe ju forcoftë në çdo fjalë e punë të mirë.” ( 2 Thesalonikasve 2:16-17)

Komente

komente